Më shumë se 300 mijë qytetarë shqiptarë i janë përgjigjur pyetësorit të Këshillimit Kombëtar, në të cilin Qeveria Shqiptare iu adreson 12 pyetje me rëndësi strategjike për zhvillimin e vendit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama njoftoi se “deri mbrëmë në orën 20:00, në pyetësorin e Këshillimit Kombëtar janë përfshirë 300,019 qytetarë, duke iu dhënë përgjigje 12 pyetjeve të këtij kuvendimi popullor”.
Kreu i Qeverisë falenderoi të gjithë qytetarët që janë përfshirë në pyetësor duke i garantuar se opinioni i tyre do të dëgjohet me respekt.
“Këshillimi Kombëtar vazhdon duke dhënë opinionet tuaja përmes platformës www.keshillimikombetar.al apo kthyer me postë pyetësorët e plotësuar”, shkruan Rama.
Më herët, Kryeministri theksoi se Këshillimi Kombëtar është një shprehje e re e vullnetit të mirë për t’i përshirë në vendimmarrjet e qeverisë të gjithë qytetarët shqiptarë.