Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Rama në ceremoninë e organizuar për “Ditën Kombëtare të Fëmijëve Jetimë”:

Gëzuar të gjithëve, këtë ditë që na ka mbledhur sëbashku!

Faleminderit, edhe në emër të qeverisë, Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë që ka menduar, bashkë me Shoqatën Kombëtare dhe me gjithë mbështetësit e tjerë, të organizojë këtë moment kaq të bukur, ku shumë fëmijë dhe mbi të gjitha, shumë nëna që sot kanë nevojë për mbështetje, të mblidhen sëbashku për të na kujtuar se vërtetë, sot është një ditë për të festuar, por çdo ditë tjetër është për të mos harruar fëmijët jetimë dhe për të mos harruar nënat kryefamiljare.

Siç e tha edhe Kryetari i Kuvendit, problemet e jetimëve, ashtu si dhe në tërësi problemet e vendit dhe të shoqërisë sonë, janë të shumta. Nuk janë krijuar në një ditë. Janë probleme që presin prej kohësh zgjidhje. Disa më të lehta, disa më të vështira, disa që kanë nevojë për pak punë për t’u zgjidhur dhe disa të tjera që kanë nevojë për shumë punë për t’u zgjidhur. Por, pa as më të voglin dyshim, problemi serioz dhe plaga shoqërore e gjithë atyre fëmijëve, e gjithë atyre jetimëve që, edhe pasi rriten, sot nuk e kanë të mundur të integrohen ashtu siç duhet në jetën shoqërore, është një plagë, është një problem që ne të gjithë jemi të vetëdijshëm dhe nuk është rastësi që, siç u përmend këtu, edhe nga Kryetari, edhe Parlamenti bashkërisht, – ju e dini që nuk e kemi të lehtë në Parlament që të mendojmë njësoj në përgjithësi, – u shpreh në mbështetje të plotë të fëmijëve jetimë.

Ne jemi të vetëdijshëm, qoftë për situatën jo të lehtë në qendrat rezidenciale të jetimëve.

Unë pata kënaqësinë, përpara se të hyjmë këtu, të takoj një grup fëmijësh të qendrës “Zyber Hallulli” dhe i përshëndes të gjithë ata që sot kalojnë jetën e tyre të përditshme në këto qendra, për të cilat ne do të bëjmë ç’është  e mundur që të kenë kushtet më të mira, kushtet që meritojnë fëmijët jetimë, njësoj si gjithë fëmijët e tjerë, nën kujdesin e shtetit. Por, nga ana tjetër, ne jemi të vetëdijshëm se nuk janë vetëm qendrat, por janë siç e thamë, edhe familjet me nënat kryefamiljare që duhet të rrisin fëmijët jetimë. Edhe për këto nëna kryefamiljare, ne, bashkërisht angazhohemi sot, këtu, që të çojmë përpara idenë tonë, për të pasur një politikë të veçantë mbështetjeje.

Ne jemi sot, këtu, të tjerë do jenë pas nesh, të tjerë kanë qenë para nesh, por e sigurt është se deri këtu, juve ju ka sjellë më mirë sesa deri dje, solidariteti i madh që është krijuar rreth jush, nga gjithë këto organizata, nga gjithë këto shoqata. E më lejoni ta falenderoj dhe njëkohësisht t’i shprehem mirënjohës Kadriut, i cili me pasionin dhe me vullnetin e tij ka bërë më shumë se të gjitha qeveritë, e marra sëbashku, për ju, thjesht duke organizuar njerëz me zemër  të mirë, grupe e organizata që bashkë me të kanë arritur sado pak, t’i lehtësojnë plagët dhe dhimbjet që qeveritë nuk kanë qenë në gjendja ta bëjnë po me këtë efikasitet.

***

Kryeministri Edi Rama ndoqi sot, një aktivitet të fëmijëve jetimë, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe shoqatat për kujdesin ndaj tyre, në Ditën Kombëtare të Fëmijëve Jetimë.

Kryeministri u angazhua për vëmendje të posaçme ndaj tyre dhe ndaj nënave kryefamiljare, për t’ju lehtësuar dhimbjen dhe për t’ju përmirësuar kushtet e jetesës në qendrat rezidenciale që janë nën kujdesin e shtetit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.