451 kursantë po trajnohen nga Qendra Rajonale e Formimit Profesional në Elbasan, nëpërmjet kursit “Start Smart”.
“Start Smart” është një instrument i rëndësishëm për profilizimin apo riprofilizimin e çdo punëkërkuesi të papunë, me qëllim orientimin sa më të mirë për punë dhe profesion. Kryeministri Rama, i shoqëruar nga zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Financave, Dajna Sorensen, ishin në këtë qendër ku zhvillohen kurse profesionale në profile të ndryshme.
“Ne i kemi orientuar të gjithë studentë që duan të marrin kurse formimi profesional të fillojnë me Start smart-in për të parë kush janë aftësitë e tij, prirjet e tij, që t’i bëhet më e lehtë pjesa e formimit. Krahas saj marrin disa aftësi të buta për punën në grup, zhvillojnë qëndrueshmërinë e tyre”, – u shpreh një nga përfaqësueset e Zyrës së Punës.
Kursantët e trajnuar pas përfundimit të kursit orientohen drejt punësimit ose drejt formimit profesional të mëtejshëm. “Kjo është një gjë e domosdoshme, sepse e keni parë vetë, që shkon të kërkosh punë e ju thonë çfarë di të bësh e ngre supet. Ndërkohë që këtu, duke marrë këto aftësitë bazë e duke pasur dhe njohuri profesionale bazë, do ta keni shumë më të lehtë për t’u integruar në tregun e punës dhe duke qenë edhe më të kualifikuar, patjetër që edhe pagat do të jenë më të mira që në fillim”, – tha Kryeministri Rama, ndërkohë që synimi për këtë qendër formimi është profilizimi i saj drejt industrisë ku edhe bizneset në këtë rajon kanë më tepër nevojë.
Deri në fund të marsit 2019, në të gjithë vendin janë përfshirë në këtë kurs 2314 punëkërkues të papunë.