Një ndër investimet dhe veprat më të mëdha në fushën e shëndetësisë në vend, spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme, nuk i ka ndalur punimet në kantier, pavarësisht pandemisë së COVID-19 dhe tërmetit shkatërrues që goditi vendin. Sot, struktura e re spitalore është në fazë të avancuar të punimeve dhe për t’i parë ato nga afër ishte Kryeministri Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe mjekë që punojnë me përkushtim në pavionet e QSUT-së.
Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme është një tjetër hallkë e zinxhirit të investimeve transformuese të QSUT-së, të cilat po e kthejnë hap pas hapi kompleksin më të madh spitalor të Shqipërisë, në një hapësirë shërbimesh shëndetësore të rangut të parë në rajonin tonë.
Ministrja Manastirliu u shpreh se “ky spital do të riorganizojë, modernizojë dhe transformojë shërbimet e sëmundjeve të brendshme”.
“Ky është një spital prej 26.700 metra katrorë. Urgjenca aktuale transferohet në këto mjedise. Përfshin brenda gjithë repartet e Hemodinamikës dhe të gjithë ndërhyrjeve të urgjencës që janë të nevojshme për t’i patur në një godinë e që sot i kemi në godina të ndryshme. Ky spital do të ketë 370 shtretër dhe në organizmin e tij do të ketë për herë të parë dhe një spital ditor prej 60 shtretërish, që do akomodohet në strukturën e spitalit përballë, të cilat lidhen në mënyrë organike me dy struktura, të cilat janë tashmë finalizuar”, – tha ministrja e Shëndetësisë.
Kryeministri Rama e sheh këtë investim si një investim masiv, duke shtuar se do ta ndryshojë komplet situatën e shërbimit shëndetësor, ndërkohë që rritja e buxhetit për shëndetësinë vit pas viti ka lejuar jo vetëm investime në QSUT, por në gjithë spitalet dhe qendrat shëndetësore të vendit.
Ministrja e Shëndetësisë shprehet optimiste për kohën e përfundimit të kësaj strukture model, me aparatura të reja të kohës së fundit. “Investimet po vazhdojnë. Puna për spitalin e ri Pediatrik po vazhdon. Edhe aty është një investim gjigand, pasi po ndërtohet një strukturë e re. Do krijohet edhe aty një korpus i vogël pediatrik universitar”, – the ministrja, teksa vijoi më tej se “kemi dhe dy spitale të tjera për të investuar. Spitalin Infektiv dhe gjithashtu nëpërmjet Bankës Botërore, spitalin e Kardio-kirurgjisë, duke bërë kështu lidhjen me spitalin e madh”.
Një nga mjeket që kanë vite që punojnë në ambientet e QSUT-së i sheh këto investime si të nevojshme dhe thotë se “ne që kemi vite në spital e dimë situatën. Këto investime sjellim komoditet, cilësi dhe efikasitet”.