Bashkëbisedimi i Kryeministrit Edi Rama me fermerët në Kuçovë:
Shumë faleminderit për mikpritjen këtu në këtë zonë, ku, siç tha edhe Ermonela dhe Selfo, kemi bërë një progres të konsiderueshëm në një aspekt, i cili nuk duhet të ishte fare problem në vitin 2016, në mes të Europës. Ja që kështu na ra barra e qeverisjes së këtij vendi, ku, në 3 vjet, na është dashur të luftojmë me infeksionin e tmerrshëm të plagëve të hapura në të gjithë sektorët.
Faktikisht na është dashur të luftojmë në këtë aspekt me thatësirën dhe pamundësinë e mijëra familjeve fermere për të jetuar me punën e tyre të ndershme falë tokës së tyre, për shkak të kanaleve të bllokuara të ujitjes dhe të kullimit.
Për 25 vjet, si gjithë sistemi i ujësjellësit edhe ai i kanalizimeve në bujqësi, jo vetëm që pësoi dëme të tmerrshme nga pikëpamja e rrjetit, por edhe u la në pjesë të tëra të tij të bllokohej nga plehrat, llumrat dhe papastërtitë e mbledhura vit pas viti, në mungesë të plotë të vëmendjes së shtetit.
Siç dëgjuat edhe nga kryetari i Bashkisë, – të cilin unë dua ta falenderoj për punën e mirë që ka bërë në vendosjen me efektshmëri maksimale të fondit të dhënë nga qeveria për këtë Bashki, – shifrat flasin vetë në funksion të një mbështetjeje reale që i është bërë çdo familjeje fermere për t’i garantuar atë për të cilën ne u zotuam por që na qeshën ata që gjithë jetën e tyre janë mësuar vetëm të flasin dhe sot kanë paturpësinë të na tregojnë me gisht për plagët që hapën vetë, sepse jo vetëm nuk bënë asnjëherë gjënë e duhur, por kudo ku vunë dorë shkaktuan vetëm probleme e vetëm pasoja.
Ne kemi marrë një zotim: të çojmë ujin në çdo parcelë!
Ky është një zotim që sot është pranë realizimit edhe falë Reformës Administrative Territoriale që ka krijuar një mundësi tërësisht të re për të qeverisur në nivelin e dytë të shtetit dhe ka transformuar tërësisht kushtet, ose parakushtet në realitetin e qeverisjes vendore, duke kaluar nga afro 400 bashki e komuna, në vetëm 61 dhe nga territore të copëtuara e pa asnjë shpresë dhe perspektivë, në territore që janë njësi solide në funksion të zhvillimit ekonomik, urban, social.
Ne kemi vënë në dispozicion një mbështetje të rëndësishme financiare për t’i pajisur këto bashki të reja me mjete në funksion të pastrimit sistematik dhe mirëmbajtjes së kanaleve ujitëse dhe kulluese.
Kjo nuk është një punë që duhet bërë me aksione njëherë në 25 vjet, por duhet bërë përditë. Për këtë bashkitë kanë nevojë të kenë flotën e tyre të ekskavatorëve që ne sot e kemi në rang territori me 71 ekskavatorë tërësisht të rinj. 10 ekskavatorë janë vënë në dispozicion të Bordit të Kullimit, plus disa ekskavatorë ekzistues.
Ekskavatorët e tjerë të rinj do vihen në dispozicion të të gjitha bashkive.
Ky është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm, edhe pse përsëri është paksa, ose shumëçka qesharake kush na dëgjon që ne diskutojmë këtu ujë dhe ekskavatorë në vitin 2016.
Kjo është shprehja më spektakolare e prapambetjes që u kultivua për kaq shumë vite në fshat, në territore ku duhet të ishim sot një vend ekselence në zhvillim dhe nga pikëpamja e kontributit në ekonomi.
Ekskavatori i fundit që shteti shqiptar ka sjellë për të mbështetur fshatin, duke siguruar ujin në parcelë dhe për të penguar përmbytjet, i takon vitit 2005.Flota e trashëguar e ekskavatorëve, 10 vjet më pas, në 70% të saj, i takon produkteve të dashurisë shqiptaro-kineze.
Kur ne bëmë ndarjen e flotës ekzistuese një pjesë e mjeteve që u ndamë bashkive nuk punonin. Ishin në inventarët e Bordeve të Kullimit, por ishin jashtë përdorimit prej shumë vitesh.
Ekskavatorët që janë realisht në punë janë ekskavatorë që rrënojnë në çdo hap, sepse janë të vjetër, të keqmbajtur dhe më parë përdoreshin nga ata që deri dje qeverisnin, për tu dhënë me qera tek privatët. Ndërkohë që fermerët ose duhet të shkonin të paguanin për t’i marrë me qera, ose duhet të ngrinin duart lart e të dorëzoheshin pa marrë asnjë kokërr mollë, apo spec nga toka e tyre.
Nga ana tjetër, sëbashku me bashkitë, ne kemi filluar një proces, mbas 25 vjetësh të zbatimit të ligjit 7501, të dhënies së titullit të pronësisë e të kthimit në pronar të çdo fermeri që prej 25 vjetësh tokën e punon me një copë letër pa pikë vlere që quhet Akti i Marrjes në Përdorim dhe nga dita në ditë mund ta shikojë veten të përzënë nga toka e tij, sepse mund të shfaqet një pronar X apo Y i radhës.
Ne kemi filluar. Procesi nuk ka qenë i mundur të fillojë para 2015-ës, sepse nuk mund të shkonte dot përpara me 400 bashki e komuna dhe me një rrëmujë të tërë administrative, organizative në territor.
Por, sidoqoftë, me bashkitë e reja ky proces ka nisur.
Pavarësisht vështirësive të tmerrshme, për shkak të trashëgimisë skandaloze të dokumenteve nëpër hipoteka, do ta vazhdojmë me vendosmëri.
Ne nuk do të flemë gjumë deri kur fermeri i fundit të ketë marrë tokën e tij në pronësi, të jetë bërë pronar i tokës dhe më pas ta shesë, ta blejë, ta japë me qera, ta trashëgojë, të bëjë atë që ai shikon më të arsyeshme në një vend që më në fund krijon tregun e vet të tokës.
Jemi i vetmi vend në Europë, nuk e di sa shokë mund të gjejmë në botë, që nuk ka treg toke.
Vend pa treg toke.
Të tërë vetëm shtyjnë ditën.
E nesërmja nuk dihet se çfarë sjell, siç ka sjellë plot surpriza të pakëndshme për fermerë që janë parë të përzënë nga toka e tyre, sepse janë shfaqur pronarë të vjetër, me letra fallco, me vendime gjykatash me dëshmitarë të rremë, me korrupsion atje lart deri në majë të qeverisë dhe me të tjera rrugë që s’kanë asnjë lidhje me të drejtën e pronës.
Uji në parcelë, pronësia mbi tokën, legalizimi i të gjitha ndërtimeve të bëra për një jetë më të mirë dhe me fokus shtëpitë dhe infrastrukturën e prodhimit të fshat.
Janë tre komponentë që na japin mundësi të fillojmë të marrim pak frymë në fshat e të fillojmë të ndërtojmë një perspektivë tjetër.
Një perspektivë ku ne duam të rrisim si asnjëherë financimin për fshatin.
Krahas buxhetit të shtetit, që do vazhdojë të rrisë kontributin e vet për fshatin, ne duam që fermerët të kenë akses në një linjë kreditimi me interesa shumë më të favorshme, të garantuara nga shteti për të investuar për prodhimin e tyre, për përpunimin e prodhimit në funksion të rritjes së mëtejshme të eksporteve.
Fatmirësisht këtu jemi në një zonë ku eksperienca të shkëlqyera të njerëzve të fshatit që kanë ngritur sipërmarrje që punojnë, grumbullojnë, eksportojnë, tregojnë se kjo është e mundur.
Nuk është një fantazi, apo diçka që e kemi parë jashtë shtetit e duam ta sjellim këtu.
Është diçka që ndodh këtu.
Ajo që duhet është më shumë akses në para.
Për këtë ne kemi krijuar këtë fond garancie, sepse ju e dini shumë mirë që një fermer nuk mund të shkojë dot në bankë siç shkon një ndërtues, pasi nuk i del llogaria.
Nëse shteti garanton dhe në marrëveshje me bankat e nivelit të dytë hapet një linjë kredie me potencial deri në 300 milion euro në tre vitet e ardhshme, atëherë është një histori tjetër.
Qeveria dhe bashkitë do të punojnë sëbashku për të asistuar fermerët për të shkruar projekte, për të bërë aplikimet e duhura, sepse ato 300 milionë euro mund të mbeten atje pa i marrë askush nëse nuk kemi dijen e duhur dhe nuk gjejmë rrugën e duhur për të bërë siç duhet aplikimin e për të marrë financime.
Këto janë ato që doja t’ju thoja paraprakisht, tani jam i gatshëm t’ju dëgjoj e t’ju përgjigjem.
– Kam shqetësim me zyrën e regjistrimit të pasurive të Kuçovës, që është bërë sipas fjalës tuaj që thatë, një katrahurë. Të aplikosh që dy vjet më parë, ka humbur kontrata e pjesës që kam bërë regjistrim, tjetra nuk është, është fotokopje. Ku vajti kopja origjinale e imja që kam dorëzuar? Njerëz të paaftë në zyrë. Arrijnë atje sa të thonë: “Merr një helikopter dhe shko tek toka”. Ç’janë këta kuadro kështu? Ty bravo të qoftë! Djalë i mbarë, kryeministër, fole pastër dhe bukur. Këtë nuk ta mohon dot njeri, se edhe ky diell që shndrin thotë për ty: Ec përpara se edhe ne do të vijmë pas, do ta bëjmë Shqipërinë, jo vetëm me Edi Ramën por me të gjithë, pa dallim partish, sepse ca kanë gurin dhe ca kanë arën, por neve duam shtetin, ligjin dhe drejtësinë.
Lidhur me zyrën e regjistrimit, siç fola, është zonjë nga qyteti i Beratit por ajo thotë: “Unë s’di gjë se kush e ka bërë këtë dallaveren tënde”. Çfarë thotë! “Sot në datë 02.06.2005 u dorëzuan dokumentet nga Elmaz Mema me kërkesë të zyrës vendorë Kuçovë, kontrata e shitjes, plan rivelimi për aplikimin Nr. 792, e ka marrë Milton Xhako”. Ky që është. Por ai më thotë mua: “Kush e ka hequr kontratën tënde origjinale, ndodhet fotokopje”. Kërkohet të bëhet një tjetërsim nga një ish pronar.
Kryeministri Edi Rama: Nuk dua të të ndërpres, por për çështjen tënde para pak ditësh më ka vënë në dijeni Ermonela dhe ne kemi kërkuar nga zyra qendrore që ta zgjidhë këtë punë urgjentisht. Ne do ta ndjekim dhe jo vetëm që kjo punë do zgjidhet, por aty, ata që thonë “Ik me helikopter”, do ikin pa helikopter, do fluturojnë nga dritarja dhe nuk do puthin më tek zyra e regjistrimit të pasurive.
-Mirëserdhe këtu në zonën tonë. Të vish këtu do tre orë. Ne kemi gjithsej 400 hektarë tokë të mbjellë me ullinj. Kemi dy kilometra rrugë për të shkuar të marrim prodhimin. Janë 1000 frymë. 190 familje. Nuk po gënjej. Shikojeni! Pavarësisht se është shpërbërë fshati pak nga pak dhe ka dalë andej këtej. Ku ta çoj vajin? Ku ta çoj ullirin? Me ca ta marr atje prodhimin? Dy kilometra rrugë. A ka mundësi shteti, bashkia t’i shtrojnë këto punë?
Tani po prodhojmë. Kemi sera. Të shes unë domaten për 50 lekë kilen! ca leverdie kam? Kur unë fidanin e blej 250 lekë. Jep 4 kile për 50 lekë, 200 lekë, kur fidanin e blej 250 lekë. Po të tjerat?
E treta, nuk kemi agronom të mbrojtjes së bimës të vijë nëpër parcela. Nuk ka Bashkia agronom të tokave. Nuk kemi teknologji të marrim analiza nga toka, ca prodhon kjo e ca prodhon ajo.
Kryeministri Edi Rama: Ngrite disa probleme. Të gjitha janë probleme reale. Së pari, në komunën tënde janë harxhuar në letër shumë para për të bërë rrugët. Mirëpo, ti e di mirë, siç e dinë të gjithë banorët e komunës që ai kryetari i komunës që ishte këtu i bëri rrush e kumbulla ato para. Në komunën tuaj janë bërë abuzime të mëdha me rrugët rurale. Është një nga komunat më tipike për abuzime. Ne nuk mund të bëjmë në tre vjet ato që nuk u bënë në 25 vjet dhe nuk mund të rindërtojmë në tre vjet çfarë u shkatërrua në 25 vjet. Nëse kërkoni një gjë të tillë, kërkoni një magji. Ne nuk kemi shkop magjik.
Ne e morëm detyrën me një mal me borxhe. Pjesa kryesore e këtij mali ishin borxhet për rrugët që Saliu i filloi dhe i la rrugëve të gjitha. Nga ana tjetër, dilte dhe numëronte për kilometra të ndërtuara kilometrat që kishte kontraktuar. Nëse për ato kilometra duheshin 100 leke, Saliu vuri nga 5 lekë. I futi dhe kompanitë në aventurë që të ndërtonin me paratë e tyre. Kur erdhëm ne, s’punohej në asnjë rrugë sepse shteti nuk kishte më para, kompanitë s’kishin më para, bankat nuk u jepnin më kompanive. Na u desh të shlyejmë 720 milionë dollarë borxhe. Me 720 milionë dollarë borxhe ne i kishim mbaruar të tëra rrugët rurale të Shqipërisë, bashkë me këto rrugë që thoni ju. Por nuk mund t’i përdornim për gjë tjetër, përveçse për të shlyer borxhin që të rifillonte puna.
Na thonë: “S’keni bërë asnjë kilometër rrugë, ndërkohë që po të llogarisim sa kilometra rrugë janë ndërtuar në këto tre vjet, përveçse sa janë paguar nga ato që u ndërtuan, sepse merita e qeverisë nuk është që të firmosë kontrata dhe t’i lërë rrugët rrugëve, është të bëjë rrugë, atëherë llogaria del krejt ndryshe.
Ndërkohë, përveçse kemi shlyer borxhet, përveçse kemi lehtësuar njerëzit nga taksat mbi rrogat dhe nuk i kemi lehtësuar pak, por po të llogarisim sektorin shtetëror dhe sektorin privat, nga ulja e taksës mbi rrogën kemi ndarë mënjanë nga buxhetit i shtetit në 4 vjet, duke llogaritur edhe buxhetin e ri, 440 milionë dollarë. Me 440 milionë dollarë ne mund të vazhdonim të bënim rrugë, por ndërkohë duhet të mendonim dhe për njerëzit, t’iu lehtësonim pak lakun e shtrënguar ne fyt ku i gjetëm.
Tani po bëjmë dhe një rritje tjetër rrogash dhe pensionesh, duke nxjerrë dhe 100 milionë dollarë të tjera nga buxheti i shtetit për rrogat dhe pensionet, që bëjnë 540 milionë dollarë. Saliu në 8 vjet nxori vetëm 124 milionë dollarë për rroga dhe pensione. Po të llogarisim taksën, se Saliu e kishte taksën për pastruesen dhe shoferin më të lartë se për veten, që ne ua ulëm, atëherë llogaria del akoma më ndryshe.
Ka nevojë kudo. Ti thua 800 metra. Po, 800 ti, e 800 ai tjetri. 800 në komunën tjetër e 800 deri në majë të maleve, nuk janë më 800. Nga Shpiragu deri në malin e Dajtit dhe nga Dajti deri në Korab, ato nuk janë më 800. Kjo është një çështje e cila është shumë e qartë. Unë e kuptoj shumë mirë që me plot të drejtë njerëzit thonë: “Po ç’na duhet ne kjo llogari? Ne kemi 25 vjet që presim.” Kanë të drejtë. Por nga ana tjetër, pyetja që iu bëj unë është: “Po mirë, po ju, pse nuk bëni dhe një kat tjetër në shtëpi? Bëj dhe një kat tjetër se me siguri të duhet. Të janë rritur dhe fëmijët tani dhe bëj një kat tjetër. Nuk e bën. Pse? S’ke para. Po pse s’merr borxh? Se po more borxh nuk e paguan dot. Atëherë, kur thotë populli: “Do shtrish këmbët, sa ke jorganin!”” Ne duhet të zgjasim jorganin që të mund të shtrijmë këmbët.
Kemi hequr një picir të madh në këto tre vjet. Na është dashur të merremi me një trashëgimi skandaloze. Sot ka plot në Shqipëri që sorollaten nëpër dyert e hipotekave, për shkaqe që lidhen edhe me persona të papërgjegjshëm, por lidhen edhe me një rrëmujë nëpër letrat e pronave, sepse u bë 8 herë ligji i pronës. Prona u bë më keq se c’ishte sa herë u bë një ligj. Po ta kishin zbatuar 7501-in sa e bënë, t’i kishin ndarë, t’i kishin dhënë letrat, e kishin mbaruar punën. Ishin bërë pronarë njerëzit dhe nuk kishte më luftë. 8 ligje prone, 8 mijë konflikte me vrasje, ose plagosje për pronën në 25 vjet, luftë. Edhe kanë gojë dhe flasin.
E dyta, ja ku e ke këtu. Kjo është pika e re e grumbullimit që do ndërtohet këtu. Për ty dhe për të gjithë tjerët që mos të dilni më me domate në rrugë, se në rrugë domatet patjetër ty të dalin më shtrenjtë, nuk diskutohet ajo. Të shkon më shtrenjtë t’i bësh, se sa ti shesësh. Nuk vazhdohet më me bujqësinë “mbill domate – dil në rrugë”.
Prandaj ne po mbështesim fuqimisht gjithë rrjetin e pikave të grumbullimit, të cilat do të shërbejnë për të unifikuar sjelljen ndaj një territori, duke mos mbjellë njëri domate në dy dynym, tjetri qepë në dy dynymët e tjera, tjetri patate në dy dynymët e tjera dhe pastaj të tre me vrap te rruga të gjejnë ndonjë që ia blen, por duke u organizuar me pikën e grumbullit, e cila synim ka eksportin për të mbjellë secili në dynymët e vet me të njëjtën farë, për të kultivuar me të njëjtat kimikate dhe për të prodhuar të njëjtën cilësi, me shitjen e garantuar.
Ti do ta bësh kontratën përpara me pikën e grumbullit. Do vijë pika e grumbullimit do të thotë: “Ja çfarë duhet të mbjellësh dhe ja çfarë jam gati të të blej”. Edhe farën do ta japë pika e grumbullimit, në kontratë. Do të thotë: “Ta jap unë farën, ta jap unë kimikatet, të jap unë këto”. Ama, të gjithë bashkë të bëni të njëjtën gjë, siç bëhej në kooperativë, por jo më me imponim, por me interes. Në atë moment, nuk jemi më tre veta që secili ka një thes, njëri me patate, njëri me qepë, njëri me domate në krah, por jemi tre persona që kemi një produkt me të cilin dalim në treg. Dalja në treg do të bëhet nëpërmjet pikës së grumbullimit. Ja ku është. Do zgjidhet edhe kjo dhe do ta mbështesim projektin.
Është 10 milionë euro investim. Do jetë një nga projektet që do mbështetet nga Fondi i Garancisë Kombëtare.
Le të vazhdojë Saliu me ata të tijtë të flasin çfarë të duan, e të thonë që kjo e kredisë për fshatin është një lojë. Lojën e bëjnë ata. Kanë 25 vjet që e bëjnë lojën. Ne nuk bëjmë lojë. Ne bëjmë të gjitha punët që mund të bëjmë dhe bëjmë çmos që të bëjmë dhe më shumë punë dhe e dimë që duhet dhe më shumë seç kemi bërë. Patjetër!
Shkolla Teknike Bujqësore e arsimit profesional, do të jetë gjithmonë e më shumë në shërbimin tuaj, pikërisht për ato pyetje që bëni ju. Se të presësh ta zgjidhësh me drejtorin e Bujqësisë, është njësoj sikur të presësh të bjerë shi në mes të gushtit.
Të gjitha bashkitë kanë filluar të ngrenë departamentet e tyre të asistencës teknike për t’ju ndihmuar, qoftë drejtpërdrejtë për prodhimin, qoftë edhe për aplikimet për Fondin e Garancisë Kombëtare
Besoj se i more përgjigjet e atyre që ngrite, pak a shumë. Ti ke hallin e rrugës përsëri, por mos më bëj të bëj atë pyetjen: “Sa fëmijë ke?” 3 fëmijë ke? Me një goditje i ke bërë, apo me radhë? Me radhë pra. Unë po të tregoj se çfarë po bëjmë ne me radhë. Nuk po të them që rruga që ti kërkon s’ka rëndësi, po të them vetëm që, duke i bërë punët me radhë do të vijë patjetër edhe radha e rrugës tënde. Po do bëjmë rrugë ne. Nuk do bëjmë si ato që bënte ai kryetari i komunës, që hidhte asfalt për zgjedhje dhe pas zgjedhjeve ikte me Saliun nëpër mitingje.
– Unë jam nga fshati Gore. Kemi marrë tokë me qera, i morëm të tëra sipas rregullave. I mbollëm dhe tokat. Tani na vjen një nga Berati dhe na thotë: ‘Dilni nga tokat ju, se është toka jonë!” Të kam dërguar dy-tre herë letra si fshat, po flas në emrin e fshatit, jo në emrin tim. E di edhe zonja, nënprefekti, kryeplaku, të gjithë.
Kryeministri Rama: Zotëri, më ke dhënë një rast, një shembull për ato që thashë më përpara. Ja, kjo është historia. Tjetër kush e punon, tjetër kush e pretendon. Ne do japim titujt e pronësisë, kështu që këto çështje do marrin fund njëherë e mirë. Nuk do ketë më mundësi të japë askush me qera asgjë, askund, sepse çdo metër tokë që punohet do jetë pronë e atij që e punon, në bazë të ligjit 7501. Pastaj do ta japësh t’i me qera është puna jote, por është toka jote. Jo të japë shteti me qera tokën tënde. Nuk e jep as shteti, por e dini ju se kush i ka dhënë ato qeratë përpara. Kështu që tokat shtetërore patjetër janë toka që ne do t’i përdorim në bujqësi për investime të mëdha, etj. etj., por investimi më i madh që ne do bëjmë është t’ju japim ju titujt e pronësisë dhe ky proces ka filluar dhe ne nuk i ndahemi. Është shumë i vështirë, sepse është mbushur me konflikte toka.
-Ne kemi shumë probleme dhe unë ia kam ngritur edhe zonjës deputete të zonës këtu. Na është bllokuar rruga. Ne jemi 100 familje dhe na është bllokuar rruga dhe është bërë një pistë që në kohën e Enver Hoxhës. Ne kalonim vinim tek toka dhe punonim. Tani mbasi u ndanë tokat u bllokua ajo rrugë dhe i bie të shkojmë në fshatin Lapardha. Janë 800 metra nuk është hedhur dhe një çakëll.
Kryeministri Edi Rama: Sa herë do më thoni për rrugët do ju jap të gjithëve të njëjtën përgjigje. E kuptoj shumë mirë këtë gjë, por me radhë, sepse nuk jemi duke ndenjur. Rruga Lushnje-Berat, më thoni, ishte ndërtuar gjë kur erdhëm ne në qeveri? Rruga Lushnje-Berat, që Saliu thotë: “Ua lashë gati”, ishte një shteg dhish. Saliu kishte bërë tenderat, preu dhe shiritat, tha dhe boshti i jugut, por nuk doli as bosht as shtizë. Asgjë. Këto bëhen me para. Bëmë rrugën Lushnje-Berat, po vazhdojmë të bëjmë investime të tjera brenda qendrave të bashkive që të bëhen bashki, qytete me hapësirë rurale, fushata rreth e rrotull. Jo pazar në mes të qytetit e pastaj fshati rrugëve. Pak nga pak do shtrihemi edhe në këto pika.
-Kam djalin në Greqi me gjithë familje, nuk ka dokumente. Ka lindur fëmija në Greqi. Vij këtu për të regjistruar fëmijën, nuk më regjistrohet fëmija, si do të bëj unë tani, a do rri ky fëmijë pa regjistruar?
Kryeministri Edi Rama: Kjo është një gjë që nuk e di se si ka ndodhur. Çështjen do ta trajtojë Ermonela, por kjo është një gjë që është e çuditshme sepse mjafton akti i lindjes dhe fëmijët regjistrohen. Nuk e di se çfarë problemi ka, por po ta ndjekësh me Ermonelën zgjidhet.
-Unë jam pensionist. Diskutoj në familje, me djemtë hallet që kemi si pensionistë. I them djalit: “U plaka unë”. Se s’janë më me mua, janë jashtë. Kush do të më ndihmojë mua? Më thotë: “Kështu e ka Europa. Merr shërbyese, merr këtë”. Me çfarë ti marr? Me 100 euro? S’më dalin paratë mua. Juve thatë 15%, doli një tjetër tha 3%. Keni marrë ekskavatorë për të bërë kanalet, po ekskavatorë për drejtësinë a keni marrë?
Kryeministri Edi Rama: Edhe çështja e pensioneve është si të gjitha çështjet e tjera. Ne po bëjmë një rritje rrogash dhe pensionesh, duke vënë në dispozicion të familjeve 100 milionë dollarë dhe pa rritur borxhin, se kjo është më e rëndësishme. Do të bëjmë një rritje pensionesh të ndjeshme, por e kam thënë dhe e përsëris, as ne dhe askush nuk mund të bëjë dot një rritje të atillë pensionesh që të jetë në nivelin që ju meritoni, sepse është e pamundur nga pikëpamja buxhetore. Kemi akoma një situatë që është e vështirë. Kemi një kontributor për një pensionist. Ndërkohë që, shtetet e tjera e kanë 1 kontributor-4 pensionistë, ose 7 pensionistë. Ne e kemi 1 me 1. Kemi bërë një reformë pensionesh që i ka lehtësuar jashtëzakonisht shumë ata që dalin në pension mbas reformës. Pra, nëse atë reformë do ta kishim bërë 25 vjet përpara, do të ishim në një situatë tjetër me pensionet. Kush ka kontribuar, sa ka kontribuar aq i del dhe pensioni. Nuk e kemi më pensionin tavan 240 mijë lekë maksimumin. Maksimumi përcaktohet nga kontributet e secilit. Problemin e kemi me pensionistët që kanë dalë në pension para reformës. Ata që kanë dalë në pension në kohën e Saliut dhe që janë përvëluar për shkak se Saliu nuk bëri reforma, vetëm deformoi 20 e ca vjet. Për ta ne do të marrim një masë rritjeje të ndjeshme. Kështu që, kjo është njëra anë. Nga ana tjetër, nuk e zëvendëson dot shteti djalin, miku im, për pensionistët në Shqipëri.
Për sa i përket drejtësisë pastaj ju e dini më mirë se unë se e ndiqni rregullisht këtë punë, që ne e kemi marrë ekskavatorin, po është kanal i madh dhe ka shumë llum, kështu që nuk pastrohet menjëherë. Por ekskavatori ka filluar punën. Ka shumë punë akoma deri sa ti dali matanë kanalit se ju e shikoni që dalin llumra e llumra, e bllokojnë, e ndalojnë, e zvarrisin etj. etj., por të jeni të sigurt që, siç nuk ka shans që mes llumit dhe ekskavatorit të fitojë llumi tek kanali juaj, nuk ka shans që mes llumit në drejtësi dhe reformës të fitojë llumi dhe jo reforma. Këtë di t’ju them unë!
– Z. Kryeministër, ju uroj mirëseardhjen dhe desha të falënderoja siç u takuam para një viti në vizitën që patët ju tek kompania “Bomira”, ishte falënderimi për kthimin e borxheve të kompanive dhe heqjen e TVSH-së së makinerive. Krahas falënderimit të atij viti, dua të falënderoj për premtimet që ju na dhatë në vizitën tonë te “Bomira”. Çelja e dritës jeshile për investimet e Partneritetit Publik Privat, gjetëm mbështetjen e qeverisë tuaj dhe nga ana juaj personale, që u mbajt premtimi i investimit Partneritetit Publik Privat për ndërtimin e ish-markatës, e cila ka 2 muaj që ka filluar nga rikonstruksioni i saj.
E dyta, ishte programi për sa i përket një qendre të integruar për produkte bujqësore. Këtu është diçka pozitive që krahas marrëdhënieve, ideve që janë hedhur për të ndërtuar këto do të doja që të jepja disa pika të hollësishme mbi këtë qendër të integruar.
E para fare është që, nga ana e qeverisë, nga ana e kryeministrit, pjesa ku do të bëhet ndërtimi i kësaj qendre integruar u dha me një vlerë fillestare 1 euro, që është një ndihmë shumë e madhe për ne. Në këtë investim është kompania e “Bomirës” sëbashku me partneritetin strategjik izraelit, që do të thotë janë strategjik, të njohin të gjithë fermerët që janë nga më mjeshtrit në fushën e bujqësisë. Kush është qëllimi në këtë qendër të integruar? Nuk është thjesht që të grumbullohen disa produkte, por është që tu vijë në ndihmë fermerëve. Dëgjova me vëmendje disa nga fermerët që ngritën problemet për sa i përket farërave, për sa i përket pesticideve, inpute të ndryshme, për sa i përket sëmundjeve të ndryshme, të gjitha këto do të jenë të integruara në këtë pikë. Krahas meje në takim me ju është edhe përfaqësuesi, zoti Majkëll, i cili është pjesë e investimit në këtë program. Unë nuk dua të zgjatem shumë. Të gjithë fermerëve u bëj me dijeni tek kompania “Bomira” do të keni në çdo moment të gjitha nevojat që kanë fermerët në momentin e pas investimit. Unë ju falënderoj zoti Kryeministër. Për sa i përket kohës së investimit ne e kemi shtrirë nga 2 deri në 5 vjet. Ne pas 2 vjetësh, por ekziston mundësia që me programin që ka qeveria, me firmosjen e Fondit të Garancisë, ne kemi aplikuar në banka, kemi çuar planin e biznesit dhe kjo bën ngushtimin e kohës fizike nga 5 vjet që e kemi shtrirë ne mund të realizohet dhe në 3 vjet për vetë faktin se mund të marrim ndihmat e këtij fondi të garancisë.
Kryeministri Edi Rama: Ne besojmë shumë që çështja e farërave, çështja e pesticideve çështja e rimburismit të TVSh-së është e lidhur pazgjidhshmërisht me krijimin e këtij rrjeti. Ne, jo vetëm këtë kompani, por të gjitha kompanitë që janë të interesuara të ndërtojnë pjesë të rrjetit të grumbullimit dhe të eksporteve do t’i mbështesim më të gjithë fuqinë sepse janë pika që bashkon fshatin. Janë pika që bën që dynymët e shpërndarë të bashkohen në një sipërfaqe dhe njerëzit ta punojnë tokën të qetë se s’kanë më problemin “do ta shes, s’do ta shes”. Janë me kontratë më përpara, i jepet fara, i jepet teknologjia, i thuhet: “Më prodho këtë lloj domate dhe e ke të shitur”. Mmbaron filmi. Kjo është rruga. Ndërkohë, mos harroni një gjë. Keni 20% rimbushim të çdo prodhimi që shisni me letra. Nuk e ka asnjë vend i rajonit, në Europë jo e jo, sepse është shifër shumë e lartë rimbursimi për shtetin. Por ne duam që të formalizoheni, të shisni me letra, të keni NIPT-in, sepse pastaj, kjo është një bazë për të marrë më tutje financime. Nuk merr dot financim kur nuk ekziston në asnjë vend.
Ne jemi shumë të vetëdijshëm, unë jam shumë i vetëdijshëm se sa shumë nevoja ka. Por, ama, kemi vendosur një bazë për të vazhduar të ngremë mbi bazën solide shtëpinë tonë të përbashkët. Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët dhe si çdo shpi ku ju e dini shumë mirë që mund të ketë shumë nevoja, por, ama i plotësoni ato me radhë dhe nuk bëni marrëzira që të shkoni pas nevojës që dhe mund të presë për pak dhe të lini pa bukë fëmijët tuaj. Kështu funksionon edhe ndërtimi i kësaj shtëpie të përbashkët. Jemi në rrugë të mbarë. Kemi shumë më tepër për të bërë, por do ta bëjmë sëbashku dhe të jeni absolutisht të sigurt se investimi më i madh që ju keni bërë për të ardhmen e fëmijëve tuaj, është investimi politik për të pasur mbështetje një qeveri që po bën për fshatin çfarë nuk është bërë asnjëherë nga pikëpamja e të punuarit me sistem. Po qe puna për para, apo për të numëruar paratë, po të numërojmë paratë që janë hedhur për fshatin në 20 e ca vjet këtu duhet të kishte lule për të ushqyer edhe derrat. Ju e dini më mirë se unë se çfarë ka ndodhur me ato para, me ato investime, me ato rrugë, hidh një këtej, shtro një andej, dil këtej. Kap ca vota këtu, shko kap ca andej edhe Shqipëria për lesh e për li.
Shumë faleminderit edhe një herë edhe shpresoj shumë që të shikohemi përsëri edhe do të vij në shtëpi nga rruga e re, unë ty, mbaje mend se çfarë po të them. Ja këtu do të jemi. Do të të vij në shtëpi nga rruga e re. Por duhet pak durim të lutem! Edhe mi përqafo të tre fëmijët dhe kujtohu që të voglin e ke bërë pas të madhit.