Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama në takimin javor me qytetarët që kanë marrë zgjidhje përmes Platformës së Bashkëqeverisjes, Shqipëriaqëduam.al:

Kryeministri Rama:  Jemi këtu për eventin javor të bashkëqeverisjes. Së pari, dua të nënvizoj se para se të hyja këtu ishim në mbledhjen e qeverisë dhe sapo pamë edhe raportin e rezultateve të platformës. Ju falenderoj të gjithë ju, koordinatoret dhe koordinatorët e platformës, për volumin e madh të punës dhe për rezultatet domethënëse të kësaj pune. Procesi i trajtimit dhe i zgjidhjes së ankesave të qytetarëve vijon të jetë një trend shumë pozitiv.

Dua të falënderoj qytetarët që janë këtu të pranishëm për mundimin që morën për të dëshmuar rastet e tyre, sepse siç e kam nënvizuar gjithnjë dhe nuk do lodhem së nënvizuari, është me një rëndësi të madhe për ne, çdo dëshmi e thënë nga vetë ata, të cilët janë përfituesit e kësaj platforme, njerëz të zakonshëm, në mënyrë që të gjithë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi të dëgjojnë prej  njerëzve njësoj si ata se kjo platformë funksionon, është 24 orë në shërbim të tyre. Një skuadër e tërë pas ekranit punon pa orar, për të adresuar në radhë të parë, ankesat e tyre, por edhe për të trajtuar edhe të gjithë rubrikat e Platformës së Bashkëqeverisjes.

Egesta, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Një ndër rastet e trajtuara në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë është rasti i Zoti Fisnik Pula. Ai është këtu për të treguar dëshminë e tij konkrete, se si nëpërmjet Platformës së Bashkëqeverisjes ka gjetur dy herë zgjidhje. Në nëntor të vitit 2018 i drejtohet platformës me një kërkesë për rillogaritjen e pensionit, e cila pas trajtimit të saj u konsiderua si e drejtë nga ana e institucionit, duke u bërë edhe rivlerësimi dhe  sistemimi i problematikës, duke iu dhënë edhe një shumë e konsiderueshme si diferencë kreditore.

Në muajin mars të vitit 2019, përsëri Zoti Pula i drejtohet Platformës së Bashkëqeverisjes, por këtë herë me një ankesë për pensionin e bashkëshortes së tij, Zonja Mirjana Pula. Edhe kjo ankesë ndoqi të njëjtin rrugëtim atë të zgjidhjes së tij.

Zoti Fisnik Pula: Ju faleminderit shumë që na keni dhënë këtë mundësi që hallet e mbartura prej 30 vitesh po mundoheni dita – ditës të na i zgjidhni sa të jetë e mundur më mirë dhe të mos na lini të shkojmë në botën tjetër pa i rehatuar gjërat. Jam 73 vjeç, nga të cilët 60 vite i kam punë, 30 vite i kam në Kinostudion “Shqipëria e Re” si piktor artistik dhe kusurin mekanik. 13 vjeç kam hyrë në punë në torno. Para 8 vitesh dola në pension, me një pension qesharak, që rrallë kush mund ta besojë, 90 mijë lekë të vjetra. Kujt nuk iu drejtova për këtë hall që kisha. Megjithatë, sado që shkruaja andej këndej, – por s’ekzistonte portali, – as përgjigje s’morën mundimin të kthenin. Fal Zotit, doli portali, iu drejtova menjëherë. Më ka befasuar jashtëzakonisht shumë, një zonjë e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.  Sapo kisha bërë ankesën tek portali, kur në drekë, ajo më merr në telefon. Faktikisht në krye të dy javëve me merr në telefon dhe më thonë, paratë i ke tek pensioni. Diferencën dhe pensionin ta kemi rregulluar. O Zot i madh, faleminderit shumë! Ndërkohë s’më linte edhe gruaja rehat. Tashti s’më lënë edhe të tjerët rehat, aq sa që kanë filluar të besojnë se unë mund t’u rregulloj të gjithëve pensionet.

Gruaja ime ka një gisht mangët nga puna. S’i njihet asnjë gjë. Iu drejtova portalit, përsëri e njëjta gjë, tani shpejt i jam drejtuar s’ka 10 ditë, për këtë s’di çfarë të them. Në këtë kuadër, edhe më 19 mars iu drejtova ALUIZNI-t, po për një hall tjetër, kur çuditërisht më 23 mars vjen përgjigjja në shtëpi. Unë e quaj pothuaj të mbaruar, por megjithatë po shpresoj për ta mbaruar.

Prandaj, Zoti Kryeministër, ju falënderoj sinqerisht që na e dhatë këtë mundësi. Ky portali me sa shohim, për ata që kanë sy dhe veshë, duhet t’i mbushet mendja njëherë e mirë që ata që kanë halle si puna ime, vetëm këtu mund t’i zgjidhin shpejt dhe mirë. Nga ana tjetër nuk mund të lë pa thënë edhe një shprehje që e kam dëgjuar nja dy herë në TV, – megjithëse kazanët po bëjnë punën e vet, por shyqyr po i fikim, – por mos ta dëgjoj më atë fjalën kur të mos më keni, do më kërkoni, prandaj vazhdoni, shpresojmë t’ju kemi sa herë të jetë e mundur, të kryeni të gjithë hallet që ka populli, se e shohim që po bëni shumë.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! Nuk e mbaj mend nëse e kam thënë “do më kërkoni”, apo “do më kujtoni”. Më duket se e kam thënë “do më kujtoni”, por edhe që do më kërkoni, do më kërkoni. Megjithatë për momentin nuk jemi akoma në atë fazë.

Ajo që desha të nënvizojë është, jo falë Zotit, por në fakt, falë zotit në Tokë, që është sovrani popull, që na dha mundësinë të marrim një mandat pa të tjerë në prehër, se po të kishim ata të tjerët në prehër, s’kishte portal që i bënte derman këtij mileti, nëqoftëse ankesa përplasej me fundin e tepsisë së tyre.

Platforma e Bashkëqeverisjes nuk është një instrument, siç e quan “kazani”, ekstra ligjor, nuk është as instrument që zëvendëson shtetin, por është instrument i shtetit për ta bërë veten më funksional. Është një instrument inovativ, – na jep mundësinë teknologjia, se po të mos kishim teknologjinë s’do ta bënim dot, – që të gjitha zyrat e ashtuquajtura të ankesave, apo të pritjes së popullit, ku kushedi sa letra mund të keni çuar përpara dhe s’keni marrë as përgjigje, i ka mbledhur të gjitha dhe i ka futur në xhepin tuaj, tek celulari, “spiuni në xhep” që e quaj unë. Përmes këtij “spiunit”, secili e çon menjëherë fjalën në nivelin më të lartë dhe jo vetëm, por edhe lë gjurmë dhe nëqoftëse “niveli i lartë” është në gjumë, fjala vetë bërtet dhe bëhet e pamundur për t’iu shmangur përgjigjes.

Është një proces që do të na çojë më herët se vonë në një transformim tërësor, pasi shërbimet do të kryhen këtu (në celular), të gjitha. S’do të ketë më nevojë për të shkuar në dyert e shtetit për të marrë shërbimin, do e marrësh online, në celular. Sot, ata që deri dje mbanin radhë, si në kohën e radhëve të qumështit, për të paguar energjinë elektrike, – ata që e paguanin, se pjesa tjetër i binin shkurt, nuk shkonin fare për ta paguar, – mund ta paguajnë direkt, në celular, s’kanë nevojë për të marrë mundimin deri tek sporteli OSHEE-së. E jo vetëm për energjinë elektrike, por për shumë veprime të tjera, ne sot kemi mundësuar që të bëhen nga ky ekrani i vogël, apo nga ekrani më i madh i kompjuterit, përmes portalit e-albania kryhen shumë shërbime.

Ndërsa Platforma e Bashkëqeverisjes bën që, sa herë shërbimi nuk jepet për shkak të një zyre, një nëpunësi, një drejtuesi, qytetari është më i fortë. Deri dje, tek ministri të çonte miku, krushku, deputeti, po të kishe shans ta takoje dhe ta gjeje të duhurin që ta bënte këtë punë, të çonte partia, nëse kishe ndonjë pozicion në parti, por kurrë nuk të çonte e drejta. Sot, e drejta jote të çon drejt e tek ministri e te kryeministri. Ministri apo ministrja, -se ne kemi më shumë ministre sesa ministra, për fatin e mirë, – menjëherë vihet në lëvizje.

Sot kemi parë në raportin e paraqitur nga Drejtorja e Agjencisë para qeverisë, që numri i ankesave që zgjidhen është shumë herë më i madh se numri i ankesave që janë jashtë afatit, të cilat nuk harrohen, por janë aty janë jashtë afatit. Edhe ato jashtë afatit janë të ndara për çdo ministri dhe çdo ministër përgjigjet, pse është jashtë afatit, p.sh., kërkesa e një çobani që nga maja e malit ka çuar një ankesë për djalin e tij në universitet. Apo pse është jashtë afatit kërkesa e një emigranti që nga Australia ka çuar këtu një shqetësim për një  pronë të familjes së tij dhe s’ka marrë akoma përgjigje e kështu me radhë. Ka raste që ka arsye, ka raste që s’ka arsye. Në rastet që s’ka arsye është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e ministrit të nxjerrë përgjegjësit dhe t’i ndëshkojë.

Sot, – se flitet për korrupsionin, kazani që zjarrin mbi të cilin zien e ushqen me benzinë korrupsionin në një masë të madhe, nuk do t’ia di fare për faktet, për shifrat, për provat, – janë mbi 500 punonjës, zyrtarë të vegjël apo edhe më të mëdhenj, drejtues, që janë larguar nga puna për shkak të një njeriu të zakonshëm, të cilit nuk i kanë dhënë përgjigjen e duhur, apo nuk i kanë dhënë përgjigje fare. Në rastin konkret të Zotit Fisnik, hetimi administrativ me siguri ka filluar se përse nuk e ka marrë përpara këtë përgjigje, sepse një përgjigje që merret për 10 ditë nuk është marrë për 20 vite, ka përgjegjës, se përgjigjja u jepka.

Ka raste që nuk e jep dot përgjigjen, sepse s’ke përgjigje, se nuk i takon ekzekutivit, por i takon gjyqësorit dhe kur i takon gjyqësorit, ne nuk kemi mundësi të bëjmë gjykatësin. Në këtë rast themi na falni, nuk mundemi ta zgjidhim dot, pavarësisht se ti mund të kesh të drejtë, por të drejtën do ta kërkosh në gjyq.

Këto hetime administrative sjellin pasoja për ata, të cilët nuk kanë dhënë përgjigje dhe kjo është me përfitim të dyfishtë. Përfiton qytetari, përfiton shteti, sepse identifikon njerëzit problematikë, identifikon ata që e marrin rrogën kot, ose më keq akoma, me rrogën që marrin, bëjnë dëm, nuk bëjnë punë.

Fatmiri, Koordinator i Platformës së Bashkëqeverisjes: Më lejoni t’ju prezantoj sot rastin e qytetarit nga Kodër Kamza, Zotit Zyhdi Hysa. Zoti Hysa në vitin 2005 kishte depozituar pranë drejtorisë rajonale të ALUIZNI-t Tirana Veri, formularin e vetëdeklarimit për pronën e tij të ndodhur në Kodër Kamëz, por edhe pse kishin kaluar shumë vite, zotëria nuk kishte mundur të gjente zgjidhje edhe pse kishte bërë gjithë pagesat e nevojshme. Zoti Hysa iu drejtua Platformës së Bashkëqeverisjes dhe pas ndërhyrjes tonë, zotëria sot ka mundur që të tërheqë lejen e legalizimit.

Zoti Zyhdi Hysa: Për katër muaj kam shkuar zyrë më zyrë. Shkova te zyra e bashkëqeverisjes. Pas 5 ditësh, ai djali më mori në telefon, dhe më tha shko merr lejen. Ju faleminderit shumë. Ka dhe shumë për të bërë, por për kaq shumë faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Nuk ka dhe shumë për të bërë, ka dhe shumë më shumë për të bërë sesa është bërë. Është bërë shumë, por faktikisht ndodhin gjëra që nuk duhet të ndodhin kurrë akoma. Ashtu sikundër ka shumë gjëra që duan kohën e vet dhe duan durim që të bëhen se nuk bëhen sa hap dhe mbyll sytë. Në mbledhjen e qeverisë sot kemi diskutuar shpalljen e paligjshmërisë së plotë të gjithë veprimtarisë së nxjerrjes së gurëve nga mali i Krujës dhe jemi në fazën kur fillon ekzekutimi përfundimtar i mbylljes përfundimtare të një plage 30 vjeçare, por më besoni që, pavarësisht se atë plagë unë e kam parë vetë, siç e keni parë të gjithë ju dhe e kam parë shumë kohë më parë, sesa të vija në këtë pozicion. Pavarësisht se si Kryeministër e kam kërkuar në vazhdimësi mbylljen e asaj plage, u deshën 5 vjet e gjysmë që të arrinim në mbylljen dhe shpresoj dhe besoj që tani është fundi, me të vërtetë, i asaj masakre dhe shtysa finale kush ishte? Ishte zëri i qytetarëve përmes Platformës së Bashkëqeverisjes. Një presion që vlen dhe funksionon dhe që na ndihmon të identifikojmë personat përgjegjës për mungesën e një reagimi më të shpejtë. Kështu që ka dhe shumë për të bërë, shumë fare.

Fatbardha, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes:  Sot do t’ju prezantoj rastin e Zonjës Ariana Mamushi, e cila iu drejtuar Platformës së Bashkëqeverisjes në lidhje me ekzekutimin e vendimit gjyqësor për rikthim në punë. Në shkurt të vitit 2018, Zonja Mamushi rifitoi të drejtën për rikthim në punë si ish punonjëse e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Duke qenë se komponenti i turizmit ka kaluar tanimë pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, nga kjo Ministri u ngrit komisioni i posaçëm dhe vendosi emërimin e Zonjës Mamushi në pozicionin e specialistes pranë Agjencisë Kombëtare për Bregdetin, institucion në varësi të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Zonja Ariana Mamushi: Pas një eksperience 7 vjeçare në administratë, në vitin 2014 vendosa të konkurroja për të qenë në profilin tim, atë që kisha studiuar me shumë pasion, në fushën e turizmit. Nëpërmjet DAP konkurrova dhe fitova një nga vendet që dëshiroja. Pasi kalova me sukses eksperiencën e shkollës së administratës publike dhe u certifikova si nëpunëse civile në fund të vitit të provës, drejtorët vendosin që të mos më konfirmojnë si nëpunëse. Vendosa ta ndiqja këtë çështje në gjykatë, në vitin 2015 dhe e kam mbrojtur e vetme, pa avokat. Gjykata vendosi të rikthehem në vendin e punës dhe të paguhem që nga dita e shkëputjes nga puna, deri në momentin e emërimit. Apelohet nga ministria dhe e fitoj në vitin 2018 në 14 shkurt, po e vetme, pa avokat. Kisha lidhur një kontratë me përmbarues në shtator, por akoma nuk po merrte drejtim kjo çështje. Në 25 shkurt iu drejtova Platformës për Bashkëqeverisje dhe pas 3 ditësh jam thirrur dhe jam sqaruar që do të marr shumë shpejt drejtim kjo situatë. Sot jam po aty ku kam dashur me shpirt dhe kjo falë platformë, fal fatit tim të bardhë, Fatbardhës dhe falë kësaj iniciative nga ju. Jemi fat që ju kemi dhe ju duam shumë.

Kryeministri Edi Rama: Nga Vlora je? Në fakt, mua më vjen shumë zor që ka ndodhur kjo gjë, se unë jam dhe deputet i Vlorës dhe këtu në këtë rast nuk kemi as kujt t’ia hedhim fajin, kështu që përgjegjësia është drejtpërdrejtë e qeverisë. Ti ke vetëm një, jo faj, por një të metë, që nuk e ke bërë përpara këtë kërkesë, sepse platforma ka kohë që ekziston dhe do e kishe marrë më shpejt përgjigjen, por unë të siguroj për një gjë, që shkaktarët e këtij kalvari do ndëshkohen. Drejtori apo drejtorët që të kanë mohuar të drejtën dhe të kanë persekutuar në kuptimin më të plotë të fjalës janë larguar. Kjo tregon që edhe pjesa tjetër që unë them, është përsëri as më shumë e as më pak, por e vërtetë, që kur fitojnë viktimat e abuzimit të administratës, ndëshkohen “xhelatët” dhe më vjen shumë mirë që xhelatët e tu janë larguar.

Ndrita, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Sot ju prezantoj rastin e Zotit Jetmir Hoxha nga Durrësi, mësues i diplomuar me Master Shkencor në pedagogjinë e specializuar sociale. Zoti Jetmir ka konkurruar në portalin Mësues për Shqipërinë dhe është renditur i pari në profilin e arsimit special. Pavarësisht këtij rezultati, nuk ka arritur të punësohet ndonëse emërime të tjera janë kryer si mësues ndihmës. Pas marrjes së ankesës, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, e trajtoi rastin me Drejtorinë Arsimore Rajonale, Durrës dhe në datën 25 mars zoti Jetmir u punësua në shkollën speciale për fëmijë me aftësi të veçanta në Durrës, në profilin e arsimit special.

Zoti Jetmir Hoxha:  Unë kam konkurruar në portalin Mësues për Shqipërinë në vitin 2016-2017 në degën e arsimit special dhe si rrjedhojë kam dalë i pari në renditje. Duke qenë se ishte degë e veçantë, isha dhe i vetmi në këtë profil. Pas kësaj kohe, unë kam pritur për dy vjet për t’u emëruar si mësues ndihmës në qytetin e Durrësit. Mirëpo kjo mundësi nuk mu dha për 2 vjet rresht. Dëgjoja miq që më tregonin shumë raste dhe më thonin t’i drejtohesha Portalit të Bashkëqeverisjes, se do e kesh të sigurt që do ta gjesh zgjidhjen. Mu desh vetëm një kompjuter me internet dhe 10 minuta kohë, i shkruajta portalit dhe për një periudhë shumë të shkurtër, disaditore, më ka marrë në telefon drejtoresha e shkollës speciale e më tha mund të fillosh që nesër punë. Mu duk e pabesueshme për momentin, sepse ishte diçka që e kam pritur për 2 vjet dhe u realizua për 10 minuta kohë dhe për disa ditë pritje. Për këtë, unë dua të falënderoja Zotin Kryeministër që na e ka dhënë këtë mundësi dhe të gjithë stafin që punon në Platformën e Bashkëqeverisjes. Gjithashtu dua t’i ftoj qytetarët që të bëjnë ankesat e tyre për çfarëdo lloj problemi që të kenë. I siguroj që mund të gjejnë zgjidhje.

Kryeministri Rama: Për të qenë i saktë në numër, sot që flasim janë 685 të ndëshkuar në administratë për mosreagim dhe për zvarritje të qytetarëve. Ndëshkimi i tyre nuk do kishte ndodhur në rast se nuk do të ishte Platforma që iu jep mundësi qytetarëve të ankohen dhe në rast se parimi i platformës nuk do të ishte, zgjidh për qytetarin dhe ndëshko këdo që e ka penguar zgjidhjen e tij. Janë 62 raste në proces hetimi, pikërisht sepse janë identifikuar pasi janë dhënë zgjidhjet.

Edhe një shifër tjetër; Numri total i ankesave në drejtim të qeverisë nga njerëzit e zakonshëm, që nga dita e futjes në funksion të Platformës është 32 396, nga të cilët 30 962 njerëz kanë marrë përgjigje, të tjerët janë në proces. Imagjinoni sikur të ishim akoma në kohën e letrave dhe të zyrave që i merrnin letrat dhe me to fshinin karrigen. Unë besoj që nuk e ekzagjeroj nëse them që në 20 e kusur vite, qeveritë e Shqipërisë nuk i kanë dhënë 30 962 përgjigje. Në 20 e kusur vite që qeveritë e Shqipërisë, të gjitha të mbledhura sëbashku, të kenë pasur 30 962 komunikime me telefon nga Kryeministria te qytetarët. Të gjitha këto janë jo vetëm ankesa, janë edhe kërkesa, janë edhe ide e sugjerime. Jo të gjitha këto janë ankesa që lidhen me qeverinë, sepse ka dhe një pjesë të madhe të tyre që lidhen me gjykatat. Aty ne s’kemi pasur mundësi të japim zgjidhje, por kemi dhënë përgjigje, se në Shqipëri u bë e pamundur të merrej përgjigje, “më thuaj jo, por më jep përgjigje. Mos më trajto sikur nuk ekzistoj!”

Qytetarët në raport me shtetin dhe me shërbimet që duhet të marrin kanë ekzistuar vetëm nëse kanë pasur miq, nëse kanë pasur lekë, nëse kanë pasur pjesë në tepsi. Nuk kanë ekzistuar nëse kanë qenë pa këto të tria. Thjesht kanë çuar letra. Një numër i madh pensionistësh akoma vuajnë se nuk iu është bërë llogaritja e duhur e pensionit. Atyre iu them, shkruani në platformë. Jo vetëm do merrni llogarinë e duhur, por do merrni dhe paratë e munguara për shkak të llogaritjes së gabuar.

Familjarë në pritje të legalizimit, në pritje të regjistrimit të pronës në hipotekë, individë që të drejtën e tyre nuk e kanë gjetur edhe pasi ua ka dhënë gjykata, njerëz të zakonshëm me një spektër shumë të gjerë hallesh dhe nevojash për shërbim, sot marrin përgjigje.

Platforma nuk është ende perfekte. S’ka se si të jetë. S’ka asgjë perfekte. Por me siguri është rruga më e shpejtë dhe më efikase për të marrë zgjidhje, kur zgjidhja të mohohet. Dje bëmë një takim për dhunën ndaj mjekëve dhe më shkruanin shumë, duke më thënë dakord, të dënohen ata që dhunojnë mjekët, por të dënohen edhe mjekët kur marrin ryshfet. Që të dënohen mjekët kur marrin ryshfet, duhet t’i denoncojë dikush, sepse është një ngjarje që nuk ndodh në sytë e publikut, as në sytë e drejtuesve të spitaleve, as në sytë e policisë, apo në sytë e shtetit. Është një ngjarje që ndodh mes personash dhe ata që japin ryshfet, të detyruar në rrethana ankthi përballë një mjeku të papërgjegjshëm, duhet të bëjnë atë që bëjnë sot të gjithë dëshmitarët e platformës që vijnë këtu, të na drejtohen, të na e thonë, ama t’i vënë fytyrën, emrin dhe jo pseudonimin në Facebook asaj që pretendojnë dhe reagimi do të jetë i menjëhershëm. Nuk mundet dot që ta paguash një mjek dhe pastaj të ankohesh pse shteti nuk reagon ndaj tij. Nuk funksionon kështu. Kjo vlen në të gjithë aspektet dhe në të gjitha drejtimet.

Iu bëj thirrje të gjithëve që, nëse nuk më besojnë mua, janë në të drejtën e tyre, nëse mendojnë që platforma nuk funksionon, janë në të drejtën e tyre, por t’i dëgjojnë ata që janë si ata, që dëshmojnë këtu dhe të na vënë në provë. Nuk kushton asgjë. Djali që foli në fund tha 10 minuta, llogaria sipas meje është 3 minuta, por edhe 10 minuta po të jetë, shkruan dhe pret. As paguan lekë, as është ndonjë mundim i madh. Për të gjithë ata që nuk e kanë mundësinë ta bëjnë këtë gjë nga telefoni në xhep, janë zyrat e bashkëqeverisjes që kemi ngritur për të cilat na është ngritur një problem në kazan. Sipas kazanit duhet t’i mbyllim se janë propagandë partie. Në fakt janë pika shërbimi për njerëzit e zakonshëm, për njerëz në moshë që nuk kanë akses dhe nuk e njohin teknologjinë, apo për këdo qoftë që ankohet. Faktikisht, të gjithë deputetët tanë kanë një adresë, zyrën e bashkëqeverisjes. Nuk është për t’i përcjellë njerëzit dhe për t’i çuar në një drejtim pa zgjidhje, por është për t’i çuar te zgjidhja.

Edhe unë kur marr mesazhe ankesash, kam gjithmonë një përgjigje tip, www.shqiperiaqeduam.al, sepse, edhe nëqoftëse do ta ndjek unë, ndjekja që do bëj unë është me platformën. Kur ndonjëherë është ndonjë që insiston dhe bën sikur s’kupton, apo nuk e kupton çfarë i them me www.shqiperiaqeduam.al, e marr mesazhin e çoj vetë te platforma dhe personi pastaj çuditet, si ka mundësi? Përgjithësisht thuhet, “më mori një zo i omël”. Platforma e ka zonin t’omël, siç mund të dëshmojë Zoti Fisnik. Po s’ka vetëm zonin t’omël, por ka edhe punën të mbarume.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.