Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama, në takimin me studentë dhe pedagogë të angazhuar për projektet e programit 100 FSHATRA, si një model i integruar zhvillimi të qëndrueshëm të fshatit, në kuadrin e Programit Kombëtar të Rilindjes Rurale:

Së pari, shumë faleminderit të gjithë atyre që janë përfshirë në këtë nisëm.

Është një nismë që për ne ka një rëndësi të posaçme, pasi është një mundësi reale për të çelur një rrugë të re dhe shumë të zhvilluar të qasjes ndaj problemeve, sfidave, por edhe potencialeve të territorit të Shqipërisë rurale, duke e pasur parasysh zhvillimin paralelisht të një politike të re që ne kemi lançuar që lidhet me agroturizmin, me nxitjen e sa më shumë familjeve në Shqipërinë rurale në realitete të ndryshme nga veriu në jug, por edhe të emigrantëve për të kthyer vështrimin nga mundësia e jashtëzakonshme që i ofron shumëkujt për të mos thënë të gjithëve, territori i vendit tonë për nga pasuria e vet për të zhvilluar ekonominë familjare nëpërmjet agroturizmit.

Ne besojmë që duke nxitur agroturizmin dhe duke krijuar disa realitete model, do mund të nxisim një efekt zinxhir që me patjetër do të ndikojë në mënyrë të konsiderueshme në zhvillimin rural, mbi punësimin edhe të të rinjve në Shqipërinë rurale dhe patjetër edhe mbi kushtet sociale në tërësi.

Është një program ky që nuk e mbyll gjithë ambicien dhe përpjekjen tonë në vetëm 100 fshatra, por synon të krijojë disa modele që pastaj gjenerojnë energji dhe shtrijnë në rrathë rrugën e zhvillimit, duke dhënë shembuj inkurajues, konkretë, domethënës, për shumë më tepër njerëz se sa ata që jetojnë në territorin e këtyre 100 fshatrave.

Janë 100 fshatra të zgjedhur, jo rastësisht. Të zgjedhur me një farë vëmendje dhe kujdesi dhe në bashkëpunim me bashkitë, ku ka një ndërthurje të trashëgimisë kulturore, të bukurive natyrore, të traditave të ndryshme edhe të tipologjive të ndryshme të zhvillimit, të ndërtimit, patjetër edhe diversitet nga pikëpamja klimaterike, e kështu me radhë për të krijuar modele që në fashat e ndryshme tipologjike të mund të rrezatojnë e të mund të inspirojnë të tjerë.

Nga ana tjetër, është një përpjekje për të ndërthurur sa më shume role aktorësh të ndryshëm, qoftë qeveritarë, ministri, agjenci, qoftë pushtetin vendor, por edhe universitetin dhe akademia është një instrument jashtëzakonisht i rëndësishëm për 1001 arsye, realisht.

Vjen në ndihmë, duke plotësuar një boshllëk objektiv, sidomos në territor ku shumë njësi vendore kanë mungesa burimesh të kualifikuara njerëzore në planifikim dhe në zhvillimin e territorit.

Sjell një larmi këndvështrimesh, që nga pedagogët e deri tek vajzat e djemtë që pavarësisht se janë në fazën e studimeve, kanë patjetër energji dhe ide që janë një vlerë e shtuar dhe na jep mundësinë që në një kohë relativisht të shkurtër të kemi një numër të konsiderueshëm projektesh. Të kemi një numër të konsiderueshëm skenarësh zhvillimi dhe sigurisht edhe një bazë kërkimore shumë të gjerë, gjë që do të ishte e pamundur ta bënim me mjete të tjera.

E përmendi pak Koordinatorja Kombëtarë, që ndërkohë ne do të përfshijmë edhe universitete të huaja në këtë projekt. Nuk është një program që fillon dhe mbaron brenda një afati të shkurtër kohor. Është një program me një rreze afatgjate, por nga ana tjetër është një program që krijon mundësinë për të tërhequr vëmendjen e për të përfshirë edhe shumë të tjerë, duke nisur në këtë rast nga universitetet e huaja që ne i kemi qasur e do të vazhdojmë t’i qasim edhe përmes përfaqësive të vendeve të ndryshme, të cilat i kemi ftuar që të bashkojnë forcat me ne, duke bashkuar jo vetëm ato burimet financiare, sepse shumë vende kanë burime financiare të dedikuara për zhvillimin rural apo për aspekte të ndryshme të zhvillimit, por edhe burimet e njohjes, burimet e dijes.

Brenda programit ka disa komponentë që lidhen me shkëmbimin e dijeve midis komuniteteve. Pra, komunitete të fshatrave tona me komunitete fshatrash në Zvicër apo në Gjermani, apo në Austri. Jemi duke i eksploruar të gjitha këto mundësi dhe këto që përmenda, nuk janë dëshira, janë tanimë të konfirmuara, por po shikojmë që ta zgjerojmë më tutje dhe e njëjta gjë edhe me fakultetet e përfshira, – për të pasur sa më shumë energji në këtë program dhe për të arritur për të krijuar atë masë kritike të nevojshme idesh dhe projektesh që do të duhet pastaj të konkretizohen në një fazë paralele do të thoja, sepse faktikisht këtu ne jemi në një fshat që është pjesë e programit.

Këtu, ne kemi nisur të bëjmë disa ndërhyrje të rëndësishme. Flas për Vunoin, por edhe Dhërmiu pranë, janë dy fshatra ku po bëhen ndërhyrje të rëndësishme për rikuperimin e shtëpive, të elementëve tradicionalë të ndërtimit, plus me ndërhyrjet që janë bërë qoftë në Jalë, qoftë në Dhërmi, në pjesën e bregut. Pra, paralelisht ne kemi bërë ndërhyrje dhe jo vetëm këtu, por dhe në fshatra të tjerë të këtij programi. Kështu që të gjitha këto janë si të thuash korsi që shkojnë paralelisht me njëra-tjetrën, por korsia e Akademisë është themelore sepse do vendosi një bazë shumë të rëndësishme referencash për çka ne do të bëjmë në vijim apo për çka institucionet veç e veç e pastaj sëbashku do të bëjnë në vijim.

Zëvendësministri solli shembullin e Portugalisë, është njëri nga shembujt, ka dhe shembuj të tjerë. Ju jeni pedagogë dhe studentë të një fushe, ku si të thuash është edhe baza zhvillimore e programit dhe keni njohje shumë më tepër se sa unë që po flas për shumë aspekte të zhvillimit urban apo të zhvillimit rural dhe e dini shumë mirë që një nga format më efikase të zhvillimit është forma e akupunkturës, duke prekur – siç preket trupi në një terapi akupunkture, – territorin, për të krijuar pastaj rrathë të shpërndarjes së energjisë. Ky është si të thuash edhe supozimi fillestar i një projekti të tillë, një programi të tillë që, duke e mbyllur, dua të them, nuk kufizohet thjesht tek 100 fshatrat sepse Shqipëria ka shumë më tepër se 100 fshatra që kanë shumë nevoja, por që i jep mundësinë e krijimit të një modeli apo të një tërësie modelesh brenda një modeli nga njëra anë dhe të një energjie që pastaj me siguri shtrihet dhe rrezaton të territoret përreth, duke nxitur familje, duke nxitur sipërmarrje, duke nxitur administrata vendore dhe duke bërë që edhe prania e qeverisë dhe shtysa koordinuese e qeverisë të jetë gjithmonë e më e artikuluar, pasur parasysh të dhënat që do të krijohen nga puna juaj, nga puna e akademisë së 100 fshatrave.

Meqë këtu u bënë falënderime, edhe unë dua të bëj një falenderim për të gjithë ju që erdhët dhe duke veçuar ata që erdhën me vonesë sepse janë më të lodhur nga rruga e gjatë, me ndjesën e bllokimit në Fier, shpresoj që të jetë viti i fundit që të bllokohet rruga në Fier. Është një gangrenë e krijuar për disa vite tani, por besoj që në muajin shtator, le të themi tetor për të qenë brenda nga pikëpamja e gjithë burokracive të nevojshme për procesin, do të kemi më në fund një kontratë të re dhe do të kemi një fillim pune për të mos u ndalur më dhe për ta hapur atë trasenë  e by –pass-it të Fierit në fillim të sezonit të ardhshëm dhe për ta arkivuar këtë torturë kaq vjeçare që është shumë e lehtë për t’u kthyer në mllef dhe në shqetësim, por është pak më e komplikuar për të shpjeguar pse ka ndodhur e si ka ndodhur.

Sidoqoftë nuk ishte ky qëllimi, por ishte thjesht për të shprehur mirëkuptimin tim më të plotë për të gjithë udhëtimin e për vonesën që është tërësisht e justifikuar, madje meritoni një falënderim që nuk u mërzitet nga vonesa deri në pikën që të thoshit “po kthehemi fare e nuk po zbresim në bisedën e 100 fshatrave”.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.