Starton në Portin e Durrësit “Defender Europe 21”

Nisi sot në Portin e Durrësit stërvitja ushtarake shumëkombëshe “Defender Europe 21”, me dislokimin më të madh të forcave dhe mjeteve në Adriatik dhe Ballkanin Perëndimor që prej luftës së Dytë Botërore. Nën drejtimin e Komandës së ushtrisë amerikane për Europën dhe Afrikën, rreth 28 mijë trupa do të zhvillojnë njëherazi manovra ushtarake të shtrira nga deti Baltik, Ballkani Perëndimor deri në Detin e Zi, ku do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë partnere të NATO-s, për sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe rajonet e Detit të Zi. 

 

Përshëndetja e Kryeministrit Edi Rama:

“I dashur dhe shumë i nderuar gjeneral Wolters!

Është një lumturi e veçantë që të kemi këtu mes nesh dhe ju falënderoj, në krye të herës, për fjalët që i drejtuat sot, jo vetëm kësaj audience, por krejt popullit shqiptar dhe për vlerësimin e posaçëm që i bëtë përpjekjes sonë deri këtu krenare dhe të suksesshme kundër pandemisë.

Shumë të nderuar gjenerali Cavoli  dhe gjenerali  Harrigian!

Është realisht një kënaqësi e madhe dhe një nder për ne që të kemi kaq shumë yje të mbledhura këtu, në këtë vend të vogël dhe kam bindjen që kjo stërvitje është shumë më tepër sesa një moment i rëndësishëm i të gjithë punës së përbashkët në funksion të rritjes dhe të demonstrimit të kapaciteteve tona, sepse besoj që kjo stërvitje është dhe një tjetër pikë e rëndësishme në ngjitjen e mëtejshme të marrëdhënieve tona në pikën më të lartë.

Ne, vazhdimisht i vlerësojmë këto marrëdhënie si të shkëlqyera, por fakti është se ato mund të jenë gjithmonë e më të shkëlqyera, falë një besimi të madh dhe një ndërveprimi reciprok të vazhdueshëm.

Gjenerata jonë lindi dhe u rrit në gjysmën e jetës deri këtu me idenë se ju nuk duheshit lënë kurrë të shkelnit në këtë vend dhe ne të gjithë u brumosëm nga propaganda e regjimit të shkuar me bindjen se ju jeni e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë, jo vetëm Shqipërisë, por mbarë botës.

E realisht, për gjeneratën tonë është vërtetë një mrekulli e madhe që e ka ndarë jetën mes dy botëve, të asaj bote të vogël, të errët dhe komplet të izoluar dhe kësaj bote, ku ne mund të mirëpresim me shumë krenari dhe shumë respekt miqtë dhe partnerët tanë të shumte dhe mbi të gjitha, miqtë dhe partnerët tanë amerikanë.

Unë dua shumë të besoj që pas zbarkimit tuaj në Shqipëri, edhe juve do t’ju ndodhë ajo që ju ndodh të gjithëve kur vijnë në Shqipëri, që do të doni të riktheni përsëri. Shqipëria nuk është një vend i këshilluar për të ardhur për shkak të steriotipeve që pengojnë marrëdhënien e saj me botën, por Shqipëria është një vend ku kush vjen, dëshiron të kthehet përsëri. Unë kam shumë dëshirë dhe realisht kam besim që kjo do të ndodhë dhe me ju, jo vetëm në kapacitetin tuaj të lartë, por edhe në kapacitetin e miqve shumë të respektuar të këtij vendi.

Besoj se ajo çka  ne të gjithë së bashku duhet të mbajmë parasysh është detyrimi për t’u përcjellë gjeneratave të tjera këtë amanet kaq të rëndësishëm për të ardhmen e vendit tonë, por edhe për të ardhmen e botës që kemi zgjedhur, të botës së madhe të popujve që duan të jetojnë në liri dhe në demokraci.

Amanetin e kësaj marrëdhënieje strategjike për lirinë dhe demokracinë, jo vetëm të Shqipërisë, por të mbarë kësaj bote, duke u investuar që të bëjmë së bashku edhe më shumë për brezin e ri, në të gjitha aspektet dhe t’i japim brezit të ri në Shqipëri, në rajon dhe kudoqoftë tjetër, mundësinë që të edukohet qysh në krye të herës, me vlerat, me parimet dhe me standardet shumë të larta të Forcave të Armatosura të NATO-s.

Shumë faleminderit për praninë tuaj!

Është një moment historik për të gjithë ne.

Është një moment që na mbush me krenari, por edhe me përgjegjësi. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë besnikërisht krah për krah jush, si një vend që ndoshta nga pikëpamja numerike nuk i ofrojmë shumë kësaj Aleance, por nga pikëpamja e vlerave që e bëjnë këtë Aleancë unikale për botën tonë, ne dëshirojmë të jemi gjithmonë e më të denjë dhe gjithmonë e më të vyer brenda kësaj Aleance.

Shumë faleminderit të gjithëve dhe suksese në këtë stërvitje unikale për gjithë historinë e marrëdhënieve tona, që shpresoj se do të pasohet nga të tjera, për t’i dhënë rajonit një mesazh shumë të qartë, por edhe përtej rajonit, kujtdo që ka nevojë për përgjigje të drejtpërdrejta, lidhur me qëndrimin tonë të vendosur brenda kësaj Aleance, në krah të SHBA-së dhe së bashku me të gjitha vendet e tjera që kanë vendosur që për lirinë dhe demokracinë të paguajnë çdo çmim.

Faleminderit!