Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Strategjia për zhvillimin e bashkisë së Tiranës u prezantua sot në një takim të zgjeruar me qytetarët mbi rrugëtimin e bërë deri më sot për transformimin e kryeqytetit dhe mbi perspektivën që do të ofrojë e ardhmja.  

Takimin e zhvilluar në parkun Olimpik të Tiranës, e përshëndeti edhe Kryeministri Edi Rama:

* * *

Faleminderit shumë për mundësinë për të përshëndetur këtë aktivitet kaq mirë të strukturuar dhe këtë prezencë!

Nuk dua të flas gjatë, dua vetëm të them disa fjalë aty ku përfunduan prezantimet, pikërisht tek niveli i jetesës së familjeve, i individëve dhe tek perspektiva për të gjithë ata që janë më të rinj, përfundojnë një shkollë apo përfundojnë universitetin dhe e dimë shumë mirë që njërin sy e kanë përtej kufijve të Shqipërisë.

Kjo është sfida e sfidave dhe natyrisht është një sfidë që i tejkalon forcat dhe i tejkalon mundësitë e një pjesë, cilado qoftë kjo pjesë e organizimit tërësor të shtetit dhe të shoqërisë; kjo është një sfidë të cilën asnjë nga këto pjesë, përfshirë dhe qeverinë, nuk mund ta përballojnë dot vetëm.

Prandaj, unë besoj se është momenti më kritik në historinë e këtyre transformimeve pas daljes në rrugën e lirisë dhe ekonomisë së tregut që të gjitha palët bëhet bashkë dhe me palë këtu nuk kam parasysh palët politike sepse bërja bashkë e tyre është mision i pamundur dhe është jo vetëm energji e humbur, por edhe një kohë e humbur.

Ndërkohë që kam parasysh si palë këtu, në radhë të parë, të gjithë sipërmarrjen. Ne jemi në një fazë ku me patjetër duhet të synojmë me këmbëngulje dhe kurajë rritjen e vazhdueshme të pagave. Jemi në një fazë kur duhet ta konsiderojmë këtë dhe vitet që vijnë si kohën maksimale që kemi për të kapërcyer hendekun që rrezikon të bëhet i pakapërcyeshëm në rast se nuk veprojmë sot.

Natyrisht që, kjo është shumë më e lehtë ta thuash sesa ta bësh, madje është më e vështira nga të tëra sepse siç e thashë, kjo është ajo që na ballafaqon më egërsisht dhe më në mënyrë të pashmangshme mes dëshirës dhe mundësive.

Nga ana tjetër, nuk është absolutisht e pamundur që ne të bëjmë më shumë, hap pas hapi, dhe të synojmë me patjetër që njerëzit tanë këtu në vendin tonë, qofshin ata që punojnë në sektorin publik e qofshin ata që punojnë në sektorin privat të mos ndjehen keq, të mos ndjehen të pavlerësuar, të mos ndjehen të sfiduar ditë-natë nga mundi i pashpërblyer dhe nga ana tjetër, nga stresi i tundimit për t’u larguar.

Natyrisht që ne nuk hyjmë dot në konkurrencë as me Gjermaninë, as me vendet e tjera të destinacionit të atyre që largohen, kur vjen puna tek shpërblimi i fundit të muajit, por nga ana tjetër, ne kemi detyrën dhe mundësinë që të hyjmë në një ndërveprim shumë më intensiv, shumë më të hapur mes të gjitha palëve për të garantuar që njerëzit në të gjithë fushat e jetës, në sektorin publik dhe në sektorin privat të marrin atë që është maksimumi i mundshëm i këtij vendi dhe këtu, sipërmarrja private duhet të bëjë një reflektim pa humbur kohë. Duhet të bëjë një reflektim pa humbur kohë sepse duke shtrënguar dorën më shumë se ç’duhet dhe në vijimësi dhe duke i lënë gjithmonë të fundit, ato që në fakt janë të parat fare, pagat për të punësuarit e vet, faktikisht i ka hapur vetes muaj pas muaji, vit pas viti një gropë që nëse nuk nxiton dhe nëse nuk nxitojmë ta mbyllim sot, do bëhet e pambyllshme edhe për disa vite, një gropë që vjen si rezultat i humbjes së kapitalit njerëzor.

Sipërmarrja nuk mund të vazhdojë që t’i japë të punësuarve të vet një pjesë të pagës përmes bankës e një pjesë të pagës nën dorë, sipërmarrja nuk mund të vazhdojë që t’i nënpaguajë të punësuarit në raport me atë që është produktiviteti i vet, sipërmarrësit tanë nuk mund të vazhdojnë të bëjnë gjithçka, edhe përtej gjithçkaje që është e nevojshme për veten e tyre, për familjet e tyre dhe të mos bëjnë gjithçka për punonjësit e tyre sepse ajo që ka filluar sot të ndjehet është vetëm alarmi i fundit; humbja e burimeve njerëzore.

Ajo që deri dje ishte një problem, sot rrezikon të kthehet në një sëmundje të pashërueshme. Problemi që kishte vende pune dhe nuk kishte profesionistë, sot rrezikon të kthehet në një problem që nuk ka punëtorë, aq më tepër në kushtet kur bota dhe po marr përsëri Gjermaninë si destinacionin kryesor, jo vetëm të shqiptarëve, por të gjithë atyre që duan t’i kenë sot ato që nuk ua garanton vendi i tyre, po hyn në një fazës krize pikërisht për punëtorë edhe ajo vetë.

Parafytyroni se në çfarë presioni mund të gjendet Shqipëria dhe vendet si ne, por ne kemi hallin tonë këtu, në një periudhë kohe që nuk është më shumë se pak vite, prandaj të gjithë duhet të vrapojmë sot më shumë.

Ne kemi bërë gjithçka që kemi mundur por s’kemi bërë gjithçka që kemi dashur prandaj tani është koha për të bërë edhe atë që nuk mundemi, të pamundurën, si qeveri dhe si shumicë qeverisëse ndërkohë që sipërmarrja duhet të bëjë gjithçka që mundet, sot, pa pritur nesër.

Duhet të bëjë gjithçka që mundet që nivelet e pagave të cilit së fundmi janë rritur realisht, janë rritur shumë më tepër se ç’janë rritur për vite e vite me radhë në sektorin privat, të formalizohen dhe të bëhet ç’mos që të uniformizohen, që të mos jenë iniciativa sporadike të një sipërmarrësi apo të një sipërmarrësi tjetër, si rezultat i dëshpërimit nga mungesa e krahut të punës, por të jenë rezultat i një qasjeje të përbashkët, i një qasjeje kombëtarë sepse ky është një moment jashtëzakonisht delikat.

Të gjitha këto që pamë këtu dhe që janë të gjitha të vërteta me të cilat ne njihemi për shkak të jetës së përditshme në Tiranë, rrezikojnë të mbeten e shkuara dhe këtu nuk bëj asnjë ekzagjerim. Rrezikojnë të mbeten e shkuara në rast se ne nuk ngremë peshë një frymë të përbashkët mes sektorit publik dhe sektorit privat. Ne e hodhëm hapin e parë që ishte një hap  të cilin as nuk mund ta parashikonim.

Jo 10 vjet më parë, por kur ishin zgjedhjet, në 2021. Nuk mund ta parashikonim dhe hodhëm një hap përtej programit tonë elektoral për pagën minimale, por ju kujtoj që është një hap edhe përtej programit elektoral të atyre që ngaqë e dinë që s’ vijnë kurrë në pushtet, mund të premtojnë gjithçka që nuk testohet.

Pra paga minimale në të gjitha programet politike të partive politike në Shqipëri, pa llogaritur partinë e Nard Ndokës sepse nuk jemi konsultuar me programin e saj, ishte maksimumi 38 mijë lekë në vitin 2025. Pra 380 mijë lekë të vjetra.

Sot ne kemi vendosur që në fund të prillit, paga minimale për të gjithë ata që jetojnë me pagë minimale të jetë 40 mijë lekë të reja ose 400 mijë lekë dhe kemi vendosur që jo vetëm kaq, por për të gjithë ato kompani në sektorin e prodhimit që kanë problematika kontratash të lidhura dhe të cilat rëndohen në mënyrë të befasishme nga kjo rritje që është e kombinuar me sigurimet shëndetësore dhe shoqërore, ne të paguajmë drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të atyre që marrin pagë minimale në këtë sektor dhe jo vetëm kaq, por kemi vendosur që në vitin 2025, kur objektivi i programeve elektorale të të gjitha partive në Shqipëri, e përsëris këtë jo për ndonjë arsye tjetër, por që mos na dalin na bëjnë ato që sidoqoftë ata do t’i bëjnë, ka qenë siç thashë, 38 mijë lekë maksimumi, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të diferencës, pra deri në fund të këtij viti ne do të paguajmë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të diferencës nga paga aktuale tek 40 mijë lekëshi, pastaj nga 40 mijë lekëshi tek 42 apo 43 mijë lekëshi tek 45 mijë lekëshi. Kjo do të thotë që tani në javët, muajt në vijim do të kemi një rritje të përgjithshme për të garantuar që paga mesatare nuk qëndron aty ku është sepse duhet të mbajë një balancë midis minimales dhe mesatares kështu që jemi duke rishikuar tani të gjitha pagat që do të pësojnë rritjen e tyre. Nga ana tjetër kemi në parlament një projektligj për tatimin mbi të ardhurat personale ku do të sanksionojmë në javët e ardhshme me votën e Kuvendit që për asnjë pagë deri në 500 mijë lekë nuk do të ketë asnjë taksë që do të thotë që paga që do të shkojë në arkën e familjes do të jetë më e lartë se ajo që shkon sot si rezultat i taksës.

Nga ana tjetër kemi lajmëruar rritjen e pagës me 50 mijë lekë në muaj për mjekët specialistë. Është vetëm hapi i parë. Po bëjmë një tjetër plan për një rritje të pagave në disa zëra kyç duke filluar nga aftësitë digjitale për detyra të caktuara ndër të cilat mbrojtja kibernetike e vendit është kryesorja në kushtet kur sulmet kibernetike janë praktikisht trendi i ri i luftës mes shteteve dhe i luftës së shteteve me krimin e organizuar ndërkombëtar. Po si mundet ne ta kemi të mbrojtur vendin tonë dhe si mundet ne t’i kemi të mbrojtura sistemet tona dhe si mund ta mbrojmë ne arritjen e jashtëzakonshme të kalimit të të gjitha shërbime me letër, në shërbime digjitale dhe të heqjes së popullit nga kthetrat e zyrtarëve dhe sporteleve në rast se ne nuk kemi kapacitetet dhe kapacitetet më të larta në aspektin e aftësive në këtë fushë?

Atëherë çfarë duhet të bëjmë? Duhet që atyre që kanë këto aftësi t’u ofrojmë paga të cilat janë paga që janë përtej piramidës së pagave të zakonshme, por kjo vlen për ata që kanë aftësi të veçanta digjitale, por vlen edhe për agronomët, në kushtet kur ne na duhet një rritje e mëtejshme e bujqësisë, e prodhimit, e eksporteve, në kushtet kur ne po rritemi në mënyrë eksponenciale, po rritemi më shumë se askush tjetër në gjithë pellgun ku jetojmë për sa i përket turizmit. Natyrisht rritja jonë më shumë se askush tjetër  lidhet edhe faktin se  ne vijmë nga më larg, vijmë nga më mbrapa. Atëherë detyrimisht që kjo industri që është një industri kyçe për të nesërmen, është industri kyçe për rritjen e mëtejshme të pagave, është një industri kyçe për rritjen e mirëqenies duhet të mbështetet nga një prodhim bujqësor, nga një prodhim blegtoral, nga një agropërpunim që duhet të jetë në lartësinë e kësaj rritjeje dhe natyrisht që kjo kërkon shumë gjëra, por kërkon në radhë të parë njerëz që dinë shumë.

Dhe kemi sot, një moment të rrezikshëm që mund të humbasim dijen në këtë drejtim sepse mund të humbasim agronomët me përvojë. Ashtu sikundër mund të humbasim agronomët e së nesërmes për shkak se ata, të cilët duhet të marrin stafetën preferojnë të shkojnë në drejtime të tjera, preferojnë të bëjnë shkolla të tjera sepse mendojnë që me agronomi dhe me aftësitë që merren në Universitetin Bujqësor, nuk kanë një të ardhme siç do ta dëshironin.

E midis të parëve dhe të dytëve, pra midis atyre me aftësi digjitale të spikatura dhe agronomëve ka një sërë profesionesh të tjera të cilat janë të domosdoshme, sektor për sektor. Kështu që, me këtë ne do tu themi të gjithë më të mirëve që ju nuk keni pse mendoni dy herë se ku e keni vendin, se mjafton që ju tua ofroni këtij vendi aftësitë më të mira që i duhen dhe për ju ka një vend dhe për ju ka një pagë.

Natyrisht, qëllimi fundor nuk është që ne të krijojmë dy shtresa. Një shtresë të atyre, që janë më pak, por për shkak të dijeve dhe të aftësive paguhen si në Europë dhe një shtresë tjetër të atyre që mbulojnë gjithë punët e tjera, por paguhen shumë më pak. Ne duam që t’i sjellim të gjitha këto në një piramidë shtetërore të pagave, e cila të jetë klasike, por që të ndodhi e dyta duhet të fuqizojmë të parën në mënyrë që, duke bashkuar nga njëra anë njerëzit me aftësi në profesione të veçanta, nga ana tjetër sektorin privat dhe nga ana tjetër gjithë investimet e nevojshme dhe gjithë mbështetjen e nevojshme në sektorët prioritar dhe natyrisht Bashkia e Tiranës është sektor prioritar i veçantë, se të kesh qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe të shohësh këtë prezantim e ke ta pamundur të mos thuash me vete, paç fatin e lali Erit!

Unë nuk dua të zgjatem më shumë. 

Ju falënderoj shumë për mundësinë!

Falënderoj shumë të gjithë ata që kanë kontributin e tyre në këto që pamë dhe natyrisht përgëzoj edhe Erionin për drejtimin, për punën edhe për optimizmin e tij të pashërueshëm.

Shumë faleminderit të gjithëve!

Edhe një gjë të fundit, do më falni, por duhet të iki se do vazhdojmë të punojmë për lali Erin!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.