Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama takim me koordinatorët e Bashkëqeverisjes:

Jemi këtu, sot, si dëshmitarë të javës për ecurinë e bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm, falë platformës www.shqiperiaqeduam.al dhe i falënderoj sepse në këtë mënyrë ndihmojnë me dëshmitë e tyre, për të përcjellë tek të gjithë njerëzit si ata, mesazhin e qartë dhe të vërtetë lidhur me dobinë e madhe të kësaj platforme për të adresuar probleme të vjetra, për të zgjidhur halle të krijuara nga mungesa e gatishmërisë së administratës. Por, në të njëjtën kohë, edhe për të dhënë shkak që ne të korrigjojmë dhe të përmirësojmë aspekte të ndryshme që kanë të bëjnë nganjëherë dhe me vetë bazën ligjore dhe administrative të funksionimit të administratës.

Entela, koordinatore e Bashkëqeverisjes: Sot dua të paraqes rastin e trajtuar nga Zyra e Bashkëqeverisjes në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, rasti i ankesës së Samuel Shatrit nga fshati Helshan i Hasit. Samueli iu drejtua Platformës së Bashkëqeverisjes me një kërkesë për punësim. Familja e tij, e përbërë prej nënës dhe 5 fëmijëve, jeton në kushte të vështira dhe për këtë arsye, Samueli, edhe pse në një moshë shumë të re mori përsipër barrën e familjes, duke kërkuar një mundësi punësimi në sektorin privat. Shërbimi Kombëtar i Punësimit në zonën përkatëse, në bashkëpunim me zyrën e bashkëqeverisjes shqyrtoi të gjitha mundësitë imediate për t’i gjetur një mundësi punësimi sa më të shpejtë dhe brenda 10 ditëve, Samueli u punësua në një prej kompanive që po ndërton një nga rrugët e zonave rurale pranë zonës ku ai banon.

Samuel Shatri: Babai ka që në muajin shkurt që më ka vdekur. Më ka rënë një barrë shumë e rëndë mbi shpinë. Mendoj që edhe zoti Kryeministër duhet të shikojë rastin tim. Kam nevojë për mbështetjen e tij. Nuk është problemi që vetëm unë të punësohem. Kam edhe dy motrat më të mëdha, edhe mami që është e aftë për punë. Por edhe strehimin. Strehimi është një gjë që e kërkoj që kur, sepse shtëpia që banoj është e xhaxhallarëve. Kjo barrë që më ka rënë tash prej 4-5 muajsh është shumë e rëndë, sepse nuk ia dija as babait tim që kur e kisha gjallë, mendoja vetëm të dilja, të shëtisja me shokët, sepse nuk e dija se çfarë më priste. Këtë gjë e kuptova pas vdekjes së tij. Kërkoj nga zoti Kryeministër, të paktën, vetëm strehimin ta kem të sigurt, sepse dita-ditës shtëpia edhe po shembet, edhe xhaxhallarët kërkojnë që të dal nga ajo shtëpi, se nuk është e imja.

Kryeministri Edi Rama: Rasti i Samuelit është një rast jo i izoluar, por është një nga ato raste për të cilat patjetër që ne jemi shumë të angazhuar që t’i adresojmë, por sigurisht kemi edhe në kufizimet tona. P.sh., kur vjen fjala tek strehimi, kjo është një temë ekskluzivisht e pushtetit vendor, por, thënë kjo, nuk dua në asnjë mënyrë që të heq nga vetja përgjegjësinë për të bërë përpjekjen e duhur dhe për të adresuar këtë rast konkret. Ndërkohë që ajo që vlen të theksohet në dëshminë e Samuelit është se menjëherë, kërkesës së tij për punë, duke pasur parasysh natyrisht jo thjesht mundësitë fizike, por edhe kualifikimin e munguar në këtë fazë të jetës së tij, ne iu përgjigjëm. Shfrytëzoj momentin për të bërë një thirrje për të gjithë ata që duan të punojnë dhe nuk e kanë kusht që o punë shteti, o s’ka, që t’i drejtohen edhe zyrës së bashkëqeverisjes, e cila ka një sërë eksperiencash pozitive ndërmjetësimi me zyrat e punës. Ashtu sikundër mund t’i drejtohen edhe drejtpërdrejtë zyrës së punës në zonën e tyre, pasi jemi në një fazë të re të ecurisë së zyrave të punës dhe kemi çdo muaj, qindra e qindra raste të zgjidhura.

Tani po i referohem një tjetër dëshmie që tregon edhe simbolikisht dobinë e takimeve të fushatës së llogaridhënies, që u zhvillua për dy muaj me radhë dhe ku e vërteta është se të gjitha ankesat dhe kërkesat e qytetarëve nuk i mori era, por u shënuan dhe janë ndjekur e ndiqen në vijimësi, për, gjithmonë, aq sa është dhe aty ku është mundësia. Ftoj Alekon që të prezantojë rastin e zonjës me të cilën, unë kam komunikuar në takimin e llogaridhënies në Durrës dhe më vjen mirë që sot e ritakoj, por këtë herë për të kremtuar, si të thuash, zgjidhjen e problemit dhe jo për të përsëritur thjesht shtrimin e problemit.

Aleko, koordinator i Bashkëqeverisjes: Dua të prezantoj sot, rastin e zonjës Leze Gjika, pensioniste prej 3 vitesh, banore në qytetin e Durrësit. Menjëherë sapo paraqiti rastin e saj gjatë turit të llogaridhënies në këtë qytet, nga koordinatorët e Zyrës së Bashkëqeverisjes, rasti u mor në shqyrtim. U delegua menjëherë në Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe atje rasti i zonjës Gjika u trajtua dhe rezultoi që pretendimi i zonjës Gjika, që masa e pensionit së saj ishte e vogël, duke e krahasuar me vitet e punës që kishte punuar dhe kontributet e derdhura gjatë këtyre viteve, rezultoi të ishte një pretendim i drejtë. U sistemua menjëherë gabimi, pasi ishte një periudhë prej disa vitesh, e cila nuk ishte marrë në konsideratë. Duke filluar që nga muaji ku jemi, muaji korrik, zonja Gjika, jo vetëm që do të marrë pensionin e saktë, por për të gjithë këtë periudhë që ka kaluar, ajo do marrë edhe tepricën kreditore që padrejtësisht i është mohuar.

Leze Gjika: Ngrita një pretendim në Durrës, meqë kisha kohë që e kërkoja, por me vonesë. Kisha 3 vjet që bridhja nëpër zyra. Më në fund më thanë drejtoju Gjykatës. Gjykata kishte nja 8 muaj që më sillte vërdallë. Ngrita problemin në Durrës, tani kohët e fundit. Për 10 ditë mua më kanë komunikuar mbi 4 herë në telefon dhe mu zgjidh problemi menjëherë. Faleminderit! Zoti Kryeministër, te sigurimet shoqërore duhet vënë dorë. Një sektor që nuk e ke përmend me gojë kur nuk ka zgjedhje. Ne brezi i tretë kemi nevojë. Nuk kam vetëm unë, por ka dhe të tjerë që kanë të tjera pretendime. Çdo sektor që ke fol, të ectë puna mbarë, ke bërë avancim!

Kryeministri Edi Rama: Jemi shumë të vetëdijshëm për faktin që nënvizuat. Një nga rrugët për të vënë dorë si duhet, është dhe kjo rrugë e ndërveprimit të drejtpërdrejtë me qytetarët, pasi sa më shumë të forcohet presioni i dyfishtë, nga lart dhe nga poshtë, mbi administratën, aq më shumë krijohen kushtet që administrata të funksionojë me cilësi dhe me efikasitet në kohë. Më vjen shumë mirë që rasti juaj u zgjidh dhe e përsëris, për të gjithë ata që kanë probleme konkrete me sigurimet shoqërore, lidhur me llogaritjen e pensionit, platforma www.shqiperiaqeduam.al është një rrugë e shpejtë dhe e sigurt për të adresuar problemin konkret. Edhe njëherë e nënvizoj, nuk është zëvendësim i institucioneve, por është një inovacion teknologjik që ka transformuar zyrat e pafundme të pritjes së qytetarëve, të cilat në të shumtën e herës kanë qenë jo funksionale për dekada me radhë, në një instrument në dispozicion të qytetarëve përmes iPhone-t, përmes lidhjes së drejtpërdrejtë me internetin në zyrën përkatëse të njësisë administrative, në zyrën e postës, apo dhe në zyrat e bashkëqeverisjes që ne i kemi hapur enkas. Gjë që ia bën të mundur çdokujt, pavarësisht moshës, pavarësisht vendndodhjes, pavarësisht mundësive, që të ketë akses në vetëm 3 minuta dhe pastaj t’i hapë rrugë zgjidhjes së një problemi brenda 10 ditësh.

Egesta, koordinatore e Bashkëqeverisjes: Në vijim të paraqitjes së rasteve që kanë ardhur në Platformën e Bashkëqeverisjes e që kanë të bëjnë me çështjen e pensioneve, sot do të prezantojmë rastin e një mësueseje nga Vlora, zonjës Hoxhaj, të cilës që prej një viti Drejtoria rajonale e Sigurimeve Shoqërore Vlorë nuk i ka njohur një periudhë kontributive dhe pune, e cila ndikon në marrjen e pensionit të saj. Me ardhjen e ankesës në muajin qershor në Platformën e Bashkëqeverisjes, Instituti i Sigurimeve Shoqërore vlerësoi si të drejtë kërkesën e zonjës Hoxhaj dhe vendosi që periudhat e munguara të përfshihen në llogaritjen e përgjithshme të periudhave të sigurimit dhe kështu edhe masa e pensionit të zonjës Hoxhaj pësoi rritje.

Zonja Hoxhaj: Në radhë të parë dua të falënderoj kryeministrin e Shqipërisë për mundësinë që na dha nëpërmjet Platformës së Bashkëqeverisjes që problemet tona të marrin zgjidhje në një afat kohor shumë të shkurtër. Unë me këtë zgjidhje që mora, kurseva rrugët gjyqësore për të zgjidhur problemin tim. Jam shumë e kënaqur. Më erdhi përgjigja brenda 9 ditësh u njoftova me shkrim brenda shtëpisë time nëpërmjet Platformës së Bashkëqeverisjes.

Kryeministri Edi Rama: Më vjen shumë mirë që u zgjidh problemi. Zonja ka qenë mësuese për 40 vite. Mu drejtua në fakt, me sms. Unë i ktheva përgjigjen që kthej gjithmonë në këto raste, www.shqiperiaqeduam.al. Më shkroi dhe një mesazh tjetër, që do ta provojmë dhe këtë, por… Mu duk sikur nuk i besohej, apo iu duka sikur po e përcillja, për të vazhduar në rrugët e pafundme ku është endur për një kohë të gjatë. Më vjen shumë mirë që prova tregoi se në fakt platforma është jo një përcjellje e njerëzve për të larë gojën, por është një adresim i duhur, në vendin e duhur, për të zgjidhur problemin.

Endrita, koordinatore e Bashkëqeverisjes: Unë dua të prezantoj rastin e zotit Erzen Shpellzaj, i cili nuk ishte pajisur me diplomën e tij për një periudhë gati 5-vjecare për studimet e masterit, të kryera në vitet 2012-2013 në Fakultetin e Shkencave Mjekësore. Kjo ka ardhur si pasojë e riorganizimit të universiteteve në atë kohë, krijimit të Universitetit të Mjekësisë dhe shkëputjen nga Universiteti i Tiranës. Pasi zoti Erzen iu drejtua Platformës, iu dha zgjidhje problemit brenda 10 ditëve pune dhe jo vetëm zoti Erzen, sot ka në dorë diplomën e tij, por të gjithë studentët e kursit të atij viti akademik e kanë gati diplomën dhe mund ta tërheqin pranë Universitetit të Mjekësisë.

Erzen Shpellzaj: Kam mbaruar master të nivelit të parë këtu në Tiranë, në vitet 2012-2013 dhe që nga ai vit deri sot nuk ia kam arrit me marr diplomën. Shumë shpesh kam ardhur këtu dhe më kanë sorollatur. Bëra kërkesë te Platforma e Bashkëqeverisjes dhe me të vërtetë ishte shumë rezultative, se në më pak se 10 ditë, unë mora përgjigje dhe mora diplomën. Faleminderit shumë se mu bë realitet një ëndërr.

Kryeministri Edi Rama: E mbajtsh me nder dhe me sukses! Në një tjetër takim të llogaridhënies që u zhvillua në Cërrik kemi pasur një kontakt intensiv me zonjën Braka, e cila është sot, këtu, pasionante dhe mosbesuese në atë moment për shqetësime konkrete dhe absolutisht legjitime. E rëndësishme është që pavarësisht se përgjigja ime në takim nuk i pëlqeu, iu drejtua Platformës dhe sot është një nga jo pak njerëz që kam takuar në takimet e bashkëqeverisjes, që, pasi iu është dukur sikur i kam përcjellë shkurt, pasi i janë drejtuar platformës kanë marrë përgjigje konkrete dhe zgjidhje konkrete, në çdo rast kur kanë pasur sigurisht të drejtë, siç është rasti i zonjës Braka, që e ftoj me shumë kënaqësi të vijë dhe të bëjë dëshminë e saj, pasi, paraprakisht, Flamuri të prezantojë ecurinë e çështjes në momentin që zonja iu drejtua Platformës.

Flamuri, koordinator i Bashkëqeverisjes: Unë desha të sjell këtu rastin e zonjës Bukurie Braka, e cila në takimin që u mbajt me Kryeministrin për turin e llogaridhënës në Cërrik, në datën 2 qershor, ngriti shqetësimin e  mospajisjes me certifikatë pronësie nga zyra e Elbasanit. Kishte aplikuar që në 2014-ën, pra, 4 vjet pritje. Menjëherë ankesën e drejtuam në Platformë, e deleguam te zyra e regjistrimit, në bashkëpunim me pushtetin lokal dhe brenda 10 ditëve, zonja Bukurie u thirr dhe mori certifikatën e pronësisë.

Bukurie Braka: Problemi im ka të bëjë me certifikatën e pronësisë së shtëpisë, për të cilën kam aplikuar që në vitin 2014, por na sorollatnin  edhe për gjëra fare të thjeshta. Falë aplikimit në Platformë, problem ynë mori rrugëzgjidhje. Kam një vërejtje, administrata poshtë duhet të ishte në nivelin e sjelljes së këtyre zonjave të pranishme, nga të cilat jam shumë e kënaqur, sidomos zonja Katerina, e cila më ka telefonuar në çdo orë, shumë e sjellshme dhe shumë e kulturuar. Po ta kishim këtë sjellje, këtë përkushtim atje në bazë, nuk ishte  e nevojshme që të vinim deri këtu. Atje duhet një qilizmë e thellë, pasi personeli pjesën më të madhe të kohës e kalon nëpër lokale. Nga stafi këtu jam shumë e kënaqur. Shumë faleminderit!

Kryeministri  Edi Rama: Patjetër që jam plotësisht dakord Bukurie, që duhet një qilizmë e thellë dhe qilizmën e thellë mund ta realizojmë vetëm nëse kemi këtë bashkëpunim me njerëz që vuajnë nga administrata, por nuk dorëzohen, siç është rasti yt. Luftojnë dhe në këtë rast nuk kanë nevojë të bëjnë  një luftë të madhe. Mjafton që të na drejtohen, sepse kështu nuk zgjidhim thjesht rastet, por identifikojmë ata, të cilët duhet të jenë pjesë e qilizmës. Vendosja e administratës dhe e zyrave të shërbimeve, në radhë të parë, në një presion nga lart dhe nga poshtë sjell si rezultat edhe identifikimin e personave problematikë, identifikimin e punonjësve indiferentë, parazitë apo dhe grabitqarë, që po nuk fute dorën në xhep, nuk të japin zgjidhje për atë që të takon me ligj dhe pas identifikimit të merren masat përkatëse.

Ne kemi një mënyrë funksionimi që do të vazhdojmë ta përmirësojmë, do të vazhdojmë ta intensifikojmë, ku çdo rast i zgjidhur është dhe një rast i ndëshkuar, ku për çdo vonesë, për çdo zvarritje , për çdo pengesë të krijuar në mënyrë që bie ndesh me ligjin për qytetarët, të ketë përgjegjësi konkrete individësh që të ndëshkohen me të gjitha masat e parashikuara nga Kodi i Punës, apo nga Kodi i Shërbimit Civil, në të gjitha shkallët. Në këtë mënyrë të forcohet përditë mesazhi në të gjithë administratën, se çdo njeri i zakonshëm që të vjen përpara  mund të jetë potencialisht personi që të shkarkon nga puna, nëse ti nuk bën punën.

Katerina, koordinatore e Bashkëqeverisjes: Në vijim të punës intensive dhe shumë dinamike që bën Zyra e Bashkëqeverisjes pranë Ministrisë së Drejtësisë, sot pranë nesh janë paraqitur dy qytetarë, të cilët pasi kanë adresuar ankesën e tyre në Platformë, kanë gjetur zgjidhje në kohë reale. Vlen të theksohet fakti se të dyja rastet, rasti i zgjidhur nga ALUIZNI dhe rasti i zgjidhur nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë, janë ankesa që zgjasin në vite. Po i referohem rastit të zotit Ceni, i cili fillon vetëdeklarimin pranë zyrave të ALUIZNI-t në Tiranë, në vitin 2006 dhe prej atij viti deri në vitin 2018 ecejaket kanë qene të vazhdueshme. Problemet e vazhdueshme kanë bërë që t’i drejtohet Platformës dhe realisht është pajisur me lejen e legalizimit, por pas shumë e shumë përpjekjesh.

Jam Besnik Ceni nga Tirana, me profesion avokat. Kam pasur probleme shumë të vështira me legalizimin. Jam përpjekur disa herë ta zgjidh në rrugë ligjore. Përfundimisht nuk gjeta zgjidhje, iu drejtova dhe zotit Lame me dy letra, por asgjë. Gjeta vetëm Platformën www.shqipëriaqëduam.al  Mu përgjigjën në kohë rekord, në fund të shkurtit. Por përsëri pengesa dhe ecejake, pa fund. I shkrova sërish Platformës dhe para katër ditësh, mora në dorë certifikatën, të cilën e kam këtu. Në datën 4 pres të shkoj në hipotekë. Ju falënderoj për këtë. 

Kryeministri Edi Rama: Këtu jemi ne prapë. Xhagajdurët i kemi të përbashkët, duhet t’i luftojmë sëbashku. Ndërkohë të jeni të bindur që përsa i përket ecurisë së përditshme në rastet e ditës dhe jo në ato të prapambeturat ka një përmirësim që ka filluar të ndihet tek administrata. Ka filluar të krijohet, ende jo sa duam dhe sa duhet, fryma e përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë ndaj qytetarëve dhe kjo është pozitive.

Katerina, koordinatore e Bashkëqeverisjes:  Zoti Farik i është adresuar platformës përmes djalit të tij, Dritanit, për shkak të moshës së tij të thyer rreth 80 vjeç. Problematika i referohet vitit 2007 pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë, për pajisjen me certifikatë pronësie të pronave të trashëguara nga babai i tij. Në fakt u desh të shkonte vetë zoti Farik në moshën 80 vjeç, që t’i gëzonte ato prona me certifikatë pronësie, që t’i lërë trashëgim edhe bijve të tij. Sot, ai ka arritur të marrë një pjesë të pasurisë së trashëguar dhe pjesa tjetër është akoma duke u trajtuar ende në proceset gjyqësore dhe shpresojmë të marrë zgjidhje sa më shpejt.

Fariku: Faleminderit zoti Kryeministër që mendove për një plak të moshuar. E falenderoj Kryeministrin dhe gjithë shtabin e tij. Shumë faleminderit! Ti e bëre punën. 

Kryeministri Edi Rama: Këto ishin dëshmitë e kësaj jave, të cilat i nxjerrim në pah, për të dhënë një pasqyrë konkrete për të gjithë njerëzit që kanë probleme, që kanë halle, që kanë nevojë të marrin shërbime për një hipotekë, për një legalizim, për një llogaritje të re pensioni, apo për shumë shërbime të tjera në të gjithë fushat dhe që duhet të binden se mjafton të na vënë në provë përmes Platformës shqipëriaqëduam.al  dhe do të marrin përgjigje dhe sa herë që ju takon zgjidhja, do të marrin zgjidhje.

Kjo është edhe një mënyrë për të shkundur në vazhdimësi administratën që për dekada ka hyrë në një inerci, që nuk është e lehtë të frenohet dhe për ta futur përfundimisht në kthesën që të gjithë  duam, në mënyrë që çka bën sot Platforma, ta bëjë në kohë reale çdo zyrë dhe çka bëjnë sot të gjithë koordinatorët e Bashkëqeverisjes, të cilët jam shumë i kënaqur që dëgjoj fjalët më të mira nga qytetarët, ta bëjnë të gjithë punonjësit në zyrat e shtetit, pa qenë nevoja që njerëzit të shkruajnë lart. Por që të vijë ky moment, na duhet të luftojmë çdo ditë me këmbëngulje dhe sëbashku. Ky është thelbi i bashkëqeverisjes, ky është thelbi i bashkëpunimit mes njerëzve dhe qeverisë që ata kanë zgjedhur dhe qeverisë me qytetarët, të cilëve duhet t’u shërbejnë.

Shumë faleminderit dhe shëndet! Mos paçi kurrë nevojë për Platformën,  por po të keni, ne këtu jemi gati.

Ju faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.