Spitali i ri Rajonal i Fierit, brenda 3 muajve gati

Spitali i ri Rajonal i Fierit po merr rrugë dhe brenda 3 muajve do të jetë gati, premtim ky i presidentit turk Erdogan. Sot, Kryeministri Rama ishte në Fier, në zonën ku do të ndërtohet spitali i ri model për sistemin tonë shëndetësor.

Spitali do të pozicionohet ngjitur me autostradën për të patur kështu akses direkt dhe të lehtë si për qytetarët, ashtu dhe për furnizim. Ndërkohë që skuadra që do të fillojë punën ka arritur tashmë në Shqipëri e bashkë me Kryeministrin Rama dhe përfaqësuesin e kompanisë që do të ndërtojë spitalin ishin në këtë zonë. “Sfida është shumë e madhe siç mund ta kuptoni. Ju jeni ndër ata që ka reputacionin e madh për zhvillimin e projekteve shumë sfiduese. Tani ne jemi këtu në dispozicionin tuaj, çdo gjë do të jetë si e kërkoni ju, me mbështetje të plotë. Plani që keni ju parashikon që shumë njerëz të punojnë këtu, prandaj mirësevini dhe ambasadori nga ana juaj dhe ne nga ana jonë do të japim mbështetje të plotë”, – u shpreh Kryeministri Rama.

Puna për spitalin e Fierit do të fillojë që nesër. Këtë gjë e konfirmoi dhe përfaqësuesi i kompanisë që do të ndërtojë spitalin. “Ne si grup, morëm urdhër nga Presidenti ynë, zoti Rexhep Taip Erdogan javën e kaluar gjatë vizitës së Kryeministrit të nderuar në Turqi, na instruktuan të finalizojmë, duhet të dorëzojmë spitalin pas 3 muajsh, ka një bast të madh mbi këtë gjë, e dimë që është një sfidë e madhe, dhe faleminderit për mbështetjen që na dhanë që nga dita e parë. Ne arritëm dje dhe e ndjejmë mbështetjen e plotë nga ana e qeverisë shqiptare, nga ambassadori ynë gjithashtu, shkëlqesia e tij. Ne do bëjmë më të mirën tonë, erdhëm si skuadër dhe do e lëmë skuadrën këtu. Do fillojmë punën që nesër. E dimë që është sfidë e madhe por nëse kemi besim do ia dalim”, – u shpreh përfaqësuesi.

Spitali i cili do të ndërtohen në një hapësirë prej 5000 hektarësh do të menaxhohet dhe drejtohet nga profesionistët më të mirë turq, deri në dorëzimin e tij hap pas hapi në kontroll total të mjekëve dhe infermierëve shqiptarë, të cilët gjatë kësaj kohe do të kenë fituar eksperiencë të mjaftueshme nga kolegët e tyre turq.

Kompania turke që do të ndërtojë spitalin pritet të angazhojë 1200 punëtorë me 3 turne dhe për 7 ditë të javës. “Do përdorim edhe forcën e punës shqiptare, ne presim minimum 20-30% e punonjësve të jenë nga forca e punës shqiptare dhe vëllezërit shqiptarë do na mbështesin për këtë. Dhe të gjithë produktet që ne do i gjejmë në Shqipëri, të bëra këtu do preferojmë t’i blejmë këtu, pjesa tjetër do vijë direkt nga Turqia”, – tha Huesin, përfaqësuesi i kompanisë turke.

“Po diskutonim dje me Huseinin dhe më tha që në Turqi, në punët e mëdha publike, minimum apo le të themi minimumi mesatar i forcës së punës ishte 400 dollarë në muaj. Në projekt, pra në thelb është shumë afër me atë që ndodh këtu në punët publike, prandaj është me rëndësi që njerëzit ta dëgjojnë këtë sepse ndonjëherë ka vështirësi për ta kuptuar këtë gjë, e ndonjëherë njerëzit bëjnë krahasime me Gjermaninë dhe me Francën”, – nënvizoi Kryeministri teksa shtoi se sfida dhe premtimi për të ndërtuar këtë spital model në 3 muaj është premtim i presidentit turk Erdogan.

“Dua të sigurohem që njerëzit e dëgjojnë, ky është premtimi i Presidentit, nëse nuk mbahet premtimi është për shkak të tij, jo timin, se njerëzit nuk duhet ta harrojnë këtë. Do bëjmë më të mirën tonë që mos të keni arsye për të marrë ambasadorin apo atë e për t’i thënë që humbëm një ditë pune për shkak të burokracive shqiptare, për shkak të çfarëdo arsyeje nga ana shqiptare. Do jemi 24 orë në ditë me ju, ministrja, skuadra, menaxheri i projektit nga ana jonë do të vendoset që të punoni me të vetëm që t’i përgjigjet çdo kërkese, pra s’do ju duhet të shkoni në asnjë zyrë, askund, ne do jemi pas jush”, – u shpreh Kryeministri.