Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Ekipi shqiptar prej 30 mjekë, infermiere dhe specializantë në shërbimet e pneumologjisë, reanimacionit dhe anestezisë u nis sot pasdite drejt Italisë, në mbështetje të kolegëve të tyre italianë në përballimin e pandemisë së Covid-19 qē ka goditur rëndë vendin fqinj. Në aeroportin “Nënë Tereza”, skuadra mjekëve shqiptarë u përcoll nga Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Kryeministri Rama, e vlerësoi këtë akt solidariteti, si gjesti i duhur në një moment të jashtëzakonshëm.  “Së pari, ju shpreh të gjithëve mirënjohjen e thellë për gatishmërinë e menjëhershme për të bërë gjënë e duhur në këtë moment kaq të jashtëzakonshëm.

E di që disave këtu në Shqipëri do t’i duket e çuditshme që 30 mjekë dhe infermierë të armatës sonë të vogël të bluzave të bardha nisen sot për në vijën e zjarrit në Itali.

E di po ashtu se 30 mjekë dhe infermierë nuk e përmbysin po ashtu raportin mes forcave, forcës vrastare të armikut të padukshëm dhe forcave të bluzave të bardha që po luftojnë me të, në vijën e zjarrin matanë detit.

Por di edhe që, edhe andej është shtëpia jonë tanimë, qëkur Italia motrat dhe vëllezërit italianë na shpëtuan dhe na mikpritën dhe adoptuan në shtëpinë e tyre, kur Shqipëria digjej nga dhimbje të papërshkrueshme.

Ne po luftojmë me të njëjtin armik të padukshëm dhe njerëzit dhe mjetet e luftës sonë nuk janë pa kufi, por sot ne nuk mund t’i mbajmë forcat tona rezervë në pritje që të hyjnë në luftë këtu, teksa në Itali po kurohen në spitalin e luftës edhe shqiptarë të plagosur nga armiku, kanë një nevojë të jashtëzakonshme për ndihmë.

Është e vërtetë që të gjithë janë mbyllur në kufijtë e tyre dhe edhe vende shumë të pasura ju kanë kthyer kurrizin të tjerëve, por mbase pikërisht  ngaqë nuk jemi shumë të pasur dhe nuk na ka lënë kujtesa akoma, ne nuk mund tja lejojmë vetes të mos i tregojmë Italisë se shqiptarët dhe Shqipëria nuk e braktisin kurrë mikun në vështirësi.

Kjo është një luftë ku askush nuk fiton dot i vetëm dhe ju të dashur anëtarë dhe anëtare të këtij misioni kurajoz për jetën, po niseni në një luftë që është dhe e jona.

Sot, ne jemi të gjithë italianë dhe Italia duhet dhe do ta fitojë luftën edhe për ne edhe për gjithë Europën dhe botën.

Zoti ju bekoftë të gjithëve!”  u shpreh kryeministri.

Modeli i heronjve të heshtur, që sot janë në betejë me Covid, këtë armik të heshtur, i quajti ministrja Manastirliu, ndërsa i siguroi që sa kohë nuk do të jenë pranë familjes, “do të kujdesemi ne për ta.”

“Një pjesë e mjekëve dhe infermierëve, – theksoi ministrja Manastirliu, – “janë këtu jo vetëm për të treguar angazhimin e tyre dhe për të dhënë kontributin për ata që vuajnë në spitale në Itali, por për të dhënë edhe shembullin për atë çfarë duan të tregojnë për bashkëmoshatarët e tyre.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.