Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama: 

Përshëndetje të gjithëve,

Nuk është e vështirë ta kuptoni të gjithë se, unë i jam i vetmi njeri që në gjithë këtë grup entuziast duartrokas me vështirësi pas fjalëve të Erionit. Sepse e di mirë vlerën e shtuar që ai ka sjellë në qeverisjen tonë, e di mirë se çfarë reforme historike dhe themelore për shoqërinë dhe për vendin tonë është kjo e pensioneve që ai e ka udhëhequr dhe e ka jetësuar me një sukses që vetëm 18 muaj më parë ishte i paimagjinueshëm. E di mirë që nuk është e lehtë për ta zëvendësuar dhe për të bërë të mundur që zëvendësuesi apo zëvendësuesja të mund ta çojë përpara këtë punë të filluar me një vizion të qartë, të ndërtuar me një vullnet të hekurt dhe të materializuar me rezultate që mund t’i vënë në dyshim vetëm ata që nuk kanë jo vetëm dëshirën, por as edhe vullnetin më minimal që të informohen për jetën reale të njerëzve realë. Kjo është reforma për jetën reale të njerëzve realë, e cila faktikisht është një reformë që pa as më të voglin dyshim na bën krenarë të gjithëve si qeveri, si shumicë qeverisëse, për faktin e thjeshtë se është një reformë që qeveritë e mëparshme asnjëherë nuk patën kurajën ta ndërmarrin.

Është një reformë që qeveritë e mëparshme ia lanë atyre që vinin pas, duke preferuar të gënjejnë në vijimësi pensionistët me ato rritjet e pensioneve që ishin thjeshtë indeksime të inflacionit dhe duke i mbajtur të gjithë njerëzit e punës së ndershme, pas daljes së tyre në pension, nën tavanin mbytës të një pensioni 240 mijë lekë. Pavarësisht se sa vite kanë punuar, burra e gra, që në jetën e tyre nuk kanë shkelur ligjin asnjëherë, që në jetën e tyre janë përpjekur t’u përcjellin fëmijëve parimet dhe vlerat e një edukate që buron nga një traditë e bukur shqiptare, që në jetën tyre e kanë shtruar tryezën vetëm me mundin dhe djersën e tyre në punë të vazhdueshme, për vite e vite të tëra. Faktikisht, ne me kurajo e hoqëm tavanin e pensioneve dhe krijuam një hapësirë të paimagjinueshme 18 muaj më parë. Hapësirën që, gjithsekush vendos vetë për pensionin e vetë, nëse do të ketë një pension më të lartë, duke kontribuar më shumë për skemën e pensioneve. Nga ana tjetër, hapësirën që ne sot të jemi në gjendje që kujt ka derdhur mund e djersë, mundin e djersën e një jete të tërë aktive që për 20, 30, 40 vjet t’i përgjigjemi me një pension që deri dje ishte i paimagjinueshëm.

Ju i keni dëgjuar, por për fat të mirë ka një Shqipëri të vogël të mbyllur të vogël në sallën e parlamentit dhe në ekranet e konferencave të shtypit që flet me vete dhe për vete dhe për fat të mirë ka dhe një Shqipëri jashtë këtyre ekraneve të vogla që dëgjon dhe verifikon në jetën e vet reale, verifikon në arkën e jetës së vet familjare, verifikon në arkën e sipërmarrjes së vet. Kjo Shqipëri, unë dëshmoj sot se pa as më të voglin dyshim se propaganda sipas së cilës kjo reformë ka ulur pensionet është tërësisht e gënjeshtërt dhe se çdo pension në Republikën e Shqipërisë, qysh nga janari i këtij viti, vetëm është rritur, duke filluar nga pensioni minimal. Një pensionist që ka arritur të sigurohet, flasim gjithmonë për ata që janë siguruar, dhe që me ligjin e deridjeshëm dhe me formulat e deridjeshme, tërhiqe e mos e këput po punë e madhe se çdo bëhet më këta që nesër dalin në pension, do të merrte 141 mijë lekë, sot merr 143 mijë lekë. Kjo, e cila është një rritje minimale, po që është rritje nuk është ulje, vlen vetëm për pensionin minimal, ndërkohë që nëse do të shikojmë se çfarë ndodh përtej pagës minimale të cilës i korrespondon pensioni minimal, jemi në kushte tërësisht të tjera. Marrim një nga pagat më përfaqësuese sot në ekonominë tonë, pagën e një mësuesi apo një mësuese të shkollës së mesme me vitet e punës të siguruar; nëse mësuesi apo mësuesja ka dalë vjet në pension merr 245 mijë lekë. Ndërkohë që sot, mësuesi dhe mësuesja, në vitin 2015 dhe përtej 2015, merr 297 mijë lekë. Pra, kemi një rritje të paimagjinueshme, edhe pse, siç e tha Erioni, nuk është një rritje që e bën ish-mësuesin apo ish-mësuesen pensioniste po aq të qetë sa ata snobët e Tiranës që përmendi Ministri. Ndërkohë që një individ me një pagë maksimale dhe me siguracione të rregullta merr rregullisht 50 mijë lekë më shumë pension.

Le të kthehemi tani te një fakt tjetër, që kishim në Shqipëri, vazhdimisht, sidomos gra shtëpiake, të cilat nuk përfitonin asnjë lloj pensioni. Gjithë jetën në shtëpi, dedikuar familjes, burrit, fëmijëve dhe që mbeteshin faktikisht pa asnjë qindarkë të ardhur. Falë kësaj reforme nuk do të ketë më asnjë grua dhe asnjë burrë që del në pension, pavarësisht se nuk ka punuar asnjë ditë të jetës së vetë në shtet dhe nuk ka siguruar dot pensionin, që do të mbetet pa pensionin social. Pensionin që sot e përfitojnë 5000 gra e burra në vitin 2015 dhe që çdo vit do ta përfitojnë rregullisht të gjitha ata që nuk kanë vitet e sigurimeve. Nga ana tjetër, kemi një fakt që është shumë inkurajues dhe shumë domethënës, që kjo reformë është mbështetur nga qytetarët. Sepse është rritur besimi i qytetarëve tek skema. Faktikisht, ende pa hyrë në fuqi reforma, në vitin 2014, ne kemi 93 392 kontribuues më shumë. Janë kontribuues, një pjesë tyre që vijnë drejtpërdrejtë nga vendet e reja të punës dhe një pjesë tjetër janë kontribuues që vijnë nga beteja jonë me punën e zezë dhe skllavërimin e shumë burrave e grave, djemve e vajzave që në sipërmarrjet private ju mohohej e drejta e pensionit, sepse nuk paguheshin me sigurime shoqërore. Faktikisht, kemi një rritje të ardhurash shumë të lartë që na ka bërë të mundur që për herë të parë pas gjithë këtyre viteve zvarritje të kemi faktikisht një skemë që nuk është më deficitare, pra që nuk është një skemë që na çon drejt gropës së madhe, siç po na çonte skema e vjetër. Mbi të gjitha nuk është një skemë që ata që paguajnë taksat, ata paguajnë edhe sigurime dhe me paratë e tyre mbahen ata që s’paguajnë taksa dhe që s’paguajnë as sigurime, kur dalin në pension. Por është një skemë që tanimë funksionon si skemë pozitive, duke bërë të mundur që qeveria, shteti, arka e buxhetit tonë, të ketë paratë që duhen për të kompensuar skemën përmes kontributeve dhe jo duke marrë dhe duke hequr paratë që duhen për rrugët, paratë që duhen për shkollat, paratë që duhen për kopshtet e kështu me radhë, që të mbajmë njerëzit me pensione.

Ne do të vazhdojmë, sepse hapësira për t’u përmirësuar është ende shumë e madhe. Ne do të vazhdojmë dhe këtë vit mbledhja e borxheve në institucionet shtetërore apo sipërmarrjet private që i detyrohen skemës se pensioneve është një prioritet. Ashtu sikundër është një prioritet themelor ndëshkimi i skllavërisë, ndëshkimi i punës në të zezë, për të cilën kemi përforcuar edhe legjislacionin, falë mbështetjes së shumicës në Kuvendin e Shqipërisë. Pa dyshim që, nëse e shohim sot krahasuar me dje, pamja është e qartë, por nëse e shohim sot krahasuar me nesër, kemi ende shumë për të bërë. E rëndësishme është që në këtë fushë dhe në çdo fushë kemi kthyer Shqipërinë në drejtimin e duhur. E rëndësishme është që nëse deri dje njerëzit shtynin ditën me shpresën që nesër të mos bëhej me keq, sot njerëzit janë të vetëdijshëm që ka sakrifica për të bërë, ka kosto për të marrë përsipër, ka dhimbje për të përballuar nga reformat, por ama, që këto reforma na çojnë në drejtimin e duhur dhe vit pas viti, janë njerëzit që do t’i marrin frytet e tyre. Unë kam kënaqësinë që bashkë me Drejtoreshën e ISSH-së, Vjollcën, të japim disa libreza të reja pensioni, nga njëra anë duke përcjellë mesazhin, tek të gjithë, që; Sot, ndryshe nga dje, keni në dorë pensionin tuaj! Sigurohuni, paguani kontributet dhe përcaktoni vetë nëse doni një pension minimal, apo nëse doni një pension më të lartë. Një gjë është e sigurt, askush nuk mund të tallet më me ju, siç është tallur njëzet e kusur vite me radhë.

 

***

Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj ishin sot në Fier ku shpërndanë pensionet sipas skemës së re për disa të moshuar. Si Kryeministri Rama, ashtu dhe ministri Veliaj vunë në dukje faktin se falë reformës së re të pensioneve është bërë e mundur heqja e tavanit prej 240 mijë lekësh, çka mundëson pensione që arrijnë mbi 300 mijë lekë për çdo pensionist të ri, çka do të thotë rritje reale pensionesh.

Ministri Veliaj theksoi se kjo reformë është për njerëzit e thjeshtë dhe i nxit qytetarët të paguajnë sigurimet shoqërore, sepse vetëm kështu do të kenë një pension më të lartë nesër. “Mua më vjen mirë që 39 mijë pensionistë që dalin çdo vit në pension, këtë vit do ta kenë pensionin më të lartë se ç’do ta kishin po të dilnin vjet. Vitin tjetër, këtë fat do ta kenë edhe 39 mijë apo 40 mijë të tjerë. Në fund të këtij mandati, 120 mijë vetë do të jetojnë më mirë, sepse kanë një pension më të lartë. Për mua kjo është politika, që çdo vit më shumë njerëz të kenë një jetë më të mirë”, – u shpreh ministri Veliaj.

Sipas ministrit Veliaj, 5 mijë pensionistë, këtë vit përfitojnë pensionin social, ndryshe nga një vit më parë kur nuk përfitonin asgjë, sepse nuk i kishin plotësuar vitet minimale të sigurimit.

Skema e re e pensioneve nuk favorizon vetëm ata që kanë pasur një punë që u ka siguruar të ardhura të larta, por edhe ato kategori që janë paguar me pagë minimale për gjatë gjithë jetës. Një nga kategoritë e tjera që përfitoi pension më të lartë sot ishin edhe minatorët, të cilët sipas skemës së re do kenë mundësi të marrin pensione dy apo trefish më të larta, sesa mund të merrnin me skemën e vjetër.

Skema e re e pensioneve ka nisur të zbatohet nga 1 janari 2015 dhe ka dhënë efektet e para pozitive në xhepat e pensionistëve.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.