Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

“Jemi në një luftë për identitetin tonë kombëtar dhe për krenarinë kombëtare,” ka vlerësuar Kryeministri Edi Rama, ndërsa shprehu falenderimin dhe mirënjohjen për strukturat e Policisë së Shtetit për kryerjen e operacionit të jashtëzakonshëm për sekuestrimin e veprave të artit të vjedhura. Rama theksoi se kjo betejë vetëm sapo ka nisur, pasi trashëgimia jonë kulturore është në një rrezik, si askund tjetër.

Kryeministri Edi Rama, shoqëruar nga Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, pa sot nga afër, në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve, këto vepra e arti të sekuestruara nga Policia e Shtetit.

 

Fjala e Kryeministrit Rama, në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve:

Jemi këtu për t’i dhënë të gjithë rëndësinë që ka këtij operacioni të jashtëzakonshëm, që është operacioni më i madh antitrafik në këtë fushë, i zhvilluar në të gjithë këto vite batërdie, rrënimi, shkatërrimi të trashëgimisë sonë kulturore dhe falenderimi për ata që e mundësuan kapjen e kësaj bande apo kësaj bërthame banditësh të veprave të artit. Nga ana tjetër, është e domosdoshme të theksohet se kjo betejë vetëm sapo ka nisur, pasi siç e tha edhe Ministrja e Kulturës, trashëgimia jonë kulturore është në një rrezik, si askund tjetër. Shqipëria është në mes të Evropës, ne i themi vetes me të drejtë evropianë, qytetarët e këtij vendi e dëgjojnë përditë propagandën e integrimit evropian prej kaq shumë vitesh dhe në ndërkohë, nën këmbët tona po shkatërrohen themelet e identitetit tonë evropian, e identitetit tonë kombëtar, e identitetit tonë qytetar.

Ajo çka e bën Shqipërinë evropiane, çka e bën Shqipërinë atdheun e të gjithë shqiptarëve dhe çka i jep kombit tonë identitetin e vet, është pikërisht aty, tek trashëgimia jonë kulturore, tek ajo çka kemi trashëguar nga të parët tanë dhe jo tek propaganda politike e përditshme dhe as te fjalimet dhe përbetimet për integrimin evropian. Fakti që një thesar i këtyre përmasave, i barabartë me një muze, deri mbrëmë ishte në duart e keqbërësve dhe rrezikonte fatin e shumë thesareve të tjera, që tanimë kanë dalë nga kufijtë e Shqipërisë, flet vetë për gjendjen alarmante, skandaloze dhe të papranueshme të sigurisë në vend, jo vetëm për jetën e njerëzve, jo vetëm për pronën e qytetarëve, as dhe vetëm për pronën publike si territor, por për këtë pasuri të paçmuar, që nuk zëvendësohet dot me asgjë.

Unë u jam, sinqerisht, mirënjohës të gjithë atyre që morën pjesë në këtë operacion edhe për një arsye tjetër, që dua ta ndaj këtu me ju, pavarësisht se marrin një rrogë shumë modeste, pavarësisht se punojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira, pavarësisht se asnjëherë deri më sot nuk janë respektuar sa duhet për sakrificat dhe për punën e tyre, nuk janë tunduar përpara këtyre vlerave marramendëse monetare dhe materiale, por i kanë shërbyer atdheut të tyre, i kanë shërbyer shtetit të tyre, i kanë shërbyer misionit të tyre. Ata janë një shembull për të gjithë ne. Janë një shembull për sesi duhet të funksionojë policia e këtij shteti, Policia e Shtetit shqiptar që do t’i shërbejë Shqipërisë, do t’i shërbejë shqiptarëve.

Ky, jam i bindur është një fill që sapo është kapur dhe në vijim ne do të vazhdojmë intensivisht luftën për ta mbrojtur dhe për ta siguruar njëherë e mirë trashëgiminë tonë kulturore. Është rrënqethëse të shikosh sesi janë shkulur muret e kishave dhe të kesh këtu dëshmi nga këto shkulje, gjë që tregon nga njëra anë se në çfarë barbarie jetojmë dhe çfarë barbarie përjeton trashëgimia jonë kulturore, por nga ana tjetër dhe se thika e krimit ndaj trashëgimisë kulturore ka vajtur në kockë. Tanimë edhe muret po shkulen, sepse shumëçka tjetër është grabitur dhe është zhdukur.

Jemi këtu, të gjithë së bashku, bashkë me Ministren e Kulturës dhe Ministrin e Brendshëm, për të përcjellë një mesazh shumë të qartë dhe shumë të fortë. Një mesazh që prek të dyja skajet, skajin e kulturës dhe skajin e rendit dhe të sigurisë, për t’u kërkuar qytetarëve solidaritetin maksimal në kushtet e kësaj lëngate të madhe të vendit tonë; e kësaj lëngate të madhe të trashëgimisë sonë kulturore, e kësaj lëngate të madhe të një shoqërie që thuajse e ka harruar prej kohësh se ky vend, Shqipëria, është vendbanimi ynë i përkohshëm, por është vendbanimi i përjetshëm i shqiptarëve dhe është vendbanimi i fëmijëve, i fëmijëve të fëmijëve dhe i brezave që vijnë, të cilëve ne u detyrohemi atdheun që na kanë lënë të parët tanë, atdheun e këtyre thesareve që nuk mund më të çatdhesohen me dhunë, dhe duhet me patjetër të mbrohen dhe të garantohen. Prandaj, çdo qytetar është i lutur që të sinjalizojë menjëherë Policinë e Shtetit për çdo rast, madje dhe për çdo dyshim lidhur me veprimtari kriminale në dëm të kësaj pasurie të madhe që e bën Shqipërinë, Shqipëri, që i bën shqiptarët, shqiptarë.

Ne jemi shumë të vegjël dhe shumë të varfër krahasuar me shumë të tjerë, por nëse ne humbasim edhe këtë pasuri, nëse ne lejojmë që edhe ky thesar i madh të shkojë duke u tretur dhe në fund të shuhet fare, ne do të jemi jo vetëm të vegjël dhe të varfër, por ne do të jemi askushi në mes të Evropës. E sot, ata që dje i dhanë jetë këtij operacioni deri në orët e vona të natës, duhet të ndihen shumë krenarë për atë që kanë bërë. Unë nuk e di sesa raste ka dikush në jetë që falë punës së tij në shërbim të shtetit të bëjë një gjë kaq madhështore, por me siguri ajo që kanë bërë njerëzit që kanë marrë pjesë në këtë operacion është diçka absolutisht madhështore. Për këtë unë ju përulem me mirënjohje, ashtu siç i përulem me mirënjohje të gjithë efektivave të policisë, që në kushte skandaloze dhe në vazhdën e një keqtrajtimi dhe një përbuzjeje të gjatë që kanë përjetuar nga gjithfarëlloj drejtuesish politikë dhe nga gjithfarëlloj sekserësh që e kanë dominuar jetën e Policisë së Shtetit me mbështetje politike, vazhdojnë të japin sot e gjithë ditën një kontribut të jashtëzakonshëm.

Me mirënjohje, me falenderim, me respekt dhe njëkohësisht me lutjen që kjo ndodhi dhe ky operacion të marrë të gjithë jehonën e duhur, jo thjesht sepse është lajmi i ditës së sotme, por sepse është momenti për t’i përçuar të gjithëve qoftë mesazhin e alarmit, qoftë mesazhin e shpresës; i falenderoj edhe të gjithë ata që sot janë këtu të pranishëm për ta përcjellë këtë lajm kaq të rëndësishëm dhe për të na ndihmuar që t’u themi qytetarëve se jemi në një luftë për identitetin tonë kombëtar dhe për krenarinë kombëtare, të mbështetur jo tek pallavrat e propagandës, por tek ajo që kemi qenë në shekuj, tek ajo që duam të jemi në shekujt që vijnë.

Ju falënderoj me gjithë zemër të gjithëve!

Faleminderit!

 

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri falenderoi Policinë e Shtetit për këtë aksion të shkëlqyer, në mbrojtje të vlerave të trashëgimisë kulturore të vendit tonë dhe të të gjithë rajonit.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro u shpreh se “ky është një nga operacionet e para të 100-ditëshit, për të ndërtuar ura bashkëpunimi midis dy institucioneve: të trashëgimisë kulturore dhe të ruajtjes së rendit dhe sigurisë.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.