Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu dhe Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla zhvilluan sot një takim në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) me Komitetin Ndërministror të emergjencave Civile, ku u raportua mbi situatën e reshjeve në mbarë vendin, me prioritet në zonat problematike.
* * *
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu: Përshëndetje të gjithëve dhe faleminderit për gatishmërinë! Kemi vendosur së bashku me Ministrin e Bujqësisë që të bëjmë një raport të përbashkët të situatës me të gjithë prefektët e qarqeve.
Nisur nga situata meteorologjike, siç e dini kemi bërë një vlerësim paraprak ditën e shtunë. Bëmë Komitetin e Emergjencave dhe shpërndamë të gjithë hartën e rrezikun në rang vendi, duke përqendruar qoftë forcat, qoftë dhe mjetet në ato zona ku vlerësohej risku më i madh. Konkretisht, në orët e para të mëngjesit kemi një agravim të situatës në Durrës, në zonën e Kënetës Spitallë, por gjithashtu në zonat urbane të qytetit të Durrësit, ku janë realizuar dhe disa ndërhyrje pranë banesave, sikundër është kufizuar aksesi në disa shkolla për efekt të situatës të ujërave në mbarë qytetin e Durrësit. Nga ana tjetër, jemi në terren me forca të shtuara, mjete, pompa të gatishmërisë maksimale dhe kapacitetit të lartë në zonën e Durrësit sipas kërkesës së prefekturës dhe drejtori i AKMC gjendet në terren në Gjadër, ku së bashku me bashkinë e Lezhës jemi në monitorim ora, orës për të parandaluar situatën që është krijuar në Gjadër pasi prurjet e gjithë basenit janë të atilla që ndikojnë në zonat bujqësore.
Për momentin, situata konsiderohet të jetë nën kontroll, por gjithësi mbetemi vigjilent, pasi i gjithë ky front meteorologjik do të vazhdojë gjatë pasdites dhe gjatë mbrëmjes sikundër dhe ditën e nesërme fronti qoftë në veri-perëndim, por gjithashtu dhe në jug do të ketë situata që mund të krijojnë problematika.
Do doja t’ia kaloja fjalën Ministrit të Bujqësisë për sa i përket masave që janë marrë dhe vijojë të merren, qoftë për sa i përket kanaleve kulluese, argjinaturave, vlen të theksohet që s’kemi patur problem në argjinatura nisur dhe nga ndërhyrjet masive që janë bërë muajt e kaluar, por duhet të mbetemi vigjilent ndaj do kemi në gatishmëri mjetet e drejtorive të kullimit sipas nevojave të bashkive dhe prefekturave.
* * *
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla: Sa i përket Ministrisë së Bujqësisë dhe gjithë ekipi i Ujësjellës-Kanalizimeve dhe të varësisë janë në dispozicion të situatës, sidomos në Shkodër, ku kemi një prurje më të lehtë të zonave, por Lezha dhe Durrësi ka një problematikë me përmbytjen e zonave bujqësore, kryesisht janë disa hektarë aktualisht të përmbytura, por dhe strukturat janë në gatishmëri.
Doja t’ju bëja thirrje prefektëve për t’u koordinuar me bashkitë, drejtoritë e bordeve të kullimit, janë në koordinim të plotë me bashkitë, por duhet të kemi një koordinim dhe me emergjencat civile dhe me bordet e kullimit për shkak të problematikave, që lidhen me përmbytjet në disa nga kanalet kryesore që rrezikojnë të dalin nga shtrati, në mënyrë që ne të parandalojmë përmbytje që janë kryesisht në toka bujqësore aktualisht, që ne të mos kemi problematika ndaj banesave të qytetarëve. Do të jemi në terren bashkë me ministrin për të koordinuar dhe për të qenë së bashku në situatë koherente dhe me secilin prej jush. Në këto dy zona do të ndjekim situatën nga afër për të monitoruar të gjitha problematikat dhe për të ndërhyrë me mjete të tjera nëse do jetë e nevojshme në këtë situatë.
* * *
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu: Duke konsideruar situatën në terren, qoftë në Durrës, qoftë në Lezhë, me kërkesë të prefekturave, Komanda mbështetëse e Forcave të Armatosura, Shtabi i Përgjithshëm kanë siguruar dislokimin e mjeteve, pompa thithëse dhe mjetet zjarrfikëse kalueshmërie të lartë.
Në qoftë se do kemi situatë, ku do kërkohet dislokimi i tillë do ta bëjmë menjëherë edhe në zonën e Lezhës, nisur dhe nga gatishmëria e repartit të Vaut të Dejës.
Nga ana tjetër, më duhet të theksoj se reshjet intensive do të vijojnë në orët në vijim, ndaj mekanizmi kombëtar i Emergjencave Civile ka kërkuar gatishmëri maksimale nga të gjitha bashkitë e vendit, nga të gjitha qarqet e vendit, sikundër dhe një koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve dhe kompanive shtetërore të energjisë, OSHEE, OST për sigurimin e energjisë elektrike.
Nga ana tjetër, jemi në një situatë, ku po mirëmenaxhohet kaskada nga Korporata Energjetike Shqiptare. Që në orët e mbrëmjes së djeshme kanë filluar shkarkimet të kontrolluara në mënyrë që të parandalohet shkarkime të detyruara. Jemi në kushte, ku situata është në kontroll për momentin, do vazhdojmë të kemi prurje në kaskadë ndaj është shumë i nevojshëm realizimi i këtyre shkarkimeve të kontrolluara për të parandaluar përmbytje më të mëdha.
Është për t’u vlerësuar fakti që të gjitha hidrovorët janë në funksion të plotë, që nga Lezha deri në Vlorë praktikisht, janë kryer disa masa mirëmbajtjeje gjatë ditëve të fundit, çka mundëson që të gjithë hidrovorët të jenë në funksion.
Vlen të theksohet që përqendrimi i forcave në Lezhë, në Gjadër ku presim dhe rritje të kuotave të lumenjve në orët në vijim, duhet të pasohet dhe me rritje të mjeteve në atë zonë, në mënyrë që të jemi pranë banorëve çdo moment. Ndaj dhe i bëj thirrje dhe institucioneve vendore që të njoftojnë në kohë reale të gjitha nevojat, qoftë ne zona rurale dhe në zona urbane.
Shërbimi i urgjencës shëndetësore dhe Policia Rrugore janë po ashtu në terren dhe sigurojnë mbarëvajtjen, qoftë në ndihmese të popullsisë, qoftë në ndihmesë të institucioneve që po ndërhyjnë në mbështetje të tyre.
Për momentin kemi evakuim të 10 familjeve në Durrës dhe në Shijak nga banesa, ku janë rrethuar praktikisht nga uji dhe presim një rikthim në normalitet në atë zonë, përpara se këto familje të rikthehen, ndërkohë që po merren masa nga bashkitë dhe nga rezervat materiale të shtetit për t’ju ardhur në ndihmë gjatë këtyre orëve kritike.
Apelojmë dhe një herë kujdes maksimal për banorët në bashkëpunim me autoritetet për sa i përket udhëzimeve që jepen në terren, në mënyrë që të parandalohet çdo lloj fatkeqësie në këto situata.
Do mbetemi në gatishmëri në terren gjatë orëve në vijim dhe do bëjmë përditësime periodike nga Qendra Operacionale Kombëtare e Emergjencave Civile këtu në Tiranë, në mënyrë që publiku të jenë sa më i informuar dhe i alertuar për ato zona ku ka rrezik të shtuar.