Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancë plenare në Kuvend:

Dua të sjell në vëmendje të publikut një shembull kuptimplotë të asaj që është dyfytyrësia e përditshme e atyre që sot mungojnë këtu, edhe pse Teatrin Kombëtar e kishin lancuar si kalin e tyre të betejës. Mungojnë sepse kanë shkuar në Vlorë, për të dëshmuar sesi po digjet Vlora.

Koha shumë shpejt do të na japë provën, nëse Vlora po digjet, apo nëse Vlora po ecën në rrugën e rilindjes së saj të pakthyeshme, mjafton të kemi durimin dhe të presim edhe muajt që na ndajnë nga zgjedhjet e ardhshme. Ndërkohë që për këdo që ka ngenë të ndjekë shifrat dhe ta bazojë gjykimin në fakte, mjafton të shohë sesi ishte situata e kriminalitetit në Vlorë, vetëm 5 vite më parë, me shifra dhe si është sot. Nata me ditën! Sigurisht që nuk është një ditë me diell. Ka ende shumë për të bërë, por është ditë, nuk është më natë.

Ajo që më nxori këtu është një shkresë, të cilën Florian Mima, ministër i Ekonomisë, ia dërgon Lulzim Bashës, kryetar i Bashkisë. Dhe çfarë i kërkon?

I kërkon privatizimin e Teatrit të Metropolit, (Teatri i Estradës – shënon Floriani) – për llogari të deputetit Astrit Veliaj. I vetmi aset kombëtar në dispozicion të Bashkisë së Tiranës, i transformuar nga një kafene e degraduar në një teatër të Metropolit, përpara sesa Lulzim Basha të shkonte në bashki, çohet për privatizim, jo për Partneritet Publik Privat, as për të ndërtuar një Teatër të ri të Metropolit në këmbim të një kontributi të Zotit Veliaj dhe në funksion të një përfitimi legjitim edhe të Zotit Veliaj, pasi të investonte për Teatrin e ri, por privatizim për të ndërtuar pallat. Pallat me dyqane dhe me dhoma gjumi.

Natyrisht që estrada është domain ekskluziv i Partisë Demokratike dhe është absolutisht e drejta legjitime e Lulzim Bashës, e Florian Mimës dhe e të gjithëve me radhë në atë oborr që për estradën të kenë fjalën e fundit. Por në rastin konkret jemi përpara një shembulli nga qindra e mijëra shembuj që mund të nxjerrim, për të ballafaquar fytyrën e tyre kur flasin, me fytyrën në pasqyrën e fakteve të punës së tyre, që tregon sesa hipokrite është e gjithë përpjekja e tyre. Është hipokrite kur bërtasin për të mbrojtur Teatrin Kombëtar, një godinë e marrë fund, që vetëm Teatër nuk mund të jetë dhe as monument kulture nuk mund të konsiderohet. Ndërkohë që, po ju jap një shembull, e ka skenën 8 metra të gjerë. E dini sesa është gjerësia e skenës së Teatrit të ri të Turbinës? 24 metra. 8 metra e ka Teatri Kombëtar. Edhe sikur të merrnim hipotezën që do të mund të restaurohej, gjë që është e pamundur dhe e panevojshme, përsëri do të kishim një skenë prej 8 metrash, – vatër kulture, – në rastin më të mirë.

Ndërkohë që shqiptarët duhet thjesht dhe vetëm të bëjnë dallimin midis nesh, që një pronë publike të kthyer në një gërmadhë, të cilës nuk i referohet askush, në mes të qytetit, pa e cenuar një metër katror, do ta kthejmë në një prej teatrove më të bukur dhe më modern të rajonit. Mjafton të shohin stadiumin e ri, ata që kanë nevojë të prekin për të besuar dhe atyre që një Teatër Metropoli kishin në dorë dhe e kthyen në subjekt të skeçit të estradës së tyre pafund.

Ata mund të vazhdojnë estradën dhe të vazhdojnë të gënjejnë ata, të cilët ua kanë deleguar të drejtën për të menduar dhe i marrin pa i menduar fare, kallëp, ato që dëgjojnë nga goja e tyre. Ndërkohë që ne do të vazhdojmë të shkojmë përpara, me vendosmëri dhe do t’i thyejmë te gjitha këto barriera që ngrihen mes nesh dhe njerëzve në një përpjekje të dëshpëruar për të dëshpëruar njerëzit, duke pasur të gjithë vëmendjen tek njerëzit dhe duke folur me gjuhën e fakteve dhe të provave konkrete.

Janë po ata që vunë kujën, kur u shemb Stadiumi i vjetër Kombëtar dhe do të jenë po ata që do të vënë kapele, syze, shall, pallto në verë, që të mos i njohin kur të vijnë të ndjekin ndeshjes e kombëtares sonë.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.