Shqipëria përmbylli me sukses vlerësimin e GRECO-s për angazhimin intensiv në parandalimin e korrupsionit në qeverisjen qendrore dhe forcat e sigurisë.
Ky lajm u nda sot në Konferencën e përbashkët Ndërinstitucionale “Nga angazhimi në rezultate: Progresi në parandalimin e korrupsionit.” – bashkëorganizim i Ministrisë së Brendshme dhe Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorruopsionin, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha, Ministres së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, si dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë.
“Këtë të mërkurë seanca plenare e GRECO-s miratoi raportin për Shqipërinë, raportin e vlerësimit të progresit në fushën e parandalimit të korrupsionit për institucionet e qeverisjes qendrore dhe ato të zbatimit të ligjit, një rezultat që Presidenti i GRECO-s e vlerësoi si të shkëlqyer për Shqipërinë.” – u shpreh ministrja Pirdeni, teksa informoi se “Nga 24 rekomandime që ju caktuan Shqipërisë, 18 prej tyre quhen sot plotësisht të realizuara, 5 prej tyre pjesërisht dhe vetëm 1 prej tyre mbetet ende për t’u realizuar. Sipas rregullave të GRECO-s nëse janë plotësuar mbi 66 % e rekomandimeve raundi quhet i përmbushur sepse shteti ka vendosur sisteme solide të parandalimit të korrupsionit në këto fusha. Shqipëria ka realizuar sot plotësisht mbi 75 % të këtyre rekomandimeve dhe ne jemi sot shumë entuziastë të ndajmë këto shifra me ju.” – u shpreh ajo.
Përmbushja e rekomandimeve të KiE-së është rezultati faktik i gjithë përpjekjeve, për të forcuar çdo hallkë integriteti në Policinë e Shtetit, agjencinë më të madhe ligjzbatuese në vend.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Profesor Ricardo Hausmann dikur me pat thënë një fjalë që e kujtoj vazhdimisht edhe sot Adea e ri solli e më pas miku ynë i nderit zoti Esposito e ritheksoi që rëndom qeveritë maten me atë që bëjnë, por meritën kryesore e kanë në fakt për atë që nuk lejojnë të ndodh dhe ajo që qeveria nuk lejon të ndodh është diçka që mund të vlerësohet vetëm duke hyrë më thellë dhe duke sunduar pikërisht themelet në të gjitha fushat.
Sot më vjen shumë mirë që jemi këtu për këtë tjetër raport domethënës dhe inkurajues për progresin që kemi bërë në një farë mënyre është një tjetër kala që marrim, duke pasur parasysh se kur kemi nisur këtë rrugëtim nga të katër anët raportet ishin tejet problematike dhe ky raport vjen pas atij të SIGMA-s pak kohë më parë i cili realisht ma dha shumë energji pozitive dhe na dha shumë arsye për tu ndjerë edhe më të motivuar duke e renditur Shqipërinë të parën në rajon për integritetin e Prokurimeve Publike me një diferencë domethënëse nga vendi i dytë, të parën në rajon për financimin, për menaxhimin e financimeve publike me diferencë nga vendi i dytë dhe të parën në rajon për administrimin e burimeve njerëzore me diferencë nga vendi i dytë.
Nga ana tjetër përpara se sa raporti i SIGMA-s të bëhej publik, një tjetër raport shumë domethënës na dha energji dhe na dha një inkurajim të madh. Raporti Bertelsmann Transformation Index, një ndër Index-et më të respektuar dhe prestigjiozë botërisht ku shkruhet shprehimisht: “që nga vendi më i korruptuar në Europë në vitin 2012, Shqipëria sot renditet si një nga 8 shtetet me progresin më substancial të dekadës së fundit dhe sipas pikërisht këtij Index-i Shqipëria ka performuar më mirë në të gjithë treguesit krahasuar me të gjitha matjet e bëra më parë dhe veçanërisht i rëndësishëm shkruan raporti: “është përmirësimi i shpejt në cilësinë e qeverisjes”, duke e renditur Shqipërinë ndër tre vendet me përmirësimin më të madh të qeverisjes.
Transparency International erdhi edhe ai pak më parë për vitin 2024, vjen me një reflektim më në fund kuptimplotë të gjithë këtij progresi të bërë, ku Shqipëria u ngjit 18 vende më renditjen globale. Nga ana tjetër Western Balkans Competitiveness Outlook për 2024, Raporti i OECD-së Shqipëria konsiderohet një lider rajonal në politikat kundër korrupsionit, me rezultatin më të lartë ndër ekonomitë e Ballkanit Perëndimor për masën e politikave anti korrupsion duke tejkaluar ndjeshëm shkruan raporti, unë vetëm po lexoj “rajonin në fushat e parandalimit të korrupsionit si edhe në fushën e hetimeve dhe ndjekjeve penale”. Dhe përpjekjet për të luftuar dhe parandaluar korrupsionin “janë forcuar sipas raportit falë një kuadri gjithëpërfshirës ligjor dhe institucional.”
Kjo është një tërësi faktesh që shpjegojnë për këdo që do të kuptojë se pse Shqipëria sot është në pararojë të procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Pse Shqipëria sot ka kapacitetin për ta përmbyllur procesin e negociatave brenda vitit 2027 dhe pse Shqipëria sot ka të gjitha arsyet që të ndjehet plotësisht e motivuar për tu bërë anëtare e Bashkimit Europian brenda kësaj dekade. Dhe meqë ra fjala dua të theksoj se shumë shpejt ne do të vazhdojmë me hapjen e kapitujve të tjerë ndryshe nga ç’është thënë ditët e fundit në pasqyrat e kënetës mediatike dhe politike.
Tani unë nuk dua të shtoj më shumë ose të marr më shumë kohë për ç’ka u tha mirë e bukur këtu nga Adea, ministrja apo Zoti Esposito dua vetëm të them që për ne ky nuk është absolutisht një moment për tu ulur edhe për të kontempluar panoramën e arritjeve, po përkundrazi të gjitha këto janë motive të forta për të qenë shumë më ambicioz e për të shkuar shumë më tej dhe ne jemi duke bërë përpjekje të gjithëanshme për ta thelluar këtë progres duke përgatitur një dallgë tjetër reformash të mirëqeverisjes, të sundimit të ligjit dhe të antikorrupsionit, me një përfshirje të madhe të të gjithë institucioneve dhe me ndërveprimin e të treja pushteteve të pavarura, Pushtetit Legjislativ, Pushtetit Ekzekutiv dhe Pushtetit Gjyqësor duke vazhduar ne si qeveri të bëjmë një punë konsiderueshme akoma edhe më të madhe në fakt për të vënë në dispozicion të këtij progresi dhe të qëllimit tonë të madh për të hyrë në Bashkimin Euopian dhe zhvillimet e teknologjisë.
Jemi duke përgatitur një model unik për Prokurimet Publike me Inteligjencë Artificiale që deri më sot të paktën është i pari model që do të mbulojnë 95 % të procesit pa përfshijnë e njeriut. Para pak javësh kemi patur një workshop me 16 përfaqësues të grupeve të kërkimit dhe të teknologjisë nga 16 vende europiane që merren me zhvillimin e modelit të Prokurimit Publik me Inteligjencën Artificiale dhe ka qenë shumë inkurajues ai workshop, por edhe domethënës për ne pasi të gjitha vendet e tjera kanë copëza, pjesë, por ne po mundohemi dhe po e bëjmë këtë në bashkëpunim me Mira Muratin dhe grupin e saj si edhe me Microsoft që të kemi një model gjithëpërfshirës të të gjithë procesit. Po kështu Adea e përmendi jemi të vetëdijshëm që Kadastra ka nevojë për të qenë shumë më efektive ndaj shërbimeve për qytetarët, pavarësisht progresit të madh që është bërë krahasimisht me nga ku jemi nisur dhe ndërkohë që ecim me digjitalizimin e plotë të Kadastrës, falë mbështetjes që kemi marrë dhe nga Komisioni Europian, po punojmë edhe për të futur Inteligjencën Artificiale në proceset e Kadastrës më pas.
Në sistemin e drejtësisë jemi akoma në epokën e gurit. Zhvillojmë intervista në prokurori, edhe në polici në fakt, pa audio dhe pa video, intervistat në prokurori, që nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm deri tek prokuroria speciale bëhen si në kohën e gurit “Unë të shoh e ti më sheh, unë të pyes e ti më thua dhe unë shkruaj çfarë të dua”. Kjo është vënë në pah nga institucionet ndërkombëtare, është një nga gjërat që duhet korrigjuar me urgjencë dhe ne do ta korrigjojmë patjetër, duke e vazhduar ta mbështesim fuqimisht sistemin e drejtësisë, duke vazhduar ta mbështesim fuqimisht SPAK-un, GJKKO dhe gjithë institucionet e tjera të reja të krijuara nga reforma në drejtësi dhe duke shpresuar që më në fund, do të bëhet realitet dhe sistemi i menaxhimit digjital të të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me pushtetin gjyqësor. Një projekt që tanimë ka një vonesë të palogjikshme, por që shpresoj, që më në fund, do të vihet në vijë dhe uroj që Këshilli i Lartë Gjyqësor të mos e vonojë më, por ta çojë përpara. Ne si qeveri kemi angazhuar fonde dhe jemi tërësisht në mbështetje për të realizuar këtë program.
Të gjitha këto do të jenë jashtëzakonisht efektive në atë që zoti Esposito e theksoi me shumë të drejtë që është parandalimi, që është krijimi i një sistemi shtetëror të mirëndërthurur, ku paralelisht me luftën kundër korrupsionit garantohet edhe liria, garantohen të drejtat e njeriut, garantohet dhe e drejta e publikut për të pasur transparencë të plotë mbi proceset e brendshme të shtetit, garantohet konkurrenca e lirë dhe të gjitha ato që e bëjnë një shtet demokratik një demokraci funksionale, të denjë për familjen e bashkuar europiane.
Në mbyllje, dua të falënderoj njeriun pa të cilin nuk do kishim ardhur këtu sot që është Ministrja jonë e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, dua të falënderoj të gjithë skuadrën që ka punuar intensivisht për ta ushqyer qeverinë me produkte të marketit europian të politikave të marra të freskëta nga Brukseli dhe nga Strasburgu, dua të falënderoj pa diskutim Këshillin e Europës dhe vetë zotin Esposito për disponimin dhe për ardhjen e tij këtu sot, dua të falënderoj Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren tonë që vigjilon mbi ne si një agjente e devotshme e Bashkimit Europian, ndjehemi të përndjekur 24 orë në 24 për të kryer detyrat në mënyrë që të arrijmë sa më shpejt që të përfshihemi në atë familje dhe ta mbyllim më në fund këtë krushqi kaq të vështirë dhe dua të falënderoj dhe të gjithë të pranishmit këtu.
Ah dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që e shoh të rreshtuar me krenari krah për krah me gjithë trupin diplomatik dhe përfaqësuesit e tjerë të trupit diplomatik. Kemi sot një Polici Shteti që, jo vetëm rastësisht, por edhe simbolikisht mund të rreshtohet krah për krah me të gjitha trupat policore të vendeve europiane.
I fundit, por jo për nga rëndësia, Ministrin e Brendshëm, i cili ka një kontribut të veçantë në çuarjen përpara të një reforme që vazhdon në Policinë e Shtetit dhe nga ana tjetër, nuk harron asnjëherë, siç bëri edhe sot, të sjellë në vëmendje shkallët që janë ndjekur për t’u ngjitur deri këtu. Është një rrugë që vazhdon dhe ne të gjithë së bashku, edhe me ndihmën bujare të gjithkujt që është i përfshirë në këtë proces, do t’ia dalim që më në fund, ta vëmë Shqipërinë në rreshtin e familjeve europiane dhe duke qenë se emri ynë në gjuhë të huaj fillon A, Albania, kur të shkojmë do jemi të parët atje. Edhe flamuri ynë do futet pa radhë i pari sepse ne “ose të parët o s’ka”.
Faleminderit.