Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Qendra e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA), pas zyrave në Tiranë, Krujë, Fier dhe Kavajë, zgjeron rrjetin e saj me zyrën e hapur rishtazi në Gjirokastër. Nevoja për shërbime publike të shpejta dhe transparente është gjithnjë e më shumë në rritje dhe ADISA është shembulli i duhur i plotësimit të këtyre standardeve europiane. Të gjithë zyrat e ADISA janë të lidhur me institucionet shtetërore që ofrojnë shërbime për qytetarin.

“ADISA Gjirokastër është qendra e 5-të që hapet në Shqipëri. Aktualisht, në qendrën e Gjirokastrës mund të aksesohen 235 shërbime. Këtu ndodhen disa institucione, zyra pritëse e ZRPP-së, Karta e Shëndetit, QKB-ja, Gjendja Civile etj. Në total janë 22 sportele. Në Gjirokastër kemi risinë se është edhe ALEAT-i, si pjesë e qendrës,” – u shpreh Drejtoresha e Përgjithshme e ADISA.

ADISA është mirëpritur nga qytetarët. Sipas ministres Harito, fluksi është tepër i lartë në të gjithë zyrat, veçanërisht në Tiranë. Kjo ka bërë që Drejtoria e Përgjithshme e ADISA-s të shohë mundësinë e zgjerimit të zyrës së saj në Tiranë. “Në Fier, zyra është hapur para dy javësh dhe deri tani ka pasur 3000 aplikime. Në Tiranë, që është zyra më e madhe, nga 1 shtatori ka pasur 20 000 aplikime për rivlerësim të pasurisë”, – tha ministrja Harito.

Pranë ADISA bëhen aplikimet për shërbime të ndryshme, të cilat i përcillen institucioneve që më pas prodhojnë dokumentin e kërkuar. Ofrimi i shërbimeve publike të integruara ndajnë sportele ku ofrohet shërbimi nga institucionet që prodhon shërbimin, duke eliminuar edhe rastet abuzive. “Shtrirja e gjithë këtyre stacioneve në gjithë Shqipërinë, – u shpreh Kryeministri Rama, – do transformojë komplet shërbimin për qytetarët, që nuk do jetë nevoja të ikin në qindra dyer e zyra, por vijnë këtu direkt dhe ose e marrin në shtëpi përgjigjen, ose e marrin në zyrën përkatëse, sipas rastit, gjithmonë pa kaluar nga kanalet e ryshfeteve. Ajo që do ta rrisë dhe më shumë është kur të fuqizohet shërbimi online. Njerëzve t’u thuhet që këtë shërbim mund ta marrësh nga shtëpia, nga telefoni, nga kompjuteri e nuk ka nevojë të vish në zyrë. Në të gjitha bashkitë, për katër vite, ne do ta plotësojmë këtë sistem dhe me këtë sistem mbyllet cikli shumë vjeçar i torturave nëpër zyra.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.