Spitali Rajonal Memorial nis fazën e parë të shërbimeve

Spitali Rajonal Memorial në Fier ka nisur prej ditësh fazën e parë të shërbimeve. Në një infrastrukturë moderne, të mirëpajisur me teknologjinë më të fundit të aparaturave diagnostifikuese, rreth 100 pacientë janë konsultuar me stafin e mjekëve turq dhe vendas. Ndërsa 18 pacientë janë të shtruar, mes të cilëve edhe pacientë që kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale.

Në spitalin e Fierit ishte sot Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministren e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
I shoqëruar nga drejtuesit dhe stafi mjeksor i spitalit, Kryeministri vizitoi ambientet e ndryshme të spitalit dhe u njoh me shërbimet e ofruara aktualisht, si dhe me persektivën për t’u zgjeruar në të ardhmen.

“Kanë filluar konsultat e para. Janë rreth 100 pacientë që janë konsultuar për momentin. Ndërkohë kemi dhe shtrimet e para në spital, rreth 18 pacientë të shtruar. Kemi realizuar dy kirurgji. Kemi referuar raste nga Qarku i Vlorës dhe i Gjirokastrës. Ka interesim të lartë të pacientëve. Në poliklinikë kemi 6 dhoma konsultash. Pacientët po konsultohen nga mjekë specialist turq, në bashkëpunim me mjekë specialistë shqiptarë”, – shpjegoi drejtuesja e spitalit, gjatë vizitës në repartet e diaa spacialiteteve.

Spitali Memorial kapacitet pritjeje mbi 12 mijë pacientë të shtruar në vit, ku rreth 2 mijë do të jenë ndërhyrjet kirurgjikale të parashikuara.
Për zëvendësdrejtorin e spitalit, pjesë e stafit turk, perspektiva e zhvillimit në të ardhmen është shumë premtuese. “Jemi akoma të rinj. Është një spital i ndërtuar në një kohë të shkurtër. Pas dy vitesh edhe mund të mos ta njihni spitalin, aq shumë kemi në plan të ndryshojmë. Në qoftë se do të kalojmë në sistemin e dixhitalizmit të spitalit, atëherë punët e spitalit do të shkojnë shumë herë më shpejt dhe do të jetë një lehtësi shumë e madhe për ne dhe për të gjithë stafin që punon këtu”, – u shpreh ai.

Ndërsa sa i përket projektit të dixhitalizmit të shërbimit spitalor, Ministrja Manastirliu shprehet se tashmë ka një plan. “Tashmë kemi dhe një plan, si do të shtrijmë të gjithë platformën e dixhitalizimit. Duam të huazojmë praktikën dhe eksperiencën turke, sepse kanë një sistem shumë të kompletuar dhe besoj se do ta alikojmë së shpejti”, – tha Manastirliu.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama theksoi se Spitali Rajonal Memorial nuk është thjesht dhe vetëm një ofrues shërbimesh shëndetsore, por edhe një qendër transferimi dijeje dhe experience. “Jam shumë mirënjohës për të gjithë personelin turk që ka ardhur dhe dua t’u them që edhe në diskutimin që kam bërë me Presidentin që në fillim, që kjo nuk është thjeshtë çështje e një spitali dhe një shërbimi më shumë, – që nuk diskutohet është shumë e rëndësishme, – por është mbi të gjitha transferim i dijes. Në një farë mënyre, misioni juaj është i dyfishtë, për të shërbyer siç bëni zakonisht, por edhe për t’u përcjellë kolegëve shqiptarë gjithë dijen dhe eksperiencën tuaj. Ne duam që ky spital të jetë si një qendër e transferimit të dijes edhe për personelin mjeksor në spitalet e tjera. Shumë falemiderit e shumë respekt. Për çdo gjë që keni nevvojë, ne jemi në dispozicion. Ne duam që për çdo gjë ju të ndiheni si në shtëpinë tuaj”, – iu drejtua Kryeministri Rama stafit të mjekëve.​