Të gjithë bashkë, për një Natë të Bardhë dhe të bukur!

Ministrja e Kulturës Znj. Mirela Kumbaro njoftoi sot për publikun axhendën e një serie aktivitetesh kulturore dhe artistike që do të zhvillohen në Tiranë në kuadër të “Natës së Bardhë”, më 29 Nëntor, e organizuar nën kujdesin e veçantë të Qeverisë dhe konkretisht Ministrisë së Kulturës.

“Nata e Bardhë”, – tha Kumbaro, – “vjen si koncept i një përpjekjeje për të sjellë artin pranë njerëzve në hapësirat publike”.

Në përgjigje të interesit të medias, Ministrja theksoi se “nuk ka buxhet ekstra për këto aktivitete”.

 

Më poshtë, vijon e plotë deklarata e Ministres së Kulturës Znj. Mirela Kumbaro:

Jam këtu për të bërë të ditur për publikun dhe kam kënaqësinë të njoftoj organizimin e Qeverisë shqiptare dhe konkretisht Ministrisë së Kulturës të “Natës së Bardhë”.

“Nata e Bardhë” është tashmë një nismë e njohur për kryeqytetin e Shqipërisë dhe për të gjithë banorët e saj, të përhershëm dhe të përkohshëm.

“Nata e Bardhë” vjen si koncept i një përpjekjeje për të sjellë artin pranë njerëzve në hapësirat publike. Një ngjarje që ndodh e gjitha në dhjetë orë, me një qëllim për të krijuar art të kuptueshëm për audiencë sa të madhe, duke frymëzuar dialogun dhe angazhimin e publikut për të kuptuar rëndësinë e kësaj audience, por edhe duke e ndjerë atë drejtpërsëdrejti në hapësirën publike dhe jo vetëm në sallat e mbyllura. Është një ngjarje e lirë që inkurajon festimin dhe angazhimin e komunitetit.

Për një natë të tërë, hapësirat e qytetit do të shndërrohen në ekspozita të përkohshme arti.

Për një natë do të jemi ëndërrimtarë në një qytet që na bashkon të gjithëve, fëmijë, të rinj, të moshuar, të të gjitha moshave.

Do të jemi të gjithë bujtës, të njohur e të panjohur, strehuar në një natë të gjatë që do t’i shohë artet si vende komunikimi të qytetit tonë të përbashkët, brenda sallave, në hollet e tyre, në Teatrin e Operës dhe Baletit, në Cirkun e Tiranës, në Teatrin e Kukullave, në Muzeun Historik Kombëtar, në Galerinë e Arteve, në Teatrin Kombëtar.

29 Nëntori na sjell një natë të gjatë, ku qyteti, rrugët, sheshet, institucionet e artit, baret dhe restorantet do të gjallojnë nga aktivitetet e artit, shfaqjet, instilacionet, filmat, klounët, duke e kthyer “Natën e Bardhë” shqiptare në një event kulturor që e afron Tiranën me shumë qytete evropiane.

Për herë të parë në Tiranë do të jetë “Nata e Gjatë në Muze”.

Konkretisht për këtë, Galeria Kombëtare e Arteve për të parën herë e bashkon Tiranën me 120 qytete evropiane, të cilat kanë tashmë traditën e “Natës së Muzeve”, e praktikuar kjo që nga viti 1997. Natë që ka pasur kudo shumë sukses dhe që në këtë traditë i bashkohemi edhe ne në natën e 29 Nëntorit. Gjatë kësaj nate, vizitorët në Galerinë e Arteve do të kenë mundësi të shikojnë falas ekspozitat dhe shfaqje të tjera të bashkëlidhura për këtë natë të veçantë. Piktura, skulptura, videoarti, arti alternativ, muzika dhe festa shqiptare do të jenë të prekshme si për ata persona që vijnë për herë të parë në të tilla ngjarje, por dhe për turistët e huaj të cilët ndodhen në Tiranë. Në këtë mënyrë, për Galerinë e Arteve “Nata e Bardhë” kthehet në “Nata e Gjatë e Muzeve”, ku do t’i bashkohen edhe aktivitete të organizuara nga Muzeu Historik Kombëtar.

Qendra Kombëtare për Fëmijë ofron një “Natë të Bardhë” për fëmijët dhe prindërit e tyre. Por, dua të theksoj këtu që do të jenë edhe hapësira të tjera, jashtë institucioneve, siç janë rrjeti i kinemave “Imperial” që ofron filma me çmime të reduktuara, si dhe të gjitha baret dhe restorantet, të cilat do të kenë etiketën e “Natës së Bardhë”, ofrojnë një jetë të larmishme dhe të gëzueshme gjatë orëve të natës, me çmime të favorshme edhe nën kosto.

Le të jemi së bashku në një “Natë të Bardhë” ku kryefjalë do të jenë dy:

ARTI dhe  NJERIU!

Le t’i falim njëri-tjetrit  një pakt dashurie për t’u ndjerë se jemi pjesë e Familjes Evropiane e për të kuptuar se: Qyteti im është qyteti më i bukur në botë! Sidomos, atë natë.

Pra, ju ftojmë të gjithëve në “Natën e Bardhë Muzeale”, në “Natën e Bardhë të Teatrit”, në “Natën e Bardhë të Cirkut dhe të Kukullave”.

Të gjithë bashkë, për një Natë të Bardhë dhe të bukur!

Faleminderit!

 

Në përfundim të deklaratës, Ministrja Kumbaro iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve:

 

–          Zonja Ministre, po përsa i përket 28 Nëntorit që është edhe 101-vjetori i Pavarësisë, a është menduar ndonjë aktivitet?

Patjetër! 28 Nëntori, që është dita e 101-vjetorit të Pavarësisë, është Ditë e Flamurit dhe për këtë Qeveria dhe Kryeministri kanë organizuar një agjendë të posaçme në Vlorë. Zyra e Komunikimit do t’jua bëjë të njohur këtë agjendë, e cila ka, padiskutim, në qendër të vëmendjes një datë të pashlyeshme dhe që në 101-vjetorin, në 102-vjetorin dhe në të gjithë vitet që do të pasojnë, i mbetet kryeqytet Vlora.

 

 –          Zonja Ministre, cili është buxheti që do të përballojë Natën e Bardhë?

Është një buxhet i organizuar brenda buxheteve të institucioneve. Nuk kemi buxhet ekstra për këto aktivitete, sepse e gjitha është organizuar me forcat ekzistuese të burimeve njerëzore dhe të burimeve materiale që kanë institucionet e artit brenda buxhetit të Ministrisë së Kulturës.