Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e kryeministrit Rama mbajtur në çeljen e ekspozitës historike “Takim botësh” në kryeministri:

Mirëmbrëma të gjithëve! Është kënaqësi e veçantë që këtë holl kryesor të kryeministrisë të nisim sot ta hapim për publikun në një ditë të vërtet vere plot me dritë, të cilën kjo ekspozitë sikur ia hedh pak edhe historisë.

Një historie që e parë brenda realitet të 100 viteve më parë nuk duket aq ngazëlluese, jo vetëm për Shqipërinë në fakt, por për të gjithë rajonin dhe Evropën, që sot ka melodi të koncertit të saj “Himnin e Gëzimit”, si akti i fundit i një simfonie të gjatë plot nota dramatike. Himni i BE është akti i fundit i simfonisë së 9 të Bethovenin dhe poezia e Schillerit To Joy.

Dramatike ndoshta si 6 muajt e një Princi për të cilin Noli do të thoshte se nuk mund të kritikohet se s’bëri dot mrekullira.

Mrekullira në një vend për të cilin Kadare do të vinte në gojën e shqiptarëve të kohës fjalët: “Rrëmujë e shkuar rrëmujës, o Perëndi. Pa lindur mirë shteti shqiptar qe bërë lëmsh. Dhe as që dihej a kishte a s’kishte shtet. Kishin humbur vulat e qeverisë, kufijtë, njëri e tërhiqte litarin këndej e tjetri andej, e vinte i treti e i hiqte shenjat natën.”

Shteti shqiptar kishte lindur, në fakt, më 28 Nëntor, kishte pasur dhe Qeverinë e tij të parë, e më pas disa qeveri, derisa më 7 mars 1914 në 3 të pasdites, Princ Vidi mbërriti në Durrës, qytetin që e pat zgjedhur momentalisht, mund të thuhet, kryeqyteti i Shqipërisë.

Ndërsa, për kryeqytet ishin propozuar dhe disa qytete të tjera, ndër to, më të spikaturit Shkodra dhe Korça.

Festimet për ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri do të zgjasnin një javë, derisa në 14 mars, sot 100 vjet ai të formonte Qeverinë që ishte e para qeveri e këtij vendi njohur ndërkombëtarisht më shumë se një vit pas që Konferenca e Ambasadorëve në Londër, kish njohur shtetin që dhe pse të brishtë e kishte dëgjuar në  zërin e vet këmbëngulës nga një ballkon në Vlorës.

Një zë që akoma sot rreket të bindë Evropën se e meriton të jetë pjesë e koncertit të saj nën “Himnin e Gëzimit”, të cilit mund t’i bashkëngjiten duke e përplotësuar me një ngjyrë të re, por shumë natyrshëm gjeneratat e mëvonshme, ato të sotme shqiptare.

Në historinë komplekse sa të vuajtjeve, aq dhe të gëzimeve të arritjeve, të Evropës, Ballkanit dhe të Shqipërisë, kjo ekspozitë e natyrës historike, e vendosur në hapësirën e një institucioni shtetëror, nuk ka në asnjë mënyrë ambicien të rrëfejë historinë.

Aq më tepër unë, kam unë në pozicionin e sotëm, njeriu që në fund të fundit është këtu për shkak të politikës apo dhe të një njeriu që nuk është studiues i fushës, që të marrë përsipër të flasë për të vërteta historike dhe as nuk do të doja në fakt që institucionet shtetërore të vazhdojnë në traditën autoritare të imponimit nga lart poshtë të të vërtetave historike të radhës. Por besoj, se lajmi i mirë që bëhet dhe më i dukshëm e më i ndjeshëm sot, me anë të kësaj ekspozite, e cila vendos Shqipërinë në mesin një  arene së ndezur evropiane të 100 vjet më përpara, është ai i vendit tonë m’u në prag të integrimit evropian.

Kur erdhi në Shqipëri Princi, -“L’élégant gentilhomme allemande” “Xhentëlmeni elegant gjerman” siç do ta quante gazeta franceze L’Illustration  në një artikull të 29 Nëntorit 2013-, do t’i thoshte shqiptarëve:

“…Tani pasi mora një vendim mbi këtë gjë, dua që me gjithë zemër e me gjithë fuqinë time të jem i Atdheut tim të ri.”

6 muaj më pas kur do të ikte, në fakt, pa abdikuar nga froni, në një kthim në vendlindjen e tij, që vetëm hulumtuesit do të mund të thonë a ishte zhgënjim, dorëzim, dështim apo thjesht një zgjedhje për të jetuar jetën si dhurata e të sotmes, jo ëndrra e të nesërmes, Princ Vidi do të thoshte:

“…dëshiroj që ta dini se nga larg ashtu si edhe mes jush, nuk kam qëllim tjetër veçse të punoj për progresin e vendit tuaj fisnik.”

Me sa e si kam mundur modeshtisht ta lexoj unë, historia ka treguar se fisnikëria nuk rrjedh nga formula e gjakut, por gjerësia e shpirtit, të cilën mes të tjerash Vilhelm Vidi e tregon duke shprehur përkushtim, edhe në momentet kur ai po e linte pa asnjë ceremoni vendin në të cilin kishte ardhur me shumë shpresa si i përzgjedhur i perëndimit.

Perëndimit, që besoj është shumë i ndryshëm sot, jo vetëm për faktin e BE, por dhe në mënyrën se si e sheh botën, përmes një qasjeje që tejkalon kufijtë e paragjykimit me hapin e bashkëpunimit dhe historinë e blloqeve të steriotipeve kombëtarë, tradicionalë apo historikë, me historinë e re të ndërlidhjeve, gjithmonë e më intensive, ku bota është më e vogël se kurrë për shkak se është më  e lidhur se kurrë.

Por steoriotipet e dikurshme  vazhdojnë ta shënjojnë Shqipërinë herë këtu e herë atje, si atëherë, vendin aspak elegant përballë princit me sqimë, apo që fshehin me apo pa dashje fajësish apo pafajësish detaje të saj; si për shembull fjalët e një komandanti të ushtrisë osmane, që pavarësisht se ushtria tërhiqej ai qëndronte për mbrojtjen e Shkodrës duke thënë: “Shkodra është fati ynë ose varri ynë, por jo turpi ynë…”

E këtë e thoshte sikur të qe shqiptar e jo i huaj, e ndoshta si një përjashtim historik, mes të shumtëve përjashtime, të cilët besoj se kjo ekspozitë i hedh sot në një dritë ngazëlluese në kontekstin e kësaj dite vere, për të nënvizuar në fakt suksesin e një përçapjeje që kohë më përpara dukej shpresë e kotë; Shqipërinë, vendin mes miqsh e partnerësh, i cili të ardhmen e përcakton me sytë e të sotmes, dhe vihet ta ndryshojë me forcën e ëndrrës të së nesërmes.

Hapjen e institucioneve të shtetit për t’u kthyer në hapësira të përbashkëta reflektimi, pa ngelur reflektime të një mendjeje të ndryrë në muret e së djeshmes.

Mbledhjen e shqiptarëve e miqve të tyre brenda mureve të së djeshmes, si përpjekje për ta rigjetur vetveten pa frikë as nga muret e as nga kufijtë.

Kurajën për të hapur derën e së djeshmes si mësimi më i mirë që e djeshmja ia la të sotmes; dhe forcën për ta mbajtur të hapur atë derë si sintezë e reflektim i ideve dhe mendimeve jo gjithnjë të një mendjeje e jo përherë në një mendje.

Sot, unë jam shumë i kënaqur që në fund të kësaj ditë ngazëlluese, që lajmëron stinën e re, verën e re, një kohë të re, me gjak dhe energji të reja, ne hapëm këtë derë për të mos e mbyllur me këtë ekspozitë, por për ta hapur herë pas here dhe për ta ndarë këtë hapësirë me ju dhe me publikun në vijim, për të prezantuar gjëra me vlerë, gjëra që meritojnë vëmendje dhe që meritojnë respekt. Dhe pse jo që meritojnë edhe autoritetin e kësaj godine, për t’u vënë në qendër të një vëmendjeje që sot, fatkeqësish, përqendrohet te kjo godinë apo te këto godina, vetëm për shkak të politikës dhe aspak, gjendet rëndom e shpërqendruar mbi gjërat që vërtetë vlejnë në kulturë, në art dhe në përpjekjen e brendshme të shoqërisë për të reflektuar dhe për të gjetur të vërtetat alternative, nga ato të vërteta që mundohet t’i imponojë politika dhe që rëndom, edhe kur qëllojnë të jenë të vërteta i bën të duken të pavërteta.

Dua të përgëzoj me gjithë zemër atë grup njerëzish që i dhanë jetë kësaj ekspozite, Artan Lamen në radhën më të parë, i cili e hapi këtë ekspozitë, qoftë si pjesë e grupit të punës, qoftë si një nga pjesët e vetë kësaj ekspozite, sepse është një njeri që jeton në të tashmen, por të ardhmes synon t’i përcjellë vetëm të shkuarën. Dhe për këtë ka një vlerë të posaçme, se është sa real aq edhe ireal mes nesh.

Dua të përgëzoj, po ashtu, gjithë të tjerët që u angazhuan sot për t’i dhënë jetë gjithë kësaj Dite Vere, e cila mbyllet me këtë emocion, besoj të posaçëm, që na jep ekspozimi i një episodi të historisë sonë, të cilin për hir të së vërtetës e njohim fare pak, për të mos thënë aspak. Sot këtu shpaloset përmes fotografish, përmes dokumentesh dhe përmes objektesh shumë autentike, po kaq autentike sa dhe vetë Artan Lame këtu mes nesh.

Dua të falenderoj edhe miqtë tanë dhe partnerët tanë, që përmes përfaqësuesve, ambasadorëve e të tjerëve, janë këtu të pranishëm me ne në një ekspozitë që kremton, në fakt edhe një përpjekje serioze, ndoshta më të parën përpjekje serioze të perëndimit, të asaj që më vonë u bë Evropa e Bashkuar, për t’i dhënë vërtetë një dorë Shqipërisë së shkëputur nga një histori që e kishte lidhur me anën tjetër të kontinentit.

Dua të përshëndes edhe të gjithë të tjerët që janë këtu të pranishëm, por edhe të gjithë ata që na ndjekin nëpërmjet ekranit, në një ditë që falë kësaj ekspozite, ndoshta na jep mundësinë që të mendojmë për një çast se 100 vjet më pas, ne jemi pjesë e të njëjtës historie, bashkë me ata që na rrethojnë, bashkë me miqtë dhe partnerët tanë evropianë, por vetë historia është tjetër.

Me kënaqësinë që na dha fati që ne ta jetojmë të njëjtën histori, por si një histori tjetër, unë ju falenderoj të gjithëve për praninë, ju ftoj ta shijoni ekspozitën, të përfitoni nga prania në ekspozitë e Artanit, që është i disponueshëm edhe për t’ju dhënë shpjegime më të detajuara për elementë të ndryshëm të ekspozitës. E njëkohësisht, t’ju siguroj se kjo ekspozitë është vetëm e para e një rruge të hapur mes nesh, këtu në këtë godinë dhe të tjerëve jashtë kësaj godine, ku besoj falë këtij holli do të krijojmë të tjera momente emocionuese për të prekur historinë, për të prekur kulturën, për të prekur letërsinë, për të prekur artin, për të prekur atë përmasë shpirtërore të jetës sonë të përbashkët që kaq rëndom, ne fatkeqësisht e lëmë si pas dore dhe fatkeqësisht e konsiderojmë padrejtësisht si dytësore apo tretësore.

Shumë faleminderit edhe shijoni ekspozitën!

***

“Takim botësh” është ekspozita me foto dhe dokumente historike e çelur sot  në mjediset e kryeministrisë, në kujtesë të një date të rëndësishme për  Shqipërinë, 14 marsit të vitit 1914.  Kabineti i parë shqiptar, i njohur edhe prej ndërkombëtarëve,  daton  pikërisht në këtë ditë.

100 vjet më parë Princi gjerman Vilhem Vidi, ftoi politikanë dhe intelektualë shqiptarë në formimin e qeverisë shqiptare, që ishte e para qeveri e këtij vendi njohur ndërkombëtarisht.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.