Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Konferenca për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Ambasadorit të Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, me rastin e 9 Majit, Ditës së Europës:

Ambasadori Soreca: Është kënaqësi që ju kemi sërish në Shtëpinë e Europës. Sot është Dita e Europës dhe në fakt i kam dërguar përgëzimet e mia me anë të medias sociale të gjithë shqiptarëve, meqenëse jemi në fakt, në kuadër të distancimit fizik dhe social. Sot nuk është një ditë përvjetori e Europës si çdo vit tjetër, për arsye të krizës së Covid-19, por megjithatë është një ditë shumë e rëndësishme për Bashkimin Europian, 70-vjetori i Deklaratës së Shuman, kur të gjithë udhëheqësit e BE-së së atëhershme vendosën që solidaritetin ta kishin në qendër të vizionit të tyre.

Kështu që këto fjalë janë shumë të rëndësishme edhe sot, solidariteti si një vlerë, si një shenjë, e cila ka udhëhequr edhe punën tonë këtu në Shqipëri dhe që ne e kemi parë në Shqipëri, pikërisht këtë solidaritet që prej datës 26 nëntor, në ditën e tërmetit të tmerrshëm, kur BE-ja u ka qëndruar pranë të gjithë shqiptarëve, jo vetëm në terren menjëherë, por sëbashku me shtetet anëtare duke përgatitur Konferencën e rëndësishme të Donatorëve të datës 17 shkurt në Bruksel, në të cilën u premtuan dhe u mblodhën 1 miliardë e 115 milionë dhe 115 milionë ishte në fakt, edhe donacioni më i madh i dhënë nga BE-ja dhe që atëherë, kjo shifër është vënë në zbatim.

Ditën e Konferencës ishte Kryeministri për 15 milionët e para që nënshkroi marrëveshjen dhe që prej tre javësh, ne kemi kënaqësinë të shikojmë që BE-ja me anën e Kombeve të Bashkuara po punon me projektin për shkollat, për të rindërtuar e rinovuar 22 shkolla në 5 rajone të Shqipërisë. Ky është vetëm fillimi. 100 milionët e tjerë janë dhënë, janë përcaktuar në vazhdimësi të këtij projekti “BE për shkollat”, por edhe për shumë projekte të tjerë, të cilat do të identifikohen me qeverinë dhe më pas, edhe një iniciativë shumë e rëndësishme për rehabilitimin e vendeve të ndryshme që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore, pasi ne besojmë që arsimi dhe trashëgimia kulturore janë një shtysë shumë e rëndësishme për turizmin, për ekonominë, pra, për të ndihmuar Shqipërinë për të kaluar këtë periudhë të vështirë. Ndaj pjesë e atyre 100 milionë eurove do të përdoren për të rinovuar edhe disa nga vendet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, të cilat janë dëmtuar nga tërmeti dhe sëbashku me qeverinë, ne do të përcaktojmë këto vende.

Në këtë moment që po flasim, me këtë krizë të KoronaVirusit, edhe në këtë rast, që prej ditës së parë, Bashkimi Europian ka qëndruar përkrah shqiptarëve dhe 230 milionë euro janë përcaktuar. 4 milionë në mënyrë të menjëhershme për shëndetësinë dhe në mënyrë të menjëhershme po ashtu kemi sjellë edhe të gjithë artikujt apo pajisjet e duhura shëndetësore për Shqipërinë, për personelin mjekësor në spitale dhe do të vazhdojmë edhe këtë javë me ventilatorë, me autoambulanca. Ndërkohë që 205 milionë euro të tjera do të jetë të gatshme në korrik për mbrojtjen sociale, për të ndihmuar segmentet më vulnerabël apo të cenueshme të shoqërisë dhe me asistencë të menjëhershme apo rimëkëmbjen ekonomike të vendit. Edhe këtu, sërish, BE-ja ka vënë mënjanë edhe 480 milionë euro huamarrje me normat e interesit që kanë shtetet anëtare dhe këto para do të jenë menjëherë të disponueshme që në fillim të korrikut.

KoronaVirusi ka treguar këtë solidaritet kaq të madh, megjithatë më lejoni të falenderoj Kryeministrin edhe në drejtimin tjetër, solidaritetin që Shqipëria shfaqi për miqtë e saj të BE-së, për vendet anëtare të BE-së, pasi ne të gjithë kemi parë ata mjekë e infermierë shqiptarë që shkuan në Itali, por edhe fluturimet e riatdhesimit. Shqipëria ka qenë mjaft bujare, pasi ka lejuar rreth 200 qytetarë të BE-së që ishin në Shqipëri, për t’u kthyer në vendet e tyre.

Natyrisht që më duhet të përmend këtu, edhe Samitin e rëndësishëm të Zagrebit ku mori pjesë edhe Kryeministri, ka qenë e mbetet shumë i rëndësishëm për të ardhmen e rajonit. 3.3 miliardë euro janë përcaktuar nga BE-ja si një paketë për Ballkanin Perëndimor. E kam përmendur tashmë, por është shumë e rëndësishme e dua ta them që BE-ja në rajon në krahasim me të gjitha palët e tjera është donatori më i madh këtu dhe është e rëndësishme që mos ta harrojmë këtë, do të ketë edhe asistencë tjetër që do të vijë edhe më planin ekonomik, me planin e investimeve, të cilin do ta shikojmë nga BE-ja në 6 mujorin e dytë të vitit, për të ndihmuar jo vetëm Shqipërinë, por edhe vendet e tjera të rajonit për rimëkëmbjen, energjinë, transportin, infrastrukturën etj., në mënyrë që Ballkani Perëndimor e qytetarët e tij të kenë mundësi të arrijnë tek qytetarët e BE-së. Por edhe marrëveshja e gjelbër, pra, edhe për mjedisin, si dhe pjesë të tjera që janë shumë të rëndësishme e që kanë një ndikim të rëndësishëm edhe për rimëkëmbjen ekonomike të vendeve.

Në Zagreb pati diskutime edhe për reformat. Kjo është shumë e rëndësishme dhe më sjell tashmë edhe tek elementi i fundit që dëshiroj të përmend. Rimëkëmbja ekonomike do të duhet të shoqërohet me vazhdimin e reformave. Në mes të krizës së KoronaVirusit apo Covid-19, data historike për Shqipërinë ka qenë data 25 mars, vendimi historik që u mor për çeljen e negociatave. Ndaj tani, Shqipëria është në segmentin e fundit të rrugëtimit dhe reformat do të duhet të vazhdojnë patjetër. Përfundimet e Këshillit të BE-së kanë identifikuar Udhërrëfyesin, sundimin e ligjit, zgjedhjet, luftën kundër korrupsionit dhe çështje të tjera dhe ne po bashkëpunojmë me të gjitha institucionet shqiptare që këto gjëra të kryhen.

Me kaq po e lë fjalën time, duke ju thënë që Java e Europës e vitit 2020 është një javë ndryshe nga të tjerat, por një javë me mesazhin që sëbashku jemi më të fortë. Dhe kjo javë ka qenë e mrekullueshme për reagimin, për komentet që kemi parë nga qytetarët për këtë iniciativë dhe do të kemi në fakt një fundjavë tejet të bukur me koncerte, me shfaqe. Vazhdoni të na ndiqni në Facebook. Delegacioni, BE-ja në Shqipëri do të vazhdojë të qëndrojë krah jush, për t’ju mbështetur e për të vazhduar procesin e anëtarësimit në BE.

Faleminderit shumë dhe tani, fjalën ia kaloj Kryeministrit të vendit.

Kryeministri Rama: Faleminderit Luigi! Sot është Dita e Europës dhe në këtë 9 Maj, kjo ditë na gjen në një situatë tejet të jashtëzakonshme, që na pamundëson ceremonitë dhe ritualet e zakonshme në kremtimin e kësaj Dite të veçantë. Sidoqoftë faleminderit për mundësinë që këtu në Shtëpinë e Europës të mund të japim sëbashku një mesazh përshëndetës dhe kuptimplotë për të gjithë qytetarët shqiptarë!

Para dy ditësh, ne patëm një shkëmbim të rëndësishëm me udhëheqësit e Bashkimit Europain dhe të rajonit, në formatin e kësaj, situate përmes platformës digjitale të Samitit të parashikuar të Zagrebit nën presidencën kroate dhe ishte sidoqoftë një takim në distancë me shumë përmbajtje dhe mbi të gjitha, me një ndjesi të fortë afrimi dhe angazhimi të të gjithëve për të përballuar jo vetëm situatën e krijuar nga armiku i padukshëm, siç tanimë quhet botërisht, por edhe për të reflektuar mbi shumëçka që duhet çuar më tej dhe duhet bërë më mirë bashkërisht.

Natyrisht, në këtë kontekst nuk mundet përveçse të rishprehet në mënyrë të vazhdueshme mirënjohja për miqtë tanë në Bruksel, për miqtë tanë në të gjithë kryeqytetet e Bashkimit Europian dhe në radhë të parë, për miqtë tanë të Delegacionit Europian këtu në Tiranë, miqtë e devotshëm të Shqipërisë, që u gjenden përsëri pranë nesh pas tragjedisë të 26 nëntorit dhe Konferencës së jashtëzakonshme dhe të suksesshme, historike, për Shqipërinë, të Donatorëve në Bruksel, edhe në këtë situatë.

Ambasadori e tha dhe unë dua ta përsërisë që, siç doli qartë edhe në diskutimin e Samitit të pardjeshëm, mbështetja e institucioneve europiane do të vazhdojë për të gjithë vendet dhe do të përfshijë padyshim edhe Ballkanin Perëndimor dhe Shqipërinë, pavarësisht se nuk janë ende pjesë e familjes europiane në sensin e integrimit në BE, por janë pjesë e familjes europiane në sensin e ndërveprimit dhe qasjes së përbashkët në këtë luftë ndaj një armiku të përbashkët, që ka kërcënuar jetën dhe shëndetin e të gjithëve po njësoj dhe që ka goditur të gjitha ekonomitë, duke na vënë të gjithëve në një vështirësi të jashtëzakonshme.

Përtej atyre që tha ambasadori, unë dua të theksoj se ndihmës së angazhuar deri tani të BE-së, për të përballuar situatën e kësaj luftë të përbashkët me një armik të padukshëm, do t’i shtohet edhe më tej e në vazhdim ndihma nga buxheti europian në gjysmën e dytë të vitit 2020. Nga ana tjetër më vjen shumë mirë ta informoj publikun se pas disa diskutimesh me presidentin e Komisionit, me komisionerin për Zgjerimin, me presidentin e Këshillit kemi marrë një aprovim në parim, për të përfshirë edhe Bankën Qendrore Europiane në këtë ndihmë, përmes një ndërveprimi përmes Bankës së Shqipërisë dhe bankave kombëtare të rajonit dhe Bankës Europiane, për të lehtësuar në mënyrë shumë të ndjeshme gjithë procesin që ka të bëjë me financimin e ekonomisë, që ka të bëjë me financimin e vendeve, në kushtet kur vende si tonat, janë jashtë BE-së, e kanë të vështirë në këtë situatë daljen në tregjet e kapitaleve dhe e kanë jo të lehtë që të balancojnë goditjen e jashtëzakonshme që ka marrë ekonomia.

Nga ana tjetër më vjen shumë mirë që në këtë takim të përbashkët me ambasadorin në këtë ditë të Europës të konfirmoj me një falenderim për ambasadorin personalisht, për Delegacionin në mënyrë të veçantë, por sigurisht edhe për miqtë në BE, vazhdimin intesiv të punës për materializimin e ndihmës së angazhuar nga BE-ja për rindërtimin. BE-ja do të përfshihet drejtpërdrejtë me financat e veta në dy drejtime themelore; në rindërtimin e shkolla dhe në restaurimin për të çuar në një nivel tjetër, se kjo është ambicia, të monumenteve të kulturës, të trashëgimisë tonë kulturore.

Është fantastike që ne sot disponojmë një sërë instrumentesh të rëndësishëm financuar, për ta bërë rindërtimin shembullin e Shqipërisë që duam për fëmijët tanë. Jemi në një proces intensiv pune. Më vjen shumë mirë ta them sot se dhe në ditët më të zymta të karantinës së përgjithshme, me ambasadorin, me ekipet tona kemi qenë vazhdimisht në kontakt dhe në asnjë ditë, ambasadori, Delegacioni e njerëzit në Bruksel nuk kanë munguar të na jenë pranë, për të vazhduar punën dhe për detajuar plane dhe programe. E di që fjala më e urryer, sot, për të gjithë qytetarët shqiptarë është fjala durim, fjala më e domosdoshme për t’u përsëritur është fjala: durim, durim, durim!

Rindërtimi nuk është një fjalë goje. Rindërtimi është një masterplan me qindra e mijëra detaje që kanë të bëjnë me të gjithë procesin, nga ideimi deri tek projektimi e pastaj tek zbatimi. Ama më vjen shumë mirë të them që të gjitha janë në proces. Vonesa e krijuar nuk është e jashtëzakonshme dhe objektivi ynë, për të kthyer në shtëpitë individuale të gjitha ata që humbën shtëpitë, një orë e më parë dhe pjesën dërrmuese brenda këtij viti, mbetet në fuqi.

Sikundër objektivi ynë për nisur rindërtimin e shkollave një orë e më parë dhe për të filluar të fusim në klasë nxënësit e shkollave të dëmtuara, duke filluar qysh nga hapja e sezonit, mbetet në fuqi. Sigurisht nuk mund t’i bëjmë të gjitha ato që mund të bënim në qoftë se nuk do të na kishte hyrë në mes ky armik i padukshëm, do të bëjmë padiskutim pjesën më të madhe të tyre dhe do të vazhdojmë papushim.

Po kështu për ekonominë. Kemi bërë një punë të shkëlqyer në frontin e mbrojtjes së shëndetit të njerëzve, që duhet të vazhdojë dhe këtu jemi të rrezikuar seriozisht nga injoranca, jemi të rrezikuar seriozisht nga papërgjegjshmëria, jemi të rrezikuar seriozisht nga mungesa e durimit, që çon në konkluzione të rrezikshme se virusi është një komplot i madh ndërkombëtar, se virusi është një grip i zakonshëm etj.. Jo më larg se para se të vija këtu kam parë sesi në Korenë e Jugut janë rimbyllur të gjitha baret dhe restorantet, sepse pas hapjes së tyre ka pasur kërcim të frikshëm të numrave të të infektuarve, që do të thotë që ne nuk do të mbyllemi nga frika, por duhet të shmangim rimbylljen nga papërgjegjshmëria dhe injoranca.

Është shumë e rëndësishme.

99.99% mbase e popullit shqiptar janë treguar dhe po tregohen fantastikë, por mjaftojnë pak njerëz nga këto 10, 100, nuk duhen 1000 njerëz për ta rikthyer përsëri armikun e padukshëm në avantazh ndaj sistemit tonë shëndetësor. Ndërkohë puna me sistemin shëndetësor vazhdon falë edhe mbështetjes së BE-së, por dua të përfitoj nga rasti t’u them atyre që ankohen se “paratë e vëna në dispozicion nga BE-ja tanimë janë vjedhur”, se ndërkohë, paratë e vëna në dispozicion nga BE-ja sapo kanë nisur të disbursohen dhe janë të monitoruara rreptësisht nga vetë BE-ja. Nuk janë para që vijnë me valixhe dhe ndahen në megjeliset imagjinare, por janë fonde që dedikohen, që strukturohen me projekte të qarta, që ndiqen dhe monitorohen nga vetë BE-ja.

Dua ta mbyll duke thënë se ndërkohë, ne po përgatitemi dhe këtu, edhe një herë tjetër dua të falenderoj ambasadorin, Delegacionin, miqtë tanë në Bruksel për ndihmën e madhe që po na japin duke na qëndruar pranë në konsultime të vazhdueshme, sepse është një eksperiencë krejt e re që hapet përpara nesh, eksperienca e negociimit të anëtarësimit. Tanimë që negociatat janë hapur dhe kërkohet përgatitja serioze për Konferencën ndërqeveritare me BE-në, plani i punës është detajuar për muajt në vijim dhe duhet vazhduar të konsultohet hap pas hapi, ndërkohë që qeveria mban peshën kryesore, por këtu duhen të gjithë aktorët dhe ne jemi shumë të interesuar, shumë të angazhuar e shumë të mirëvullnetshëm për t’u ulur në një tryezë të gjerë me Presidentin e Republikës, me kryetarin e opozitës, me të gjithë aktorët e tjerë, që janë përfaqësues të institucioneve të pavarura, në radhë të pare, të institucioneve të drejtësisë, ku të shprehim vullnetin e përbashkët, natyrisht, secili duke bërë detyrat e veta. Nuk jemi këtu për të kërkuar që të tjerë të bëjnë detyrat tona si qeveri dhe as për t’u imponuar të tjerëve se si të bëjnë detyrat e tyre, por ama për të dhënë mesazh të fortë uniteti kombëtar në këtë proces, ku deri më sot nuk më rezulton se dikush ka një mendje tjetër. Të gjithë duan integrimin e Shqipërisë, një orë e më parë në Bashkimin Europian.

Ndërkohë ne kemi ngritur edhe grupin negociator. Është mbase momenti për ta thënë edhe emrin e kryenegociatorit, një personalitet pa të share, besoj, edhe pse nuk ka hezituar të kritikojë edhe qeverinë tonë në një moment të caktuar, por që kjo nuk është një arsye më pak, është një arsye më shumë për ta përfshirë në këtë process. Një personalitet i diplomacisë shqiptare, i mirënjohur nga të gjithë, i respektuar, në këndvështrimin tim, nga të gjithë, i gjithëpranuar për dijen dhe aftësitë e tij në pozicione të ndryshme, qoftë kur ka kryer misione të diplomacisë tone, qoftë kur ka kryer detyra të rëndësishme në institucione ndërkombëtare, ambasadorin Zef Mazi.

Ambasadori Zef Mazi do të jetë kryenegociatori dhe me një grup të përzgjedhur do të jenë regjia e betejës për negociatat. Një betejë që zhvillohet në fushën e dijes, në fushën e vullnetit të mirë për të çuar me shpejtësi përpara procesin në shumë drejtime. Më vjen shumë mirë që me këtë skuadër, më vjen shumë mirë që me këtë ndërveprim që kemi me BE-në, me Delegacionin, më vjen shumë mirë që me këtë mirëkuptim të gjerë që kemi me të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë, përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara dhe përfaqësinë e Shteteve të Bashkuara, ambasadoren, që janë tërësisht të dedikuar për të mbështetur këtë proces dhe shpresoj edhe me institucionet e tjera, me Presidentin, me opozitën parlamentare, me opozitën jashtëparlamentare, ne të mund të japim një kontribut të gjithë, secili në pjesën e tij të frontit, secili me barrën e tij. Barra e qeverisë është ajo që është më e madhja dhe ne jemi gati ta mbajmë me sukses, padiskutim.

Edhe njëherë, i dashur mik, miq të Delegacionit, faleminderit për gjithçka që keni bërë deri këtu dhe që do të bëni me siguri, edhe më tutje dhe gëzuar Ditën e Europës!

Ambasadori Soreca: Faleminderit shumë Kryeministër! Faleminderit për fjalët tuaja! Faleminderit që ndatë planet me ne, pra, planet e të ardhmes, duke përfshirë këtu edhe emërimin e kryenegociatorit të Shqipërisë për negociatat që do të fillojnë nga puna, besoj shumë shpejt, me ne. Kështu që, siç e thatë, në fakt, tashmë topi është në anën tuaj, megjithatë ne jemi këtu krah jush, siç kemi qenë gjithnjë.

Meqenëse, sic e thamë, punojmë me distancimin fizik, këtu nuk kemi miq gazetarë, megjithatë u kemi kërkuar gazetarëve që të na dërgonin disa pyetje. Ato pyetje ne i kemi e disa prej tyre do të lexohen për Kryeministrin, por dhe për mua, në mënyrë që ne t’u përgjigjemi atyre. Ndaj ju kërkoj kolegëve t’i lexojnë pyetjeve.

Për ambasadorin Soreca, – A mendoni se reagimi i Bashkimit Europian ishte i duhur në rastin e Covid-19, në bazë të parimeve e ëndrrës së themeluesve të Bashkimit Europian?

Ambasadori Soreca: Siç e thashë në fjalimin tim, Bashkimi Europian ka treguar një solidaritet të madh kundrejt Shqipërisë, ashtu si dhe Shqipëria ka shfaqur e ka treguar qartë solidaritetin e saj për BE-në. Ashtu siç kemi bërë dhe pas tërmetit, kemi qenë në terren në mënyrë të menjëhershme, për t’iu përgjigjur nevojave të menjëhershme, por tashmë, siç e thashë, ne dëshirojmë ta ndihmojmë Shqipërinë me asistencën financiare, me mbështetjen tonë të fortë, e cila është dhe mbështetje politike, natyrisht, për rimëkëmbjen e vendit. Natyrisht që Covid-19 do të ketë ndikim ekonomik, pra, do ta prekë ekonominë e vendit. Kështu që plani që po përgatit qeveria dhe institucionet e saj do të ketë mbështetjen tonë. Por, siç e thashë, në muajt në vijim do të kemi një plan ekonomik dhe investimesh, i cili po përgatitet ndërkohë dhe do të jetë jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për rajonin, gjysmën e dytë të vitit 2020, në mënyrë që siç e tha edhe Kryeministri, me anën e mbështetjes së buxhetit të BE-së të ndihmojmë institucionet qeveritare që të dalin nga kjo krizë ekonomike. Kështu që përgjigja për pyetjen tuaj, i nderuar zoti gazetar, po, përgjigja ishte e duhur. Faleminderit.

Pyetje për Kryeministrin – Zoti Kryeministër, kemi një precedent, do të thoja pozitiv, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi në kohën e pandemisë mes institucioneve të ndryshme të vendit. Pse nuk e shfrytëzoni këtë praktikë, për të plotësuar detyrat e shtëpisë të vendosura nga Bashkimi Europian, në mënyrë që t’i jepni Shqipërisë shansin për të vijuar përpara e për të marrë një datë nga Unioni?

Pyetje për Ambasadorin Soreca – Fondi prej 3.3 miliardë euro, a është një mekanizëm angazhues dhe llogaridhënës që lidh përdorimin e këtyre fondeve për zhvillimin ekonomik e shoqëror me përmbushjen e reformave nga vendi ynë?

Kryeministri Rama: Cilësia e bashkëjetesës në një familje, në një organizatë, në një skuadër sportive, në një komunitet, por dhe në një shtet nuk varet nga sa shumë biem dakord për të gjitha me njëri-tjetrin, por varet nga se si trajtojmë mosdakordësitë tona. Ka shumë mënyra për të trajtuar mosdakordësitë, që nga sherri, konflikti, kundërshtitë brutale dhe vulgare, deri tek diskutimi i hapur, shkëmbimi etik dhe dëgjimi i kujdesshëm i tjetrit, pavarësisht nëse në fund nuk bie dakord. Për mua kjo e dyta është rruga dhe sa herë ka një mundësi për të dytën, unë jam i pari që e dëshiroj dhe që jam i gatshëm të bëj gjithçka që ta nxis. E kam thënë disa herë, mbase është përsëritje e mërzitshme, por është një përsëritje e nevojshme. Në takimet e mbyllura që kemi pasur me përfaqësuesit e qeverisë, presidentin e republikës, kryetarin e opozitës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, nuk kemi marrëveshje për të gjitha, por mënyra se si janë trajtuar mosdakordësitë është vërtetë ajo çka të gjithë ne do ishte mirë ta kalonim nga një hapësirë e mbyllur në hapësirën publike. Nga një hapësirë ku shkëmbejmë vetëm me njëri-tjetrin, në një hapësirë ku dhe të tjerët na dëgjojnë. Nëse gazetarja që bëri pyetjen, apo të gjithë ju do të kishit parë tonin, kapacitetin dëgjues të të gjitha palëve dhe adresimin e çështjeve nga palët, edhe për mosdakordësitë, në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, do thoshit “uau, politika shqiptare të arrijë vallë deri këtu?” Dhe nëse ai format etik dhe ajo atmosferë do të kalonte në pronësi të publikut dhe do të ishte atmosfera e ndërveprimit dhe e komunikimit mes palëve në publik, po ju them që Shqipëria do të dukej ku e ku më mirë dhe sinqerisht nuk do t’ia kishim zili vendeve shumë më të mëdha, shumë më të përgatitura për shkak të traditës, tonin dhe intensitetin e komunikimit për nga cilësia dhe përmbajtja e tij. Fatkeqësisht, në mjedisin publik, politika rëndom kthehet në vulgaritet dhe në sherrnajë dhe i bën dëm të madh vetes, palëve, vendit dhe marrëdhënies së njerëzve me politiken. Politika nuk ka lindur për ndonjë arsye tjetër, përveçse për t’u dhënë njerëzve mundësinë që sëbashku të bëjnë gjëra që të vetëm nuk i bëjnë dot. Të merresh me politikë do të thotë thjesht të bashkohesh me të tjerë, për të çuar përpara një qëllim, që nga një qëllim i vogël në një komunitet të vogël, për të rregulluar çdo gjë jashtë pragut të shtëpisë, sapo del nga dera e shtëpisë tënde, duhet politika. Politika e vogël e komunitetit të banorëve dhe politika e madhe e shtetit. Kështu që në këtë sens, unë jam shumë dakord me arsyen që e nxit gazetaren të bëjë këtë pyetje, por në fund të ditës, tangoja dhe vallja e shpatave, që janë dy ekstreme, nuk kërcehen vetëm, kërcehen me të tjerë. Kështu që për sa më takon, unë jam gati për të dyja.

Ambasadori Soreca: Në lidhje me pyetjen tuaj të dytë, mendoj që mund të them pak fjalë, sepse e kam përmendur tashmë këtë gjë në fjalën time të mëparshme. Pra, 3.3 miliardë euro për të gjithë Ballkanin Perëndimor, një pjesë e rëndësishme është për Shqipërinë, por nuk do të mjaftojë vetëm me kaq. Ashtu siç e kemi theksuar në fakt dhe më parë, do të kemi asistencën tjetër financiare dhe në pjesën e dytë të vitit, me anën e planit të investimeve, me anën e fondit të buxhetit të BE-së pikërisht për të ndihmuar Shqipërinë për ta tejkaluar këtë krizë dhe që të marrë veten vendi, të rimëkëmbet ekonomia, natyrisht do të merremi dhe me çështje shumë të rëndësishme të mbrojtjes sociale, pra, familjet më të cënueshme, si dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme. Ky është objektivi e kjo, ne besojmë që dhe me mbështetjen e Bashkimit Europian, e cila kjo mbështetje ka qenë gjithmonë këtu për ju, do të vazhdoje.

Për Ambasadorin Soreca – Në kushtet kur Shqipëria si shumë vende të Europës, bazuar në analizat e institucioneve financiare ndërkombëtare, parashikohet recension i mundshëm, a po mendojnë institucionet e Bashkimit Europian një paketë ndihme ekonomike për vendin tonë?

Për Kryeministri Rama – Marrë në konsideratë se sektori i turizmit është një ndër kontributorët më këtë mëdhenj në buxhetin e shtetit dhe zhvillimit ekonomik, a e ka menduar qeveria për lehtësi më të mëdha fiskale këtë vit, për të shpëtuar jo thjesht disa biznese në turizëm, por edhe që në vitet pasuese, shtetit të përfitojë nga të ardhurat që vjel nga ky sektor?

Ambasadori Soreca: Po i përgjigjem unë pyetjes së parë e më pas po ja kaloj fjalën Kryeministrit. Në lidhje me turizmin, ashtu siç e thashë në fjalën time më parë, në kontekstin e Covid-19, por dhe pas tërmetit të datës 26 nëntor, një pjesë e fondeve do të jepet për rehabilitimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore. Pra, objektivi këtu është natyrisht për të mbrojtur këto monumente, por me anën e mbrojtjes së tyre është dhe për të ndihmuar turizmin dhe me anën e truizmit, edhe zhvillimin ekonomik. Nuk do përmend tani, gjithë ato programe që në fakt që prej 2019 kanë ndihmuar me anën e BERZH-it, 42 milionë euro, për të ndihmuar zhvillimin e turizmit vendor në disa zona të caktuar të Shqipërisë, e cila ndihmon ekonominë e vendit.

Kryeministri Rama: Dua të kthehem dhe një herë tek ajo që thashë më parë. Në Korenë e Jugut është rivendosur mbyllja e bareve dhe restoranteve, sepse si rezultat i hapjes së tyre, vetëm në pak kohë, numrat e të infektuarve kërcyen përtej të arsyeshmes, në këndvështrimin e autoriteteve shëndetësore koreane. Duhet të përgatitemi që këtë ta shohim kudo, edhe në Shqipëri, një rritje të numrave, por ama, nëse rritja e numrave do të shkojë përtej të arsyeshmes dhe e arsyeshmja është balanca mes numrave të të infektuarve dhe nevojës së njerëzve për të marrë shërbim, në mënyrë që sistemi ynë shëndetësor, që kaloi një provë shumë të jashtëzakonshme me sukses kaq të madh, të mos kolapsojë. E nga vijnë rreziqet? Rreziqet vijnë pikërisht nga ato aktivitete që për natyrë mbledhin më shumë njerëz e aktivitet më intensiv për nga mbledhja e shumë njerëzve në të njëjtën kohë, për të ushtuar të njëjtin aktivitet, sesa turizmi nuk ka.

Ne jemi përpara një vendimmarrjeje shumë të vështirë. E dimë që duke qëndruar të mbyllur, duke mos lejuar zhvillimin e sezonit e garantojmë jashtëzakonisht shumë shëndetin, por dimë nga ana tjetër që kjo nuk është një zgjidhje, sepse në anën tjetër, goditja ekonomike dhe financiare, por dhe psikologjike mund të jetë eksponenciale. Atëherë, këtu është e domosdoshme që të mirëkuptohemi për nevojën që gjithsekush të bëjë si duhet detyrën e tij, në raport me mbrojtjen e shëndetit. Këtu të gjithë duhet të kuptojnë se nuk është çështje policie, nuk është çështje ushtrie, nuk është çështje kontrollesh, nuk është çështje gjobash, nuk është çështje heqje lirie, Kodi Penal e kështu me radhë. Këtu është çështje qytetarie, në radhë të parë. Çdokush duhet të jetë roja i shëndetit të tij dhe i njerëzve rreth e rrotull tij.

Thënë kjo, kam dëgjuar me vëmendje dhe i dëgjoj me shumë vëmendje të gjitha shqetësimet, ankesat, kërkesat, por i qëndroj asaj që kam thënë që në fillim. Këtu nuk jemi në kushtet kur erdhi që erdhi kjo situatë, hajde të përfitojmë sa më shumë. Këtu jemi në kushtet kur kjo situatë që na gjeti të gjithëve, për të na sjellë më shumë halle në të gjitha nivelet, ka nevojë të përballohet me mirëkuptim e duke i dhënë njerëzve më në nevojë e më në hall instrumentet e mbijetesës. Po kështu dhe bizneseve. Kam vënë re me keqardhje që kompani, të cilat, ne e dimë shumë mirë, janë likuide, janë në kushtet kur e kanë të gjithë kapacitetin për të përballuar goditjen e deritanishme, – se nëse situata përkeqësohet në vijim, sigurisht që mund të kenë nevojë për shumë ndihmë, – janë ato që kërkojnë më shumë. Kam vënë re me keqardhje që arrihet deri në inskenime, siç ishte rasti i një inskenimi për të krijuar zhurmë në media për disa punonjës të sektorit fason, të cilët u pushuan mbasi doli paketa, për të përfituar nga paketa pronari i tyre. Ndërkohë që ndërmarrja në fjalë është likuide e nuk ka probleme të mëdha e ndërkohë që të gjithë ata, të cilët u larguan nga puna përpara datës 10 prill, ne i kemi vendosur në kategoritë që mbështesim.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve po çon lutje me email, me tekste për aplikime, për korrigjime aplikimesh, sepse një pjesë, tanimë e vogël e atyre që nuk kanë marrë ende pagën e luftës, ndërkohë që pjesa dërrmuese, 60 e kusur mijë të tjerë po marrin transhin e dytë, kanë bërë aplikimet gabim. Por edhe një pjesë e kompanive, e sipërmarrësve nuk kanë aplikuar për paketën e zgjeruar për punonjësit e tyre. Ne këtë do ta ndëshkojmë, por po presim reflektimin, sepse nuk është koha për të përdorur ndëshkimin, është koha për të gjetur mirëkuptimin dhe për të qenë të gjithë shqiptarë të mirë. Sigurisht, edhe ndëshkimi vjen më pas.

E në fund, për turizmin, unë besoj që i kemi dhënë turizmit gjithçka që është e arsyeshme të jepet në këtë situatë. I kemi shtyrë të gjitha detyrimet për këtë vit, nuk kanë asnjë detyrim për të paguar. Dëgjoj për lehtësimet fiskale, po çfarë lehtësimesh fiskale, kur nuk ka asnjë detyrim për të paguar? Kur të gjithë biznesit të vogël i janë falur taksat? Ҫfarë lehtësimi më të madh fiskal ka sesa falja e plotë e të gjitha detyrimeve! Nuk kanë asnjë qindarkë për të paguar përfshirë këtu heqjen e kamatë vonesave për energjinë elektrike. Pra, janë shuma të mëdha që hiqen nga buxheti i shtetit, nga po ai buxhet që kërkohet dhe mbështetje.

E ndërkohë, garancia sovrane, instrumenti i parë ka filluar të funksionojë e kompanitë që po përfitojnë prej saj shtohen dita ditës. Instrumenti i dytë ka hyrë në funksion vetëm ditët e fundit dhe jemi të bindur si një instrument për mbështetjen e turizmit, e fasonerive dhe e të gjithë ndërmarrjeve prodhuese, për kapitalin qarkullues është i duhuri.

Kështu që ne besojmë që goditja që ka marrë turizmi është reale, por mundësitë që i janë dhënë për t’u mbrojtur nga pasojat e kësaj goditje në një masë të madhe, – jo komplet, se pastaj nuk do ishte luftë kjo, do ishte rast për të rritur ekonominë, – janë të përballueshme. Jemi duke parë dhe të tjerët çfarë po bëjnë dhe do të shkojmë përpara, për të hapur sezonin, por me shumë kujdes. Atyre që thonë që ku e gjetët këtë, ku e gjetët atë, u them që po të shikojnë të gjithë punën e bërë që nga dita e parë dhe po të shikojnë sesa shumë të dhëna kemi grumbulluar nga gjithë bota, çfarë bën njëri e çfarë bën tjetri dhe po të shikojnë sesi është bërë strategjia e si janë marrë masat, do të kuptojnë që arsyeja pse sot, ne jemi në këtë pozicion kaq inkurajues, sepse nuk kemi halle shëndetësore të mëdha, nuk është Zoti i madh, nuk është as rastësia, por është puna e përbashkët që kemi bërë, qeveri dhe popull dhe kështu do vazhdojmë.

Zoti Kryeministër, në një intervistë televizive një muaj më parë, ju keni deklaruar se një grup pune është duke përgatitur një draft, që do të mund t’i hapte rrugë kultivimit të kanabisit në vend për arsye mjekësore, duke ndjekur jo vetëm eksperiencën e disa vendeve BE-së, por po ashtu, edhe ato të rajonit si Maqedonia e Veriut. A mund të na thoni më shumë detaje për këtë draft, nga cili institucion po drejtohet puna dhe a jeni konsultuar me partnerët europianë të Shqipërisë?

Kryeministri Rama: Kemi thuajse një vit që po punojmë për këtë dhe për pak ajo do të jetë gati. Ne nuk bëjmë asnjëherë një punë të pakonsultuar me ekspertë vendas dhe të huaj dhe me ekspertë të huaj të nivelit më të lartë. Kështu që edhe për këtë draft kemi konsultuar ekspertë të huaj, ekspertë tanët, por gjeja kryesore që ne bëjmë dhe që na ka dalë një ndihmë e madhe është konsultimi me eksperiencat e të tjerëve. Ne nuk kemi ardhur këtu të shpikim asgjë. Kemi ardhur këtu të mësojmë sa më shumë nga të tjerët dhe të adaptojmë mësimet tona nga të tjerët, në kushtet e Shqipërisë. Kështu që, shumë shpejt drafti do të jetë gati dhe do të hapet pastaj për diskutim publik. Ashtu sikundër edhe drafti për Amnistinë Fiskale, që është gati dhe fillimisht po diskutohet me disa institucione ndërkombëtare.

Sipas mendimit tuaj, Ambasador Soreca, cili do të jetë kushti më i vështirë për t’u përmbushur, reforma zgjedhore, apo ajo gjyqësore, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, apo dhe çështje të tilla, si ligji për Median dhe Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare?

Ambasadori Soreca: Gazetari në fakt përmendi një sërë reformash që janë të gjitha pjesë e Udhërrëfyesit që përmban të gjithë punën që duhet bërë pas vendimit të datës 25 mars. Të gjitha janë të rëndësishme. Nuk është se dua të bëj ndonjë listë me përparësi apo prioritete, as t’i listoj në bazë të vështirësisë së secilës, por këtu, çelësi është bashkëpunimi. Qeveria, – Kryeministri e tha – që ka në fakt përgjegjësinë e parë, barrën e parë, por në disa raste ka nevojë për bashkëpunimin me institucionet e tjera, si p.sh, me Presidentin, me opozitën jashtë dhe brenda Parlamentit, në mënyrë që p.sh, reforma në drejtësi të vazhdojë. Ndaj ne do të vazhdojmë të japim mbështetjen tonë për institucionet shqiptare në mënyrë që këto të fundit të mund të përpilojnë këtë plan veprimi, të vihet ai në zbatim, duke patur parasysh të gjitha këto kushte, pasi ne duhet të fillojmë negociatat sa më shpejt që të jetë e mundur dhe në veçanti, pas kësaj krize, negociatat do t’i sjellin Shqipërisë edhe më shumë asistencë, edhe më shumë mundësi në të ardhmen. Kështu që reforma zgjedhore po diskutohet tashmë ndërmjet palëve. Më lejoni të them që është e rëndësishme që në javët në vijim të gjendet kompromisi, në mënyrë që të gjitha palët të gjejnë balancën, ekuilibrin e duhur, në mënyrë që kjo reformë të miratohet dhe më pas të zbatohet ashtu siç e dimë edhe nga përfundimet e Këshillit të BE-së.

Zoti kryeministër ju falenderojmë për kohën tuaj dhe për faktin që ju na dhatë kënaqësinë që t’ju kishim këtu, në Shtëpinë e Europës, të flisnim për Javën e Europës. Ishte një gjë e mirë, por nuk kemi përfunduar. Vazhdoni të na ndiqni sot. Ambasadori i BE-së do të ketë një fjalim, i cili do të mbahet në shtëpinë e nje prej artistëve më të mirënjohur shqiptarë, Alban Skënderaj. Nesër do ta mbyllim Javën për Europën me një artist tjetër të rëndësishëm, kemi një artist italian, Albanon, i cili do të flasë, pra, do të mbajë fjalimin përmbyllës, por edhe do të interpretojë për miqtë shqiptarë, jo ashtu siç ka bërë në vitet ’90-të në stadium, por me anë të mediave sociale, të rrjeteve sociale.

Faleminderit Kryeministër që kaluat këtë kohë me ne dhe unë ju uroj të gjithëve të jeni mirë me shëndet dhe të gëzoni Javën e Europës!

Kryeministri Rama: Dua të shtoj e përfitoj nga rasti që t’ju informoj se mbrëmë, ne kemi autorizimin e posaçëm nga Agjencia e Sigurisë Ajrore të BE-së që në kushtet e mbylljes së Shengenit deri në 15 qershor na mundëson rritjen e numrit të fluturimeve të Air Albania-s për zgjerimin e korridorit humanitar, për të lehtësuar riatdhesimin, sepse ky ishte një nga problemet e mëdha që kishim në kushtet kur ishte i domosdoshëm ky autorizimi i posaçëm për të vijuar më tutje. Siç e kemi njoftuar, duke filluar nga dita e hënë, nuk do të jetë më e nevojshme që të riatdhesuarit të karantinohen nëpër hotele, por karantinimi mund të kryhet nëpër shtëpi, duke respektuar të gjitha rregullat e nevojshme të vetëkarantinimit në bazë të asaj që të gjithë dimë, por edhe në bazë të ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Qëllimi ynë është që deri në fund të kësaj jave që vjen, duke parë gjithmonë numrat, të kemi një relaksim të mëtejshëm dhe pas 18 majit të fillojmë të lehtësojmë gjerësisht lëvizjen, qoftë brenda përbrenda, qoftë edhe për të kapërcyer kufijtë. Por shumë e rëndësishme, edhe njëherë, çdo gjë që themi në këtë situatë ka gjithmonë një kusht, numrat duhet të na ndihmojnë për të bërë atë që kemi lajmëruar. Përndryshe, nëse kemi rritje të numrave, do të duhet të bëjmë hapa mbrapa. Që të mos bëjmë asnjë hap mbrapa, do të duhet që të gjithë të kuptojmë që po të arrijmë individualisht të bëjmë gjënë e duhur, distancën dhe të gjitha ato të tjerat që janë mësuar përmendësh, ne mund ta mbrojmë shumë fort, jo vetëm shëndetin e familjarëve e të afërmve, por mund të mbrojmë shumë fort Shqipërinë në këtë proces hapjeje. Sepse fatkeqësia e madhe në këtë situatë nuk është që vendos shumica. Këtu vendos një pakicë shumë e vogël, në rast se del jashtë kontrollit dhe merr në qafë të gjithë shumicën. Nëse të gjithë bëjnë detyrën individualisht, atëherë, ne nuk do të kemi probleme dhe do të vazhdojmë të jetojmë në një normalitet të ri. Por, nëse në 18 maj, ne hapim baret, restorantet, kafet në mjediset e jashtme dhe kjo nuk respektohet në emër të rikuperimit të humbjeve sa më shpejt, duke shtuar tavolina, duke shtuar njerëz, duke hapur brenda, kjo do të ishte vetëvrasje. Në Korenë e Jugut u detyruan t’i rimbyllin përsëri, sepse situata doli nga kontrolli. Është shumë e lehtë të dalë nga kontrolli kjo situatë. Është shumë e lehtë të thuash, duke parë që s’ka ndodhur asgjë, që “kjo ishte kot”, “pse u mbyllën”, “këtu ska gjë” etj.. Por, kjo nuk është diçka që mund ta provojmë, sepse do të ishte shumë e thjeshtë, d.m.th, e lëshojmë një javë dhe pastaj e shohin të gjithë ata filozofët, epidemiologët e FB apo të politikës sesi ndodh, por këtë nuk mund ta bëjmë. Kështu që vërtetë Zoti shqiptarëve është i madh, por kjo që kemi bërë është rezultat i punës sonë të përbashkët. Kush thotë se kjo vjen si rezultat i një marrëdhënie preferenciale, i një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Zotit në favor të shqiptarëve, për të shpëtuar vetëm shqiptarët, nuk ka lidhje me Ditën e Europës, fare.

Ambasadori Soreca: Shumë faleminderit! Mirupafshim!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.