Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Shqipëria u vlerësua me dy çmime të rëndësishme për qeverisjen digjitale dhe e-learning, çmime, të cilat iu dhanë përkatësisht Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe Shkollës Shqiptare të Administratës Publike, në Ceremoninë e Çmimeve të Administratës Publike të Ballkanit Perëndimor (BP), të zhvilluar online, në datën 6 nëntor.

OECD/SIGMA i dhanë Shqipërisë notën maksimale bashkë me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, në kategorinë për qeverisjen digjitale (Digital Goverment). Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit u vlerësua për udhëheqjen e projektit kombëtar të platformës digjitale e-albania për shndërrimin e administratës publike në efikase dhe inovatore. Çmimi për Shqipërinë erdhi pas vlerësimit të praktikave, iniciativave, shërbimeve online dhe masave efikase për përballimin e krizës së koronavirusit.
Ndërsa Shkolla Shqiptare e Administratës Publike u shpall fituese e Çmimit të Administratës Publike 2020 në Ballkanin Perëndimor për kategorinë eLearning me projektin: Së bashku pavarësisht se jemi larg – Një histori bashkëpunimi gjatë pandemisë COVID-19.
“Çmimet e Administratës Publike të Ballkanit Perëndimor” janë një përpjekje e përbashkët e ReSPA dhe OECD/SIGMA me qëllim inkurajimin e inovacionit dhe konkurrencës së shëndetshme midis institucioneve të administratave publike në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe promovimin e më të mirëve. Në vitin 2020 theksi u vu në reagimin e suksesshëm të qeverive të BP ndaj krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.
Duke vlerësuar përpjekjet e mëdha të treguara nga qeveritë e BP për tejkalimin e krizës së shkaktuar nga pandemia, juria vendosi të shpërblejë njëmbëdhjetë fitues të ndarë në katër kategori: Qeveria Dixhitale, e-Ekonomia, e-Learning, e-Shëndeti dhe Inovacioni Social.
Po më 6 Nëntor, u zhvillua online dhe Takimi i 11-të i Bordit Drejtues të Shkollës Rajonale të Administratës Publike (ReSPA) në nivelin Ministror, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të vendeve anëtare të Respa, ku Shqipëria u përfaqësua nga Drejtorja e Departamentit të Zhvillimit dhe Mirëqeverisjes në Kryeministri, zonja Majlinda Dhuka. Në takim morën pjesë, Ministrja e  Administratës Publike të Malit i Zi, Znj. Suzana Pribilović; Ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Znj. Marija Obradović; Ministri i Shoqërisë së Informacionit dhe Administrimit, të Maqedonisë  së Veriut, Z. Jeton Shaqiri, si edhe Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor, Drejtoria e Përgjithshme për Negociatat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit (DG NEAR), Komisioni Evropian Znj. Genoveva Ruiz Calavera, dhe zyrtarë të të tjerë të nivelit të lartë nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në fund të takimit, Ministrja e Administratës Publike të Malit të Zi, Znj. Suzana Pribilović, i dorëzoi kryesinë e ReSPA për vitin 2021 Ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Znj. Marija Obradović.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.