Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nga mbledhja e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit:

Faleminderit për praninë tuaj!

Gjatë këtyre ditëve, pas mbledhjes së parë të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit është bërë një punë voluminoze për të mbledhur të dhëna, për të përcaktuar piketat e punës në disa drejtime. Me lejen tuaj do të bëj një prezantim sëbashku me kryetarin e Komitetit, lidhur me situatën dhe pastaj me fazat e zbatimit, angazhimet financiare, konferencën e donatorëve, ligjin e posaçëm për rindërtim, paraqitje e dosjeve të objekteve për rindërtim. Pas kësaj pjesë tryeza është e hapur për diskutime.

Situata aktuale, kemi një hartë të zonave të prekura, me dëmet sipas shkallëve të përcaktuara nga ekspertët, por ende më duhet ta them që të dhënat nuk janë definitive sepse janë në përditësim të vazhdueshëm.

Të dhënat në objekte

261 pallate të dëmtuara rëndë dhe të pabanueshme në momentin aktual;

2237 banesa individuale të dëmtuara rëndë dhe të pabanueshme;

851 pallate me dëmtime të  konsideruara të mesme apo të lehta;

4618 banesa më dëmtime të konsideruara të mesme apo të lehta.

Tek pallatet e dëmtuara rëndë, apo të pabanueshme po bëhet një punë specifike  për të përcaktuar shkallën e rrezikut. Sipas grupeve të ekspertëve të huaj, sot ishim në një pjesë të kohës me ekspertë të ardhur nga Izraeli, ata kanë dhe një pajisje shumë të sofistikuar të teknologjisë së lartë që radiografojnë godinat në mënyrë digjitale, verifikon qëndrueshmërinë e skeletit. Në pjesë e këtyre pallateve janë me struktura të padëmtuara dhe me dëme të renda, por të rikuperueshme.

Është bërë një numër i madh konstatimesh. Të dhënat janë dinamike. Vazhdojnë konstatimet dhe do të përditësohen ditë pas dite.

Qarku i Tiranës me:

729 konstatime teknike në pallate;

7060 konstatime teknike në banesa.

 

Qarku i Durrësit me:

5767 objekte të inspektuara nga të cilat objekte për t’u shembur sot që flasim 438;

2353 objekte të pabanueshme;

2976 objekte të tjera.

 

Qarku i Lezhës me:

1588 njësi me banimi me dëme të konsiderueshme;

740 me dëme të mesme;

1560 me dëme të lehta.

Objektet shëndetësore për fat të mirë janë të gjitha me dëme të riparueshme; 8 spitale me dëme të mesme, por të riparueshme; 2 spitale me dëme të lehta; Vetëm 2 qendra shëndetësore jashtë funksionit dhe 12 të tjera që janë të riparueshme

Tek shkollat kemi 36 objekte me dëme të renda.

Meqë jemi tek shkollat, dua të gjej rastin për ta përsëritur  lidhur me shkollën “Emin Duraku”, që është kthyer në një objekt gjallërie mediatike, që inspektimet janë bërë e madje më shumë se një inspektim. Situata është e qatë dhe porositë janë të qarta. Ka një pjesë të shkollës që është krejtësisht e përdorshme dhe për janë pjesë tjetër, që është një objekt i kohëve të mëparshme është dhënë porosia që nuk duhet të përdoret. Të tjerat janë spekulime.

Kemi disa objekte që kërkojnë ndërhyrje urgjente në institucionet e drejtësisë.

Kemi monumente kulture të rrezikuara seriozisht 19; 24 me dëme që i bëjnë përkohësisht të papërdorshme; 155 të tjera mund të vazhdojnë të përdoren sepse nuk paraqesin asnjë rrezik, por kërkojnë restaurim.

Raporti i përgjigjes së parë

Sot që flasim, në terren janë 500 inxhinierë, shifër e rrumbullakosur kjo, sepse varion numri, shtohen dhe ulen  brenda kësaj mesatareje, sipas mundësive dhe disponsibiliteteve

Janë 81 ekspertë nga 11 vende të huaja.

Me zonën urbane të Tiranës kemi mbyllur përfundimisht procesin e sistemimit  në shtëpi me qera.

Jemi duke kompletuar nevojat për çadra të dimrit në zonën rurale.

Akomodimi në hotele i qytetarëve që kanë humbur banesat në zonën Durrësit dhe të Lezhës është kryer.

Pastrimi i territorit nga inertet po vazhdon.

Përfitimet financiare për familjet e prekura me viktima janë vendosur.

Mbyllet brenda kësaj jave, dhurimi i apartamenteve për të gjitha familjet me viktima, sipas vendimit të qeverisë.

Fondi për rindërtimin

Ne vetë kemi konsideruar 20 miliardë drejtpërdrejtë që në nisje, me të ardhurat buxhetore, plus donacionet. Pritshmëritë për donacione janë të konsiderueshme dhe mendojmë se do të  shtohen sepse tani kanë filluar edhe diskutimet në nivel bilateral me shtetet e tjera, përveç Konferencës së Donatorëve që do të organizohet  kur ne të kemi gati raportin e post katastrofës dhe sipas parashikimit tonë, në pjesën e parë të shkurtit do të mund të organizohet Konferenca e madhe e Donatorëve. Fondi do të jetë dinamik që do të pasqyrojë në vijimësi çdo donacion të ri dhe do të shtohet me alokime nga buxheti në vijim.

Do të jetë një program i veçantë buxhetor, i trashëgueshëm, pra, nuk do të preket nga viti fiskal siç preken fondet buxhetore zakonisht dhe do të jetë i monitorueshëm lehtësisht nga institucionet dhe shoqëria.

666 familje deri tani janë aprovuar si përfituese të fondit të qerasë në Durrës. Problemi në Durrës qëndron i hapur për shkak të mungesës së apartamenteve në dispozicion për të marrë me qera për këto familje. Po punojmë për një zgjidhje, jo dhe aq optimale për ta, për të gjetur një zgjidhje jashtë Durrësit. Po shikojmë mundësitë e akomodimit në periferinë perëndimore të Tiranës, sepse faktikisht nuk ka apartamente,  nuk i plotësojmë dot këto nevoja.

Në Tiranë, kjo është mbyllur për 1120 familje, 922 janë të akomoduara, pjesa tjetër janë në akomodim e sipër.

Mbështetja financiare nga buxheti

Janë disa masa të marra në raport me nevojën për përjashtimin nga TVSH-ja të mallrave pajisjeve ushtarake që shkojnë në zonat e prekura nga fatkeqësia, apo i mjeteve ushtarake të importuara nga vendet e NATO-s dhe aleate për rindërtimin, apo njohja e shpenzimeve të zbritshme të donacioneve deri në 5 %  të tatimit para fitimit. Është dhe lista e vendimeve të qeverisë të miratuara.

Nuk ka ende një raport paraprak të dëmeve përfundimtar. Një grup i përbashkët i yni me Bashkimin Europian, Bankën Botërore dhe Kombet e Bashkuara është duke punuar. Raporti i arë paraprak synohet të paraqitet në 16 dhjetor, por edhe nga çfarë na u tha nga gjithë partnerët e përfshirë drejtpërdrejtë, raportet post katastrofë janë raporte që kërkojnë kohë. Do të ketë një raport paraprak, do të ketë një raport të dytë dhe pastaj do të ketë një raport final, besoj në fund të muajit janar, ky është objektivi, për t’i hapur rrugë Konferencës së Donatorëve.

Për transparencën po punojmë për një aplikacion të posaçëm, që te jetë i aksesueshëm nga të gjithë, me të dhëna specifike, të detajuara, për qeverinë, për donatorët, për financimet, për destinacionin e fondeve dhe për përfituesit. Në mbledhjen e ardhshme, ndoshta pas një jave do të mund ta prezantojmë.

Po përgatitet ligji posaçëm për rindërtimin, i cili është një ligj që ka për qëllim të krijojë një kuadër ekskluziv për të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me rindërtimin. Një grup pune po merret me këtë, non stop dhe një draft para e kemi gati. Tani po bashkëpunojmë edhe me Komisionin e Ligjeve, për ta çuar drejt miratimit.

Ligji i posaçëm për rindërtimin përfshin programin e ndërtimit të banesave të reja dhe infrastrukturave publike nga fondet shtetërore; programin e ndërtimit të banesave të reja dhe infrastrukturës publike nga donatorët për ndërtim; programin e blerjes së banesave të reja; programin e granteve për rindërtimin e banesës; banesat që dhurohen në fondin e rimëkëmbjes nga subjektet private; rindërtimin e banesave të shembura nga fatkeqësitë natyrore në të njëjtin truall; programi i rimëkëmbjes sociale; kompensimi i dëmeve nga fatkeqësia natyrore; programin e rimëkëmbjes ekonomike.

Konferenca e donatorëve. Ka një shpjegim të vogël për institucionet ndërkombëtare, takimet bilaterale, konferenca e fillim shkurtit.

Dosjet e objekteve për rindërtim

Kemi aktualisht 386 dosje projektesh për rindërtim. Dosje në dispozicion të fondacioneve, donatorëve i  kemi bërë gati në mënyrë që të shkohet në mënyrë të organizuar, të planëzuar, të mos konsumojmë energjie dhe kohë duke bërë të njëjtën gjë forca të ndryshme në terren. Na jep mundësinë që në çdo godinë,  çdo banesë që prekim menjëherë ta fusim në aplikacion, të regjistrohet bashkë me kontributorin dhe të gjithë të shohin kush po bën çfarë në këtë proces.

Dua t’i falenderoj miqtë që janë në tavolinë, që kanë vazhduar mbledhjen e fondeve dhe kanë kontribuuar edhe në harmonizimin e veprimeve, duke respektuar atë disiplinë që vendosëm sëbashku. Mendoj që është momenti që mund të fillohet me riparime, mund të fillohet me banesa individuale, ndërkohë që bëjmë planet për ndërhyrjet e mëdha. Për banesat individuale, unë kam folur edhe me Elvisin, edhe me Arbrin, – me Marinin nuk kemi mundur të takohemi se s’është prezent. Kemi bërë një diskutim në Turqi dje dhe ata kanë një super industri të banesave individuale antisizmike, ekologjike, që janë super të sigurta, super stabël, nuk kanë asnjë lloj rreziku dhe mbi të gjitha janë shumë komode, me materiale të qëndrueshme dhe që përdoren masivisht sot, jo thjesht në rastet post tërmet, por edhe në zonën rurale, apo në periferi të qyteteve për banesat individuale.

Kemi kontaktuar me kompanitë. Do të garantojmë besoj deri pasnesër, një sërë takimesh atje, ku do të mund të kontaktojmë vetë dhe të shohin të negociojnë për të marrë çmimet më të mira dhe për të marrë një masë kritike banesash përsa i përket pjesës së banesave individuale për zonën e fshatit. Bashkia e Tiranës, por dhe Bashkia e Durrësit dhe Bashkia e Lezhës duhet të bëjnë gati materialin për 3% që kemi futur në ligj. Në ligjin e posaçëm, ne do ta përfshijmë këtë gjë, duke iu kërkuar atyre që përfitojnë absolutisht me lejet e bashkive që ta dedikojnë shumën e detyrimit të tyre, ose duke dhënë paratë në fond, ose duke garantuar apartamente sipas kritereve për familjet në nevojë.

Në Tiranë janë 15 mijë metra katrorë që komuniteti i ndërtuesve i detyrohet strehimit social, që do të thotë me 100 metra katrorë për familje mesatarisht, i bie 150 familje. Nëse duan t’i blejnë vetë dhe t’i vënë në dispozicion si fond banese jemi shumë Ok. Nëse s’duan t’i blejnë vetë dhe duan të japin lekët, jemi shumë Ok. Por ne nuk mund të presim derisa të mbarojnë ndërtimet e tyre për t’u marrë 3% nga ndërtimi, plus edhe ligji vetë, edhe ky 3% është fleksibël, nuk i detyron që patjetër te ndërtimi i tyre të japin 3%, por ju kërkon që 3% të sipërfaqes që ata ndërtojnë, që iu takon për biznesin e tyre, ta vënë në dispozicion për nevojat sociale. Kjo është diçka që do ta përfshijmë në ligj.

Ndërkohë sa i përket procesit të fillimit, unë them që organizatat mund të fillojnë menjëherë, sepse kanë fleksibilitet më të madh se ne. Thjeshtë e vetëm harmonizimi duhet të jetë regjistrimi i ndërhyrjeve që ne t’i shënojmë që kjo u bë dhe përfshirja në to edhe e riparimeve të shpejta, sepse ka njerëz që kemi nëpër hotele, ose janë nëpër tenda në fshat, sepse shtëpia ka nevojë vetëm për riparime që janë me kosto fare të vogla, por faktikisht janë shtëpi të pabanueshme. Ndërkohë, ne bëjmë gati të gjithë procedurat për të bërë ndërhyrjet e mëdha. Sigurisht që këta vetë nuk kanë për t’i mbuluar dot të gjitha nevojat për banesat individuale, por ama fillon kjo gjë.

Duhet bërë një kujdes shumë i madh për inventarin, sepse ka shenja spekulantësh dhe mashtruesish. Ka raste që po iu bien me vare mureve të shtëpisë me idenë që do marrin shtëpi të re, do na e bëjë Elvisi, do na e bëjë qeveria, do na e bëjë Arbri. Kjo histori ka një cak dhe unë ju them të gjithëve, mos bëni aventura të tilla, sepse inventari është ky që është. Shqipëria ka banesa që janë në situatë kritike më shumë se kaq. Ne kemi bërë një inventar për këto banesa. Na rezultoi mbi 2 mijë banesa si ato që kanë restauruar Elvisi, Arbri, ose dhe ne, por ato nuk hyjnë në këtë program. Nuk po bëhet programi për ta. Programi është shumë i qartë, bëhet për ata që kanë humbur strehën dhe për ata që nuk futen dot brenda se rrezikohen, ose janë të pabanueshme, sepse është çarë një mur.

Në këtë pikë duhet të jemi shumë të qartë, sepse është e pamundur që ne të vetëm të shtojmë e shtojmë, shkon pafund. Numrat janë këto që janë dhe ne do t’i përditësojmë edhe për të regjistruar ndonjë që s’është regjistruar, por edhe për të çregjistruar ndonjë që është regjistruar pa të drejtë, ose jo për këtë program. Kemi nëpër hotele që i kemi mbajtur me mirëkuptim të plotë, sepse janë të traumatizuar, ose janë në shtëpi me qera dhe kanë ikur nga shtëpitë me qera, tani mund të thonë që ne duam shtëpi, por shtëpia me qera është aty, është e banueshme, do kthehen atje dhe do vazhdojnë të rrinë me qera.

Për qeratë që ne kemi detyrim, bashkitë duhet të garantojnë marrëveshjen me ata që kanë dhënë qeratë, që mos fillojë historia pas dy muajsh “ma rrit qeranë”. Ne duhet të bëjmë një kontratë tip, kontratë garancie të qeverisë që deri brenda majit vitit 2021 marrim përsipër strehimin. Cilido që mund të mos marrë atë që i takon me këtë kontratë, të ketë të drejtë që me atë kontratë t’i kërkojë llogari qeverisë. Vetëm kështu mund t’i shtyjmë përpara gjërat si duhet dhe mund të jemi në marrëdhënie korrekte me çdo familje të prekur.

Kryetari i Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, Arben Ahmetaj: Fondi në inicim të vet, me dekretimin e buxhetit nga Presidenti, automatikisht 200 milionë dollarë vihen në dispozicion të programit. Dua të theksoj që e gjithë kjo u bë e mundur pa cenuar pagat, pensionet, shërbimet, investimet, siç ndodh rëndom në shumë vende që detyrohen të cenojnë këto shërbime, apo të rrisin taksat. Do jetë një fond i veçantë, i auditueshëm nga KLSH-ja, në funksion të transparencës dhe e drejta që i jep ligji për buxhetin e shtetit qeverisë është që të alokojë këtë fond të veçantë për të zbatuar programin.

Për ligjin e posaçëm duhet të theksoj se në përgjithësi shtetet më të zhvilluara kanë një regjim të veçantë të përgjigjes pas një fatkeqësie natyrore. Ne kemi pasur vetëm ligjin e emergjencave. Ky ligj do shtrihet edhe si urë që nga emergjenca deri te zhdukja e dëmeve apo pasojave që shkaktojnë gjithë fatkeqësitë natyrore që mund të ndodhin rëndom, tërmeti, përmbytja, etj. dhe i jep për herë të parë instrument qeverisë që të reagojë.

Kryeministri Rama: Ne mund të bëjmë një ndarje me 3 organizatat më të mëdha për banesat individuale. Kur të vijë puna e planeve më të mëdha, nëse duan të përfshihen, jemi më se të lumtur të përfshihen edhe për komplekset e mëdha, por për këtë bëjmë një ndarje, Fundjava mund të mbulojë pjesën e Tiranës. Shqiptarët për Shqiptarët mund të mbulojnë pjesën Krujë-Fushë-Krujë dhe zona e Laçit, pastaj Marini Durrësin, periferinë e Durrësit, plus atë të Lezhës.

Komiteti është struktura programuese që bën të gjitha propozimet, struktura ekzekutive është Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Është shumë e rëndësishme që për çdo nevojë ta kemi të përqendruar. Fondi po ndërton një regjistër, bashkë me ASIG-un, për të pasur të gjithë elementët aty, që mos të kemi shumë pika referimi. Një pikë referimi, një qendër graviteti ku të gjithë japin edhe informacionin, edhe marrin informacion, edhe i shkruajnë nevojat e tyre, edhe mbështeten. Fondi duhet të ketë këtë gravitet, sepse duhet të bëjë koordinimin e të gjithë institucioneve. Janë shkolla, janë planifikime, janë infrastrukturë publike, janë ndërhyrje që shkojnë përtej faktit që t’i po rregullon banesën, po aty ka nevojë për një çerdhe, apo një kopsht që është shkatërruar. Plus, gjithë planifikimi i hapësirave që krijohen nga pallatet e shembura që do spostohen diku tjetër, që do të thotë se aty duhet të krijohen hapësira publike. Gjithë ky informacion masiv duhet të mblidhet në një vend. Pastaj secili në pjesën e vet merr atë që do dhe jep atë që ka të bëjë me atë fushë, qoftë vështirësitë, qoftë një ndërhyrje për nevojën e një institucioni, nuk ka nevojë të shpërndahemi. Për të gjitha këto, Fondit dhe pastaj unë, sëbashku me kryetarin e Komitetit bëjmë ndërhyrjet e domosdoshme nga pikëpamja e harmonizimit të institucioneve që janë mbi fondin.

Elvis Naçi, fondacioni “Shqiptarët për Shqiptarët”: Aktualisht, siç e kemi lënë edhe me fondacionet e tjera, është vendosur që fondi i mbledhur do menaxhohet nga vetë fondacioni, por kjo nuk përjashton që në veçanti, atyre që kanë donatuar, por edhe gjithë shqiptarëve, ne do u bëjmë transparencën më të madhe të mundshme. Aktualisht, fondacioni “Shqiptarët për Shqiptarët” ka arritur në kuotën e 6 370 000 euro. Synojmë, duke parë trendin, të shkojmë drejt 10 milion euro. Dje isha në Thumanë dhe ato na thanë pse s’po filloni. Ne u thamë, sapo Komiteti dhe institucionet përkatëse të na japin dritën jeshile. Sot, ne morëm sinjalin e parë që shtëpitë individuale mund t’i rindërtojmë. Ne do kemi dëshirë të ndërhyjmë edhe me projektet e mëdha që do bëhen me blloqe pallatesh për banorët e Thumanës, pasi kemi komunikim me shumë firma ndërtimi, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, apo shqiptarë të Maqedonisë, të cilët nuk kanë cash, por kanë mundësi që si firma ndërtimi të japin kontributin e tyre.

Kryeministri Rama: Duhet të shohim pak tipologjitë. Thumana mendoj që është një rast që ka një tipologji të veçantë, sepse krijon post katastrofa një potencial për të krijuar jo thjesht një kontekst të ri urban përsa i përket pallateve, por edhe përsa i përket shtëpive individuale. Aty ka banesa individuale të dëmtuara, ka dhe godina që duhen ringritur. Me shumë kënaqësi, ne do ta ndajmë bashkërisht këtë barrë, sepse ne sigurisht që do marrim pjesë me infrastrukturë etj., por unë do kërkoja që të fillojmë me pjesë të tjera, pra, me banesa të tjera individuale, ndërkohë që bëjmë planin. Pas planit t’u japim një mundësi historike për atë zonë, që ata që kanë banesat e tyre individuale në parcelat e tyre të pranojnë një rirregullim urban, pra, banesa individuale shumë më e mirë se ajo që kanë, t’iu bëhet në një kontekst të ri urban, të krijohet një qytezë e vogël aty, tamam siç duhet, e mbledhur. Parcelat e tyre të vazhdojnë t’i përdorin parcelë për punën që bëjnë në bujqësi, apo në blegtori, pa pasur shtëpinë në mes të parcelës dhe pa pasur gjithë atë rrethim nga të katër anët me gjënë e gjallë dhe me gardhe. Nëse ju e merrni përsipër këtë, do jetë një lehtësim shumë i madh se kjo kërkon shumë komunikim me njerëzit dhe këtë nuk mund ta bëjnë as zyrtarë bashkiakë, as firma, sepse fillojnë menjëherë ato komplekset e konspiracionit. Këtë mund ta bëjmë bashkërisht vetëm ne, qeveria me ju. Padiskutim, edhe për të planin e madh, s’kemi asnjë problem. Gjëja për të cilën besoj biem të gjithë dakord, është që planprojekti dhe supervizioni duhet të jenë 100% të garantuar, se as ju s’mund të merrni përgjegjësi për ndërtime të mëdha, që nesër a pasnesër [largqoftë!] bën një gabim tjetri, e vë tullën me vrima në vend se ta vendosë të plotë dhe pëson dëme.

Arbër Hajdari, “Fundjavë Ndryshe”: Dy ide që ne kemi për këtë projekt, i pari, ne jemi gati për të nisur rikonstruktimin aty ku është nevoja. Nga verifikimet në terren që kemi bërë ne, na ka rezultuar që kemi një numër të madh banesash që kanë dalë nga shtëpitë e tyre për 2 drita, apo për 3 krisje muri dhe është një numër i madh banesash që kanë nevojë për restaurim, që këto njerëz të mund t’i kthehen jetesës që kanë pasur.

Skënder Gjinushi: Duhet të garantohet që në studimet për sizmologjinë e gjeologjinë në të ardhmen të zbatohen kodet europiane. Vlerësoj që këtë detyrë mund ta marrë Akademia e Shkencave. Ne jemi gati të luajmë rolin e organizuesin, madje të ngremë një strukturë të përkohshme. Jemi konsultuar edhe me qendrat e akademitë e rajonit. Duam të bëjmë një konferencë rajonale për këtë çështje. Kryesorja është të caktohen hartat gjeologjike që do ndërtohen në të ardhmen për ndërtimet, me të gjithë perspektivën.

Kryeministri Rama: Unë dua të përsëris dhe për fat të mirë nuk është vetëm perceptimi ose konstatimi im, perceptim që e pata që ditën e dytë kur e pashë vetë, por dua ta përsëris se tani është lajtmotivi i gjithë ekspertëve të huaj, që edhe sot që ishim me Çuçin, që ata izraelitët kanë sjellë një ekip që e kanë si ekip elitë për këtë punë, ata thonë që në raport me tërmetin që ka rënë, ndërtimet në masë të madhe kanë treguar qëndrueshmëri shumë të lartë dhe janë bërë shumë mirë. Kështu thonë ata.

Tipologjitë e ndërtimeve të dëmtuara, ka edhe ndonjë përjashtim, ta shikojmë, por tipologjitë janë tre; Janë ndërtimet me silikate, që kanë marrë më shumë goditje; Janë ndërtimet e kohës së punës vullnetare; Janë ndërtimet individuale shumë të vjetra si këto ndërtimet në Tiranë, ose banesa si ato të kohës që ndërtimi është begati, ndërto dhe zhvillohu vetë dhe janë pastaj disa prej ndërtimeve si ato të plazhit me leje për 3 dhe me shto ujë e shto miell, kanë shkuar në 5,6, 7 e 8 kate. Natyrisht, ato nuk kanë më lidhje me kodet europiane apo shqiptare të ndërtimit. Ato janë çmenduri që kanë shkelur ligjin shqiptar me super herë.

Kemi nderin dhe kënaqësinë të kemi edhe Zonjën Luljeta këtu. Faleminderit që je bërë pjesë e Komiteti dhe faleminderit për kontributin tuaj në këtë shamatë të madhe njerëzish që kanë folur shumë dhe nuk kanë ditur çfarë kanë folur, përgjithësisht kanë tmerruar popullin, duke i vënë para togës së pushkatimit ndërtuesit në Shqipëri, gjë që nuk ka asnjë bazë. Me kënaqësi ju jap fjalën.

Inxhiniere Luljeta Bozo: Më pëlqen materiali që keni përgatitur që tregon se ndiqet hapa pas hapi, në mënyrë dinamike çdo lloj problemi. Jam e lumtur që kemi pasur si gjithmonë një solidaritet në raste rreziqesh e fatkeqësish natyrore. Falenderojmë fondacionet që kanë bërë një punë fantastike për të grumbulluar fonde.

Unë kam 3 probleme. Deri tani kemi një evidentim, i cili ndoshta mund të ndryshojë pak, por nuk besoj se do ndryshojë shumë. Kjo duhet specifikuar sidomos në zonat rurale, se nëpër qytete është pothuajse i zgjidhur problemi.

Cilat janë ato godina që janë shembur fare dhe njerëzit nuk janë përjashta, janë në çadra, se gjithë kanë marrë çadra, por nuk mund ta kalojnë dimrin në çadra. Cilat janë ato që kanë dëmtime të lehta. Kjo duhet të specifikohet që të dimë sa punë kemi për të bërë. Kjo duhet bërë shpejt. Ekipet, inxhinierët, specialistët i kemi. Unë them që brenda një jave duhet ta kemi gjithë këtë pasqyrë.

Pas kësaj mendoj që duhet të bërë një plan organizimi. Duhet ta organizojë njësia vendore, se s’ka si t’i ndjekë qeveria të tëra. Njësia vendore që është atje, komuna e Petrelës, apo Vaqarit ta zëmë, do ta organizojë punën se si do fillojë. duhet të fillojë patjetër me ata që janë përjashta, në qiell të hapur e pastaj të vazhdojë radha, por duhet të ketë një plan organizimi; Objekti, ekipi, projekti, afati. Po nuk pati afate dhe njerëz përgjegjës nuk bëhet asnjë gjë, se kështu mund të flasim gjithë ditën. Ky është në qiell të hapur, këtij i kanë rënë dy penxhere apo i është çarë suvaja, nuk është kiameti i madh, riparohet, i ka rënë gjysma e shtëpisë, nuk mund të futet brenda. Të evidentohet gjithçka që gjithçka të bëhet e hapur e transparente.

Është edhe problemi i fondit, duhet ta kenë të gjithë të qartë, do ta mbulojë të gjithë shteti, apo një pjesë edhe individi. Unë them se duhet të japë edhe individi kontributin e tij. Shteti nuk ka faj që individi ka ndërtuar pa themel. Kush i tha ta bëjë pa themel, pa një teknik? Nuk po themi të marrë inxhinier. U bënë të tërë ndërtues. Unë mendoj që një pjesë të kësaj përgjegjësie duhet ta mbajë edhe nga ana financiare ai që ka shkelur rregullat e që ka dashur të bëjë si të dojë. Unë mendoj që asnjë komunë nuk duhet të pranojë rindërtim apo ndërtim nga e para pa projekt. Duhet të hiqet nga lista. Grupet e projektimit janë ofruar. Një pjesë janë ofruar ta bëjnë vullnetarisht, por të gjithë nuk e bëjnë dot vullnetarisht, se ata do jetojnë. Të regjistrohen të gjitha, të klasifikohen si janë, të mblidhet gjithë fshati e t’u thuhet këto janë ekipet që do të punojnë, ja ku e keni projektin, kaq do paguajë shtetit, kaq do paguani vetë, filloni punën. Unë këtë mendim kam, por po nuk u bë ky plan organizmi me regjistrim të saktë dhe me transparencë.

Për qytetet kam një shqetësim të madh. Ka objekte, të cilat me të vërtetë struktura duket që është shumë mirë, të pakën nga inxhinierë të zotë dhe fakti ky është, që i rezistuan tërmetit, por ka kaq shumë ndërhyrje, sa unë nuk jam më e sigurt se çfarë bëhet më vonë. Ndërhyrje duke filluar që nga heqja e mureve, deri tek heqja e arkitrarëve në godinat me tulla, sepse kanë ndërhyrë banorët, kanë hequr muret, arkitraun etj.. Këto ndërhyrje që kanë bërë banorët, se çdo bëjë hetuesia është punë tjetër. Këta që kanë bërë këtë dëm duhet të përgjigjen. Por ne duhet të bëjmë një verifikim të atyre objekteve, të cilat qëndrojnë, por kemi dyshime.

Duhet të mbyllim sa më shpejtë këtë që na ka rënë. T’i fusim njerëzit në jetë normale, se akoma kanë frikë të hyjnë në shtëpi. Le që është ai aplikacioni që shikojnë në celular, shikojnë 2.9 dalin të gjithë jashtë, por 2.9 nuk e ndjen godina. Godina ndjen mbi 4 – 4.5. magnituda, nuk çojnë fëmijët në shkollë, nuk shkojnë në punë. Edhe tek shkolla “Emin Duraku” pjesa tjetër është në rregull dhe mund të organizohet me dy turne mësimi. Duhet të veprojmë shpejt. Jemi si në kohë “lufte”. Administrata nuk mund të punojë me rimtin e shkresave, duhet të jetë shumë operative për mua.

Ligji i ndërtimit duhet patjetër të përmirësohet, se janë bërë kaq shumë shkelje, që duhet të futen në vijë, në brazdë dhe të veprojë dhe gjyqësori, sepse shumë nga këto objekte që kanë pasur probleme janë raportuar, ka shkuar Policia Ndërtimore, ka dhënë urdhër të kthehet në gjendje fillestare, i ka vënë dhe gjobë, e kanë çuar në gjykatë, gjykatësit i kanë dhënë ca para dhe kanë mbetur aty ku janë.

Kryeministri Rama: Faleminderit shumë profesoreshë! Unë do ta përsëris që këtu ligjet, me thënë të drejtën, ne i kemi shumë më të sofistikuara sesa i kanë të tjerët, por zbatimi i ligjit ka qenë problemi. Fakti që ne kemi shumë ndërtime të reja që janë absolutisht shembullore nga kjo pikëpamje, tregon se nuk është ligji problemi, edhe pse dakord jam që duhen elementë të tjerë në ligj.

Ajo që thatë në fund është A-ja dhe Zh-ja. KÇK-ja ka bërë namin me ndërtimet. Ne dimër raste konkrete që policia ka marrë sipas ligjit dhe ka ndaluar njerëz që ndërtonin për qejf të vet. Shko në gjykatë, mbaro punë dhe vazhdo ndërtimin e nuk ke çfarë i bën më. Kështu që është shumë më komplekse.

Sa i përket pagesës, unë mendoj që ne nuk mundet sot t’ju kërkojmë njerëzve që të paguajnë, por duhet t’jua bëjmë të qartë mesazhin që kjo është hera e fundit që qeveria e këtij vendi mund të paguajë të gjitha kusuret e individëve lart e poshtë. Duhet që sigurimi i banesës të bëhet i detyrueshëm, sigurimi nga fatkeqësitë të bëhet i detyrueshëm. Gjithsekush të sigurohet. Bëhet një katastrofë apokaliptikë rregullisht në Amerikë nga uraganet dhe njerëzit, përveç asaj që pësojnë se jetën nuk e mbron dot kur të vjen nga Zoti, kur thotë Elvisi, ose nga natyra kur thotë Skënder Gjinushi, por të paktën pasurinë e ke të siguruar. Faktikisht, i pashë dhe më bëri përshtypje, se janë një numër goxha i konsiderueshëm i këtyre që janë të dëmtuar – këtë do ta shikojmë tek lista -,  dhe kanë marrë rimbursimet nga sigurimet. Sigurimet kanë dhënë deri më tani 12 milionë euro. Janë 12 milionë euro që janë paguar aktualisht nga sigurimet. Ka njerëz që shtëpitë i kanë të dëmtuara, kanë qenë më të mençur se të tjerët, nuk e kanë konsideruar dëmtimin e shtëpisë dhe kokës së tyre si taksë që po e merr armiku dhe tani po marrin lekët. Praktikisht, nga çfarë pamë me listën është 25 milionë totali i siguruar. Por këtë herë nuk mund të hyjmë në këtë, sepse do të ishte shumë e pakuptueshme për shumë njerëz dhe pak e padrejtë në këtë rast, por ama mesazhi duhet të jetë i qartë, ne nuk do rimbursojmë më dëme që janë si rezultat i mosmarrjes së përgjegjësisë individuale. Të gjitha banesat në këtë vend duhet të sigurohen. Kush nuk e ka të siguruar, e merr përsipër vetë që t’i përmbytet, t’i shkatërrohet dhe nuk mund të jetë kjo, një histori që kur është puna për të përfituar individi përfiton sa të mundet, kur është puna për t’u dëmshpërblyer, apo për t’u kujdesur për veten, duhet të kujdeset shteti. Se kush është shtetit? Shteti janë taksapaguesit e tjerë, ata që nuk kanë bërë nga këto shtëpitë me tela bunkerësh.

Anëtar i Komitetit të Rindërtimit: Meqenëse kemi vënë shumë inxhinierë në dispozicion të grupeve të kontrollit të objekteve mbi qëndrueshmërinë, ka një fenomen që na ndodh në disa pallate të larta, që kemi parë që ndërtuesi apo shpeshherë banorë të caktuar kanë bërë ndërhyrje që kanë dëmtuar konstruksionin. Duhet të mendojmë në legjislacion dhe të gjejmë një zgjidhje praktike shumë shpejt, që këta njerëz të detyrohen ta kthejnë në gjendjen e mëparshme. Sepse ka shumë banorë që janë të frikësuar të banojnë sepse janë në dijeni që aty ka ca ndërhyrje që kanë dëmtuar strukturën. Kjo është gjë e bëshme dhe mendoj që të gjithë bashkë mund të arrimë shumë shpejt në një propozim dhe ta bëjmë shumë efektive këtë ndërhyrje dhe të shpejtë. E mbështes shumë iniciativën për vendosjen e eurokodeve. Është shumë e nevojshme që të vendosen në legjislacion. Dua të theksoj edhe një gjë të mirë që ka ndodhur gjithë këto vjet nga projektuesit dhe ndërtuesit, që praktikisht  është e vështirë të gjesh në Tiranë, jam i sigurt, një inxhinier ndërtimi që nuk i zbaton eurokodet. Megjithëse nuk ka qënë e detyruar, njerëzit janë  azhornuar shumë dhe i kanë zbatuar eurokodet dhe në Tiranë godinat rezistuan. Në qytete të tjera ku administratat kanë qenë pak më të buta, ku ka patur dhe varfëri më të madhe dhe ndërhyrje të forta jashtë projektit, aty u verifikuan realisht edhe dëme më të mëdha. Kështu që duhet t’i qetësojmë më shumë edhe njerëzit, që realisht godinat e larta nuk kanë asnjë lloj problemi, përveç problemit psikologjik, atij tmerrit të momentit që ndodh lëkundja, por dëme sidomos në Tiranë dhe në Durrës, aty ku kanë ndërtuar ndërtuesit e mirëfilltë, janë shumë vogla ose inekzistente.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti: Kemi marrë evidentimin e parë të të gjitha shkollave dhe sapo të kemi nga grupi i inxhinierëve akt-konstatimet e fundit, pasi kemi vetëm një rapid assessment paraprak, kur t’i kemi akt konstatimet, do të ecim pikërisht në këtë lloj mënyre. Po hartojmë, po e ndajmë në grupe pune që do t’i paraqitet shoqatës së arkitektëve, për të patur nga studiot lokale dhe inxhinierët më pas projektet në vijim. Do të bëhet pikërisht ky vlerësim dhe një vlerësim ekonomik, që do t’i paraqitet edhe Komitetit, nëse është e duhur ndërhyrja për një rikonstruksion, apo ajo për një rindërtim nga fillimi.

Kryeministri Edi Rama: Këtu unë dua të shtoj një element. Ne kemi nevojë për shumë forca, sepse për ndërhyrjet e mëdha që do të bëhen në Tiranë, në të gjitha faktikisht, që janë lagje, nuk janë shkolla apo banesa individuale, ne po punojmë me masterplanet dhe me konceptet. Por na duhen një  numër i madh njerëzish për të bërë ekzekutimin. Të bësh projektin ekzekutiv të çdo godine të një lagjeje, në qoftë se e ka një studio e vetme, ma ha mendja se duhet 6 muaj apo një vit. Ndërkohë që na duhet t’i ndajmë në segmente dhe të krijojmë grupe me inxhinierë dhe arkitektë këtu, që nën drejtimin e përgjithshëm të arkitektëve të huaj që kemi angazhuar, të mund t’i bëjmë ato ekzekutive, se ndryshe ne nuk fillojmë dot.

Ideja jonë është që tani të fillojmë me banesat individuale. Hapin e parë do ta hedhin që tani, Elvisi me Arbrin dhe me Marinin. Pastaj do bashkohemi. Ato godina individuale që ne kemi parë bashkërisht janë shumë të mira, shumë funksionale, janë revolucionare për zonën e fshatit. Se kur mendojmë fshat, nganjëherë mendojmë godinat karakteristike tradicionale, por në fakt në këto zona ku kemi prekje, bëhet fjalë për ndërtime ose shumë të vjetra, ose ndërtime të bëra rishtas, futja kot. Pra, nuk është se po prishet ndonjë tipologji, apo një traditë. Kjo fut një element ekologjik antisizmik dhe ne i bashkohemi lehtësisht këtij plani në momentin që ju keni marrëveshjen, çmimet, të gjitha. Pastaj, ne bëhemi një fuqi që në fshat e mbulojmë.

Tek ndërtimet e reja është një problem shumë i madh, problemi i kohës, si fillojmë të hapim themelet në të gjithë pikat ku duam të ndërtojmë lagjet, përjashto zonën e Laçit, ku e kemi bërë marrëveshjen me kompaninë turke. Ata kanë modulet, i kanë të gjitha se me këtë punë merren në Turqi prej shumë e shumë vitesh. Në të gjitha të tjerat na duhet shpejtësi, për të patur projektet ekzekutive. Edhe ajo e Laçit është më e mbledhur. Në total, ai projekt shkon tek 500. Ndërkohë që këtu bëhen fjalë për 3 – 4 mijë apartamente në një zonë, ose 1 – 2 mijë në një zonë tjetër, ose 3 mijë në një zonë tjetër. Bëhet fjalë për projekte masive dhe këtu na duhet një kontribut i të gjithëve arkitektëve dhe inxhinierëve shqiptarë, që janë disponibël, që të marrin pjesën e  tyre dhe natyrisht nuk bëhet fjalë që të bëhen vullnetarizma. Nuk mund t’i kërkosh një ekipi inxhinierësh që të bëjë vullnetarizëm, kur i thua do punosh 20 orë, sepse e dua projektin ekzekutiv të këtij volumi në një kohë rekord. Por puna është identifikimi dhe na duhet ndarja në grupe. Për këtë, ndoshta na ndihmoni ju, që të bëhet më shpejt.

Anëtar i Komitetit të Rindërtimit: Sot, u hap drita jeshile që të fillojë ndërhyrja tek banesat individuale. Unë si profesionist do të thoja, pa paragjykuar, janë përcaktuar procedurat ligjore për këtë? Sepse nesër do dalim në terren dhe ka shumë elementë që ligji shqiptar, jo vetëm për ndërhyrjen, por edhe pas ndërhyrjes, kërkon. A janë përcaktuar procedurat?

Kryeministri Edi Rama: Keni në një nga faqet këtu, një pasaportë hapash, procedura për rindërtim banesash në zonat rurale. Në momentin që një numër dosjesh do të vendosen në dispozicion të këtyre, për atë numër dosjesh, në bllok, do të bëhen të gjitha këto hapa.

Anëtar i Komitetit të Rindërtimit: E dyta, procedura teknike, që do të thotë, çfarë vlere, pavarësisht ndërhyrjes, nuk po flas për një dritare, nuk po flas për riparim plasaritje, por po flas për gjëra më të rëndësishme. Procedurat teknike duhet të jenë të qarta, edhe për donatorët, nëpërmjet fondit, por duhet të jenë të qarta. E treta, procedura fiskale që merr një vlerë të rëndësishme. Ai që vendos para, ai që ekzekuton punën, janë përballë ligjit, nuk janë të përjashtuar nga sistemi fiskal. Duhet të deklarojnë diku çfarë kanë bërë dhe mendoj që ky është një element i rëndësishëm për donatorët dhe për ata që do i ekzekutojnë.

Kryetari i Komitetit të Rindërtimit, Arben Ahmetaj: Një sërë elementësh janë bërë dhe u prezantuan. Besoj se në të ardhmen, për banesat që do ndërtohen në këtë, le të themi program, taksa e infrastrukturës do jetë e tepërt, nuk diskutohet. Ose në rastin e ekoshtëpive, TVSH-ja do jetë e tepërt. Jemi duke menduar 2-3 hapa fiskalë, që do t’ua prezantojmë juve dhe pastaj Komitetit që të jepet Ok dhe të ecim.

Anëtar i Komitetit të Rindërtimit: Në fund të kryerjes së punimeve, një situacion duhet të deklarohet në zyrën e taksave. Donatorët nuk e dinë këtë. E dinë ata që do e ekzekutojnë. Edhe unë kam qënë pjesë e terrenit. Nuk kam dalë nëpër medie, e kam shmangur se duke qenë ndërtues vetë, e kam konsideruar më të udhës këtë formë. Kam qenë në Kombinat në disa objekte që i kam gjetur jashtë përdorimit. Godina me tulla silikate, të ndërtuara me kontribut vullnetar, por kam qenë dhe në objektet e mia dhe në objekte të të tjerëve që i kam parë. Ajo që dua të them është, të gjithë, edhe unë kam opinion që struktura janë ndërtuar mirë nga ndërtuesit serioz, janë sjellë mirë si struktura. Ka diku më elastike, por kjo është temë që nuk mbaron asnjëherë. Deri në këtë moment, ne si ekspertë, vetëm kemi qetësuar njerëzit, ose i kemi thënë dilni përjashta. I kemi thënë mos hyni se do vijë një grup tjetër që do bëjë vlerësimin. Duhet ta dini që njerëzit presin nga ne që t’i themi çfarë do bëhet në shtëpitë e tyre. Ky është hapi më i rëndësishëm, që do përcaktojë gjithçka në të ardhmen, si në vlerë financiare, si në vlerë teknike. Se di si e ka menduar komiteti i emergjencave këtë, por ne si Komitet Rindërtimi, pa të nuk bëjmë dot asgjë.

Kryeministri Edi Rama: E folëm edhe me izraelitët sot, këtë procedurë, se ata kanë një modalitet pak më ndryshe se europianët.

Kryetar i Komitetit Ndërministror të Emergjencave, Bledi Çuçi: Është e vërtetë kjo. Faza e parë ishte për të evidentuar dhe larguar rrezikun imediat.

Kryeministri Edi Rama: Janë nxjerrë shumë të pabanueshme për të qenë të sigurt 100%, por jo se janë të pariparueshme.

Kryetar i Komitetit Ndërministror të Emergjencave, Bledi Çuçi: Paralelisht jemi marrë me strehimin e njerëzve. Kemi filluar procesin që lidhet me atë që quhet Post-Disaster Needs Assessment. Është një dokument shumë i rëndësishëm që po e bëjmë në bashkëpunim me Bashkimin Europian, me Kombet e Bashkuara dhe Bankën Botërore. Unë përfitoj nga rasti që t’i bëj thirrje që për një periudhë 10 ditore, ne të kemi një angazhim maksimal të inxhinierëve. Ne kemi përgatitur gjithë infrastrukturën. Kemi një formular të dakordësuar me partnerët. Kemi një software të zhdërvjellët, për t’i  mbledhur të dhënat në kohë reale dhe kemi infrastrukturën me tableta për gjithë grupet e inxhinierëve që do dalin në terren. Sot kemi filluar këtë ushtrim. Unë jam në përpjekje me rektorin, me drejtuesit e institucioneve që kanë inxhinierë dhe me shoqatën përkatëse, që të angazhojmë sa më shumë inxhinierë në këtë proces. Është ajo që ju thatë që ne duhet të nxjerrim nevojat dhe vlerësimin e dëmeve që janë bërë.

Kryeministri Edi Rama: Për të qenë efikas, duke qenë se objektivi i mbledhjes ishte dokumenti dhe ju falënderoj për konsideratat që shprehët, – më vjen shumë mirë, gjë që tregon se ndërkohë që unë jam në terren, kur të gjithë thonë pse vetëm ti, ku janë të tjerët, të tjerët faktikisht bëjnë punën e tyre, – patjetër do marrim në konsideratë sugjerimet për dokumentin dhe për prezantimin e dokumentit edhe tek aktorë të tjerë, siç u sugjerua këtu dhe menjëherë të garantojmë edhe pjesën e qëndrueshmërisë ligjore të procesit, për të qenë të gjithë në rregull e të sigurt, jo ne, por edhe ata që do ndërtojnë dhe ata që do marrin shtëpitë.

Ju falënderoj shumë!

Do t’ju mbajmë të informuar për këtë. Ndërkohë që nesër do kemi demon e parë të aplikacionit dhe në mbledhjen e ardhshme do t’jua prezantojmë në mënyrë më të plotë.

Shumë faleminderit për kontributin!

Punë të mbarë!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.