Shqipëria po kalon një fazë transformimi të gjithanshëm, ku reformat strukturore, investimet strategjike dhe procesi i integrimit europian po ecin paralelisht për të ndërtuar një shtet më modern, më konkurrues dhe më afër standardeve të Bashkimit Europian. Nga infrastruktura, energjia dhe sektori i ujit, te shëndetësia, arsimi, inovacioni, zhvillimi ekonomik dhe forcimi i institucioneve, ndryshimet e viteve të fundit kanë krijuar baza të reja për rritje të qëndrueshme dhe përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarëve.
* * *
Themelet e shtetit të së drejtës dhe mirëqeverisjes në Shqipëri, janë forcuar dukshëm, falë reformave të ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit, duke e pozicionuar vendin qartazi drejt standardeve europiane. Vizioni i “Shqipërisë 2030” synon ndërtimin e institucioneve të forta, të pavarura dhe funksionale, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, si dhe garantimin e barazisë së qytetarëve përpara ligjit.
Shteti i së drejtës është themeli i anëtarësimit të Shqipërisë në familjen europiane dhe rruga drejt këtij standardi është tashmë e pakthyeshme. Reforma në drejtësi ka sjellë ndryshimin më të thellë strukturor në sistemin e drejtësisë në vend, duke krijuar institucione të reja dhe duke forcuar pavarësinë e gjyqësorit. Procesi i vetingut po shkon drejt përmbylljes së tij, duke garantuar standarde të reja integriteti, profesionalizmi dhe besueshmërie në sistemin gjyqësor. Mirëqeverisja konsiderohet sot një element themelor për zhvillimin ekonomik dhe integrimin europian të Shqipërisë. Qeveria po ndërton institucione më efikase, më transparente dhe më pranë qytetarëve përmes digjitalizimit të shërbimeve publike, uljes së burokracisë dhe rritjes së standardeve të administratës publike.