Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

“Të ndërtojmë strategji, të mos mposhtemi nga vështirësitë” me këtë mesazh Kryeministri Edi Rama ka hapur fjalimin e tij në takimin me shoqatën APEN, një organizim profesionistësh shqiptarë me edukim të lartë dhe pozicione pune të spikatura në Nju Jork. Në këtë takim Kryeministri ishte i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama.

Kryeministri Rama në fjalën e tij, duke kërkuar më shumë angazhim të shqiptarëve që kanë lënë gjurmë në shtetet ku kanë vajtur dhe ku kanë ngritur karrierat e tyre profesionale, u shpreh se ndryshimi që Shqipëria dhe shqiptarët presin nuk mund të bëhet nga një njeri i vetëm. “Bashkë të realizojmë ndryshimin që i shtyu njerëzit të votonin duke na ngarkuar ne barrën e madhe, që ta bëjmë atë të mundur,” është shprehur kryeministri.

Për Edi Ramën një nga potencialet e pashfrytëzuara në mbi 20 vjet është ai i shqiptarëve që jetojnë dhe kanë bërë sukses jashtë kufijve të vendit: “Një nga fuqitë e mëdha e unë besoj të pashfrytëzuar të gjithë këtyre viteve është fuqia e shqiptarëve jashtë atdheut, fuqia e shqiptarëve që në mijëra rrugë të ndryshme kanë shkuar në të njëjtën drejtim, duke u bazuar tek talenti, tek vullneti i tyre.”

Apeli i Kryeministrit Edi Rama për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit ishte për të bashkuar fuqitë e dijet në një rrugëtim të përbashkët:“Ne duhet me patjetër që të gjejmë mijëra rrugë për të bashkuar rrugët tona. Për të bashkuar rrugën e secilit prej jush me rrugën e vendit tonë. Duke synuar që ju të keni mundësi të kontribuoni për Shqipërinë, jo vetëm kaq sa kontribuoni sot duke i dhënë dinjitet emrit të Shqipërisë, me studimet tuaja, me kontributin tuaj aty ku punoni, me investimet tuaja, me biznesin që bëni këtu, por edhe duke i dhënë Shqipërisë sadopak nga dija juaj.”

I befasuar nga dëshira e jashtëzakonshme e drejtuesve të shoqatave shqiptare në SHBA për të kontribuar në Shqipëri drejtpërdrejtë duke ardhur, duke dhënë leksione, duke bërë operacione, duke ndihmuar për legjislacionin Kryeministri Rama tha se këtë gjë mund ta bëjnë edhe të tjerë pasi një pikëpyetje shumë e madhe është për qeverinë e re fakti që investimet e shqiptarëve të Amerikës janë simbolike në Shqipëri.

“Ne do të bëjmë çmos që pas 4 vitesh disa shembuj cilësorë të jenë ndërtuar duke treguar se jo vetëm është e mundur, por është e dëshirueshme që të ketë sa më shumë investime nga shqiptarët e Amerikës dhe Shqipëria të jetë vendi ku çdo shqiptar qoftë i Amerikës, qoftë i kujtdo vendi të mund të bëjë biznes dhe të mund të bëjë sukses. Dhe të mund ta bashkojë edhe Shqipërinë në hartën e suksesit të saj.”

“Shqipëria mund të bëjë atë që secili prej jush ka bërë individualisht”, ka nënvizuar ndër të tjera Kryeministri Rama në këtë takim.

T’i japim dinjitet vetes, familjes dhe vendit ka theksuar Edi Rama duke shprehur vendosmërinë se Shqipëria mund ta bëjë këtë. Dhe që Shqipëria ta bëjë këtë të gjithë anëtarët e familjes tonë të përbashkët duhet të bëjnë diçka. Të gjithë së bashku duhet të ndërtojmë një strategji të përbashkët për të çuar përpara ëndrrën e një vendi që të jetë krenaria jonë jo vetëm për Fan Nolin apo për Faik Konicën. Jo vetëm për çka mund të referojmë në të shkuarën, por edhe për çka ne vetë bëmë në të tashmen që e ardhmja të jetë më e mirë,” ka përfunduar fjalën Kryeministri Edi Rama.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.