Statusi, Rama: Bëmë vetëm detyrën

Bashkëbisedimi me mediat i Kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Integrimit Klajda Gjosha pas dhënies së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë:

Kryeministri Edi Rama:

Kjo është një ditë e mirë për Shqipërinë!

Arritja e statusit të kandidatit ishte një prioritet i Qeverisë sonë dhe i vendit tonë prej shumë kohësh, dhe unë shpresoj që të gjithë sëbashku mund t’i gëzohemi këtij momenti.

Sigurisht, nuk është fundi i rrugës sonë drejt anëtarësimit të plotë në Familjen Europiane, por është një hap shumë i rëndësishëm përgjatë kësaj rruge. E, mbi të gjitha, është një shenjë shumë e qartë për drejtimin e rrugëtimit tonë, që nga sot ka më shumë shpresë dhe më shumë perspektivë për të gjithë shqiptarët, kudo ku janë, jo vetëm në Shqipëri.

Sigurisht që, vula mbi këtë vendim do të vendoset nga Këshilli Europian, pas pak ditësh dhe atëherë do të jetë edhe koha për të bërë një përmbledhje më të plotë dhe për të adresuar në mënyrë më të plotë të gjithë kënaqësinë, por edhe reflektimet tona.

Por, sidoqoftë, sot, unë dua të falenderoj kolegët e mi, skuadrën time, për të gjithë punën jashtëzakonisht intensive dhe të spikatur që kanë bërë që të arrinim këtu. E dini të gjithë, që jo vetëm nuk ka qenë e lehtë përsa i takon detyrave tona të shtëpisë, por ka qenë ende më e ndërlikuar, sepse vetë Europa, Bashkimi Europian, sot është më i ndërlikuar.

Një falenderim shumë i posaçëm shkon për Ministren e Integrimit dhe Ministrin e Jashtëm, që kanë punuar në sinkron, duke ndarë një barrë tejet të posaçme në gjithë këtë periudhë dhe duke rrugëtuar vazhdimisht, e duke trokitur derë më derë për të avokuar me seriozitet, me dinjitet, me kompetencë të lartë për Shqipërinë, për shqiptarët, të gjitha arsyet që janë dëgjuar dhe janë dëgjuar qartë dhe fort, sikur dhe tregon dita e sotme.

Po ashtu, një falenderim i merituar për ministrat e përfshirë drejtpërdrejtë në ndjekjen dhe realizimin e gjithë detyrave të lidhura me 5 prioritetet e vendosura nga Komisioni Europian;

Ministri i Brendshëm, sigurisht, me një vlerësim të posaçëm, për shkak të peshës së posaçme që zë në këtë kornizë detyrash lufta kundër krimit;

Ministri i Drejtësisë, puna e të cilit, sigurisht, do të shkojë duke u bërë ende më e rëndë, si e të gjithëve, por e tija, posaçërisht;

Ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për përpjekjet në hapësirën e frontit që ka të bëjë me antidiskriminim;

Ministren e Administratës Publike dhe, sigurisht, Koordinatorin Kombëtar Kundër Korrupsionit, njëkohësisht Ministër për Çështjet Vendore.

Një falenderim më vete, plotësisht i merituar, dhe me mirënjohje nga ana ime, i shkon Kryetarit të Kuvendit dhe bashkëkryetarit të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, Ilir Metës, për gjithçka ka mundur të garantojë. Nga njëra anë, duke mbështetur përmes gjithë fuqisë parlamentare të aleancës sonë, Qeverinë dhe këtë proces. Nga ana tjetër, duke vënë në dispozicion energji dhe orë të tëra pune për të bërë edhe ai pjesën e rrugëtimit dhe të trokitjeve, në funksion të avokimit të domosdoshmërisë që Shqipëria ta merrte këtë status.

Do të kisha dashur shumë të shtoja këtu, me zë të plotë edhe mbështetjen e gjithë opozitës politike, por më duhet të them se falenderimi i shkon përfaqësisë së opozitës në tryezën e “Dialogut të Nivelit të Lartë”, Komisionit të Integrimit dhe sigurisht, Kryetares së Komisionit të Integrimit, e cila ka dhënë një kontribut të posaçëm, për të bërë të mundur që Komisioni i Integrimit të jetë një hapësirë pune për integrimin dhe koordinimi mes palëve, në funksion të integrimit. Shpresoj shumë që në periudhën në vijim, e gjithë opozita të angazhohet me të gjitha forcat, në funksionit të procesit që vazhdon. Sikundër, me marrjen përfundimtare të vulës mbi këtë vendim nga Këshilli Europian, në momentin kur do të na duhet të adresojmë, siç e thashë, qoftë gëzimin, qoftë reflektimet, ju siguroj se nuk do të mungojë edhe vlerësimi për atë që opozita ka bërë përpara sesa të bëhej opozitë, si një e tërë, përsa i takon këtij procesi. Sot, flasim për gjithë këta muaj të vështirë në këtë betejë aspak të lehtë që, besoj, e fituam me plotë meritë si “Aleancë për Shqipërinë Europiane”.

Nga ana tjetër, ne e dinim qysh në fillim se duhej një ndryshim i fortë për të përçuar një mesazh të fortë, në mënyrë që, që në dhjetor Shqipëria ta merrte statusin. Por, përsëris, nuk ia dolëm, jo sepse mesazhi nuk u dëgjua fort, por sepse në dhjetor triumfoi, në disa prej vendeve, frika e parazgjedhjeve europiane. Sikundër, luajti një rol jo të parëndësishëm edhe zhgënjimi i viteve të fundit nga performanca e dobët e Shqipërisë. Megjithatë, sot jemi më të vetëdijshëm, se dje, për faktin që duhet ende më shumë punë, ende më shumë ndryshim, në mënyrë që të shkojmë shpejt, – kuptohet, relativisht në harkun e kohës që kërkon anëtarësimi, – drejt anëtarësimit.

Ne e dinim dhe e dimë që duhet më shumë ndryshim, por kjo që kemi arritur, besoj, flet qartë se mund të arrijmë çdo gjë nëse kemi një plan dhe nëse kemi skuadrën e duhur për ta vënë në jetë atë plan. E, sot, dua ta rinënvizoj se ashtu sikundër patëm një plan të qartë dhe të detajuar sesi do të kapërcenim hendekun e hapur mes nesh dhe këtij momenti, për shkak të disa problemeve të brendshme në disa vende të Europës, dhe ashtu sikundër treguam se skuadra jonë është absolutisht në lartësinë e sfidave, ashtu ju siguroj që plani ynë do të funksionojë në të gjitha drejtimet dhe se skuadra jonë do të japë të tjera rezultate dhe të tjera arsye që ky popull të gëzohet.

Në dhjetor, ministrat e pastaj Këshilli donin të ishin të sigurt që ne ishim vërtetë shumë seriozë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. E, sot, jam  shumë krenar që jo vetëm iu përgjigjëm “flakë për flakë” sfidës që na bënë, por e pritëm mbledhjen e rëndësishme të ditës së sotme me një sukses, që deri dje pakkush mund ta imagjinonte dhe thuajse askush nuk besonte se mund të ndodhte, me një Shqipëri pa një ‘republikë më vete të drogës’, siç ishte ajo që e rëndoi për vite të tëra imazhin e vendit tonë në Lazarat.

Nga ana tjetër, në dhjetor u kërkua që, po ashtu, të merrej kohë për të parë se ne kemi një qasje më të pjekur ndaj parlamentit dhe sistemit politik në tërësi. Po bëjmë gjithçka, nën lidershipin e Kryetarit të Kuvendit, që parlamenti të jetë një hapësirë garancish, në radhë të parë, për opozitën. Do të vazhdojmë ta bëjmë, duke pritur me durim që opozita ta shfrytëzojë këtë hapësirë në mënyrë racionale dhe konstruktive.

Kemi udhëtuar në Europë, këtë periudhë, më shumë se zakonisht. Dua që të shpreh një falenderim për të gjitha ata që na kanë pritur. E, personalisht, dua të falenderoj të gjithë liderët europianë, por edhe Ministrat e Jashtëm të disa vendeve të mëdha, që na dhanë të gjithë kohën e nevojshme dhe vëmendjen e domosdoshme për të dëgjuar argumentet tona. E, nga ana tjetër, dua t’i falenderoj që provuan se që Shqipëria të marrë atë që meriton, duhet të sillet me dinjitetin europian të të barabartit me të barabartin, me këdo. Ne e bëmë këtë dhe unë jam shumë krenar për këtë. Sepse jo vetëm morëm statusin, por edhe e morëm statusin në një mënyrë shumë dinjitoze dhe përmes një komunikimi në të gjitha nivelet, që nga unë, tek Ministrja e Integrimit, tek Ministri i Jashtëm, absolutisht dinjitoz, që është një risi absolute për marrëdhëniet tona me jashtë.

Dua të falenderoj në mënyrë të posaçme Kancelaren Merkel, për kohën, vëmendjen dhe rolin që luajti në gjithë këtë proces. Do t’i jem dhe do t’i jemi gjithmonë mirënjohës; ashtu sikundër, Presidentit Hollande; ashtu sikundër edhe Kryeministrit Cameron, edhe të tjerëve, por, padyshim, nga ana tjetër, dua të bëj një falenderim personal, miqësor dhe nuk e teproj po të them vëllazëror, për Kryeministrin Renzi, me të cilin jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe i cili ka qenë vazhdimisht një zëdhënës këmbëngulës për statusin e Shqipërisë, si një gjë absolutisht e merituar. Padyshim, Presidencën greke. Padyshim, në fund, por jo për nga rëndësia, Presidentin Fischer, Kancelarin austriak, Ministrin e Jashtëm austriak dhe Austrinë, si një vend që nuk është lëkundur për asnjë çast dhe madje, luajti një rol kyç në lobimin për të mbledhur rreth vetes një numër më të madh se asnjëherë tjetër vendesh, që të kërkonin me shkrim statusin për Shqipërinë.

Përsëris që ky është momenti i parë, është reagimi i parë, më pas, kur të bëjmë, jo mitingun, as koncertin, por takimin e merituar edhe me ju, edhe me pjesëmarrësit nga të gjitha krahët, edhe me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, nuk do të harrojmë askënd.

Në fund fare, dua të nënvizoj një fakt, që jam krenar, sepse nuk ka qenë aspak një punë e lehtë, siç e thashë edhe në fillim, edhe për shkak se Europa, sot, nuk është aspak një derë e lehtë për t’u hapur, aq më tepër që pas zgjedhjeve europiane gjerat mund të shkonin edhe në një drejtim krejt tjetër. E, arsyeja pse u jam mirënjohës gjithë liderëve europianë, – nga ata më të mëdhenjtë, mbi të cilët rëndon një peshë shumë më e madhe vendimmarrëse, deri tek gjithë të tjerët, – është se i qëndruan projektit të Europës, që nuk mund të kuptohet pa Shqipërinë, nuk mund të kuptohet pa Ballkanin.

Dua t’ia kaloj tani fjalën Ministres së Integrimit, e cila meriton një mirënjohje ende më të veçantë se të gjithë ministrat e tjerë, sepse, siç e dini, nuk ka vetëm një barrë, atë të përbashkëtën, për të çuar përpara procesin e integrimit, por ka edhe barrën e mrekullueshme të një vajze që është në rrugën për t’u bërë nënë. Sigurisht, është një kënaqësi më vete për të, që fëmija të vijë në jetë në një vend me status.

Duke ia kaluar fjalën Klajdës, ju falenderoj edhe juve me gjithë zemër. Sepse e kam thënë më parë dhe nuk do ta harroj sot, që kjo nuk është një arritje ekskluzive dhe s’mund të jetë një arritje ekskluzive e qeverisë, dhe qeveria jonë nuk do të ishte kaq e mirë sa ç’është, pa ju.

 

Ministrja Klajda Gjosha:

“Ju falënderoj shumë zoti Kryeministër!

Patjetër, që edhe unë nuk mund ta fsheh sot emocionin e një dite të madhe, e një vendimi kaq pozitiv që vjen në datë 24 qershor për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen. Sepse është një punë e madhe e bërë jo vetëm nga Qeveria shqiptare, por jam e bindur që çdo shqiptar, që punon me vullnet dhe me aspiratë të madhe që Shqipëria nesër të jetë vend anëtar, me të vërtetë ka vënë një gur në gjithë këtë proces kaq të rëndësishëm dhe kompleks, siç është procesi i integrimit.

Dua të falenderoj të gjitha vendet anëtare për votën e tyre, që i dhanë Shqipërisë sot mesazhin më të mirë që ne mund të kishim marrë, për të vazhduar më tej për bashkëpunim mes qeverisë dhe opozitës, për të vazhduar më tej me gjithë reformat dhe vendimmarrjet e rëndësishme që e presin vendin në të ardhmen.

Dua të falenderoj të gjithë ministrat që kanë punuar dhe me të vërtetë kanë qenë këmbëngulës në gjithë këtë proces, në gjithë muajt e fundit; falenderoj Parlamentin e Shqipërisë, të gjithë anëtarët e Parlamentit; falenderoj institucionet e pavarura që janë përgjigjur në çdo moment kërkesave të jashtëzakonshme që vinin nga vetë Komisioni Europian; falenderoj Komisionin e Integrimit Europian, me një rol tepër konstruktiv dhe të jashtëzakonshëm në gjithë muajt e fundit; opozitën në përgjithësi; ambasadat tona, kudo, në të gjitha vendet anëtare, me rolin e tyre; mbi të gjitha edhe median dhe ju të gjithë që jeni sot këtu, sepse asnjë punë e jona nuk besoj se do të ishte pasqyruar aq mirë, pa pasur median në krah dhe gjithë gazetarët, të cilët me punën e tyre kanë lobuar për marrjen e statusit të Shqipërisë, si vend kandidat.

Më lejoni t’ju them se që nga dita e sotme, për mua, por edhe për të gjithë Qeverinë shqiptare fillon një përgjegjësi e dyfishtë, edhe më e madhe, një barrë e madhe për të vazhduar, për të ecur përpara me procesin e integrimit. Sepse statusi i vendit kandidat është vetëm fillimi. Ne na pret një analizë e thellë e vendit, analiza e arritjeve të deritanishme, por mbi të gjitha, na presin dy reforma tepër të vështira, që kërkojnë mbështetjen e gjithë shqiptarëve dhe që kërkojnë një vendosmëri për t’i çuar ato përpara, siç janë reforma administrative – territoriale dhe reforma në drejtësi, pa të cilat, të jeni të bindur, që vendi nuk mund të vazhdojë më hapat e tjerë kundrejt Bashkimit Europian. Kjo do të jetë edhe sfida jonë e radhës, por që ne jemi të vendosur t’i çojmë ato deri në fund dhe me suksesin e duhur. Suksesin, që meritojnë sot të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen. Do të vazhdojmë me një punë të jashtëzakonshme edhe për përmbushjen e 5 prioriteteve. Sërish, 5 ministrat e përmendur edhe nga Kryeministri pak më parë, do të kenë edhe barrën më të madhe të këtij procesi. Është një proces që ne nuk i vëmë dot një datë, por mesazhi që morëm sot është se me të vërtetë projekti europian funksionon dhe aspirata e shqiptarëve, por edhe e gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor, shumë shpejt do të kthehet në një realitet.

Unë nuk do doja të zgjatesha shumë në këtë prononcim timin të parë për statusin e vendit kandidat, por do të doja ta mbyllja fjalën time me një shprehje të një njeriu shumë të njohur, që ka punuar shumë për projektin europian, Winston Churchill, i cili ka thënë: “Tani nuk është fundi, nuk është as fillimi i fundit, por është, ndoshta, vetëm fundi i fillimit”.

Ndaj, dua t’ju them të gjithëve se pavarësisht kënaqësisë time dhe gjithë emocionit që të gjithë ne përjetojmë sot, puna që e pret Shqipërinë është shumë e madhe. Statusi i vendit kandidat është vetëm fillimi i një sfide të jashtëzakonshme që ne kemi përpara, por që jam e bindur që të gjithë bashkë do të shkojmë deri në fund, drejt anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian.

Faleminderit shumë!”

 

Sot është dita për t’ju dhënë hapësirë për të bërë të gjitha pyetjet që keni dëshirë.

Tanimë jeni të gjithë gazetarë të një vendi me status.

 

Zoti Kryeministër, nga informacionet që vijnë nga Luksemburgu, statusi do të shoqërohet me kushte tepër të forta  për çeljen e negociatave. Do të doja të dija kur mendoni se Shqipëria do t’i çelë negociatat?

Kryeministri Rama: Statusi është si fejesa. Fejesa ka kushte, se pa plotësuar kushtet nuk martohesh dot. Kështu që, as që diskutohet që procesi vjen duke u bërë më intensiv, rruga vjen duke u bërë më e vështirë, jo më e lehtë dhe sfida vjen duke u bërë më e madhe dhe jo më e vogël. Në këtë aspekt, ne jemi të bindur se do t’ia dalim, pavarësisht se çfarë kushtesh vendosen. Kushtet që i kemi vendosur vetes janë më të rënda se ato që mund të na vendosin të tjerët. Ne nuk do të plotësojmë kushtet e të tjerëve, por ne do të bëjmë çdo gjë që lidhet me çka na kërkohet, sepse është në të mirën e vendit dhe të fëmijëve tanë. Kështu që, do shkojmë përpara jo se na e kërkojnë të tjerët, por sepse destinacioni ynë është të shkojmë përpara dhe të ecim më shpejt, drejt rilindjes dhe të plotësojmë gjithë pjesën tjetër të rrugës, për t’u bërë anëtarë me të drejta të plota të Familjes Europiane.

 

Zoti Kryeministër, ju vetë e keni deklaruar shpeshherë që Shqipëria e meritonte statusin që në dhjetor, kur ju faktikisht mund të  keni bërë vërtet maksimumin, por kishit pak kohë në pushtet. A nuk mjafton kjo, për t’i adresuar një falenderim edhe opozitës së sotme politike, siç e theksuar ju, deri dje në qeveri, për plotësimin e kushteve?

Kryeministri Rama: Unë kam shumë dëshirë t’ju them ABC Neës, se ju i thoni EjBiSi, po  nuk e di pse e bëni këtë. Aq më tepër tani që kemi edhe statusin. ABC është më mirë sesa EjBiSi, më besoni. Se EjBiSi-në e kanë të tjerët. Ne kemi ABC-në. Dhe, padyshim, një falenderim për ABC-në si një opozitë intensive, politike, propagandistike dhe e paepur, deri në deformime që ne na ndihmojnë të shikojmë sesa të drejtë e kemi nganjëherë, përpara pasqyrës suaj. Është absolutisht një falenderim i merituar dhe e them këtë, me sinqeritetin që e kërkon kjo ditë. Pra, sinqeritet i plotë. Asgjë s’është përpara jush, opozita tjetër. Më besoni.

 

Duke qenë se marrja e statusit vendos Shqipërinë në një status tjetër në raport në komunikimin me ndërkombëtarët dhe partnerët, por edhe me veten e saj brenda, me faktorët politikë. A do të garantoni ju që opozita dhe mazhoranca do të jenë bashkë në parlament, për kryerjen e dy reformave parësore, flas për momentin, që janë emergjente, ajo administrative dhe ajo në drejtësi. Ju faleminderit.

Kryeministri Rama: Siç thotë këta të ABC-së, “It takes two for a tango”. Kështu që, për një vallëzim duhen dy vetë, normalisht. Ne jemi absolutisht në dispozicion të opozitës, sa herë dhe kurdoherë dhe kudo qoftë dhe për çfarëdo qoftë, sa herë që opozita do të kontribuojë me alternativën e vet. Që do të thotë që jemi të gatshëm të dëgjojmë dhe të diskutojmë çdo opsion që opozita ka për çdo ligj, për çdo reformë. Por shqiptarët nuk mund të presin më. Shqiptarët duhet të ecin shpejt. Çdo ditë e më shpjet. Dhe vetëm një gjë nuk mund t’ia japim opozitës, që ne të rrimë në vendnumëro, bashkë me opozitën. Opozita ka vendosur të rrijë në vendnumëro, është drejta e saj. Ne nuk bëjmë zgjedhjen e opozitës. Ne bëjmë zgjedhjen tonë. Por, me siguri, që opozita i ka të gjithë hapësirat. E kam thënë qysh ditën e parë, për ne është e rëndësishme një gjë; opozitës sot të mos i mungojë asgjë, nga ato që i mungonin opozitës dje. Dhe çfarë i mungonin opozitës dje, ne e dimë fort mirë, sepse e mbajmë mend fort mirë.

 

Zoti Kryeministër, sot është një vendim i rëndësishëm, që sigurisht i shton përgjegjësitë, qeverisë suaj. Cilat janë prioritetet akute, përveç reformës territoriale dhe reformës në drejtësi, në rrugën e integrimit?

Ministrja Gjosha: Po marr shkas t’i përgjigjem unë pyetjes. Ende pesë prioritetet e mbetura për Shqipërinë tashmë dihen, është reforma në administratën publike; reforma në drejtësi, të drejtat e njeriut; lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sërish mbeten këto pesë prioritetet për t’u plotësuar që do të duhet koha e duhur. Tashmë, ne kemi edhe një plan të detajuar masash, me detaje konkrete dhe me afate konkrete, për t’u plotësuar. Shumë nga këto masa janë marrë dhe kanë qenë një mesazh i fortë për të gjitha vendet anëtare, të cilat sot votuan ‘Pro’ për statusin e vendit kandidat. Por ato shkojnë edhe më tej, në afatgjatë, deri në hapjen e negociatave. Patjetër që ne do të shohim sot, edhe konkluzionet e vendeve anëtare. Do t’i shohim dhe do t’i studiojmë ato, me kujdes, për t’i vendosur dhe për t’i bërë pjesë të planit tonë të punës. Por, mos harrojmë që këto pesë prioritete nuk janë vetëm për të çuar Shqipërinë përpara në procesin e integrimit, por ato i përkasin çdo qytetari shqiptar. Është një kërkesë që vjen nga vetë qytetarët shqiptarë, në mënyrë që Shqipëria të marrë një zhvillim të mëtejshëm në të gjitha fushat që përmenda.

 

Arbi Fortuzi, ATSH: Kur mund të nisë reforma në drejtësi dhe ku do bazohet ajo? Së dyti, në këtë jubile të ditëlindjen suaj të 50-të, që festoni tani në korrik…

Kryeministri Rama: Faleminderit që ma kujtove.

 

Gazetari: A e prisnit që…

Kryeministri Rama: Jo nuk e pres fare me entuziazëm. Ditëlindja e 50-të është një ndryshim dramatik prefiksi që unë e pres pa asnjë lloj entuziazmi.

 

Gazetari: Por që vjen me statusin.

Kryeministri Rama: Unë nuk besoj që ditëlindja ime është kaq e rëndësishme. Më mjafton fakti që e festojnë gjithë Shtetet e Bashkuara. Por më shumë se kaq, jo. Nejse, ju keni parë përpara meje, kryeministra që bëheshin 60-të dhe thoshin jam 16-të. Kështu që, mbase, ju kanë krijuar idenë që sa më shumë shtohen vitet, aq më i lumtur je kur të vjen ditëlindja. Por për mua është e kundërta.

Ndërkohë që, sa i përket reformës në drejtësi, dua ta përsëris edhe sot, “Gatet e drejtësisë” duhet të dorëzojnë çekiçin. Ky është qëllimi i reformës, me një fjali. Sepse çekiçi i “Gateve të drejtësisë” vret më shumë sesa çdo armë tjetër, që është në qarkullim në Shqipëri.

 

Sa i përket reformave, një tjetër reformë që është drejt përfundimit është ajo administrativo-territoriale. Opozita duket se ka ndryshuar qëndrim këto kohë, madje dje, ju bëri zoti Basha, thirrje për bashkëpunim dhe negociata, pasi opozita po përgatit një draft të sajin për këtë reformë. Jeni të gatshëm ta dëgjoni dhe diskutoni për të?

Kryeministri Rama: Jam i gatshëm ta dëgjoj kryetarin e Partisë Demokratike, në çdo orë, në çdo vend, për çdo temë, sigurisht tema që lidhen me punën e përbashkët, jo me kush është koka dhe kush është këmba në PD, se kjo është temë e tyre e brendshme. Dhe për reformën administrativo-territoriale, deri në sekondën e fundit, ne jemi të hapur të dëgjojmë mendimin e tyre, për pesë variantet tona dhe nëse kanë edhe një variant të gjashtë, apo nëse kanë edhe pesë variante të tjera, jemi të hapur të diskutojmë. Por koha nuk pret dhe ne nuk kemi asnjë disponatë që ta shtyjmë afatin që i kemi vetës, për ta kaluar këtë reformë në parlament. Megjithëse mjafton edhe një ditë e vetme, për të diskutuar një reformë që ka 20 vjet, që të gjitha palët duan ta bëjnë dhe e them me bindje, që Partia Demokratike ka të gjithë ekspertizën e nevojshme dhe ka të gjithë kapacitetet e nevojshme, për të pasur një këndvështrim shumë të qartë për një reformë radikale, por a e ka, a s’e ka vullnetin e nevojshëm, kjo pastaj është një temë tjetër. Dhe sa varet kjo nga kryetari “de jure”, sa varet nga lideri, edhe kjo është një temë tjetër, unë nuk hyj këtu. E rëndësishme është; Po, jam absolutisht i gatshëm vetë, komisioni me siguri, Kryetari i Kuvendit absolutisht, flas edhe në emër të tij, të diskutojmë çdo variant. Do të ishte mirë që ta bënim sëbashku, sepse është një reformë që sa më shumë konsensus të ketë, aq më mirë. Por, edhe në qoftë se ata nuk do të vijnë, ne do ta bëjmë siç kemi premtuar, do ta bëjmë brenda këtij sesioni.

 

Një lajm i mirë i viteve më parë ishte ai për liberalizimin e vizave dhe përfitimet kanë qenë direkt të prekshme nga ana e qytetarëve. Po përfitimet nga statusi, sa të prekshme janë nga ana e qytetarëve?

Kryeministri Rama: E prekshme, miku im, është ekonomia. Më lejoni t’ju them se jam plotësisht i vetëdijshëm për këtë. Qëllimi ynë i madh, shqetësimi ynë i madh është të rrisim ekonominë, të rrisim punësimin, të rrisim të ardhurat në xhepat e shqiptarëve, të rrisim prodhimin tonë kombëtar dhe të fuqizojmë organikisht vendin tonë. Kjo është e prekshme. Ndërkohë që të gjitha të tjerat janë pjesë e një procesi.

Statusin nuk kam ndërmend ta bëj sot, më të rëndësishëm sesa dje, meqë e morëm dhe as kam ndërmend t’i bie gjoksit, që shikoni se qeveria ju solli statusin. Ne bëmë thjesht e vetëm detyrën tonë. Po ta kishin bërë të tjerët përpara nesh, do kishim marrë statusin me kohë. Megjithatë, më mirë vonë se kurrë. Rëndësi ka që ne e morëm në kohë rekord. Dhe e përsëris;- askush nuk dua të më keqkuptojë dhe as të keqinterpretojë fjalët e mia.- Kam pasur neveri kur kam parë qeverinë paraardhëse të organizojë koncerte dhe të mbushë qiellin me fishekzjarrë, për të shfrytëzuar politikisht arritje të kësaj natyre. Kjo nuk do të ndodhë. Çiljeta nuk do këndojë këtë herë. Ne po përgatitemi do të ftojmë të gjithë ata që mendojmë se duhen ftuar, edhe Sali Berishën, për të qenë sëbashku në një festë dinjitoze dhe modeste, për të adresuar në atë festë, gëzimin tonë si shqiptarë për këtë që u arrit dhe reflektimet tona.

Nuk do të monopolizojmë dhe nuk do privatizojmë statusin për qëllime politike. Besoj se shqiptarët janë mjaftueshmërisht të stërvitur politikisht, për të ndarë kush ka bërë çfarë dhe për ta gjykuar nga ana e tyre. Është një proces që do të kërkojë akoma më shumë dhimbje, sakrifica, punë intensive. Por, ama, ne, në këtë proces mësuam e treguam një gjë, që kush na ka votuar në 23 qershor si “Aleancë për Shqipërinë Europiane” dhe kush ka besuar tek bashkimi i Partisë Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim ka bërë një investim jashtëzakonisht të vlefshëm për vete, për familjen, për fëmijët, për komunitetin dhe për atdheun tonë të përbashkët. Këtë ne mund ta themi sot, me plot gojën. Sot, Shqipëria ka rifituar një dinjitet të humbur prej kohësh, në sytë e të gjithë miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Sot, Shqipëria flet si e barabartë dhe dëgjohet si e barabartë, gjithmonë duke qenë ne të vetëdijshëm që nuk jemi as superfuqi, as një vend më i madh se ç’jemi, por, ama, për aq sa jemi, aty ku jemi, ne duam dhe dimë ta vendosim veten në pozitën e të barabartit me këdo qoftë. Kjo nuk është pak. Dhe s’ka kaluar akoma një vit. Ka kaluar një vit që ka humbur qeveria paraardhëse, por s’janë akoma bërë 300 ditë që qeveria jonë është në punë.

 

Po ngelem te sistemi i drejtësisë. Kur thoni “Gatet e drejtësisë”duhet të dorëzojnë çekiçin, çfarë duhet të nënkuptojmë? Shkarkime, largime të gjyqtarëve e prokurorëve, apo do të ketë një reformë të thellë, për t’i hequr një herë e përgjithmonë njollën këtij sistemi?

Kryeministri Rama: Nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën këto dy gjëra. Do të ketë një reformë të thellë, do të ketë një reformë të dhimbshme, do të ketë një reformë që do garantojë goditjen jo thjesht të një fenomeni abstrakt, por të “Gateve” brenda sistemit të drejtësisë. Ne nuk do tërhiqemi dhe nuk do të falim për një arsye shumë të thjeshtë. Mbase bie në përsëritje, por është përsëritja e duhur sot. Takimi me Kancelaren Merkel ka qenë një nga takimet më të bukur të jetës sime politike dhe njerëzore. Por, rrallë mund ta kem ndjerë veten aq keq si shqiptar dhe si përfaqësues i të gjithëve ju, në atë takim, kur Kancelarja më ka thënë: Dakord, argumentet për statusin i dëgjova. Një pyetje kam zoti Kryeministër. A besoni ju, se me këtë sistem drejtësie që ka Shqipëria mund të hyjë ndonjëherë në Europë?

Kurrë! As me dylbi, siç thashë dje, as me teleskop nuk e shohin dot, ne, BE-në, në qoftë se e lëmë sistemin e drejtësisë në këto duar dhe në këtë gjendje. Kurrë! E pra, ne, këtë nuk mund ta tolerojmë. Dhe kush brenda sistemit të drejtësisë e di veten të paprekshëm dhe kush deri më sot i ka mbijetuar me sukses, çdolloj situate, duke dalë edhe më i përfituar në mënyrë të paligjshme, duhet ta ketë të qartë mesazhin tonë: Ne do godasim!

Mandati ynë i 23 qershorit është një mandat për të goditur. Nuk është një mandat për t’u justifikuar. Kemi mandatin e konsensusit kushtetues, 84 vota. Do ta përdorim fuqishëm, sepse nuk mund dot më të turpërohemi të gjithë ne, së bashku, në sytë botës dhe as nuk mundet dot më të bëjmë sehir, sesi “Gatet me çekiç” lëshojnë “Gatet me armë” dhe “Gatet me armë” vrasin njerëz, pasi paguajnë “Gatet me çekiç”, për t’u kthyer prapë të lirë rrugëve.

Ne nuk mund të investojmë paratë e taksapaguesve, për të paguar policinë dhe as mund të çojmë në rrugën e rrezikut për jetën, trupat e policisë, për të arrestuar “Gatet” dhe pastaj “Gatet” me “Gatet” të bëjnë pazarin dhe të kthehen prapë në rrugë e të vrasin prapë dhe të grabisin prapë dhe të përdhunojnë prapë. Janë më shumë se 100 raste, që Ministri i Brendshëm i ka bërë me dije Presidentit të Republikës si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kuptohet, për kriminelë me precedentë penalë, të liruar në mënyrën më skandaloze nga gjykatësit, që kanë rivrarë, që kanë ripërdhunuar, që kanë rigrabitur.

Kush mban përgjegjësi për këto? Mbajnë përgjegjësi të papërgjegjshmit e korruptuar brenda sistemit të drejtësisë apo mbajmë përgjegjësi të gjithë ne? Kur them të gjithë ne, jo ju, se ju bëni punën tuaj, s’mund të bëni më shumë, por ne që përfaqësojmë edhe ju, që kemi fuqi në parlament, që na keni deleguar ju dhe mospërdorimi i asaj fuqie na fajëson ne, nuk fajëson dy palët e “Gateve”. Kështu që, dy palët e “Gateve” duhet të bëhen bashkë e të shkojnë atu ku e kanë vendin. Asnjë  vajzë nuk mund të jetë në rrezik se mund ta përdhunojë “Gatja” i radhës, krimineli që ka paguar “Gaten” e radhës gjykatësin, për t’u rikthyer në rrugë e për të shuar epshet mbi vajzën e kujtdo. Ashtu sikundër, asnjë djalë i asnjë familjeje nuk mund të vritet nga plumbat qorr të “Gateve” që vrasin njërit-tjetrin, pasi kanë garantuar rikthimin në rrugë  falë “Gateve” atje, që i bien çekiçit e thonë “i pafajshëm”. Ashtu sikundër u bë shumë dhe u teprua aq sa nuk mban më.

Edhe një gjë dua të them. Shumëkush e mori për ngurrim apo për tkurrje apo për shmangie nga përballja me sfidën më të rrezikshme të asaj pjese të përpjekjes, faktin që ne morëm kohë për Lazaratin. Jemi përgatitur me muaj të tërë. Një përgatitje me një profesionalizëm mbresëlënës, hap pas hapi dhe arritëm të bëjmë atë që sot na i ka ngritur sytë dhe kokën në sytë e botës, pa asnjë pikë gjaku. Nuk ka asgjë të pamundur për këtë qeveri, më besoni. E më besoni se kjo është një Aleancë e pathyeshme përballë asnjë lloj “Gateje” dhe përballë asnjë lloj aleance “Gatesh”. Qofshin edhe gjykatës, qofshin edhe prokurorë.

Duke ju falenderuar të gjithëve, shpresoj shumë që ta pranoni ftesën që do merrni edhe me shkrim, për të qenë pjesë e mbrëmjes, kur ne do të përmbyllim këtë fazë, në mënyrën më dinjiotoze, sa modeste, aq edhe të merituar për shqiptarët, jo për veten tonë. Siç ju thashë, do të jetë një mbrëmje, pasi t’i vendoset dhe vula nga Këshilli Europian, ku do të jenë të ftuar që të gjithë pa përjashtim, pa dallim, për shkak të detyrave që kanë kryer apo të detyrave që kanë në shumicë apo në pakicë, në politikë apo në shoqëri civile, apo në media, apo si përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri.

Ju faleminderit!