Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën plenare të Kuvendit:
Përgatitja për këtë seancë ishte një mundësi për të parë edhe një herë panoramën e ndryshimit r rënjësor që ka nisur dhe vazhdon në Policinë e Shtetit dhe në tërësi, panoramën e sigurisë në vendin tonë.
Që sot, Shqipëria është një vend shumë më i sigurt sesa ishte 5 vite më parë, kjo nuk ka asnjë diskutim, edhe pse diskutohet rregullisht, pa pushim, në të gjitha klubet mediatike dhe vihet në shënjestër në mënyrë të pandërprerë, duke ekspozuar në vazhdimësi çdo ngjarje që nuk përbën ngjarje, që ndodh në Republikën e Shqipërisë. Ra tjegulla e çatise në fshatin filan mbi kokën e një të moshuare. E moshuara është jashtë rreziku për jetën, -lajm në televizion lajmesh kombëtare; Apo devijoi rrugën furgoni, shoferi ishte në gjendje të dehur, nuk pati asnjë të plagosur.
Është një mori episodesh të tilla, të cilat mbushin boshllëkun e ditës në një kazan që zien e zien e që pastaj arrin në pikën e vlimit kur shfaqet babalja, kur shfaqet Niçja i Shijakut, apo kur shfaqet edhe shoku i tyre i pandashëm, Ervin Salianji.
Sidoqoftë, përsëri ajo që vlen të nënvizohet është se të gjithë ata, të cilët e kanë marrë dhe vazhdojnë ta marrin edhe sot për budalla këtë popull, kanë paguar dhe do vazhdojnë të paguajnë koston e këtij nënvlerësimi. Një nënvlerësim që vjen si rezultat i mungesës së tyre të vizionit, i mungesës së tyre të ideve, i mungesës së tyre të të gjithë atyre elementëve që i japin një tufe njerëzish formën dhe përmbajtjen e një grupi të organizuar njerëzish për një qëllim të caktuar.
Mua më vjen shumë mirë që përsëri sot, ne nuk jemi në vendnumëro, nuk mjaftohemi me sa kemi arritur, por konfirmojmë se çka kemi arritur, është thjesht dhe vetëm një shtysë për të shkuar më tutje.
Vetëm në dy muajt e parë të këtij viti janë referuar 60 raste për pastrim parash dhe janë sekuestruar 8. 2 milionë euro. Në gjithë vitin 2013, vlera e sekuestrimit mezi arriti 1 milionë euro. Në total, ajo çka është vlerë e sekuestruar parash nga krimi i organizuar në këto 5 vite është shumëfish i vlerës së sekuestruar në 8 vitet e qeverisjes së atyre që tani nuk arrijnë dot të qeverisin më as vetveten. Për të qenë i saktë, 6 herë më shumë.
Natyrisht, ne nuk mund ta harrojmë se, kur ne u zgjodhëm për të marrë mandatin tonë të parë, kryefjala e të gjithë shqetësimeve që kemi dëgjuar në të gjithë Shqipërinë, gjatë përgatitjeve të fushatës dhe në fushatën elektorale, ka qenë kriminaliteti. Kjo nuk është më e vërtetë, pasi kur ne zhvilluam fushatën për mandatin e dytë, jo vetëm që kriminaliteti nuk ishte kryefjala e shqetësimeve të publikut, por policia ishte institucioni më i besuar publik, bazuar jo në opinionin tonë, por në anketimin e përvitshëm të Bashkimit Europian. I tillë mbetet dhe sot ky institucion, por sot, në këtë seancë dhe me këto ndryshime që propozohen për t’u bërë në ligj, rinënvizohet edhe një herë tjetër se ne përpiqemi të përmirësojmë dhe nuk mjaftohemi me çfarë kemi bërë, pasi jemi plotësisht të vetëdijshëm që çka mbetet për t’u bërë, është shumë më tepër sesa kemi bërë.
Krimet kundër personit, ato të cilat ishin bërë arsyeja e stresit në të gjithë territorin e Shqipërisë, në qytet dhe në fshat, kur ne na u besua detyra, në vitin që lamë pas shënuan shifrën më të ulët të 29 viteve statistika zyrtare të Policisë së Shtetit, apo ishin sa gjysma e vrasjeve me dashje që shënoheshin në kohën kur ata që sot, për turpin e tyre hodhën bojë të zezë mbi muret e Ministrisë së Brendshme, drejtonin Ministrinë e Brendshme.
E hodhën bojën e zezë për ta filmuar e për ta eksportuar sepse nuk mund të eksportojnë nëpër botë imazhet jo mbresëlënëse të një tufe punonjësish të bashkive të Shkodrës, së Lezhës së Kamzës, së Vorës, së Mallakastrës, bashkë me Dashon e Lazaratit, që mblidhen këtu për të kënduar himnin kombëtar, pasi kanë ardhur vërdallë rrugëve, por duhet një produksion më tërheqës, për të treguar një Shqipëri që nxin e që nxihet dhe boja mbi muret e Ministrisë së Brendshme. Sot, padiskutim që është një produkt që do të thithet menjëherë nga tregu ndërkombëtar i medias, ku nuk janë të paktë, për fat të keq “euro kadrinjtë” që ngjajnë me “kadrinjtë” lokalë që kemi ne. Për më tepër, ata janë dhe të pafajshëm, sepse pak ose aspak dinë nga Shqipëria, ndërkohë që duhet të ushqejnë opinionin e tyre publik me lajme sensacionale, se si një tufë njerëzish shkon dhe hedh bojë mbi një institucion, në protestën që ka përfshirë Shqipërinë.
Po ashtu, plagosjet e rënda janë në rënie.
Vjedhjet me dhunë janë reduktuar 60%. Nga 269 vjedhje me dhunë në 2013-n, në vetëm 108.
Vjedhjet me armë janë reduktuar 5 herë. 22 në 2018-n, 96 në 2013-n.
Veprat penale të shkatërrimit të pronës me eksploziv, edhe ato janë në ulje, por jo aq sa do të ishin, nëse eksplozivi nuk do të ishte një nga mjetet e shfrimit antidemokratik të opozitës së Partisë Demokratike, të kthyer në një grup endacakësh rreth e rrotull Parlamentit, Kryeministrisë, Ministrisë së Brendshme, që kërkon pushtetin, por nuk di se si merret ndryshe pushteti, përveçse me zgjedhje dhe duke mos e ditur këtë, është fshehur në mes të “popullit”, duke kërkuar njerëz të dëshpëruar, njerëz të verbër, të rinj rrugë humbur, që vënë kapuçin e xhupit në kokë dhe mësyjnë drejt forcave të policisë, të inkurajuara nga muzika e filmit “Skënderbeu” dhe nga huri i flamurit të Kukësit. E kam fjalën për të vetmin flamur për të cilin Kukësi nuk është krenar, jo për flamurin e Skënderbeut.
Shifrat e sigurisë rrugore, edhe ato janë të përmirësuara, por edhe ato kanë nevojë për përmirësim më të madh, shumë më të madh. Aksidentet fatale janë përgjysmuar, krahasuar me ku ishim, ndërkohë që askush më, literalisht, askush më në komunitetin ndërkombëtar nuk vë në diskutim atë që nuk vë në diskutim asnjë shqiptar që sytë i përdor për të parë dhe veshët i përdor për të dëgjuar, zhdukjen apo minimizimin në minimum të fenomenit të kultivimit të kanabisit.
Të gjitha këto janë rezultate të një pune, e cila është larg së qeni një punë e kryer, por është një punë që vazhdon. Rezultatet e një pune të madhe, të bërë për të reformuar Policinë e Shtetit, për ta çliruar Policinë e Shtetit nga kthetrat e dyfishta të politikës dhe të krimit dhe për të shkuar drejt atij objektivi të shpallur, që Policia jonë e Shtetit të radhitet në mesataren e policive të Bashkimit Europian, kur vjen fjala tek performanca.
E pikërisht pse është një punë që vazhdon, edhe procesi i Vetting-ut në Policinë e Shtetit, është sot, kyç për të vazhduar këtë punë. Ndryshimet e propozuara reflektojnë një qasje më praktike dhe ngarkojnë strukturën e brendshme të kontrollit të Policisë së Shtetit për ta çuar deri në fund këtë proces, pasi të kalojë e para në vetting, duke bërë kështu dhe një kursim jo të parëndësishëm, që na krijon më shumë hapësirë buxhetore për të vazhduar të mbështesim Policinë e Shtetit.
Gjetëm policinë më të pashkolluar të rajonit, të Europës po e po.
Gjetëm policinë më të vjetër në moshë të rajonit, të Europës po e po.
Gjetëm policinë më të keqpaguar të rajonit, të Europës po e po.
Sot është një punë që vazhdon, jo e kryer.
Kemi një polici të paguar më mirë, por jo aq sa të themi mjaftueshmërisht sa duhet.
Kemi një polici më të shkolluar, por jo e jo aq sa të themi mjaftueshmërisht sa duhet.
Kemi një polici ende jo në standardin e moshës që duhet të ketë.
Unë dua ta sjell edhe këtu, nxitjen, në mos të përditshme, të përjavshme për Ministrin e Brendshëm, për të përfunduar një projekt të nisur, që duhet bitisur, për krijim e kompanisë së sigurisë së Policisë së Shtetit, për të dhënë shërbime për objektet e rëndësisë jo të veçantë dhe për të futur në tregun e deformuar dhe jashtë çdo standardi të sigurisë së objekteve, një trupë të re, që do t’i krijojë mundësi shumë prej punonjësve që tanimë janë në një moshë të caktuar dhe nuk kanë më mundësi të na japin atë efikasitet që kërkohet, që të bëjnë një kalim të butë nga dalja nga shërbimi në Policinë e Shtetit, në daljen në pension. Pra, të kenë një periudhë të ndërmjetme, ku të mund të vazhdojnë të punojnë, ku të mund të fitojnë dhe ndërkohë ku të mund të rrisin në mënyrë të ndjeshme cilësinë e shërbimit të sigurisë së objekteve, duke shkurtuar kostot.
Kemi një industri të tërë rojesh private që, me përjashtime që përforcojnë rregullin, është jashtë standardeve. Kemi një numër të madh rojesh private që sot janë të keqpaguar, të keqtrajtuar, të diskriminuar dhe nuk arrijnë dot të japin shërbim për shkak se faturat e kripura që paguajnë institucionet për t’u mbrojtur me këto roje private shkojnë kryesisht në xhepin e pronarëve dhe nuk përkthehen as në shpërblime të denja dhe as në sigurime siç duhet për të gjithë.
Futja në këtë treg e një kompanie shtetërore të policisë, një kompani e Ministrisë së Brendshme do të bëjë që tregu të bëhet konkurrues dhe kush nuk është i denjë për këtë treg të dali nga tregu. Jo për të pasur një treg ku të ketë një monopol, por për të pasur një treg ku të ketë konkurrencë dhe ku shërbimi që ofrohet të jetë i atij niveli që garanton sigurinë e objekteve, pronës dhe integritetin e aktivitetit të tyre, gjë që sot nuk ndodh.
Sot jemi ende në kushtet, ku gjithçka mund të ndodhë në objektet që mbrohen me roje private. Sot jemi ende në kushtet kur, nëse ka ndonjë rast, siç ishin disa raste në momentin e atyre bllokimeve absurde të auditorëve në universitet, që shfaqnin nëpër ekrane trupat e policisë private, është për të ardhur turp. Turp nga vetja, turp nga shteti që lejon akoma operimin e këtyre lloj trupave. Por deri më sot, ose deri përpara disa kohësh nuk kemi pasur një përgjigje adekuate për këtë dhe projekti i filluar nga Ministri i Brendshëm më parë, që është marrë nga Ministri i Brendshëm sot, shpresoj të përfundojë, të vijë në këtë Parlament, të marri miratimin e Parlamentit dhe të krijojmë kushte për një lëvizje të duhur, në drejtimin e duhur në të gjithë këtë fushë veprimtarie që është shumë problematike dhe ku me siguri do të krijojmë të ardhura për Policinë e Shtetit, përveçse do të krijojmë urë për të gjithë ata që për shkak të një moshe të caktuar duhet të spostohen nga Policia e Shtetit, por që janë ende mjaftueshmërisht aktivë për të mos dalë në pension.
Po ashtu është nevoja që më shpejtë se vonë të vijë në këtë Parlament, paketa për të ndërhyrë në Kodin Penal, për t’i dhënë përgjigje disa shqetësimeve serioze, që nga goditja për shkak të detyrës deri tek adresimi i disa boshllëqeve, apo në mos qofshin boshllëqe, janë të parakohshme për Shqipërinë, brenda të cilave prokurorët dhe gjykatës bëjnë hajgare me krimin e organizuar dhe me kriminelët akoma sot e gjithë ditën. I japin vetes të drejta, të cilat nuk duhet të lejojmë që të kenë mundësi t’ua japin, duke bërë interpretime abuzive të hapësirës së sotme që ka Kodi Penal.
Ka një punë të nisur për rishkrimin tërësor të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, por që do të kërkojë kohë. Ndërkohë që për këto shqetësime, koha nuk pret. Paketa për t’i dhënë përgjigje adekuate dhe për ta pajisur shtetin me një argument shumë më të fortë, me një instrument shumë të fortë ligjor, kur gjendet përballë barbarëve që futen nëpër fushat e futbollit dhe ushtrojnë dhunë për faqen më të zezë, jo të sportit, por të shoqërisë.
Barbarëve që iu kthehen mjekëve për t’i goditur kur janë në krye të detyrës. Nga janari deri më sot, 4 mjekë janë goditur në krye të detyrës. I kam parë me shumë vëmendje të katërt rastet, për të kuptuar se çfarë ishin duke bërë mjekët dhe nga erdhi goditja. Në të katërt rastet nuk ka asgjë që të bën të mendosh se mjekët mund të kenë provokuar goditjen, edhe pse goditja, sado e provokuar qoftë, është e patolerueshme.
Barbarëve që kujtojnë se të hedhësh gurë mbi Policinë e Shtetit, në emër të Partisë që të ka nxjerrë në rrugë, është trimëri. “Lironi djemtë tanë” bërtet partia e endacakëve të rrugës që vjen vërdallë, pasi midis dy seancave të Parlamentit mbush veshët e shqiptarëve me paralajmërimin që këtë herë do të ndodhi ajo që duhet të ndodhi. Nuk do të ndodhi asgjë tjetër, përveçse ata do të shkojnë duke u rrudhur dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë detyrën që na kanë dhënë.
Barbarëve edhe këtu në Parlament, jo për sot, jo për mua, jo për ne, por përgjithmonë, nuk mundet deputeti të këtë imunitet në Parlament për të goditur fizikisht deputetin. Nuk mundet deputeti të ketë imunitet në Parlament për t’iu turrur foltores apo tryezës së qeverisë fizikisht. Edhe kjo duhet të përfshihet në Kodin Penal. Nuk është e mundur të vazhdohet më kështu. Pa llogaritur zyrtarët e lartë në funksione publike, kryetarët e bashkive, vetë deputetët në rrugë, që nuk mund të jenë të pambrojtur dhe nuk mund të ndodhë që në rast se gjendet një i verbër që i sulmon fizikisht, i verbri të amnistohet me gjobë. Nuk mund të ketë gjobë për këto shfaqje dhune, edhe pse momentet kur kjo dhunë fillon, shfaqet më shumë se zakonisht, janë momentet kur është politika që e frymëzon. Ajo shprehja “politika me krimin ushqen krimin” është një shprehje që ka zënë vend, e ilustruar në këtë vend gjatë gjithë këtyre viteve, kur Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit janë goditur jo si sot, me bojë në mure, por me baltë dhe me gurë të rëndë fjalësh rregullisht.
Kjo paketë duhet të përfshijë edhe vullnetin tonë për ta thelluar ndarjen e politikës nga krimi dhe të qeverisë nga kriminelët, e cila, ndryshe nga sa është propaganduar gjithë këto vite, ka filluar vetëm kur ne e kemi marrë mandatin tonë të parë.
Ata do vazhdojnë në të tyren. Janë të dëshpëruar dhe të pashpresë. E dinë që nuk fitojnë dot me zgjedhje. Ne nuk jemi këtu, të detyruar të mendojmë se si duhet t’iu japim atyre mundësinë të kuptojnë çfarë është demokracia. Ne jemi këtu të detyruar të mendojmë se si çdo ditë të bëjmë gjënë e duhur për Shqipërinë. Dhe gjëja e duhur për Shqipërinë sot është që ata të rrinë në rrugë atje ku janë. Rrugën kanë zgjedhur, në rrugë të rrinë. Ndërsa ne të vazhdojmë në rrugën që kemi marrë përsipër t’i udhëheqim shqiptarët.
Patjetër është pjesë e detyrës tonë, jo të shkelim mbi kontratën me shqiptarët për të joshur ata që të lënë rrugën, por, për hir të rrugës që kemi zgjedhur, t’iu japim atyre gjithmonë mundësinë që të ndihen të përfshirë. Përfshirja e tyre sot ka vetëm një mundësi, të japin kontributin e tyre për atë për të cilën iu kanë rrokanisur kokën shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, për atë për të cilën partnerët e tyre partiakë në Gjermani ndikuan që për herë të parë, që s’kishte bërë ndonjëherë vaki, të futej në rekomandimet e Komisionit, Reforma Zgjedhore.
Sot, ne jemi këtu gati, me të gjithë reflektimin tonë, për të futur në Kodin Zgjedhor të gjitha rekomandimet e ODIHR-it, sikundër e thotë Këshilli Europian. Ndërsa ata janë në rrugë, pasi edhe kur ishin këtu, nuk u ulën për të dakordësuar mbi këtë reformë.
Nuk u ulën për të dakordësuar as mbi këtë reformë, as mbi ato 2 kërkesat e famshme. Ata e kanë harruar, siç harrojnë çdo gjë, për të kaluar te avazi tjetër, duke kënduar të njëjtën këngë. Ata ndryshojnë vetëm vargjet, melodia është po ajo: votimi elektronik dhe numërimi elektronik.
Unë jam kundër votimit elektronik, por, pikërisht sepse dëshironim që të gjendej një rrugë dakordësie dhe të provonim edhe votimin elektronik dhe numërimin elektronik me shpresën që, mbase, ata do pranojnë rezultatin, kemi punuar intensivisht dhe jemi bërë gati për të bërë disa projekte pilot në disa njësi në zgjedhjet bashkiake, për të parë rezultatet dhe pastaj për të shkuar drejt zgjerimit të këtij mekanizmi.
Por as këtë jo. Atëherë, çfarë duhet të bëjmë ne?
Ne thjesht duhet të eci përpara. Nuk kemi ngut për të bërë kalimin e reformës zgjedhore në Kuvend, akoma. Ne jemi këtu. Zonjat dhe zotërinjtë që janë në krahun tjetër nuk i kemi zgjedhur ne dhe nuk i kemi sjellë ne këtu. I ka sjellë lista e hartuar dhe e firmosur nga doktorja e shkencave horoskopike, Monika Kryemadhi dhe nga artisti Lulzim Basha.
Ndërkohë që sot janë këtu, në vendet që iu jep Kushtetuta dhe ligji. Kështu që komisionet përkatëse, siç po krijohen, me pjesëmarrjen e zonjave dhe zotërinjve që kanë ardhur në Parlament, do të pasqyrojnë edhe bashkëpunimin me opozitën në komisionin zgjedhor, ku patjetër ne do të gjejmë rrugën që të ketë një derë edhe për ata. Jo këtu, por një derë në tryezë. Ne jemi gati që atyre, sidoqoftë, meqë kanë vulat e partive akoma për ca kohë, t’iu njohim të drejtën e vulës mbi propozimin, t’iu njohim edhe të drejtën e vetos, po të duan, por nuk do presim gjatë. Do të presim aq sa është e arsyeshme, sepse nuk do ta lëmë veten në dorë të gjykimeve subjektive në qershor nga ana e Këshillit Europian, se ata nuk duan të vijnë.
Ata nuk i duan negociatat. Ata mendojnë dritëshkurtësisht se, duke bërë këto që po bëjnë, do të pengojnë çeljen e negociatave. Këtë mund ta ndikojnë, por pjesa tjetër e mendimit dritëshkurtër, se duke mos u çelur negociatat, ata pastaj do e kenë më të lehtë të marrin pushtetin, është thjesht dëshpërim.
Sot dhe në vijimësi do dëgjojmë avazin “nuk hyjmë në zgjedhje”. Është punë e tyre. E mira e tyre është të hyjnë në zgjedhje. E keqja e tyre është të mos hyjnë në zgjedhje. Natyrisht, Shqipërisë nuk i bëhet nder, nëse siglat e atyre partive që janë jashtë, nuk janë në fletën e votimit në zgjedhjet vendore, por qederin më të madh ata ia kanë bërë, ia bëjnë dhe do ia bëjnë vetes. Hyjnë ata në zgjedhje, s’hyjnë ata në zgjedhje, zgjedhjet vendore do të bëhen në afatin e caktuar dhe ne do të marrim përsipër të qeverisim edhe aty ku ata kanë qeverisur deri më sot dhe do të qeverisim shumë më mirë se ata, edhe për ata që ne nuk na kanë votuar dhe përsëri nuk do vijnë të na votojnë.
Ideja se këtu do ketë ndonjë zhvillim dhe se do bëhet ndonjë përmbysje e rregullave të lojës, apo do bëhet ndonjë kompromis, ku do futet si pjesë e kompromisit mandati që shqiptarët i kanë dhënë Partisë Socialiste për të qeverisur e vetme, pa të tjerë në prehër, deri në vitin 2021, është një ide ngushëlluese për të ridalë prapë te gardhi të enjten tjetër. Por më shumë se kaq nuk vlen dhe më larg se kaq nuk çon. Është një ide thjesht e vetëm për të ndenjur te gardhi. Këtu në Parlament nuk i fut dot ajo ide më ata, para qershorit të vitit 2021.
Faleminderit!