Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Hapet sporteli i parë unik për fermerët në Fier, një one stop shop shërbimi dhe informacioni për fermerët. Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë është e angazhuar në ngritjen e 20 sporteleve. Sporteli do të ofrojë për fermerët shërbimin e aplikimit për grante dhe subvencione me fondet buxhetore, si dhe për programin IPARD, këshillim për plane biznesi, informacion dhe këshillim bujqësor, informacion financiar dhe informacion për tregjet bujqësore.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi ishin sot në Fier ku morën pjesë në inaugurimin e këtij sporteli. Ministri Peleshi u shpreh se ky one stop shop do të jetë një dritare shërbimesh ofruar nga disa institucione për të gjithë fermerët. “Bashkia ka dhënë një mbështetje shumë të madhe dhe kjo është pika e parë që ne po hapim. Këtu do të ketë disa punonjës nga AZHBR, por edhe nga shërbimi i ekstensionit që do të fillojë shumë shpejt, me ristrukturimin e drejtorive të bujqësisë. Kështu që do të jetë një dritare shërbimesh nga 2-3 institucione për të gjithë fermerët. Ne brenda muajit miratojmë skemën e re të mbështetjes financiare përmes AZHBR. Ka inovacion atje dhe ka shumë nevojë që të komunikohet me fermerët dhe agropërpunuesit. Kështu që në  kontaktet në terren dhe përmes rrjetit të 5 agropikave, pra, të pikave të shërbimit të fermerëve do ta punojmë skemën në mënyrë që edhe përthithja të jetë sa më e madhe dhe të përgatitemi edhe për IPARD-in, ku sfida është më e madhe, kërkesat janë më rigoroze dhe mundësia është më e madhe për financim.”

Fermerët, krahas lehtësive që ofron sporteli unik përfitojnë edhe nga eleminimi i burokracisë përmes heqjes së dokumenteve për aplikim për subvencionet, të cilëve tashmë iu nevojitet vetëm Karta e Identitetit, nga 13  dokumente që kërkoheshin. “Këtë vit kemi një risi, po aplikojmë një formë të re, me 0 dokumenta. Nëse deri në këtë vit që mbyllëm ishte deri në 13 dokumente për të bërë një aplikim për të përfituar nga subvencionet, tani ne aplikojmë zero dokumente. Nëpërmjet portalit E – Albania do të bëjmë të mundur që çdo aplikant të paraqitet me kartën e ID,” shpjegoi një prej punonjësve të agropikës.

Përmes sportelit unik, fermerët do të asistohen edhe në terren, deri në përfundimin e investimit të tyre. “Ideja e ndërtimit të kësaj agropike është që t’iu vijë më në ndihmë fermerëve, t’iu krijojë atyre besimin që edhe duke iu kursyer mundësisht kohën, sepse ne do jemi këshillues, do i asistojmë jo vetëm në zyrat tona këtu, por edhe në fushë, deri në zbatimin e investimit,” – tha një punonjëse e sportelit.

Kryeministri Rama theksoi se sporteli unik në Fier, i cili do të pasohet edhe nga të tjerë në vijim është pikënisja e një transformimi rrënjësor në raportin me fermerët. “Ky është fillimi i një transformimi rrënjësor. Janë vërtetë pikat nevralgjike të një sistemi të ri, që do ndryshojë rrënjësisht edhe raportin me fermerët, për t’i dhënë të gjithë transparencën dhe mbështeten e nevojshme. Do ndryshojmë rrënjësisht edhe qasjen në mënyrat sesi janë ndërtuar skemat e reja. E rëndësishme është që të japim më shumë informacion për skemat e reja, që ta kenë të qartë që nuk mund të merren më mbështetje ashtu siç janë marrë, por duhet të fokusohen të gjithë në një qëllim, në mënyrë që secili të bëjë pjesën e vet, por qëllimi i përbashkët do të realizohet edhe të fitojnë fermerët, të fitojë edhe ekonomia, të fitojë edhe e ardhmja.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.