Siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit është qëllimi i reformës në shërbimin veterinar. Duke folur sot, në konferencën për reformën në fushën e shërbimit veterinar, Zëvendëskryeministri Niko Peleshi e përcaktoi qëllimin e kësaj reforme madhor, që synon realizimin e kontrollit në të gjithë zinxhirin ushqimor nga ferma deri tek konsumatori, duke eliminuar fragmentarizimin e kontrollit përmes një institucioni të unifikuar.
Ngritja e një institucioni të unifikuar në shkallë vendi, – u shpreh Zëvendëskryeministri, – do të zgjidhte përfundimisht fragmentarizimin dhe mbivendosjen e këtij shërbimi në shumë pika dhe institucione, duke krijuar mundësinë e kryerjes së kontrollit në të gjithë zinxhirin ushqimor nga ferma në tavolinë. Një agjenci e vetme e ushqimit do të rriste besimin e konsumatorit, por edhe përdorimin me efikasitet të parave të taksapaguesve.
Siguria e ushqimit, theksoi zëvendëskryeministri, është një temë e nxehtë, jo vetëm në Shqipëri, por ngado dhe shëndeti i kafshëve është themelor për ushqim të sigurt në të gjithë ciklin e zinxhirit ushqimor. Dhe siguria ushqimore, sipas zëvendëskryeministrit Peleshi, është një përgjegjësi e përbashkët, e prodhuesit për ushqim të sigurt, ndërkohë që kontrolli i vëmendshëm, monitorimi i vazhdueshëm dhe legjislacioni i mirëstrukturuar sigurojnë garancinë e nevojshme.
Reforma parashikon ngritjen e rrjetit të strukturave të mbikëqyrjes së tregut dhe veçanërisht funksionimin e Inspektoratit të Mbikëqyrjes së Tregut, si mekanizma që do të garantojnë sigurinë e produkteve në treg dhe për të ndihmuar në funksionimin e një tregu të lirë konkurrues.