Në kuadër të nismës “Ta pastrojnë Shqipërinë në një ditë” në 22 nëntor, Kryeministri Edi Rama së bashku me Ministrin e Mjedisit Lefter Koka i’u bashkuan sot në mesditë qindra vullnetarëve në zonën e Kombinatit, në Tiranë.
Së bashku me qytetarë të thjeshtë, nxënës e mësues të organizuar në kuadër të kësaj lëvizje ishte edhe këngëtarja Elsa Lila. Nxënësit e shkollave e konsideruan këtë fushatë sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese për mbarë shoqërinë shqiptare dhe kërkuan që qytetarët të mos angazhohen për ta pastruar Shqipërinë vetëm në një ditë, por t’i kushtojnë pak kohë çdo ditë këtij procesi, për të pasur një mjedis të pastër në vendin ku jetojmë.
Kryeministri Rama tha se u përfshimë në këtë nismë si qytetarë dhe sigurisht edhe si shërbëtorë të vendit dhe të qytetarëve. Për Kryeministrin Rama “kjo s’duhet të jetë më një ditë e shënuar, por duhet të jetë e përditshmja jonë, në mënyrë që vendi ku jetojmë së bashku të jetë më i pastër dhe më i shëndetshëm”.
Gjithashtu, Rama kërkoi që në gjithë zinxhirin e mësimit, pastrimi të përfshihet si edukatë, si kulturë, si pjesë e të qenit së bashku, për të mbajtur pastër mjedisin.
“Fatkeqësisht, – tha Kryeministri, – akoma nuk kemi arritur atë nivel kulture të bashkëjetesës ku të kuptojmë se në radhë të parë, duke mos bërë pis kemi dhënë një kontribut për ta pastruar dhe se duke pastruar kemi dhënë një kontribut që ata që e bëjnë pis të ndjehen me pak “vrasje” të ndërgjegjes për atë që bëjnë dhe me shpresë që nesër të kontribuojnë për të mos e bërë pis mjedisin”.
Në përgjigje të interesit të medias, Kryeministri theksoi se “kjo Qeveri ka marrë angazhim ta pastrojë Shqipërinë nga plehrat dhe, sigurisht, do ta bëjë”.
Po ashtu edhe ministri i Mjedisit Lefter Koka tha se Shqipëria nuk pastrohet dot në një ditë, por ka nevojë të pastrohet në çdo ditë të saj. Ai shprehu angazhimin se Qeveria, me të tjera politika, do të bëjë që Shqipëria të jetë një ndër vendet më të pastra të rajonit.
Organizatori i kësaj lëvizje, Ervin Shehaj, falenderoi Kryeministrin Rama për mbështetjen që i dha kësaj nisme, si dhe ndau mendimin se “kjo është një ditë të cilën duhet ta kthejmë në traditë”.
Më poshtë prononcimi i plote për mediat i Kryeministri Rama:
Faleminderit të gjithë atyre që morën pjesë në këtë aktivitet të jashtëzakonshëm. Sigurisht, merita kryesore u takon vullnetarëve që e organizuan. Ne u përfshimë në këtë nismë si qytetarë dhe sigurisht edhe si shërbëtorë të vendit dhe të qytetarëve. Më pëlqeu shumë ideja e një vajze që tha: Është mirë që aktiviteti “Të pastrojmë në një ditë Shqipërinë” të bëhet një aktivitet për çdo shkollë që “Të pastrojmë në një ditë lagjen”. Sikundër, me siguri është koha që në gjithë zinxhirin e mësimit, pastrimi të përfshihet si edukatë, si kulturë, si pjesë e të qenit së bashku, duke kuptuar qoftë aspektet që kanë të bëjnë me pse duhet të mbajmë pastër vendin ku jetojmë, qoftë edhe si aktivitet fizik, ku nxënëset dhe nxënësit, mësueset dhe mësuesit të marrin pjesë, aktivisht, bashkë me komunitetin, për të mbajtur pastër mjedisin.
Fatkeqësisht, akoma nuk kemi arritur atë nivel kulture të bashkëjetesës ku të kuptojmë se, në radhë të parë duke mos bërë pis kemi dhënë një kontribut për ta pastruar dhe duke pastruar kemi dhënë një kontribut që ata që e bëjnë pis të ndjehen me pak vrasje të ndërgjegjes për atë që bëjnë dhe me shpresë që nesër të kontribuojnë për të mos e bërë pis mjedisin.
Falenderoj shumë vajzat, ishin shumë më aktive se djemtë.
Falenderoj edhe të gjithë mësueset, mësuesit dhe më të rriturit që kontribuuan në këtë ditë të shënuar. Por, besoj që të gjithë bien dakord që kjo s’duhet të jetë një ditë e shënuar, por kjo duhet të jetë e përditshmja jonë, duke mirëmbajtur vendin ku jetojmë, duke mirëmbajtur oborrin e shkollës, duke mirëmbajtur rrugët e lagjes, duke mirëmbajtur oborrin para shtëpisë dhe duke kontribuar që vendi ku marrim ajër, vendi ku ushqehemi, vendi ku jetojmë së bashku të jetë më i pastër dhe kështu të jetë edhe më i shëndetshëm.
A ka një program qeveria për pastrimin e vendit?
Kryeministri Rama: Edhe një herë faleminderit të gjithëve. Urime dhe suksese për më tutje.
Kjo Qeveri ka marrë angazhim ta pastrojë Shqipërinë nga plehrat dhe, sigurisht, do ta bëjë.