Kryeministri Edi Rama inspektoi një tjetër kantier pune, të zhbllokuar së fundmi, për ndërtimin e rrugës turistike buzë liqenit Lin-Pogradec. Edhe në këtë inspektim, qëllimi ishte njohja me problematikat jo të pakta në zbatim të projektit dhe nxitja e përshpejtimit të punimeve dhe siç u shpreh Kryeministri: “Të avancojmë me shlyerjen e borxheve për të mbyllur punimet, ndërsa kompania të punojë me kapacitet të plotë 2 dhe 3 turne.”
Ndërtimi i këtij segmenti, 17.5 kilometra, ishte ndërprerë, si dhe shumë segmente të tjera në mbarë vendin, prej disa muajsh për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve ndaj firmës ndërtuese. Puna ka rifilluar pas garancisë së qeverisë për të marrë përsipër dhe shlyer detyrimet e akumuluara ndaj kompanive ndërtuese të veprave publike.
Kryeministri Edi Rama, pasi rishprehu këtë garanci, adresoi veçanërisht një problematikë shqetësuese, cilësinë e projekteve, të cilat, siç theksoi ai, nuk respektojnë as standardet urbane dhe as ato mjedisore. Një problematikë të tillë, Kryeministri e ndau edhe me ndërtuesit dhe theksoi se projekti do të rishikohet bashkërisht, me qëllim përmirësimin e standardeve të tij.
“Përsa na takon, ne do të marrim të gjithë përgjegjësinë tonë, do rishohim projektin bashkë me ju për të shqyrtuar të gjithë elementet që mungojnë. Projektin ta rishikojmë në ato pika ku edhe ju ku keni konstatuar probleme me të, por edhe ku kemi konstatuar ne probleme, se këto projekte janë të bërë kështu ‘lësho viza’ dhe pastaj hajde këtu, e shkatërro natyrën. Kjo s’mund të vazhdojë kështu. Por, ndërkohë e rëndësishme është që jemi në kohë që mund të rikuperojmë gjërat, si dhe t’u japim fund të gjithë këtyre tentativave për të ndërtuar në të dy anët e rrugës,” – u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Rama e konsideroi këtë një segment shumë të rëndësishëm turistik, me rëndësi të shtuar veçanërisht në muajt e sezonit veror, ndaj kërkoi rritjen e ritmeve të punës, përpos respektimit të standardeve dhe kthimit të saj në një tjetër shembull të modelit të ri në infrastrukturë.
“Pjesa kryesore është ajo që ju të keni mundësi të mos ndërprisni punën dhe ta rrisim ritmin e punës, se kjo është rrugë shumë strategjike. Kjo rrugë i tmerron të gjithë, kur kalojnë këtu, aq më tepër në verë. Kjo rrugë është me rëndësi shumë të madhe për ne. Ne do bëjmë çmos që ta shtyjmë punën këtu. Ne duhet ta kthejmë këtë rrugë në një model ekselence, se është rrugë shumë e rëndësishme turistike,” – u shpreh Kryeministri.
Lin-Pogradec është Loti 2 i segmentit rrugor Qafë Thanë-Pogradec që financohet nga buxheti i shtetit.
Kryeministri Rama shoqërohej në këtë inspektim nga Zëvendëskryeministri Niko Peleshi.