Një stadium i ri i standardeve europiane sëshpejti do të përmbushë ëndrrën e sportdashësve kuksianë dhe jo vetëm. Edhe disa muaj kanë mbetur nga afati i parashikuar për përfundimin e stadiumit të Kukësit, i cili po ndërtohet sipas parametrave të UEFA-s dhe ku do të mirëpriten edhe ndeshje ndërkombëtare.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Kukës, ku ecurinë e punës nuk e ka prekur situata e pandemisë.
Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, njëkohësisht edhe President i FK Kukësit prej 5 vitesh, shpjegoi detaje të projektit, i cili synon të sjellë një qendër të re graviteti e zhvillimi social të komunitetit. “Në hapësirat përreth do të bëjmë fushë futbolli për të gjitha ekipet e futbollit. Janë mbi 400 sportistë, përfshirë këtu të gjitha ekipet e vogla, deri tek ekipi kryesor,” – u shpreh ai.
Ndërsa zbatuesi i projektit tha se punimet kanë hyrë në një fazë të avancuar dhe aktualisht po vijohet me punimet elektrike dhe të sistemit të kondicionimit. “Projekti përmban dhe sallat e konferencave, salla të zhveshjeve dhe mjedise të tjera sipas të gjitha standardeve.”
Gjithashtu, ai tha se ritmet e punimeve janë intensive dhe asnjë nga vendet e punonjësve nuk është shkurtuar për shkak të kufizimeve të pandemisë. Përkundrazi, skuadrat janë shtuar me punëtorë të rinj.
Kryetari i Bashkisë Gjici u shpreh se interesimi i banorëve të Kukësit për ecurinë e ndërtimit të stadiumit është shumë i madh. “Çdo ditë qëndrojnë aty përreth për të parë. Janë supervizorët e punës tonë,” – tha ai.
Teksa inspektoi hapësirat e jashtme, Kryeministri sugjeroi mundësinë e shfrytëzimit të tyre për lojërat me dorë si volejboll, basketboll etj..