Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e fillimit të shtrimit të tubacioneve të TAP:

 

Përshëndetje të gjithëve!

Është me shumë kënaqësi që jam këtu sot, sëbashku me përfaqësuesit e kësaj kompanie, për të  dëshmuar edhe njëherë vlerën e shtuar që gazsjellësi i sjell vendit tonë.

“Financial Times”, në një edicion të majit të këtij viti, thekson se korridori jugor i gazit është një pjesë integrale e përpjekjeve të Bashkimit Europian për të diversifikuar burimet e energjisë dhe për të garantuar furnizim nga rajone politikisht të qëndrueshme.

Ne jemi sa me fat, aq dhe krenarë që Shqipëria është pjesë aktive në një rajon politikisht të qëndrueshëm, ku, në përmasën tonë, ne bëjmë gjithçka për të promovuar pikërisht qëndrueshmërinë politike dhe për të nxitur rritjen e qëndrueshme ekonomike të këtij rajoni.

E kemi thënë qysh në krye të herës se ky gazsjellës sjell për territorin dhe bashkësinë tonë, avantazhe të panumërta që e tejkalojnë thjesht misionin e tij bazë. Që në dy vitet e para të punimeve që vazhdojnë me një ritëm shumë të kënaqshëm, ne kemi mundur t’i konstatojmë këto avantazhe.

Mjafton të them disa prej tyre:

TAP-i ka rehabilituar afro 100 kilometra rrugë në zonat e Korçës, Çorovodës dhe Fierit.

Ka ndërtuar 2 ura të reja dhe ka rehabilituar 42 ura të tjera.

U ka dhënë punë më shumë se 1700 personave, prej të cilëve, 90% janë shqiptarë me një pagë mesatare 600 euro.

Në bashkëpunim me autoritetet shqiptare është përditësuar dhe është rritur numri i përfituesve nga shpronësimet në truallin ku do të kalojë gazsjellësi. Edhe në këtë rast dua ta nënvizoj gatishmërinë e plotë të kompanisë, për të bashkëpunuar me një përgjegjshmëri të lartë sociale. Mjafton të theksoj që sëbashku kemi plotësuar dokumentacionin për 13 mijë parcela. Në total, 17 mijë hektarë, me 25 mijë përfitues.

Me fillimin e punës për shtrirjen e tubacioneve, sot, TAP-i hyn në një fazë të re dhe shumë të rëndësishme të punimeve të tij.

Janë faktikisht 215 kilometra, përmes të cilave gazsjellësi do të përshkojë Shqipërinë.

Ajo që është më e rëndësishmja në aspektin e atyre avantazheve që ne kemi nga ky operacion i jashtëzakonshëm, numri i të punësuarve do të rritet në 4200.

Vetëm nga procesi i ndërtimit do të gjenerohen në vitin 2017, 57 milionë euro për Prodhimin e Brendshëm Kombëtar të Shqipërisë. Përfitimet nga gazsjellësi do të vijnë duke u përshkallëzuar vit pas viti, deri në momentin kur do të nisë rrjedha e gazit në vitin 2020.

Nga nisja e punës, TAP pritet të rrisë Prodhimin e Brendshëm Kombëtar me 160 milion euro në vit, ndërsa ekonomia jonë në 20 vitet e ardhshme, vetëm nga ky projekt do të përfitojë mbi 1 miliardë euro.

Ne jemi të vendosur të maksimizojmë përfitimet e këtij projekti strategjik dhe nuk duam të mbetemi vetëm të kufizuar si vendkalim i gazit të Kaspikut për në Europë. Faktikisht, dua ta ritheksoj atë që u tha edhe më parë, që kemi trashëguar një marrëveshje, e cila kishte një boshllëk të madh për përfitueshmërinë direkte dhe simetrike me vendet e tjera të rrugës ku kalon gazsjellësi, në raport me komunitetet.

I jam mirënjohës kompanisë që, edhe në këtë rast, me shumë përgjegjësi sociale nuk ka refuzuar, por, përkundrazi, ka pranuar të negociojë intensivisht me ne, për të gjetur një zgjidhje, e cila bën që edhe Shqipëria, njësoj si Greqia dhe si vendet e tjera, të marrë atë që i takonsi kontribut në aspektin social të projektit.

Jo vetëm kaq, por nga ana tjetër kemi një dokument, tanimë, gjithëpërfshirës. Këtu dua edhe një herë tjetër ta falënderoj, sepse jam i bindur që asnjëherë nuk është e tepërt në të gjitha këto raste të falënderohet publikisht ministri i Energjisë, lidershipi i të cilit ka qënë absolutisht i vendosur, por dhe ka çuar përpara me një kthjelltësi të madhe, një proces reformash dhe masash që po e transformojnë sektorin tonë të energjisë. Në këtë rast ka udhëhequr një projekt shumë të rëndësishëm, masterplanin kombëtar për gazin, duke i paraprirë një procesi transformues të gazifikimit të vendit në 20 e pastaj më shumë vitet e ardhshme.

Edhe një herë e përsëris se ne nuk duam të jemi vetëm rrugë kalimi, por duam të diversifikojmë të gjitha burimet e përfitueshmërisë nga pjesëmarrja në këtë projekt. Studimi, tanimë, i përfunduar ka parashikuar që baza kryesore e furnizimit me gaz në të ardhmen do të jetë pikërisht gazsjellësi TAP, por gjithashtu koordinuar me shfrytëzimin edhe të burimeve të tjera, që ka sot, apo që mendohet se do të ketë në të ardhmen Shqipëria. Nuk është  sekret që presim lajme të mira, edhe në këtë aspekt, nga eksplorimet që janë kontraktuar, apo janë në rrugën e kontraktimit nga ministri ynë i Energjisë.

Në masterplan është identifikuar zona kryesore e parë përfituese e gazit në Shqipëri, trekëndëshi i Ballshit-Fier-Patos. Trekëndëshi ku ne faktikisht zhvillojmë edhe këtë aktivitet. Ky masterplan e parasheh Fierin të shndërruar në një nyje nevralgjike të industrisë së hidrokarbureve dhe gazit në vendin tonë dhe gjithë këtë trekëndësh e sheh si një motor industrial të vendit.

Një projekt tjetër imediat që është përcaktuar qartë në masterplan është rikthimi në punë i termocentralit të Vlorës, përmes furnizimit të tij me gaz. Një gërmadhë që si shumë gërmadha të tjera, me kosto të lartë, e trashëgojmë nga qeveria e mëparshme, për të cilën paguajmë një kosto operacionale të kotë, por të detyrueshme, prej 1.2 milionë dollarë në vit, për një investim të bërë në vite, që i ka kushtuar qytetarëve shqiptarë dhjetëra miliona dollarë kredi dhe që jo vetëm nuk ka hyrë në punë, por, përkundrazi, vazhdon ha paratë për shkak se nuk është as i përfunduar dhe as i operuar. Termocentrali i Vlorës do të vihet në punë dhe do të përfitojë nga kjo vepër, furnizimin e vet me gaz.

Në masterplan janë përcaktuar edhe hapa për gazifikimin hap pas hapi të Shqipërisë, çka do të bëjë që në harkun e 20-25 viteve, nevoja për ngrohje dhe gatim në vend të mbulohet nga gazi. Them në harkun e 20-25 viteve, sepse bëhet fjalë për një transformim kapilar dhe rrënjësor të të gjithë sistemit të funksionimit energjetik të organizmit të vendit tonë, qoftë për industrinë, qoftë për konsumatorët tonë familjarë. 25-30 vjet janë të domosdoshëm për të pasur një shtrirje të plotë kapilare në të gjithë territorin. Ndërkohë kjo histori do të nisë paralelisht dhe me t’u vënë gazsjellësi në punë, do të fillojnë të ndërtohen modelet që pastaj do të shtrihen hap pas hapi në të gjithë territorin.

Nga ana tjetër, ne jemi të vendosur që të ndajmë përfitimet e gazsjellësit TAP me sa më shumë vende të rajonit, si një mënyrë për të promovuar zhvillimin ekonomik dhe atë qëndrueshmëri politike që nënvizohet si shumë e rëndësishme në funksionimin e këtij projekti të madh kontinental.

Procesi i bashkëpunimi midis nesh si pjesë e Ballkanit dhe Bashkimit Europian, i nisur në Berlin në vitin 2014, ka hapur një epokë të re dhe në Samitin e Parisit në korrik si pjesë këtij procesi, ne hodhëm një hap të mëtejshëm dhe të rëndësishëm konkret, përsëri me nxitjen e Shqipërisë, për të realizuar gazsjellësin Adriatiko-Jonian, duke e lidhur Shqipërinë me Malin e Zi , Bosnjë Hercegovinën dhe falë këmbënguljes sonë, edhe Kosovën. Në këtë kuadër, i një rëndësie të veçantë ishte nënshkrimi, në gushtin e kaluar, i një memorandumi mirëkuptimi që vendos bazat për të çuar punën e përbashkët përpara për gazsjellësin e ri Adriatiko-Jonian, nga ministrat e energjisë të 4 vendeve ku do të kalojë ky gazsjellës.

Një tjetër projekt prioritar dhe shumë i rëndësishëm është pikërisht degëzimi në Kosovë dhe pas përfundimit të linjës së tensionit të lartë midis Shqipërisë dhe Kosovës, kompletimi i këtij projekti do të krijojë përfundimisht, një hapësirë unike energjetike mbarëshqiptare, të integruar brenda rrjeteve energjetike ballanike dhe europiane.

Përmirësimi i kushteve të kontratës ka qënë në fokusin tonë që ditën e parë që kemi ardhur në qeveri, ku faktikisht kemi pasur në duar këtë potencial të madh, por dhe një kontratë, sinqerisht, të shkruar nga ana jonë, qeveria paraardhëse, symbyllur, pa asnjë lloj simetrie me vendet e tjera. Nga muaji prill, ne kemi diskutuar me përfaqësuesit e TAP-it, mbi bazë evidencash konkrete, dallimet midis marrëveshjes së TAP-it me Shqipërinë dhe marrëveshjes së TAP-it me Greqinë, ku kemi marrë një shembull konkret sesi marrëveshja mund të funksiononte më mirë. Pa hyrë në detaje, sepse negociatat nuk janë mbyllur, por e përsëris edhe një herë, u jam shumë falënderues përfaqësuesve të TAP-it për gatishmërinë, për përgjegjësinë sociale dhe për sensin shumë pozitiv që kanë treguar në raport me Shqipërinë dhe unë dua të besoj se ky sens shumë pozitiv lidhet edhe me diçka tjetër, që është një tjetër provë e faktit që ne po ndërtojmë një shtet që funksionon.

Pavarësisht nga gjithë çfarë gatuhet, çfarë përzihet dhe çfarë i ofrohet publikut prej kazanit të mediave lidhur me funksionimin e shtetit, ajo që unë kam dëgjuar dhe që u tha edhe këtu nga goja e përfaqësuesve të TAP-it është se, nëse Shqipëria ishte para fillimit të punës për projektin, pikëpyetja mbi sa efecientë do të ishte qeveria Shqiptare dhe sa në gjendje do të ishte pala shqiptare për të organizuar gjithë këto ndërveprime dhe për të mos ndikuar për arsye paaftësie dhe mungese koordinimi, apo histori që ne i dimë shumë mirë se kanë ndodhur në Shqipëri, me mbarëvajtjen e projektit, sot Shqipëria për ën një partner model. Model për mënyrën se si bashkëpunon, si koordinon dhe si e garanton vijueshmërinë krejt normale të projektit.

Nuk ka projekt pa probleme dhe jo më një projekt i këtyre dimensioneve ku ka kaq shumë ndërveprime, por e sigurt është që ky projekt s’ka pasur asnjë moment serioz ngecjeje për shkak të burokracisë, për shkak të historive të njohura e të trashëguara, apo për shkak thjesht paaftësisë së strukturave tona për t’iu përgjigjur në kohë reale, me profesionalizëm, palës tjetër që ka padyshim, kompetenca të larta dhe profesionalizëm shumë të spikatur.

Është një projekt ku edhe ne, njerëzit e përfshirë në të po mësojnë shumë, është një projekt që përveç tubave, gazit, përmirësimeve të infrastrukturës, kontributit financiar, mjedisor etj. sjell dije për njerëzit tanë, për ekspertët, për punonjësit,  kualifikon krahun e punës dhe bën që përfitueshmëria të jetë shumë dimensionale.

Nuk besoj se i mbetet hatri përfaqësuesve zyrtarë të TAP-it, nëse unë nuk do ta mbyll me falënderimin për ta, pasi e bëra për ta, por një falënderim shumë të sinqertë për gjithë punonjësit shqiptarë në këtë operacion kaq të ndërlikuar. Për ne, vërtetë është kënaqësi, jo vetëm që punonjësit shqiptarë të përfshirë në këtë projekt, – numri i të cilëve në vitin 2017 do të shkojë nga 1700 aktualë në faktikisht 4200, – paguhen mirë, por edhe fjalët për ta, janë më të mirat nga kompania. Një e vërtetë e thjeshtë që dëshmon se ka një potencial të madh njerëzor, i cili ka nevojë për përkujdesje, për kualifikim, për mirëtrajtim për të bërë më të mirën e vet. Kështu që shumë faleminderit punonjësve shqiptarë, nga nivelet më të larta tek niveli i punëtorëve të mirë të krahut.

Unë përgjithësisht flas gjatë, por sidomos kur duhet të flas për gjëra kaq pozitive, dëshira për të folur edhe më gjatë është shumë më e fortë, prandaj po e ndërpres këtu dhe mirënjohje, ju uroj të gjithëve punë të mbarë dhe sukses në çdo ditë dhe asnjë sekondë ngecje për shkak të palës shqiptare.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.