Sipërmarrës të rinj, me ide inovative dhe biznese të konsoliduara në fushën e Teknologjisë së Informacionit nga Shqipëria dhe Kosova shkëmbyen sot përvojat e suksesit dhe promovuan ambiciet e tyre për të ardhmen. Ata nuk janë rastësisht së bashku. Janë pjesëmarrës në konkursin “Get in the ring” Tirana, i organizuar nga Innovation Hub, qendra e cila i’u ofron mbështetje profesionale të rinjve për zhvillimin sa më të plotë e të suksesshëm të ideve të reja të biznesit.
12 start-up të përzgjedhur nga aplikimet online, për këtë konkurs po trajnohen prej dy ditësh në këtë qendër, për mënyrën e veçantë të këtij konkurrimi, i cili vë në provë aftësitë e tyre krijuese, por edhe promovuese të biznesit që vetë e kanë ngritur.
Për të inkurajuar përpjekjen e tyre dhe për të ofruar mbështetjen e qeverisë, Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Inovacionit Milena Harito ishin bashkë me të rinjtë për të dëgjuar rrugëtimin e tyre drejt suksesit, fillimisht të vetëm, dhe më pas si një kompani e vërtetë me shumë të punësuar.
Albi është një prej tyre. Ai tregon se është ndërtuesi i platformës së parë të lëvizshme për menaxhimin e një hoteli. “Investitorët tanë janë të gjithë të huaj. Ne do donim të kishte investitorë shqiptarë, por nuk kemi. Gjithë kompania jonë është ndërtuar me një ekip shqiptar që do japë shembull,” shprehet ai duke treguar se kompania e tij ka një staf të suksesshëm prej 9 vetash.
Dëshirës së Albit për të patur dhe investitorë shqiptarë dhe jo vetëm të huaj, Kryeministri i përgjigjet se me uljen e TVSH për turizmin nga 20 në 6%, interesi i investitorëve vendas do të jetë vetëm në rritje. “Ne mund të organizojmë një prezantim për hapin tuaj me investitorë në turizëm. Jam i bindur që do jenë të interesuar. Se vjen dhe nga mosnjohja, edhe nga skepticizmi, edhe nga mungesa e vizionit afatgjatë. Tani ne ulëm dhe TVSh-në e turizmit, e bëmë 6%, kështu që do marrin më shumë frymë dhe s’do e kenë mendjen si të fshehin klientët.”
Ndërsa Fatjoni, kujton se zyrën e parë nga ku inicioi biznesin e tij, e ka patur në garazhdin e shtëpisë. Ai ka krijuar një plaftformë për regjistrim të dhënash. “E gjitha lindi nga ideja që dentisti ynë personal pati problem me kompjuterin dhe u dogjën të gjitha të dhënat. Meqë ne jemi në fushën e teknologjisë, na kërkoi zgjidhje për këtë problem. Ne menduam, pse ta bëjmë këtë vetëm për dentistin tonë kur mund ta bëjmë globale. Kështu që, ne vendosëm të krijojmë një platformë për regjistrim, që mundëson dentistët të menaxhojnë klinikën e tyre që nga menaxhimi i ditës, i orarit, deri te prezantimi online i pacientëve tek dentisti i tyre. Për momentin jemi në Shqipëri dhe në Kosovë. Kemi filluar partnership-in dhe me Gjermaninë për t’u shpërndarë dhe aty. E nisëm bashkë me vëllain dhe ai sot është në San Francisko për konferencën në të cilën jemi ftuar nga Facebook. Po mundohemi të shtyjmë dhe Shqipërinë në këtë fushë ”
Uraniku ka ardhur nga Kosova. Ai ka një hub të ngjashëm në Prishtinë, por dëshira që i shprehu Kryeministrit lidhet me një tjetër aspekt, infrastrukturën. “U nisa që herët në mëngjes, por duhet akoma të afrohemi më shumë, pra Tirana me Prishtinën…” Ndërkohë që Kryeministri u përgjigj se: “Do vëmë avionin Tiranë-Prishtinë. Jemi drejt finalizimit në një linjë ajrore që do mbulojë Shkupin, Prishtinën, Podgoricën, Sarajevën, Zagrebin dhe gjithë Europën patjetër. Sigurisht, do mbulojë dhe pjesën e perëndimit.”
Kryeministri kërkoi ndihmën e të rinjve në përmirësimin e infrastrukturës dixhitale, për të lehtësuar nga burokracia marrëdhënien mes qytetarëve dhe shërbimeve që ata marrin në institucionet shtetërore, duke sjellë si shembull suksesin e komisariatit dixhital. “Komisariati Dixhital, ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm e me thënë të drejtën kur e promovoi Saimiri unë nuk mendova se do ishte aq i suksesshëm. Por, ai është aplikacioni i dytë më i shkarkuar në Shqipëri, pas Facebook. Faktikisht, e ka ndihmuar shumë rendin për të gjithë shkeljet “banale”, por që i nxijnë jetën njerëzve dhe ka ndihmuar shumë dhe llogaridhënien në Policinë e Shtetit. Nuk e di si mund të krijohet një lehtësim i kësaj marrëdhënieje midis qytetarëve dhe shtetit duke i’u dhënë akses qytetarëve më lart se sa sporteli që i pengon. Në këtë aspekt, besoj që mund të na ndihmoni.”
Më pas, të gjithë me radhë prezantuan platformat e krijuara, me dëshirën për të shkuar më larg në ambiciet e tyre.
Ndërsa Kryeministri i gjen fantastike idetë e hedhura, u shpreh se ata janë shembulli më kuptimplotë, i ëndrrave të bëra realitet falë vullnetit dhe dëshirës për punë të ndershme. “Ju jeni shembulli më kuptimplotë i asaj që duhet të dinë të gjithë që mundësitë janë të pafundme kur njeriu i ndjek ëndrrat. Nëse e ndjek me këmbëngulje rrugën, gjërat vijnë.”- u shpreh ai.