Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, po zhvillon një vizitë 24-orëshe në Prishtinë, për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryeministri Rama ka zhvilluar në mesditë, një takim me Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa. Duke folur për mediat, dy kryeministrat u shprehën të kënaqur për takimin dhe bisedimet mes tyre. Ata vlerësuan nivelin e bashkëpunimit dhe dakordësinë për të adresuar edhe çështje të tjera që rrisin më tej bashkëpunimin dhe shkëmbimet mes dy vendeve, si dhe njoftuan përgatitjet për mbledhjen e tretë të përbashkët mes dy qeverive.

Kryeministri Edi Rama:

“Përshëndetje!

Ishte kënaqësi që këtë vizitë 24 orë në Prishtinë, e cila lidhet me domosdoshmërinë për të nderuar Presidentin e ri nesër, në ceremoninë e inaugurimit, ta nisnim me këtë bashkëbisedim miqësor me Kryeministrin dhe të diskutonim mbi axhendën e mbledhjes së ardhshme të dy qeverive, bazuar në faktin që kemi një dakordësi të plotë, sepse këtë na e japin shifrat dhe provat që ky proces i bashkëqeverisjes së problemeve dhe çështjeve të interesit të përbashkët na ka dhënë rezultate shumë të mira. Mjafton të shohim shifrat e shkëmbimeve tregtare dhe të eksportit në të dyja anët e kufirit, për të kuptuar jo vetëm sesa shumë është bërë sëbashku, por edhe se çfarë potenciali të madh ka, sepse ka ende probleme për t’u adresuar e çështje për t’u zgjidhur, në mënyrë që kjo hapësirë  të jetë një hapësirë e lirë shkëmbimesh dhe një hapësirë ku përmes këtyre shkëmbimeve rritet mirëqenia e popullit tonë në të dy anët.

Ana tjetër është me rëndësi të theksoj se ne përgatitemi edhe për etapën e tretë të Procesit të Berlinit, që do na çojë sëbashku edhe me kryeministrat e rajonit këtë vit në Paris. Jam shumë krenar që historia e suksesit në procesin e mbledhjes të dy qeverive është një arsye që ne të nxisim sëbashku, një proces më të gjerë rajonal për heqjen barrierave tarifore dhe për lehtësimin maksimal të shkëmbimeve mes njerëzve e mallrave, në mënyrë që të rrisim maksimalisht hapësirën e gjithë sipërmarrjeve shqiptare, në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe në rajon”.

Kryeministri Isa Mustafa:

“Ju përshëndes të gjithëve. Unë kisha kënaqësi të veçantë sot, të takohem me Kryeministrin e  Republikës së Shqipërisë, zotin Edi Rama, me të cilin biseduam lidhur me shumë çështje. Vlerësuam bashkëpunimin tonë vëllazëror, bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të institucioneve të Republikës së Shqipërisë, bashkëpunimin ekonomik. Vlerësuam po ashtu se kemi arritur mjaft në implementimin e marrëveshjeve, të cilat i kemi nënshkruar vitin e kaluar, edhe marrëveshjeve që janë nënshkruar edhe në takimin e parë në Prizren dhe pastaj në Tiranë, në shumë fusha, në fushën e ekonomisë, në fushën e arsimit, të shkencës, në fushën e kulturës, në fushën e bashkëpunimit tregtar. Vlerësuam po ashtu se do të vazhdojmë me takimet e përbashkëta të dy qeverive dhe do të punojmë bashkërisht në përgatitjen e takimit të ardhshëm, në të cilin do të bëjmë një vlerësim të punëve të deritanishme, por edhe të aktiviteteve që ne kemi interes t’i zhvillojmë si aktivitete të përbashkëta, sepse vlerësojmë se bashkëpunimi me Shqipëri është e interesit të veçantë për Republikën e Kosovës, si dhe për Shqipërinë”.

***

Kryeministri Rama zhvilloi edhe një takim me kreun e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, si dhe ka patur një drekë pune me drejtuesit e opozitës.

***

Kryeministri Rama u takua edhe kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në zyrën e tij. Për takimin mes tyre, z. Ahmeti dhe Kryeministri Rama u shprehën për mediat.

Kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti:

Unë pata kënaqësinë ta pres në takim Kryeministrin e Shqipërisë, zotin Edi Rama, me të cilin biseduam për zhvillimet e fundit politike në Republikën e Kosovës, me ç’rast, si gjithmonë, unë dëgjova edhe rekomandimin dhe kritikat miqësore, të cilat zoti Rama na i përcolli edhe mua si kryetar, por edhe subjekteve opozitare për të mirën e Kosovës dhe të ardhmen e Kosovës. Si gjithmonë ishte një bisedë miqësore. Unë e falënderoj për vizitën që bëri dhe që gjeti kohën të na vizitojë në komunën e Prishtinës.

Kryeministri Edi Rama:

Unë besoj se çka tha kryetari është shprehje e mikpritjes vëllazërore dhe bujarisë, sepse unë nuk pata asnjë kritikë. Unë thjesht shkëmbeva me kryetarin disa opinione shumë miqësore, si gjithmonë dhe pata njëkohësisht kënaqësinë ta vizitoj në zyrën e tij në komunë dhe të dëgjoj prej tij që më herët se vonë, qytetarët e Prishtinës do të kenë një godinë që do të jetë më shumë pasqyrë e ambicies së kryetarit dhe e qytetarëve të Prishtinës për kryeqytetin e Kosovës.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.