Fjala e Zëvendëskryeministrit Niko Peleshi:
“Përshëndetje,
I nderuar zoti Ministër,
Të nderuar përfaqësues të Trupit Diplomatik,
Të dashur fermerë, specialistë të bujqësisë dhe aktorë të tjerë të prodhimit bujqësor,
Më lejoni ta filloj fjalën me dy falënderime të posaçme dhe me një përgëzim;
Dëshiroj të falënderoj së pari, zotin Dhimo Kote, i cili jo vetëm na ka dhënë një model të fermës shqiptare, në Xarë, por nga ana tjetër ishte edhe shumë i drejtpërdrejtë në mesazhet që dha, që duhet të dëgjohen e të mbahen shënim në fakt, nga ministria, nga qeveria edhe nga të gjithë ata që kanë një rol për të luajtur për bujqësinë shqiptare. Mendoj që ka shumë fermerë këtu që do të donin të falënderonin Dhimon, sepse me të vërtetë ishte zëri i tyre.
Së dyti, dëshiroj të falënderoj zotin Ramiz Kelmendi, i cili me optimizmin, por edhe patriotizmin e tij, jam i bindur që për gjithë eksperiencën e biznesit të tij, të akumuluar në vite, duke u bërë më aktiv në tregun shqiptar, do t’i shtojë vlerën, do të jetë një hallkë e shtuar në zinxhirin e vlerave të produkteve të prodhimit bujqësor në Shqipëri.
Kështu që ju falënderoj dhe ju inkurajoj të ktheni vëmendjen edhe biznesin tuaj gjithnjë e më tepër drejt produkteve të mrekullueshme shqiptare.
Përgëzimin e kam për Ministrinë e Bujqësisë, sepse sot, në fakt, është një finale. Është një finale e një rrugëtimi të gjatë, të filluar jo brenda mureve të Ministrisë, por në fushat tona bujqësore, me fermerë nga e gjithë Shqipëria, me të cilët është dialoguar intensivisht për të ardhur me një produkt konkret sot, me një produkt që kënaq pritshmëritë e fermerit, të bujqësisë shqiptare dhe që në fakt është një inovacion. Është një evolucion në mënyrën se si qeveria shqiptare alokon burimet e veta, jo kuturu, por me një vizion të qartë.
Pak më shumë se 2 muaj më parë, më 6 shkurt, është organizuar një tavolinë e rrumbullakët me fermerët, për të vlerësuar përfundimet e nxjerra nga Ministria pas një turi dialogu të gjatë me ta, në lidhje me skemat e mbështetjes në bujqësi.
Sot, jemi në një hap të tretë, në atë të finalizimit të skemave të mbështetjes, që paraprin thirrjen për aplikime në fillim të muajit maj dhe është një mundësi e shtuar në fakt, për të qartësuar se kujt i drejtohen skemat dhe cilat janë prioritet e këtyre skemave.
Natyrisht, skemat nuk janë një zgjidhje finale përfundimtare dhe brenda një viti e të gjithë problemeve të mbartura që bujqësia shqiptare ka, por lajmi i mirë për të gjithë fermerët dhe aktorët e prodhimit bujqësor është se këto skema themelojnë dhe mishërojnë një vizion të ri, të qartë dhe të provuar për të qenë i suksesshëm, në mënyrën sesi bujqësia shqiptare, tash e në vazhdim, do të mbështetet dhe do të organizohet.
Për Qeverinë, skemat e mbështetjes bujqësore përbëjnë një mjet zhvillimi themelor, zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë, fuqizimin e fermerit, por jo vetëm. Gjithashtu edhe për menaxhimin e tokës, turizmit dhe gjithë potencialit të zhvillimit të vendit tonë. Formësimi i këtij mjeti kërkon ndërthurjen e një vizioni të qartë me dialogun e gjerë. Qartësisht, Ministria e ka jetësuar më së miri këtë ndërthurje në skemat e reja të mbështetjes. Ndaj dhe e përgëzoj sinqerisht.
Përgëzimi nuk është aspak formal, por është rrjedhojë e bindjes në jetësimin e një politike bujqësore evropiane për vendin tonë, që ka një potencial shumë të madh, por fatkeqësisht, të keqmenxhuar dhe të shpërdoruar të zhvillimit bujqësor.
Skemat e reja të bujqësisë hedhin bazat për krijimin e një rrjeti sigurie në vend. Kjo është pikësëpari siguri për fuqizimin e fermerit dhe rrjedhimisht siguri për zhvillimin e qëndrueshëm të hapësirës rurale; siguri për mbrojtjen e zhvillimin e avantazheve konkurruese që ofron toka dhe klima shqiptare; siguri për mbrojtjen dhe zhvillimin e prodhimeve ushqimore tradicionale shqiptare, si dhe siguri ushqimore për qytetarët.
Hedhja e bazave të këtij rrjeti sigurie kërkonte vizionin e duhur, domosdoshmërish bashkëpunim të gjerë me fermerin, por edhe mjete financiare. Ndaj edhe buxheti 2014, në funksion të realizimit të programit qeveritar për bujqësinë dhe rëndësisë që i ka dhënë kjo maxhorancë zhvillimit të hapësirës rurale, ka akorduar një fond 71% më të madh se vitin e kaluar. Plot 1.66 miliardë lekë në tërësi për këtë vit. Ky fond i fuqizuar rrit mundësitë e financimit për skemat e mbështetjes, mundësinë e përfshirjes së prodhimeve të reja dhe mundësinë e fokusimit të skemave në rritjen e investimeve në inovacion e teknologji, veçanërisht për sa i përket ndërtimit të një infrastrukture moderne bujqësore. Infrastruktura shumë e dobët grumbullimit dhe përpunimit në vendin tonë, jo vetëm që ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e ushqimit, por dhe eliminon vlerën e shtuar për prodhimet bujqësore.
Fakt është që Shqipëria ka një potencial të madh blegtoral, por zhvillimi i deritanishëm i blegtorisë jo vetëm që nuk ka nxitur zhvillimin e produkteve lokale e racave autoktone, por ka vënë në rrezik të vazhdueshëm dhe shëndetin e qytetarëve me therje dhe shpërndarje të lëna në iniciativën edhe në mundësinë e pakët të fermerit.
Nga ana tjetër, Shqipëria mund të ketë shifra shpresëdhënëse në eksportin blegtoral e bujqësor, me një rritje të lehtë që ka filluar në 2013, por shumë produkte, veçanërisht blegtorale shqiptare, duhet të shkojnë të ambalazhohen jashtë vendit e pastaj të rikthehen për t’u eksportuar apo për konsum në vend. Ajo çfarë skemat sigurojnë është nxitja e investimit që krijon kushtet dhe infrastrukturën e duhur për vlerë të shtuar të prodhimeve të vendit. Në këtë kuptim, fermeri që ka një tufë do të mund fokusohet në zgjerimin e saj dhe cilësinë e prodhimeve bazë, të cilat pastaj një investues në grumbullim, një tjetër në ambalazhim, një tjetër në teknologji inovative i transformon në produkte me vlerë të shtuar.
Skemat e reja të mbështetjes parashikojnë financim deri në 50 % të vlerës dhe në shumën deri 150 milionë lekë për investime inovative. Një mbështetje kjo në formën e grantit publik, të akorduar në bazë të kritereve të qarta dhe impaktit transformues në terren.
Për më tepër, duhet rinënvizuar se skemat përfshijnë dhe financimin e normës së interesit deri në masën 70% për një periudhë 7 vjeçare në rastet e investimeve të mbështetura në kredimarrje. Kjo mbështetje nuk kufizohet vetëm në shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, siç ishte më përpara, kur dhe shuma maksimale e grantit shtetëror ishte 50 milionë lekë, por përfshin dhe individë, subjekte juridike dhe sipërmarrje të sapokrijuara, sepse kriteret e përzgjedhjes kanë të bëjnë me efektin e investimit dhe jo detyrimisht me zbatuesin e tij.
Aq më tepër që synimi kryesor i skemave të mbështetjes është nxitja e bashkëpunimit sa më të gjerë, në funksion të rritjes së cilësisë dhe sigurisë së prodhimeve, duke formuar një zinxhir prodhimi ku çdo hallkë është e qëndrueshme dhe në zhvillim të përhershëm, për sa i përket cilësisë dhe kërkesave të shoqërisë, por edhe të tregut ndërkombëtar.
Bashkëpunimi ndërmjet fermerëve, apo fermerëve dhe sipërmarrësve do të mbështet nga skemat nëpërmjet kritereve, të cilat synojnë dhe formalizimin e bujqësisë në vend, në kuadër të një rrjeti sigurie për çdo fermer, që kështu garanton suksesin dhe qëndrueshmërinë e suksesit të tij. Rrjetet e prodhimit cilësor të zhvilluara brenda një zone apo në kuadër të një prodhimi tradicional do të jenë një mundësi e shtuar për zhvillimin e krijimin e prodhimeve me të cilat të identifikohet vendi ynë në shkallë rajonale e botërore.
Është e gjithëditur se veçanërisht vendet evropiane, kanë prodhime në shkallë rajoni, lokaliteti apo në shkallë kombëtare me të cilat identifikohen. Bashkimi Europian ka një mbështetje dhe mbrojtje të veçantë për këto prodhime, duke i shtuar vlerën dhe me anë të certifikimeve të ndryshme, përveç certifikimeve për prodhimet bio. Për shembull është e mirënjohur “certifikata e mbrojtjes së emërtimit të origjinës”, nëse të gjithë përbërësit e një prodhimi janë nga e njëjta zone apo rajon i një vendi. Shembulli i mirënjohur i kësaj është parmigiano reggiano. Apo certifikata e traditës si “specialitet tradicional i garantuar”. Shembujt e njohur janë birra Kriek apo proshuta Jamon Serrano.
Në këtë perspektivë, mbështetja që Qeveria do t’i japë bujqësisë nëpërmjet skemave përfshin sa teknologjinë e mjetet inovative, aq dhe kultivimin e kulturave shumëvjeçare, tradicionale shqiptare, si dhe prodhimeve që ofrojnë avantazheve konkurruese sa në prodhim ushqimor, medicinal e aq në peizazh e cilësi ambienti.
Në një vend si ky i yni, jashtëzakonisht i pasur me burime ujore ishte domosdoshmëri mbështetja e akuakulturës [kulturave ujore]. Kjo gjithashtu dhe për shkak të adoptimit me ndryshimet globale të tregut me një kërkesë gjithnjë në rritje për prodhimet e kulturës ujore. Sipas Institutit të Politikave për Tokën, në vitin 2011 është shënuar një kthesë historike në dietën humane, si rrjedhojë e të cilës prodhimi i peshkut të rezervateve ka kaluar prodhimin e mishit të viçit dhe viti 2013 është viti kur në shkallë botërore është konsumuar më shumë peshk i rritur në rezervate, domethënë kulture ujore, se peshk i zënë me anë të peshkimit.
Padyshim që për vendin tonë është shumë e rëndësishme mbështetja e peshkimit, që mbetet akoma me një potencial thellësisht të pashfrytëzuar. Nga ana tjetër, për herë të parë mbështetet financiarisht kultura ujore dhe me qëllim rritjen e potencialit prodhues, shumëllojshmërinë e produkteve, standardizimin e një pjese të tyre, si dhe rritjen e cilësisë. Ne besojmë se harmonizimi i politikave për mbështetjen e peshkimit dhe i kulturave ujore do të krijojë mundësi për prodhime specifike ujore, të cilat promovojnë dhe identifikohen me lokalitete të vendit.
Politika jonë bujqësore ka projektuar qartësisht skemat e mbështetjes në bujqësi si mjete të një perspektive afatgjatë, që specializon e rrit prodhimin dhe orienton e lehtëson bashkëpunimin e fermerëve për sigurimin dhe zgjerimin e tregut vendas dhe për rritjen e eksportit.
“Bujqësia jo vetëm e pasuron një vend, por i garanton të vetmet pasuri që vendi mund t’i reklamojë si krejtësisht të tijat,” – thotë Samuel Johnson, një shkrimtar i njohur anglez.
Fjalët e tij shkruara gati 2 shekuj më parë, por nuk janë aspak të dala mode. Sepse politika e përbashkët europiane e bujqësisë është e zhvilluar pikërisht në mbrojtje të traditës bujqësore, rajonale, lokale apo kombëtare të vendeve të Bashkimit Europian, që konsideron bujqësinë si burim i pazëvendësueshëm mirëqenieje dhe si një prej pasurive më të mëdha të saj.
Në takimin e datës 4 shkurt e kemi theksuar dhe dua ta rinënvizoj se “politikat tona janë të ndërlidhura dhe në shërbim e në funksion të njëra-tjetrës”. Kështu që padyshim që për zhvillimin e hapësirës rurale skemat e mbështetjes janë vetëm një prej mjeteve.
Një mjet tjetër shumë i rëndësishëm është reforma administrative. Reforma administrative – territoriale që kontribuon dhe në sigurimin e qëndrueshmërinë e tregut bujqësor, duke integruar brenda njësive të reja zinxhirin prodhues nga parcela në fshat tek tregjet urbane.
Ashtu siç për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë është themelor dhe rrjeti i shkollave profesionale të përhapura në zonat rurale. Me anë të këtyre shkollave jo vetëm do mbështet inovacioni, por dhe do të ndërlidhet inovacioni e progresi me eksperiencën e dijen e komuniteteve.
Dhe unë besoj se sa bashkëpunimi mes fermerëve dhe dialogu i vazhdueshëm mes tyre e Qeverisë, është shumë i rëndësishëm edhe harmonizimi i mjeteve nga ana jonë, për të siguruar efektshmërinë e tyre dhe për t’ju përgjigjur sfidave:
– E para, ajo e emergjencës së gjendjes në të cilën është potenciali i zhvillimit të fshatit shqiptar;
– E dyta, mundësimi i diversifikimit të ekonomisë rurale dhe mbështetja e mikro- sipërmarrjeve;
– E treta, nxitja e investimeve vendase dhe të huaja në bujqësi;
– E katërta, sfida e integrimit rajonal dhe ajo e bashkërendimit të potencialit tonë bujqësor me Kosovën, – siç e tha edhe zoti Kelmendi, shumë më bukur dhe shumë në mënyrë të figurshme, – duke e zgjeruar hartën tonë të produkteve bujqësore edhe me hartën e Kosovës, gjithashtu .
Asnjërës prej këtyre sfidave nuk mund t’i përgjigjemi në një kohë shumë të shkurtër, por unë besoj se jemi në drejtimin e duhur, të cilin mund ta ruajmë vetëm me anë të dialogut të vazhdueshëm me aktorët në terren.
Dua ta mbyll fjalën time me një anekdotë nga Ronald Reagan, i cili besohet se ka thënë një herë se 9 fjalët më të tmerrshme në anglisht janë “jam nga Qeveria dhe kam ardhur për t’ju ndihmuar.” Nëse këto ishin 9 fjalët më të tmerrshmet në anglisht, nuk e di si mund të cilësohen në shqip.
Gjithsesi, besoj se kjo është sfida jonë e pestë; transformimi i impaktit dhe imazhit të mbështetjes së Qeverisë për t’i kthyer ato në instrumente reale zhvillimi e mirëqenieje.
Në fund, natyrisht, iniciativa i takon fermerit. Qeveria do të jetë gjithmonë aty, për t’ju mbështetur dhe inkurajuar.
Faleminderit dhe punë të mbarë.