Një spital i ri karantinë po bëhet gati në Tiranë për të garantuar mbrojtjen e të sëmurëve nga COVID-19 në kushtet e një rritjeje të papritur të numrit të të prekurve në Shqipëri. Kryeministri Rama, ministrja Manastirliu dhe ministri Ahmetaj inspektuan objektin që do të transformohet në spital karantinë në ish-universitetin jopublik Kristal që do të përshtatet si spital-karantinë.
Kryeministri Rama u shpreh se ky spital do të shërbejë si një frymëmarrje sado e lehtë për të gjithë bluzat e bardha në spitalet kryesore të kthyera në Covid.
“Pasi ta bëjmë këtë spital, kemi mundësi që të fillojmë menjëherë lehtësimin për çdo eventualitet. Nuk kemi pse mbajmë në spitalin e vijës së parë atje njerëz që janë në kushte të lehtësuara shëndetësore. Menjëherë i spostojmë këtu dhe aty kemi një situatë që i lehtëson edhe mjekët edhe infermierët,” u shpreh Kryeministri.
Më tej ai shtoi se vendi ynë nuk duhet të lejojë që situata të precipitojë pasi qeveria i mori të gjitha masat në kohë.
“Ne nuk duhet ta lejojmë në asnjë mënyrë që të na ndodhin ato katastrofat që iu kanë ndodhur të tjerëve, që janë shumë më të fortë, shumë më të mëdhenj se ne, por që nuk i morën masat në kohë. S’ka rrugë tjetër,” u shpreh Kryeministri Rama.
Ministrja Manastirliu tha se bëhet fjalë për skenarin e katërt, në rastet e tejkalimit të kapaciteteve të strukturave publike.
“Spitali karantinë do të shërbejë për ata pacientë që përmirësohen por kanë nevojë akoma për t’u mbajtur nën vëzhgim dhe janë të hospitalizuar. Kjo është pjesë e skenarit të katërt, pasi në skenarin e parë, të dytë dhe të tretë janë struktura të tjera në spitalet publike, ndërsa ky do të shërbejë si një spital-karantinë me një organizim të asistencës bazë mjekësore”, tha Manastirliu.
Ministrja tha se kjo strukturë ka një kapacitet prej 100 shtretërish.
“Struktura është e adaptueshme dhe puna do të fillojë shumë shpejt për rehabilitimin. Çdo dhomë do të adaptohet konkretisht për ata të sëmurë që janë në fazë shërimi që kërkojnë një asistencë bazë mjekësore. Do të jenë rreth 100 shtretër. Është në kushte që mund të adaptohet shpejt për një strukturë rezidenciale dhe të ofrojë shërbimet bazë”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha se menjëherë do të fillojmë me procedurat pas vendimit të qeverisë.
Newsroom
Spital i ri karantinë për pacientët me Covid-19 në fazë shërimi