Deklaratë e Zëvendëskryeministrit, znj Ledina Mandija: “Garantoj se Task Forca do të përmbushë misionin e saj për një proces zgjedhor të qetë, të lirë dhe të ndershëm.”
Duke marrë shkas nga keqkuptimet e krijuara ditët e fundit lidhur me rolin e Task – Forcës, të krijuar me vendimin nr.473, datë 1.6.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017”, dhe në respekt të frymës së bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit institucional të domosdoshëm gjatë periudhës parazgjedhore, Zëvendëskryeministi, znj. Ledina Mandija, në cilësinë e kryesuesit të Task – Forcës, dëshiron të sqarojë opinionin publik se qëllimi kryesor i krijimit të Task – Forcës është koordinimi ndërinstitucional i punës, në funksion të zhvillimit të një procesi zgjedhor të drejtë dhe të qetë.
Në këtë kontekst, Task – Forca monitoron zbatimin e rregullave ligjore në fuqi nga administrata shtetërore dhe rastet e parregullsive në listat zgjedhore, kurdoherë në funksion të respektimit të të drejtave të njeriut gjatë procesit zgjedhor.
Në rastet kur nga monitorimi konstatohen raste të sjelljeve apo veprimeve të kundërligjshme, të cilat cenojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, Task – Forca do të procedojë me njoftimin e institucioneve kompetente ligjore për ndjekjen e mëtejshme të çështjes, sipas dispozitave ligjore në fuqi.
Zëvendëskryeministri përfiton nga rasti për t’u bërë thirrje të gjithë punonjësve të administratës publike që të jenë në lartësinë e duhur që kjo situatë kërkon, duke përmbushur me profesionalizëm dhe paanësi detyrat funksionale që u ngarkon ligji, jashtë çdolloj ndikimi politik.
Znj. Mandija siguron opinionin publik se është dhe do të jetë e vendosur për të përmbushur deri në fund misionin për garantimin e zhvillimit të një procesi zgjedhor të qetë, të lirë dhe të ndershëm.