Kryeministri Edi Rama në llogaridhënien publike në Cërrik:
Mirë se ju gjeta!
Pika e parë ku dua të përqendrohem ka të bëjë me punësimin.
Ne e kemi punësimin prioritetin numër një të këtij mandati dhe besoj që jemi duke bërë një progres mjaft pozitiv. Pak më parë ishim në Panairin e Punës në Elbasan, ku janë të ekspozuara – dhe këtë e them edhe për ata që janë këtu mes jush të papunë dhe duan të punojnë, pa vënë kushte “o në shtet, o s’ka”, – 1567 vende të lira pune të kategorive të ndryshme, që nga vendet e punës me një pagë të ulët për ata që janë të gatshëm thjesht të jenë punëtorë si fillim, deri tek vende të lira pune me një pagë të lartë për financierë, ekonomistë, inxhinierë.
Sot, jo vetëm në Elbasan, por në të gjithë Shqipërinë, ne kemi nga njëra anë, rritje të punësimit, çka e themi ne, por këtë e thotë edhe raporti i Bakës Botërore dhe nga ana tjetër kemi një sistem që po bëhet gjithmonë e më efikas i zyrave të punës, të cilat kanë ndërmjetësuar dhe kanë arritur të realizojnë gjatë kësaj periudhe të parë të vitit mbi 10300 punësime, që është një shifër e konsiderueshme.
Objektivi ynë është që deri në fund të vitit, vetëm zyrat e punës, të punësojnë 25 më njerëz. Jam i bindur që do ta tejkalojmë edhe këtë objektiv. Nuk flasim për punësimet që bëhen në mënyrë direkte mes kompanive dhe individëve.
Perceptimi i përgjithshëm, që është kryesisht një krijesë e zhurmës së madhe politike dhe e zhurmës së madhe nëpër media se “s’ka punë”, është një problem i madh për t’u thyer, por besoj se këto panaire që ne po organizojmë janë një mënyrë për t’i afruar njerëzit me informacionin dhe rritja e aktivitetit e zyrave të punës është një rrugë për t’iu dhënë njerëzve mundësinë të njihen me çfarë ofron sot, tregu i punës.
Po ashtu ka rritje të numrit të të punësuarve që vijnë nga familje që ishin në skemën e ndihmës ekonomike. Kanë dalë nga skema e ndihmës dhe iu krijohet mundësia që përmes punës të marrin në rastin më “të keq”, – pasi nuk ka asnjëherë një rast të keq, kur bëhet fjalë për punë, – pesëfishin e mesatares së ndihmës ekonomike.
Natyrisht në Shqipëri ka paga që janë të ulëta, kur bëhet fjalë për nivelin më të ulët të pagës, por unë besoj se çdo pagë, sado e ulët, jo vetëm është shumë më e lartë, sesa mosshkuarja fare në punë, apo sesa ndihma ekonomike, por është dhe e vetmja mënyrë për të filluar një rrugë aftësimi për punë dhe për t’u rritur edhe nga pikëpamja e zanatit apo e profesionit në vijim dhe për të marrë një pagë më të lartë në të ardhmen.
Ne do vazhdojmë të insistojmë fort te punësimi real. Do vazhdojmë të insistojmë fort te rritja e mundësive, për të krijuar vende pune përmes investimeve.
Biznesi i vogël është një motor i pazëvendësueshëm i ekonomisë tonë dhe një motor i padiskutueshëm i ekonomisë edhe në këtë qark. Ne tani po përgatitemi për një ulje drastike të taksës së fitimit për biznesin e vogël që sot, për shkak të pragut 80 milionë lekë në vit të xhiros, gënjen në mënyrë që t’i shmanget kapërcimit të pragut. Duke e kapërcyer pragun, hyn në skemën e tatim-fitimit nga 5% në 15% dhe praktikisht konsiderohet sot që flasim, biznes i madh. Të gjithë ata, të cilët sot deklarojnë xhiro 70-80 milionë gënjejnë. E pranojnë vetë, jashtë kamerave, që gënjejnë. Kjo është dhe arsyeja, pse patëm një reagim agresiv ndaj vendosjes së skemës së TVSH-së, e cila nuk është rëndesë financiare në vetvete, por është një instrument për t’i nxjerrë të gjithë zbuluar.
Ne kuptojmë shumë mirë edhe stresin dhe për këtë arsye do ta rrisim pragun në 140 milionë dhe deri në 140 milionë, tatim-fitimi do të jetë vetëm 5%. Që do të thotë se të gjithë ata që deri më sot janë me xhiro mes 80-140 milionë lekë dhe që paguajnë 15%, qysh nga 1 janari i vitit të ardhshëm, me vendimin që do të marrim së shpejti dhe që do ta aplikojmë në 1 janar, do të paguajnë vetëm 5%. Kjo është një tjetër ulje e konsiderueshme taksash për një zonë të aktivitetit ekonomik që është realisht strategjike për vetëpunësimin dhe për punësimin.
Dua ta ritheksoj atë që kam theksuar në të gjitha këto takime kundër të gjithë propagandës dhe kundër të gjithë zhurmës politike dhe mediatike që ne kemi rritur taksat, se ne nuk kemi rritur taksat. Ne kemi rritur vetëm dy taksa;
Kemi rritur taksën për më të pasurit, qoftë si individ, qoftë si aktivitet privat;
Kemi rritur edhe taksën e karburantit, kjo për arsye për të mos rënduar me taksa të gjithë popullsinë, për të mos krijuar një taksë të re për të gjithë popullsinë dhe njëkohësisht, duke pasur shumë të qartë që, në fund të fundit, çmimi i karburantit sot është më i ulët, seç ishte 4 vjet më parë dhe brenda tij ka edhe këtë kontribut për shtetin, që përkthehet pastaj në të gjithë punët që shteti bën për njerëzit.
Pika e dytë ku dua të ndalem është pika e shërbimeve.
Ne shikojmë disa përmirësime, por ende shumë të pamjaftueshme, në shërbime. Nuk e kam harruar dhe s’do e harroj asnjë ditë, asnjë minutë që ne kemi marrë një mandat për t’i kthyer zyrat e shërbimeve të administratës shtetërore në zyra ku qytetarët marrin shërbimin me respekt dhe në kohë. Ama, në këtë pikë, unë do vazhdoj të kërkoj kontributin e qytetarëve, për të zgjidhur problemin e tyre pa shkuar të kërkojnë mik apo deputet, pa kërkuar si të paguajnë lekë, por thjesht e vetëm duke përdorur platformën shqiperiaqeduam.al.
Të gjithë qytetarët që e kanë përdorur platformën dhe që kanë pasur të drejtë në kërkesën e tyre e kanë marrë zgjidhjen brenda 10 ditësh. Janë mijëra, por janë shumë pak në krahasim me ndoshta dhjetëra-mijëra të tjerë që kanë akoma probleme të mbartura me administratën dhe që rrinë ankohen, mërziten, stresohen, duke humbur kohë, në vend se të harxhojnë 3 minuta tek www.shqiperiaqeduam.al dhe problemi shkon drejtpërdrejtë në tryezën e ministrit përkatës. Është ministri përkatës që është përgjegjës për ta zgjidhur problemin për 10 ditë dhe problemi zgjidhet.
Në hipoteka, ALUIZNI, OSHEE, te dokumentet e pensionit, patentat, kudo qoftë, nëse nuk merrni atë që ju takon, menjëherë drejtohuni tek Platforma e Bashkëqeverisjes që e vendos çdo qytetar në pozitën që të ketë akses të drejtpërdrejtë te ministri personalisht, pavarësisht se është në Tiranë, në Elbasan, apo në majë të malit, pavarësisht se është i pasur apo i varfër, njeh njeri apo s’njeh njeri.
Çdo javë, në tryezën e qeverisë raportohet për të gjitha ankesat që vijnë dhe për të gjitha zgjidhjet që jepen. Është përgjegjësi e çdo ministri personalisht. E thënë ndryshe, ti fut “mik” direkt ministrin.
Jo vetëm kaq, por, pasi çështja zgjidhet, ne i rikthehemi përgjegjësisë, pse është vonuar 5 muaj, apo 5 vjet, një kërkesë që u zgjidh për 5 ditë? Kush e ka pasur këtë kërkesë për ta trajtuar? Ata ndëshkohen me ndjekje penale, ndëshkohen me largim nga puna, ndëshkohen me paralajmërim nga puna, sipas gjykimit që jep hetimi administrativ. Kështu ne do të krijojmë në çdo zyrë bindjen se çdo qytetar që të vjen përpara mund të të marrë në qafë, nëse ti i be në qafë, mund të të largojë nga puna me ankesën e tij, sepse ka fuqinë që të ngrejë ministrin në këmbë dhe ministri t’i vijë qytetarit nga prapa për t’i zgjidhur problemin. Këto nuk janë fjalë në erë, nuk janë premtime elektorale. Ne nuk jemi këtu se do na jepni votën në fund të qershorit. Ne kemi ardhur këtu, si asnjëherë më parë qeveria, që të flasim, jo për të marrë vota, por për t’ju dhënë llogari, për të dëgjuar çfarë keni për të thënë dhe për t’ju shpjeguar çfarë kemi bërë dhe çfarë duam të bëjmë. Për të folur me ju drejtpërdrejtë, pa pasur nevojë që të kalojmë nga ndërmjetësit mediatikë, që secili ka planin e vet, secili ka qëllimet e veta, secili ka arsyet e veta, që 90% të informacionit e shtrembëron sipas qejfit.
Pas punësimit dhe shërbimeve, është domosdoshmëria që ne të shpjegojmë se ekonominë do ta rrisim në vijim me ritme më të larta. Në procesin e rritjes ekonomike, ne kemi vënë në dispozicion një volum investimesh që është më i madhi që një qeveri ka pasur ndonjëherë në dispozicion të infrastrukturës, infrastrukturës rrugore dhe të infrastrukturës së sistemit arsimor dhe të sistemit shëndetësor, brenda një mandati. Në këtë aspekt, të gjithë do të kenë përfitimet e tyre. Do të kemi lidhje të reja rrugore, me standarde sigurie dhe lëvizshmërie ashtu siç duhet, jo lidhje rrugore si rruga Tiranë-Elbasan që u bë një legjendë me rrëshqitje, bllokime e me histori të një kontrate skandaloze, për të cilën të tjerët kanë përfunduar nëpër qeli.
Ne kemi vënë në dispozicion të bujqësisë paketën më të madhe të mbështetjes për fermerët. Faktikisht kemi 30% më shumë aplikime sesa vitin e kaluar dhe 90% e aplikuesve do të fitojnë. Kjo është shumë e rëndësishme. Nuk ka më ndarje të mbështetjes sipas partive, sipas historive të vjetra, por 90% e aplikuesve do përfitojnë edhe këtu në Qarkun e Elbasanit.
Paketa e mbështetjes për agroturizmin do të sjellë një hapje të re të rrugës për shumëkënd që jeton në fshat, që jeton në zona të mrekullueshme natyrore, me pamundësi për të zhvilluar bujqësi e blegtori intensive e që ka pamundësi për të dalë nga varfëria. Ne kemi vendosur një paketë që iu jep mundësinë atyre që transformojnë banesën e tyre, apo që e rikonceptojnë një pronë në fshat në një agroturizëm, në një bujtinë që ka një numër të caktuar shtretërish, që ka një fermë të vogël rreth e rrotull, që të paguajnë një minimum taksash, vetëm 6% TVSH dhe të mund të dalin nga varfëria përmes punës. Shembujt që kemi të agroturizmit tregojnë shumë thjesht që, nëse ti je një familje fermere që jeton në fshat dhe e ke të pamundur ta nxjerrësh prodhimin e pakët në treg, me agroturizëm janë konsumatorët e biznesit tënd që vijnë tek ti.
Shqetësimi im kryesor në këtë njësi administrative është elektriku. Kemi energji elektrike shumë të dobët. Shumë kanë folur nëpër fushata që janë bërë, por deri tani asnjë zgjidhje.
Kryeministri Rama: Qoftë elektriku, qoftë rrugët, shkollat apo qendrat shëndetësore janë sisteme që kanë nevojë për ndërhyrje dhe ka zona akoma nëpër Shqipëri, siç është zona juaj, ku nuk është ndërhyrë. Por kini parasysh që mundësitë financiare nuk janë të pakufizuara dhe ndërhyrja në këto sisteme bëhet me radhë. Ne kemi identifikuar 300 qendra shëndetësore që kanë nevojë për rindërtim të plotë dhe që duam të bëhen model. Do dëshironim t’i bënim të gjitha menjëherë, por nuk i bëjmë dot. Do t’i bëjmë në 3 vjet. Këtë vit do të bëjmë 80. Një është këtu ku jemi. Deri në fund të mandatit do bëjmë 300. E njëjta gjë për rrugët, e njëjta gjë për elektrikun. Edhe për sistemin elektrik kemi bërë investime më shumë sesa janë bërë për 20 e kusur vite të marra sëbashku, kur nuk u bë asnjë investim, por vetëm u shkatërrua i gjithë sistem. Ndërkohë kini parasysh që në 4-vjeçarin e parë na ka shkuar pjesa më e madhe duke larë borxhe nga të katër anët. Borxhe për rrugët, borxhe për elektrikun, borxhe, borxhe, borxhe, sepse e gjetëm vendin në buzë të humnerës. Juve ju kujtohet kur thoshte Saliu “prisni se do përfundojmë më keq se Greqia”. Nuk e thoshte kot. E dinte se në çfarë situate e kishte lënë vendin. Por ne dolëm nga ajo situatë dhe tani kemi filluar të shkojmë drejt një situate tjetër, ku volumi i investimeve po rritet. Patjetër jemi të vetëdijshëm që probleme këtu e atje ka sa të duash në të gjithë territorin.
Përshëndetje! Kemi problemin e sistemit vaditës në Shtëpanjë.
Kryeministri Rama: E njëjta gjë, siç thashë edhe për elektrikun, edhe për të tjerat. Për sistemin vaditës kemi bërë shumë, sepse e gjetëm të bllokuar nga të katër anët. Por e dimë shumë mirë që ka akoma, sepse, siç është në rastin tuaj, ka dhe raste të tjera. Këtu ke të drejtë, unë nuk po them që nuk ke të drejtë, por me radhë.
Ujin e kemi skandal. Po paguajmë makina që s’kemi. Unë kam vetëm pensionin e burrit, 140 mijë lekë, me këto jetoj unë. Ujin vete e mbush te burimi. I jap 1500 lekë shoferit e shkoj atje. Tubat tona janë skandal. Na kërkojnë dhe lekë për sahatet.
Kryeministri Rama: Ujësjellësi është përgjegjësi e bashkive, jo e qeverisë. Ne kemi ndërmarrë një operacion në bashkëpunim me bashkitë për të përmirësuar situatën, sepse është një situatë e trashëguar, më keq sesa ajo e energjisë elektrike. Por nuk kemi dashur të bëjmë një operacion shumë të shtrënguar, duke pasur parasysh që kur vjen puna tek uji, është diçka që nuk mund t’iu mohohet njerëzve. Kështu që investimet në ujësjellës janë të lidhura me sa dhe si bashkia administron rrjetin. Nuk e di se si është situata te kjo bashki nga kjo anë, mos mendoni që po bëj kritikë për kryetarin e bashkisë në këtë rast, thjesht po them që ne do japim – këtë e kanë të qartë të gjithë kryetarët e bashkive – investime në ato sisteme ujësjellësish ku administrimi bëhet korrekt dhe ku drejtoritë e Ujësjellësit nuk janë zyra punësimi për njerëz që s’kanë lidhje fare me ujësjellësin dhe që shkojnë marrin një rrogë e rrinë nëpër kafe e pijetore.
Problemi im lidhet me ligjin 7501. Burri im ka fituar një pronë, në të cilën jemi bashkëpronarë 5 veta, unë burri dhe fëmijët. Kur vajta në hipotekë, që pjesën time t’ua dhuroja fëmijëve, më nxorën problem se në certifikatën e 92-it, ne bashkëjetonim me vjehrrën dhe vjehrrin. Si do të zgjidhet kjo çështje?
Kryeministri Rama: Këto janë çështje që nuk futet dot qeveria në mes. Janë probleme midis jush. Do ta zgjidhni mes njëri-tjetrit, ose do shkosh në gjykatë. Këtë nuk mund ta bëjë dot qeveria.
Unë jam me diabet e me tension e me probleme të moshës. Meqë jam në punë, e kam shumë të vështirë që të shkoj të takoj mjeken time pas orarit të punës. Është e vështirë që unë të bëj analizat falas që ju na i jepni dhe ne nuk arrijmë dot t’i bëjmë dhe shkojmë i bëjmë në privat, sepse nuk arrij dot në orar. Dikur ka pasur mbasdite mjek që na vizitonin. A mundet që një ditë në javë të ketë një mjek, për ata që janë në punë, jo për këdo? Në Cërrik, qeveria juaj soli një laborator shumë të mirë që të mos shkojmë deri në Elbasan. Nuk kaloi një vit, laboratori shkoi për riparim dhe nuk u kthye më.
Gjithashtu dua te ngre një problem tjetër. Unë kam fatin që punoj në arsim. Në arsim ka shumë mësues që janë mbi 55 vjeç dhe nuk japin atë rendimet që kanë pas dhënë dikur. Është hapur shumë bukur problemi i SHQK-së në të gjithë Shqipërinë. A ka mundësi që Ministria e Arsimit ta shohë me përparësi këtë punë që mësuesit mbi 50 vjeç të ulen nga norma dhe të merren direkt me këtë, jo një herë në javë, por përditë?
Kryeministri Rama: Këtë të fundit do ta studiojmë. Përsa i përket analizave, të shikojmë nëse mund të ketë një zgjidhje, që të kemi një orar të shtunave paradite se analizat pasdite nuk bëhen. Të shohim nëse mund të gjejmë një zgjidhje.
Jam nga njësia administrative Mollas. Problemi ynë janë pritat e lumenjve dhe përmbytja ë tokave bujqësore. Meqë sivjet kanë rënë shumë shira, jemi përmbytur disa herë. Nëse mundeni, të ngrini një grup pune për rregullimin e këtyre pritave.
Kryeministri Rama: Nuk është çështje grupi pune, sepse grupi i punës është ngritur, ka shumë kohë, është bërë dhe plani, por është çështje investimesh që nuk janë sa hap e mbyll sytë të gjitha menjëherë.
Unë kam problem me certifikatën e shtëpive. Na kanë sorollatur shumë tek hipotekat.
Kryeministri Rama: Nëse të kanë sorollatur, shkruaj tek shqiperiaqeduam.al dhe për 10 ditë, nëse të takon, do ta marrësh. Tek shqiperiaqeduam.al, nëse nuk ke internet, tek njësia administrative do të të ndihmojnë ta bësh menjëherë. Tre minuta duhen. Bëj ankesën, fut dokumentet dhe nëse të takon, do ta marrësh për 10 ditë dhe nuk ke pse zvarritesh për asgjë.
Jam në prag të pensionit, por na kanë humbur vitet e punës që kemi punuar në kooperative. Kur ishte Erion Veliaj ministër që mbulonte këto, na tha që do njihen automatikisht. Nuk e di, a qëndron më kjo.
Kryeministri Rama: Për këtë çështje është përsëri e njëjta gjë. Bëni kërkesën tek shqiperiaqeduam.al dhe do merrni përgjigje zyrtare nga institucionet e shtetit për rastin konkret sesi qëndron puna.
Lidhur me check-up falas dua t’u pyes pse nuk janë të përfshirë edhe disa analiza më të shtrenjta, sidomos për ne që jemi në nevojë, pa rrogë, pa asistencë, pa asgjë, si p.sh, PAP test apo mamografia. Check-up bëhet sa për të kaluar radhë. Kur kam shkuar aty, nuk kishin as aparat tensioni për të na matur.
Kryeministri Rama: Check-up nuk është fare për të kaluar radhën. Mamografia është falas, PAP testi është falas. Mamografinë e ke në spitalin e Elbasanit, të re fare. Shko atje dhe bëje. Check-up është kontrolli mjekësor bazë, nuk është kontroll mjekësor i thelluar. Nga kontrolli mjekësor bazë, nëse del diçka problematike, shkon dhe bën analiza më të thelluara.
Ne kërkojmë shëndetësinë në Cërrik. Burrit tim i ra trompoza. Shkova në 5 të mëngjesit dhe nuk kishin gjilpëra. Prita deri në orën 8 kur u hap farmacia, por ishte shumë vonë për të, sepse dëmi ishte bërë. Në vend që ta shtronin në spital, nuk e shtroi njeri. Edhe ilaçet i blija 80 mijë lekë muaj për muaj, ndërkohë që unë 100 mijë lekë marr në muaj. Shëndetësia në Cërrik është copë – copë. Kisha edhe diçka tjetër lidhur me shtrimin që u bë këtu në Cërrik me pllaka të bardha. Ka dal skandal. Nuk kalojmë dot se na lotojnë sytë.
Kryeministri Rama: Unë jam Kryeministër, nuk jam kryetari i bashkisë. Për faktin sesi del një pllakë e si vihet në vend, e kam të pamundur të jap llogari. Është kryetari i bashkisë që e ka përgjegjësinë për të gjitha.
Shëndetësia ishte copë e çikë në Elbasan e kudo. Tani, spitali i Elbasanit është përmirësuar në mënyrë të ndjeshme. Do vazhdojmë të investojmë në spitalin e Elbasanit. Cërriku nga Elbasani nuk është 700 kilometra larg dhe Elbasani me gjithë Cërrikun e me gjithë Librazhdin është sa një lagje në një qytet tjetër në Europë, ku nuk ka në çdo lagje nga një spital. Spitali i Elbasanit po transformohet në vazhdimësi dhe është spitali i gjithë këtij pellgu. Nuk mund të ketë spital edhe në Elbasan, edhe në Cërrik, edhe në Gramsh. Ndërkohë që në Cërrik do ndërtojmë e tani e kemi planin për qendrën shëndetësore, e cila do rindërtohet komplet dhe do të japë të gjitha këto shërbimet e para për të cilat ju flisni. Ndërsa për shërbime më të thelluara është spitali.
Unë nuk një eksperiencë, e cila ka lidhje me portalin shqipëriaqeduam.al. Unë quhem Antonio dhe jam në vit të dytë gjimnaz. Në fshatin tim Kuqan, dritat ishin në rregull fizikisht, por nuk funksiononin. Unë e pashë si problem komunitar dhe iu drejtova Zyrës së Bashkëqeverisjes. Brenda 5 ditësh mora përgjigjen dhe sot e kësaj dite, dritat janë funksionale në të gjithë fshatrat aty. Doja të thosha që të gjitha ata që kanë ankesa të vogla t’i drejtohen portalit shqipëriaqeduan.al.
Këtu jemi në oborrin e një shkolle profesionale, të ndërtuar që në vitin 1968, të cilën unë e drejtoj prej një viti. Nxënësit e shkollës profesionale, katin e parë e kanë mensë, katin e dytë bëjnë mësim dhe katin e tretë e kanë fjetore. Ndërkohë që këto dy godina këtu janë kthyer në magazina të bashkisë. A ka mundësi që t’i vijë koha që edhe kjo shkollë të restaurohet dhe të ketë rëndësinë e duhur? Është e vetmja në Qarkun e Elbasanit e drejtimit bujqësor-veterinar.
Kryeministri Rama: Duhet të diskutojmë edhe me bashkinë si është kjo punë. Ky është kontribut pozitiv në këtë proces.
Jam nga fshati Shushicë e Vogël, Banjë. Kemi 30 vjet që jemi shpërngulur nga fshati. Lamë shtëpi e morëm shtëpi, mirëpo këto shtëpi nuk i kemi tonat, edhe sot e kësaj dite. Janë matur disa herë dhe nuk është zgjidhur. Nuk kemi as legalizim, as privatizim. Kemi 30 vjet që i kemi. Këto shtëpi i ka bërë shteti në ’87-n.
Kryeministri Edi Rama: Nëse i ka bërë shteti, duhet të kalojë një vendim qeverie që ju ti privatizoni dhe pastaj të bëheni pronarë. Do të shikojmë se si do ta bëjmë këtë punë.
Jam familjar, vetë i tretë. Kam një vit pa punë, pa bukë. Rend nëpër zyrat e shtetit, si në bashki dhe tek prefekti. Unë kam mbaruar arsimin e detyrueshëm, kam punuar në kombinat metalurgjik deri në ndryshimin e sistemit. Më vonë u punësova për dy vjet e gjysmë roje në një biznes. Pastaj më hoqën edhe nga aty.
Kryeministri Edi Rama: Po deshe punë në privat, unë ta gjej. Në shtet nuk ta gjej dot.
Ku të jetë. Unë dua bukën.
Kam kaq vite që kërkoj privatizimin e shtëpisë sime. Pallati nr. 36 ka dalë i pabanueshëm në vitin ’90-të. Një hyrje e katit të parë është e privatizuar. Kur kam vajtur në hipotekë, është me dokumente të rregullta, kurse ne të tjerët jemi në rrugë.
Kryeministri Rama: Tek shqiperiaqeduam.al, aty gjendet zgjidhja për 10 ditë. Nëse ti vetë nuk ke mundësi me internet, shko tek njësia administrative, shkruaj ankesën dhe brenda 10 ditësh do të marrësh përgjigje.
Sali Berisha na dha nga një dynym tokë dhe 18 rrënjë ullinj. Ku do hamë ne me atë dynym tokë, kur unë jam ish pronare, kam 300 dynym tokë të babait tim, e cila është e gjitha bosh. Gjithashtu jam dhe e përndjekur politike, (trashëgimtare), kam nënën 97 vjeç.
Kryeministri Rama: Ne kemi marrë përsipër të mbyllim të gjitha detyrimet për të gjithë të përndjekurit politikë që janë gjallë. Trashëgimtarit i vjen radha më mbrapa, sepse shumë nga ata që dolën nga burgjet u ndanë nga kjo jetë pa marrë asnjë lek, ndërkohë që lekët u shpërndanë sipas qejfit. Kemi dhe një pjesë të vogël për të mbyllur dhe pastaj do vazhdojmë me pjesën e trashëgimtarëve.
Ligji 7501 është ligj që është në fuqi. Ne do të bëjmë dhënien e titullit të pronësisë mbi bazën e akteve të marrjes së tokës në përdorim. Pyetjes tënde do t’i përgjigjesha, nëse dikush rri vetëm në bujqësi “e ha ujku”. Nuk mund të rrish dot vetëm në bujqësi, me 1 dynym dhe me 18 ullinj e të kërkosh nga shteti të të nxjerrë nga situata. Nuk të nxjerr dot shteti nga situata, nëse nuk bashkohesh me të tjerët rreth e rrotull, që nga 18 të bëhen 318 rrënjë ullinj dhe pastaj të grumbullohet prodhimi e të shkohet përpara. Kjo është rruga, nuk kemi asgjë për të shpikur në këtë mes. Për interesin tuaj duhet të bashkoheni me njëri-tjetrin e të krijoni volum prodhimi. Përndryshe nuk ka logjikë, nuk ka rrugë, nuk e njeh bota një variant tjetër që me 1 dynym dhe me 18 ullinj të të vijë shteti dhe të të kompensojë çfarë të mungon. Duhet ndryshuar qasja. Ne japim mbështetje financiare për të gjithë ata që bashkohen. Tjetra është agroturizmi.