“Zoja e Këshillit të Mirë”, spitali më i ri në Shqipëri, është një tjetër strukturë ekselente e shërbimit shëndetësor, e ngritur si amanet i Nënë Terezës.
Kompleksi i ri dhe modern i spitalit, i cili do të hapë dyert për publikun pranverën e vitit të ardhshëm, do të përfshijë aktivitetet e diagnostikimit, ambulatorëve dhe klinikave kërkimore në shërbim të mësimdhënies, në bashkëpunim të ngushtë me shërbimin shëndetësor shqiptar dhe Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”.
Kryeministri Edi Rama inspektoi sot mjediset e reja të spitalit, që do të jetë njëkohësisht një strukturë spitalore me një qendër kërkimore të parametrave ndërkombëtarë.
Teksa vlerësoi investimin e sipërmarrësve, Kryeministri theksoi se është i rëndësishëm bashkëpunimi me strukturat shtetërore për një funksionim sa më të mirë në dobi të qytetarëve. “Kur bëhet fjalë për funksionimin, sepse dëgjova në fjalën tuaj që ky spital është një lloj testamenti i misionit të Nënë Terezës, spital për ata që janë më në nevojë, të shihnim nëse do të mund të bënim një bashkëpunim, së bashku me ministrinë, për të parë se si mund të kombinojmë, nga pikëpamja e qëndrueshmërisë financiare, dhe të shohim se si të mos e lëmë këtë strukturë të shndërrohet tërësisht në një spital privat.” – u shpreh kryeministri, ndërsa theksoi se qeveria do të hartojë programe me paketa mbështetjeje financiare për strukturat jopublike. “Ne kemi si koncept të hartojmë programe me paketa mbështetjeje financiare për strukturat jopublike, për këto lloj ndërhyrjesh dhe duke qenë se këtu ka një ambicie për të kryer ndërhyrje me cilësi të lartë mund të shohim se si mund të kombinohemi me paketa mbështetjeje dhe kësisoj pjesën personale, pra gjithçka të mbetet si angazhim i juaj ndërsa kur vjen fjala për pjesën e mbështetjes së pacientëve të këtyre programeve, të mund të jetë një angazhim i ndërmarrë prej nesh.”
Nga ana e tyre, sipërmarrësit italianë u shprehën se ky bashkëpunim do të nxisë investime të reja të nivelit të lartë. “Një lajm i shkëlqyer për ne, në kuptimin që jemi në fazën ku po mendojmë mënyrën se si të kryejmë punën dhe sigurisht, të paturit bashkëpunimin me shtetin do ishte e përkryer. Mund të them se ne, duke parë interesin e shtetit, do të pilotojmë aktivitete të ekselencës.” – u shprehën ata.
Për konkretizimin sa më parë të bashkëpunimit, Kryeministri tha se do të krijohet një grup pune, i cili do të përcaktojë hapat në vijim. “Duhet të krijojmë një grup pune me ministrinë në mënyrë që të përpiqemi që të kuptojmë saktësisht se si mund të ndërveprojmë dhe duke qenë se ju keni idenë të hapeni në prill, ne mund të kemi një protokoll, një marrëveshje mirëkuptimi dhe të shohim nëpërmjet kësaj marrëveshjeje mirëkuptimi e të shohim se cila do jetë pjesa e gjithë këtij aktiviteti që mund të mbështetet nga shteti.”