*Fjala e kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:
Çështja është shumë e thjeshtë. Është ngritur një komision që nuk ka bërë asgjë. Në 30 qershor prodhoi vetëm propagandë banale dhe ato dy herë që u mblodh. Unë e kam deklaruar publikisht, s’ka asnjë surprizë, që në mes të shtatorit qeveria do propozojë variantin e vet. S’është surprizë.
Nga ana tjetër, – po ashtu jemi zotuar dhe në këtë pikë mesa di unë është një zotim i përbashkët – që t’i referohemi ligjit “Severino” që është përpjekja më e avancuar në këtë drejtim dhe që hë për hë konsiderohet brenda standardeve ndërkombëtare, sepse fati i tij nuk dihet, pasi është në Gjykatën Kushtetuese Italiane dhe debati është shumë i madh. Po kjo nuk ka rëndësi për ne.
Në dijeninë time jeni konsultuar edhe ju me ekspertët që kanë ardhur enkas nga Italia, me shkruesit e ligjit. Është po kaq e vërtetë që Ministrja ka qenë e ngarkuar të komunikojë me parafolësin këtu, për të ndërtuar një proces që bashkërisht çon te një produkt.
Unë s’kam pasur asnjëherë dyshim se çfarë iu intereson juve dhe kush jeni ju. As nuk e kam pritur që ju të pranoni një produkt të përbashkët, por le t’i referohemi fakteve. Në vend të produktit të përbashkët, në mënyrë unilaterale paraqisni draftet e Partisë Demokratike, jo të komisionit. E drejta juaj. Atëherë ku është problemi?! Ka një draft të Partisë Demokratike, ka një nisëm të Qeverisë, të cilës do t’i bashkangjiten deputetët e shumicës për nismën për ndryshimet kushtetuese, referuar këtij procesi dhe procesi hyn në rrugën normale të ballafaqimit të dokumenteve. Ne jemi të gatshëm t’ju dëgjojmë. Jemi të gatshëm që të biem dakord për çdo gjë, që është brenda kornizës të paracaktuar qartësisht, por shpikje SHQUP-i ne nuk pranojmë, çdo gjë që është brenda kornizës së paracaktuar, domethënë ligji “Severino”, legjislacioni për këtë çështje në Shtetet e Bashkuara, në vendet e Bashkimit Europian dhe kjo është e gjitha. Shpikje SHQUP-i harrojeni se mund të pranohen nga ne. I doni për propagandë, i doni për hallin që keni se s’dini me çfarë të merreni dhe jeni kapur pas kësaj historie, që e tirrni pa fund, ndërkohë që ne jemi 100% të interesuar dhe të gatshëm që ta votojmë dhe do ta votojmë. Doni ju, s’doni ju. Por e rëndësishme është një gjë, që në këndvështrimin tim, përqindja më e madhe e substancës është e njëjtë. Ju keni parashikuar 34 vepra ne kemi parashikuar 73 vepra, pra më shumë sesa ju, por kjo s’besoj se për ju është problem. Nëse është problem, nuk është problemi ynë.
Ne e kemi shtrirë në të gjithë funksionin publik, jo vetëm në të zgjedhurit, por edhe në të emëruarit. Pra, çdokush që merr një rrogë nga taksat e qytetarëve të kësaj Republike duhet t’i nënshtrohet këtij verifikimi dhe nëse nga verifikimi rezulton i dënuar për të gjitha veprat e parashikuara nuk mund të marrë rrogë sipas afateve të përcaktuara nga përjetë deri në 20 apo 10 vjet nga buxheti i qytetarëve shqiptarë.
Edhe në këtë pikë, nuk besoj që keni problem, sepse ju zgjidhim edhe hallin e madh të klubit të gjuetarëve se kapni një këtu dhe një atje dhe dilni në konferencë shtypi dhe na tregoni inkriminimet e infermiereve në Tropojë. Po nuk ka rëndësi, rëndësi ka që ne do ta bëjmë. Ne do ta bëjmë këtë me vullnet të plotë. Kështu që mos humbasim kohë, nëse jeni të interesuar natyrisht, baza për konsensus është më e gjerë se asnjëherë, duke iu referuar drafteve, jo duke ju referuar shprehjeve të vullnetit dhe dëshirave dhe të pasionit tuaj për konsensus, sepse, se kush jeni ju dhe se çfarë lidhje keni me konsensusin shqiptarët e dinë përmendësh.
Por, duke ju referuar drafteve. Marrim draftet, jemi absolutisht të gatshëm të përfshijmë edhe gjëra që mund të mos jenë të përfshira në draftin tonë, por korniza nuk lëviz. Të jemi shumë të qartë, shpifje SHQUP-i nuk ka. Ne nuk e bëjmë vendin tonë qesharak dhe nuk e bëjmë veten tonë lolo. Ju, – problemi juaj, se nuk dua të bëj komente mbi ju, se jeni ju që flisni vetë, – jeni bërë komenti i vetvetes. Kjo është e gjitha. Besoj se tani jemi në kushtet për punë. Deri tani ishim në kushtet e propagandës banale dhe e baltëhedhjes të përditshme nga ana juaj. Tani jemi në kushtet për punë. E doni? Hajdeni ta mbyllim dhe mund të mbyllet shumë shpejt. S’e doni? Nuk ka problem, ne do ta bëjmë. Kjo është pak, po e sigurt.
E përsëris, nuk shoh asnjë arsye që ju të mos e bëni, – në rast se i referohemi, edhe njëherë tjetër po e them, praktikave ndërkombëtare më të përparuara në këtë drejtim, dhe i referohemi asaj që ju e keni shprehur edhe ne e kemi shprehur; nevojës për të penguar penetrimin e çdo personi që në shkuarën e vet përtej dëshmisë së penalitetit ka pasur probleme me drejtësinë, sipas një liste të mirëpërcaktuar veprash penale,- është fare e thjeshtë, nuk kemi as çfarë debatojmë dhe as çfarë akuzojmë njëri-tjetrin.
Sigurisht, nuk mund të biem dakord për të gjitha. Ju jeni në të drejtën tuaj që në rast se shikoni në draftin tonë shpikje që nuk gjenden në asnjë legjislacion tjetër, të thoni nuk i duam. Jeni në të drejtën tuaj, po për SHQUPI-n vetë e keni zgjedhur, kështu që ndajeni këtë punë.
Parlamenti ka punën e parlamentit, SHQUPI ka punën e SHQUPI-t. Ky parlament sa të jemi ne këtu SHQUP nuk bëhet.
***
Në fakt unë këtu erdha për të diskutuar për ligjin e arsimit, nuk erdha për këtë çështje dhe as për testet. Sepse, ka teste edhe më të dhimbshme që mund të sillnin probleme. As për flamurin, flamurin e keni ju e di e gjithë Shqipëria, e keni edhe latinisht.
Së pari, këtë punën e ndërkombëtarëve, për ju, jo për mua, mos e përmendni shumë. Ky është parlamenti i shqiptarëve nuk është parlamenti i ndërkombëtarëve. Qeveria jonë është qeveria e Shqipërisë, nuk është qeveria e ndërkombëtarëve. Unë jam kryeministri i kësaj qeverie. Nuk jam as i dërguari i OKB-së, as ambasadori i ndonjë shteti tjetër. Ju siguroj që përsa më takon dhe përsa na takon, çfarë bëjmë e bëjmë sepse ashtu besojmë dhe ashtu mendojmë.
E çfarë besojmë dhe mendojmë ndryshe nga miqtë, nga partnerët, edhe nga ju që ju kemi më shumë miq se sa ç’kemi miqtë dhe partnerët, e besojmë dhe e mendojmë ndryshe dhe nuk e bëjmë. Është shumë e thjeshtë.
Ju kujtoni se thoni ndonjë gjë të zgjuar që ju jep pamjen e kalorësve të luftës me krimin, kur thoni që “ky del në fotografi me kryetarin e Bashkisë së Kavajës”. Kryetari i Bashkisë së Kavajës është i zgjedhur nga populli i Kavajës. Është aty falë vullnetit të qytetarëve të Kavajës. Si kryetari i Bashkisë së Kavajës dhe kryetari i Bashkisë së Krujës janë të zgjedhur dhe unë s’kam asnjë problem, përkundrazi, që të takohem dhe të dal edhe në fotografi. Nëse, qoftë njëri, qoftë tjetri, – ju që merreni me veprimtari kundërzbuluese, – ju rezulton i dënuar, jo me vendim të formës së prerë, por edhe nga një gjykatë të shkallës së parë, në Shqipëri apo kudo në planet, silleni dokumentin përkatës dhe ju siguroj që ne jemi gati të bashkohemi me ju dhe t’ju kërkojmë të largohen, në të kundërt të bllokojmë bashkërisht këshillat bashkiakë. Por, njerëzit nuk janë kriminelë sepse vendosni ju. Ju nuk e keni këtë tagër. Sa më shumë ju të bëni rolin e moralit suprem aq më qesharak bëheni, sepse zgjedhjet nuk kanë dy vjet, dy muaj kanë, këto të dytat. Nuk është se shqiptarët, – se flisni dhe në emër të shqiptarëve ju, se me çfarë tagri e bëni këtë përsëri kjo është puna juaj, – pas dy vjetësh nuk përtuan t’ju japin ekzaktësisht të njëjtën sasi shpullash që ju dhanë dy vjet përpara. Kjo ju bën të reflektoni ndopak?! Ju bën të kuptoni që shqiptarët nuk mund t’i trajtoni si kope?! Se e keni edhe çobanin të rraskapitur fare që nuk rri dot në këmbë dhe jo më të marrë edhe kope nga mbrapa. I keni ngelur ju këtu, 30 dele të gjitha bashkë. Prandaj, ju lutem shumë, një nivel inteligjence minimale ia detyroheni këtij Parlamenti. E keni bërë zhele fare raportin me arsyen.
Për sa i përket deputetëve, jo ata por cilido këtu, këtej apo andej, që do të shkelë ligjin, do të ketë të njëjtin fat, nuk diskutohet. Ky është një dallim i madh mes jush dhe nesh. Asnjëri nga ata nuk ishte kriminel sepse thoshit ju, nuk bëni dot njeri kriminel ju, se për ju të gjithë ne këtu kriminelë jemi. Unë jam përfaqësuesi kryesor i këtij grupi interesi, sipas jush apo jo?!
Po të ishte për ju Shqipëria do të vazhdonte me nipat që i shkrehnin kallashnikovin përpara hotel “Dajtit” dhe me rojën e çunit që ia jepte kamarierit në lule të ballit. Kështu do të vazhdonte Shqipëria.
Kjo është e para shumicë qeverisëse që nuk bën dallime dhe që si asnjëherë më parë ka goditur brenda vetes pa bërë asnjë lloj kompromisi dhe do vazhdojmë të godasim këdo që do të na dalë përpara. Pa më të voglin dyshim.
Sa për të plagosurit dhe të vrarët, mirë është të mos i numërojmë.
Sa për kush mban përgjegjësi lidhur me sa plagë janë hapur në mish këtu në këtë vend, mirë është prapë që edhe kësaj mos t’i hymë. S’jemi për këtë këtu.
Se në çfarë derexheje jeni ju, mjafton të mendosh që keni një që e kishit kryetar bashkie, siç thotë Flamuri, “adok” (ad hoc). Se kryetarin e bashkisë e sollët tek SHQUP-i dhe kishit një tjetër atje, adok. Çoni “adokun” nëpër televizione, dhe thoni po bashkëpunojmë me kryeministrinë për të nxjerrë dokumenta për LSI-në. E kuptoni ku jeni katandisur?! E kuptoni se në çfarë ëndrrash dhe në çfarë iluzionesh hidhni valle ju? Edhe kujtoni se njerëzit jashtë mund të besojnë një sekondë të vetme se ju po luftoni krimin. Ju po dekriminalizoni?! Turp! Çfarë po dekriminalizoni?!
Ju po dekriminalizoni Shqipërinë. Ju jeni kaq jashtë loje, mendërisht, saqë i mendoni shqiptarët për kaq budallenj, sa kur, jo ne, jo Policia e Shtetit, por Guardia di Finanza që jua ka vënë përpara të gjithë flamujve tuaj, ministra të brendshëm, që sot i keni ngulur njërin tek çatia e SHQUP-it, njërin tek çatia e Parlamentit, tjetrin e keni pa shkop këtë të latinishtes. Kur jua vuri përpara Guardia di Finanza, të gjitha fotot ajrore të kanabisit në Shqipëri, çfarë bëtë ju antidroga që ratë nga qielli?! Çfarë bëtë?!
Janë 322 hektarë mbjellë në kohën tuaj, me fotografitë e Guardia di Finanza, jo me çfarë thotë “grupi kriminal” që drejton qeverinë. Vetëm 7% keni shkulur. Me siguri i keni shkulur në bashkëpunim me Gaten. Ju ka thënë Gatja, shiko se këta po na bëjnë konkurrencë.
Se nuk ka sesi shpjegohet ndryshe. Vetëm 7%. Keni një vit, “droga, droga”, dhe flisni sikur pini gjithë ditën kanabis. Aq në jerm. E patë me fakte, vetëm 44 hektarë janë kultivuar gjatë këtij viti, dhe të spostuar në zona të thella, jo si kur ishit ju. I mbani mend ato emisionet? Se kemi dhe ca të çështjeve sociale këtu. I mbani mend apo jo? Që dilnin kalamajtë në televizor, të bardhë komplet sikur ishin kukulla me borë dhe shpjegonin se si paketonin. I mbani mend autobotet që kalonin në autostradë për të ujitur “Republikën”? A i mbani mend këto?
Si i mendoni ju kaq budallenj njerëzit? Sa kur, jo ne por Guardia di Finanza dokumenton që nga 44 ha, 43.2 ha janë asgjësuar. Po pse e mohoni? Apo meqë e keni, se tani e keni bërë SHQUP-in dhe si punë përfaqësie diplomatike që flisni “ambasadori kështu e ashtu”.
Po mirë, ata ambasadorët që ishin dje, – që vijnë aty dhe ai ambasadori që i referoheni ju aq shumë në mënyrë spekulative, – si shpjegohet që thotë “Përparimi në luftën kundër krimit dhe drogës ka qenë i jashtëzakonshëm.” Si shpjegohet?! Meqë ju jeni përfaqësia diplomatike këtu, jeni shtëpia e diplomatëve në Shqipëri dhe i dini të gjitha çfarë thonë ata?! Ju jeni një vajmedet që i vjen njeriut keq që harxhon frymën kur ju sheh dhe kur kupton me kë po flet.
Për çështjen në fjalë, po jua përsëris. Doni projektin? E keni variantin tuaj, keni dhe variantin tonë. Merrini, përputhini si të doni, ne jemi gati ta votojmë. Vetëm me kushtin që thashë; Shpikje SHQUP-i jo.
Edhe një herë tjetër po ju them. Kriminelët i përcakton gjykata, nuk i përcakton SHQUP-i. Koha kur partia përcaktonte kur ishe kriminel ka ikur. Problemi është se juve ju ka ngelur kocka e fundit, dhe ju ka ngelur në dorë. Kocka që çohet, ikën, flet. Juve ju ka ngelur kocka e fundit e skeletit të asaj partie, atëherë. Ju flisni me gjuhën e kockës. Nuk e përcakton partia se kush është kriminel, e përcakton gjykata.
Ne po ju themi, të shkojmë më tutje; Jo vetëm vendime të formës së prerë, por dhe një vendim të gjykatës së shkallës së parë, të konsiderohet arsye për pezullim nga detyra të çdo funksionari, qoftë në qeveri, qoftë në parlament, qoftë në administratë, deri kur vendimi i formës së prerë të japë pafajësinë ose ta dënojë përfundimisht. Ku është problemi këtu?!
Në qoftë se doni ligjin, ligji është plotësisht i bëshëm, nëse e keni seriozisht. Konsensusi plotësisht i arritshëm, nëse e keni seriozisht. Në fund të fundit nuk ka rëndësi. Donit autorësinë? Merreni, s’ka problem. Le ta marri Oerdi, se e qan kur i thotë kryetari si duhet bërë. Edhe nga unë si kryetar i Partisë Socialiste, e ke mandatin, merre, bëje ligjin si e mendon ti, por vetëm pa shkelur atë parim, – asgjë SHQUP, të gjitha shqip.
Kriminelët i përcakton gjykata, ua thashë. Kush është i dënuar me vendim gjykate, as nuk është në diskutim. Unë e di që për ju unë jam “kryekrimineli”, por s’keni ç’bëni. Do ta përballoni. Edhe ky, erdhi në gjyq e tha, s’kemi gjë me këtë po kështu është puna.
Kështu është puna se unë me këtë punë ha bukë, tha. Partia më jep bukë, për çfarë i duhem partisë nëse nuk dal t’ia fus kot sa herë kërkon partia. Se janë të ndara punët në parti, ca për t’ia futur kot e ca për t’ia futur plot. Këtij i ka rënë kjo, dil futja kot që të marrësh bukën. Kështu që çfarë të themi ty ne, kriminel!? Ti je hallexhi i lumtur!