Fjala e kryeministrit Edi Rama në takimin me Kryetarët e bashkive për problematikën e sektorit të furnizimit me ujë:
Përshëndetje të gjithëve!
Sot këtu jemi tre palë, jemi ne si përfaqësues të qeverisë, ju si përfaqësues të pushtetit vendor dhe në rreshtin mes nesh, janë ata të cilët e kanë shoqëruar këtë proces investimesh në ujësjellës, në rolin e partnerëve të vendit tonë.
Këtu kam një tabelë për investimet e bëra nga qeveria shqiptare, nga viti 2014 dhe njëkohësisht dhe të vendosura aktualisht deri në vitin 2013 ku hyjnë fondet e buxhetit të shtetit, hyjnë dhe fondet e akorduara nga partnerët, të cilat ju kujtoj, janë kredi që duhen paguar dhe shuma që qeveria shqiptare me këto dy burime ka vënë në dispozicion të transformimit rrënjësor të sektorit të ujit, është mbi 1 miliard euro dhe që të jemi të saktë fare për “mbi”-në, ajo është faktikisht 1 miliard e afro 200 milionë euro.
Unë këtu kam tre pyetje për ju të gjithë si kryetar bashkish. Pyetja e parë është, a jeni ju në dijeni të performancës së ujësjellës kanalizimeve në bashkinë tuaj? Të shërbimit që ndërmarrjet e ujësjellësve ofrojnë për qytetarët?
E dyta, ju a i keni parë ndonjëherë vetë raportet që pastaj i ktheni këtu, ia jepni qeverisë si vetëdeklarime për performancën, me të gjitha të dhënat për orët e furnizimit, normën e faturimit, normën e arkëtimit, numrin e punonjësve, krahasuar me standardet për shembull, e keni parë ndonjëherë që është përtej çdo logjike, jo standardi, logjike.
Dhe pyetja e tretë është, sa fonde keni alokuar ju nga buxheti i bashkisë për furnizimin me ujë?
Natyrisht, këto janë pyetje retorike të gjitha sepse faktet flasin vetë dhe fakti i fundit që ishte si pika që ka përmbysur këtë kupë, është fakti që ne rrisim investimet, ju rrisni humbjet dhe pastaj janë qytetarët që me të drejtë ankohen sepse rritja e investimeve nuk mund të përkthehet në rritje të humbjeve. Rritja e investimeve duhet të përkthehet në një shërbim shumë më të mirë për qytetarët e natyrisht shërbimi më i mirë për qytetarët duhet të përputhet me një ulje të humbjeve e me një sens përgjegjësie për atë gropë që i është hapur mu në zemër këtij shteti nga keqadministrimi i ujit për 30 vjet, e cila nuk mbyllet dot menjëherë, por e cila në nivelin e administrimit të pushtetit vendor, nuk po jep shenja që ka një tendencë që të mos zgjerohet.
Ministrja e përmendi shifrën e humbjeve të OSHEE-së për shkakun e keqadministrimit të ujësjellësve. Tani, kam listën këtu dhe nuk po hyj t’i marr me radhë, por po marr kampionin, Bashkinë e Vlorë, 78.9% humbje. Çfarë do të thotë kjo? 78.9% humbje! Domethënë një kompani e falimentuar si një piramidë që vazhdon merr para nga shteti dhe si një lapidar abuzimi me faktin që uji është jetik dhe natyrisht nuk është një mall që mund të trajtohet si çdo mall tjetër kur vjen puna tek domosdoshmëria për ta pasur ujin në familje. E si mund të vazhdojë kështu kjo histori? Si mundet këta drejtorë ujësjellësish të jenë në punë akoma, sot që flasim ne dhe si mundet që numri i të punësuarve në ujësjellësit e Shqipërisë është sa një armatë e ndonjë shteti që është 10 herë më i madh se Shqipëria?
Natyrisht që fjalët të gjitha janë thënë, është koha për të vepruar e natyrisht që siç folëm për mbetjet, edhe në këtë drejtim qeveria nuk do rrijë më në pozitën e thjeshtë dhe vetëm financuesit të këtyre shërbimeve, por do të përfshihet aktivisht në këto shërbime. Ne nuk do ta lejojmë më që paratë e popullit shqiptar të abuzohen në këtë farë feje nga keq qeverisja ekstreme e këtij sektori dhe nga vijimësia e inercisë së shpërdorimit të të ardhurave.
E para, duke paguar si punonjës ujësjellësish njerëz që nuk kanë lidhje fare me profilin, fare, madje edhe njerëz që nuk janë fare në Shqipëri, fare, e rezultojnë në librat e pagave të ndërmarrjeve, prej vitesh e vitesh dhe nga ana tjetër, duke pasur këtë lloj formacioni gjeologjik, shtresa e burimeve njerëzore, kjo përkthehet në mosprerje të shërbimit për debitorë dhe në rezultate të paimagjinueshme arkëtimi, siç është për shembull në këtë aspekt kampione bashkia Kavajë, 31% arkëtim.
Ndërkohë që ka edhe këtu diferenca, por unë nuk po hyj të them diferencat sepse edhe më të mirët, prapë janë në pozitë shumë të disfavorshme në raport me shifrat, edhe më të mirat. Këtu është qartësisht një problem administrimi dhe keqqeverisjeje, qartësisht. Është kronike, është një sëmundje kronike e shumë e shumë viteve, por ne nuk mundet më që ta pranojmë si të tillë e të mos ndërhyjmë për ta përmbysur këtë tendencë.
Kjo është një tendencë e një kanceri agresiv që përpin çdo vit nga organizmi i shtetit të ardhura marramendëse e që në fund fare, por jo për nga rëndësia, rezulton si një ofendim i madh për ata qytetarë e për ato familje që paguajnë, në radhë të parë për pensionistët, një ofendim shumë i madh. E kthehemi përsëri tek e njëjta fabul e dikurshme me energjinë elektrike, që ata që nuk paguajnë ankohen se nuk kanë bukë, ndërkohë që ata që mund të ankoheshin me të vërtetë për të ardhurat e tyre, ishin paguesit më të rregullt të energjisë elektrike. Edhe këtu është e njëjta gjë dhe këtu abuzimin më të madh nuk e bëjnë konsumatorët familjarë.
Këtu abuzimin më të madh e bëjnë bizneset.
Këtu abuzimin më të madh e bëjnë hotelet.
Këtu abuzimin më të madh e bëjnë ata që kanë më shumë, jo ata që kanë më pak, se nuk i vjen ujësjellësve e keqja nga familjet në nevojë që përveç të tjerash janë dhe të mbështetura nga shteti për këtë.
Nuk dua të zgjatem shumë, por dua të them që kjo gjendje është në kufijtë e absurditetit dhe Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës do të ndërhyjë menjëherë për të kthyer tendencën, duke ndërtuar një proces ndërveprimi me partnerët dhe me ju, me kryetarët e bashkive, për të riorganizuar komplet gjithë sistemin, me themel dhe cilido që nuk do të dojë të kuptojë se një ndërmarrje ujësjellësi që nuk mbulon as pagat, që nuk mbulon as sigurimet shoqërore dhe që mban me borxhe lista të tëra punonjësish, është pasqyra më dëshpëruese e papërgjegjshmërisë, se nuk diskutohet që as Korça e Pogradeci, që janë në një stad tjetër për shkaqe që dihen dhe kanë pasur shumë herë më shumë financime në të shkuarën me ato programet me KfË-në e të tjera e të tjera, nuk i paguajnë dot kreditë, as Korça e Pogradeci. E këtu nuk jemi në kushtet ku po kërkojmë që ndërmarrjet të paguajnë vetë kreditë. Këtu jemi në kushtet ku po kërkojmë që të ndalojë kjo hemorragji papërgjegjshmërie e të ndërpritet ky film që vazhdon i pandërprerë, me kosto marramendëse për shtetin e me kosto jo të vogla për qytetarët, për shërbimin e qytetarëve.
1 miliard euro investime, qeveria shqiptare, bashkë me partnerët, për ta zgjidhur njëherë e mirë çështjen e furnizimit me ujë. Po si mund të shkojë ujë 24 orë nëse humbjet në rrjet nga vjedhjet, nga mos arkëtimet dhe patjetër edhe për arsye teknike, shkojnë si në Vlorë? Gati 80%. Si mundet? Është teorikisht e pamundur.
Ne kemi përgjegjësi që nuk mund ta shmangim dot e është një përgjegjësi që nuk mund ta delegojmë dot më, duke ju thënë qytetarëve që ujësjellësin e ka bashkia. Nuk mundemi dot ta bëjmë më këtë gjë sepse qytetarët me të drejtë kërkojnë shërbimin, nuk duan të dinë se kush e ka.
Ashtu sikundër, jo vetëm që edhe në aspektin e përgjegjësive ligjore, nëse i marrim i shohim përgjegjësitë strikte ligjore, pjesa dërrmuese e bashkive janë në shkelje të ligjit, por ajo që është më e rënda është që kur vjen puna për të marrë përgjegjësinë, përgjegjësinë e delegojnë tek qeveria.
Kështu që, ne do e marrim këtë përgjegjësi, meqenëse një pjesë e madhe e juaja na e delegoni ne dhe i kërkoni të gjitha nga qeveria dhe bashkërisht do ta ndryshojmë kursin e kësaj historie, duke iu lutur të gjithë donatorëve dhe partnerëve që kemi këtu që të përfshihen në këtë proces dhe me ndihmën e tyre do të bëjmë një skanim të të gjitha burimeve njerëzore të ujësjellësve. Çfarë profili dhe çfarë kapacitetesh menaxheriale dhe teknike kanë drejtorët e ndërmarrjeve të ujësjellësit në Shqipëri, çfarë profili dhe kapacitetesh menaxheriale dhe teknike kanë shefat e ujësjellësit nëpër Shqipëri, sa janë në profilin e tyre punonjësit e ujësjellësve. Sugjerimi im për të gjithë ju do ishte që të merrnit masat vetë para sesa tek këto pasqyra të tregojnë gjëra që të mbeten në historinë e humorit dhe satirës shqiptare.
Me këtë tabelë që është këtu përpara, të humbjeve, duke filluar nga Vlora e duke shkuar teposhtë, në pjesën më të madhe, ju e dini vetë se çfarë bëni, por aty përgjegjësia duhet të jetë e drejtpërdrejtë, që nga drejtuesit e deri tek kushdo që ka përgjegjësi menaxhimi. Duhet të jetë e drejtpërdrejtë dhe e menjëhershme.
Rekrutimet për drejtuesit nuk do bëhen më siç janë bërë deri më tani sepse nuk do ta lejojmë ne më tani këtë gjë. Do kërkojmë dhe ndihmën e partnerëve tanë për të bërë një proces rekrutimi serioz për ndërmarrje, se këto janë ndërmarrje, këto nuk janë mall i huaj, të cilit prej 30 vjetësh i bihet me top, duke shpërdoruar mandatin e dhënë nga qytetarët.
Këto janë ndërmarrje dhe do funksionojnë si ndërmarrje.
Këto nuk janë zyra punësimi për njerëz që nuk duan të punojnë, duan vetëm të marrin një rrogë pa qenë fare në Shqipëri në ndonjë rast apo për njerëz që nuk shkojnë fare në punë apo për njerëz që shkojnë në punë dhe bëjnë dëme.
Është shumë e trishtueshme kjo pamje.
Jo pa qëllim vendosëm që këtë gjë ta bëjmë publikisht, jo për të larguar përgjegjësitë nga vetja, se nuk kemi çfarë përgjegjësie të largojmë nga vetja, por për të dhënë një mesazh shumë të qartë për të gjithë, edhe për ju dhe për njerëzit dhe për të marrë ne përgjegjësinë në emër të autonomisë, në emër të decentralizimit, në emër të së drejtës së pushtetit vendor për të qenë i lirë të marrë vendime, nuk mund të shkohet deri këtu.
Kjo nuk është autonomi, nuk është decentralizim, është abuzim i hapur me votën e popullit.
Është abuzim flagrant, abuzim fyes, abuzim arrogant me votën e popullit. Askush nuk iu ka kërkuar asnjëherë juve të bëni politikë “sociale”, se i vini emrin sociale çdo lloj mosveprimi.
Siç dëgjova që disa prej jush kishin çështje sociale me ato guroret që Ministria e Mjedisit ka vendosur t’i vendosë përpara përgjegjësisë për mospyllëzimin sipas kontratave, ju e shikoni nga ana sociale medemek.
Edhe këtë anën sociale këtu, që me idenë komplet të gabuar se po humbisni vota, i lini paratë e popullit të rrjedhin rrugëve në formën e ujit që nuk matet, në formën e ujit që nuk paguhet, në formën e ujit që vidhet. Këto nuk janë sociale fare. Nuk është sociale të flasësh në emër të një grupi punonjësish në një gurore që shkatërron malin komplet dhe nuk mbjell, siç e ka në marrëveshje. Kjo është antisociale dhe mbi të gjitha, krim kundër fëmijëve, dhe kjo tjetra është antisociale dhe krim kundër fëmijëve. Këto as nuk kanë sjellë dhe nuk sjellin vota, sjellin vetëm dëme.
Prandaj, bashkërisht duhet të kundërveprojmë për të vendosur një digë që si fillim, humbjet të mos thellohen, që kjo rutina, që këto para do humben dhe gjithë kjo sforco e bërë nga taksapaguesit shqiptarë, që i japin buxhetit dhe sigurojnë që dhe partnerët do përfshihen, do nëpërkëmbet.
Jo, nuk mund të jetë kështu!
Duhet të ndryshojmë tani dhe kur them tani, javën e ardhshme ministrja do jetë qark më qark me të gjithë kryetarët e bashkive dhe do u vërë përpara planin si do ndryshojmë. Një pjesë e rëndësishme e këtij ndryshimi është krijimi i sinergjive të reja, nuk mund të vazhdojmë më kështu. Pjesa tjetër e rëndësishme është nxjerrja komplet nga duart e politikës e punësimeve në ujësjellës. Për këtë do kërkojmë ndihmën dhe mbështetjen e partnerëve tanë, që të jenë monitorë të rekrutimit të burimeve njerëzore, sepse kanë investuar dhe investojnë edhe këta energji, kohë, edhe para natyrisht. Natyrisht ato para i paguajmë ne përsëri por sigurisht janë kredi me interesa shumë të ulëta të marra me vite e vite dhe nuk e bëjnë këtë që të marrin lekët e të ikin, por e bëjnë këtë që të bëjnë sukses këtu bashkë me ne.
Duhet të jemi të treja palët aleatë për një ndryshim radikal në këtë drejtim dhe ndryshimi radikal duhet të fillojë nga ju, të dashur kryetarë bashkish. Nga vetja juaj, që duhet tu thoni vetes “Stop, mjaft, këtu mbyllet ky cikël”. Këtu duhet të nisë një kapitull i ri dhe këtu nuk ka politika sociale me hajdutërinë e rrjetit, siç thonin dikur ata që i kundërviheshin reformës në energji që “Nuk është sociale t’i ndërpresësh energjinë dikujt që nuk e paguan”. Ou! “Nuk është sociale t’i thuash që kush e vjedh energjinë, duhet të shkojë të përgjigjet përpara ligjit!” Ou? Po çfarë është sociale? Që në emër të sociales për abuzuesit, shoqëria të mos marrë shërbimin? Që në emër të sociales për ata që e vjedhin ujin, familjet që e paguajnë mos ta marrin 24 orë, por ta marrin më pak ndërkohë që investimi është bërë për 24orë? Kjo është sociale? Këto nuk janë sociale, këto janë skandale.
I gjithë publiku sot duhet ta dëgjojë që ne, jo vetëm jemi shumë të vendosur për ta ndryshuar këtë situatë, por ne do ndërhyjmë dhe do t’iu lutesha shumë që askush të mos bëhet pengesë që sistemi të ndryshojë sepse përveç letrës që thotë që ju jeni autonomë, nuk ka asnjë argument tjetër, asnjë lek investim, asnjë përmirësim i performancës, asnjë llogaridhënie për punësimet në ujësjellës, asnjë përgjegjësi për nivelin mizerabël të burimeve njerëzore që punësohen në ujësjellës, asnjë llogaridhënie për faktin që asnjë qindarkë e kredive të marra për ujësjellësat nuk paguhet nga ujësjellësat? Asnjë qindarkë, se nuk po them të paguajnë të gjithë kredinë.
Me çfarë argumenti duhet të vazhdojë kjo histori?
Edhe këtu në këtë rast, janë disa shembuj pozitivë dhe atyre shembujve pozitivë do t’u drejtohemi për të treguar se si kjo duhet bërë në të gjithë Shqipërinë dhe duhet të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.
Kështu që, ju falenderoj shumë për mundimin që bëtë edhe njëherë tjetër!
Edhe një të tretë kemi së shpejti për guroret dhe besoj që nëse do bëjmë përmirësime në këto 3 drejtime, do u bëjmë një shërbim të madh komunitetit me mbetjet, me plehrat më saktë, me ujin dhe me guroret. Se guroreve u dilni për zot ju kur ju thuhet që do mbyllen, por çuditërisht nuk ka asnjë letër nga ana e bashkive në Ministrinë e Mjedisit, ku të thuhet që kjo kompani që po shfrytëzon këto gurore, nuk ka mbjellë asnjë pemë, siç është marrëveshja.
Ka marrëveshje që e di që do shfrytëzosh guroren dhe do pyllëzosh. Nuk ka asnjë ngritje shqetësimi. Përsa i përket guroreve, do t’iu lutesha shumë që t’i qëndroni larg kësaj pune, shumë larg sepse këtë që do jemi herës tjetër e kisha për donatorët sepse këtu herën tjetër, shumë shpejt do jenë kompanitë që shfrytëzojnë malet, ndërsa ju si bashki, duhet t’i qëndroni shumë shumë larg kësaj pune. Shumë larg, sepse ato ndërhyrjet sociale mbajnë erë të keqe për fat të keq dhe shfrytëzuesit e guroreve duhet ta kuptojnë që ose do vijnë tani e do nënshkruajnë marrëveshjet e pyllëzimit dhe do pranojnë kalendarin e pyllëzimit, ose të gjitha do mbyllen, pa kthim. Ta harrojnë që do përdorin punonjësit që i trajtojnë si skllevër nëpër ato gurore si mish për top për të bërë protesta e për të siguruar vazhdimin e asaj barbarie.
Duhet të vijnë, të njihen me sa thellë kanë hyrë në rrugën e paligjshmërisë, duhet të marrin përsipër të pyllëzojnë sipas kontratës, jo jashtë kontratës dhe pastaj mund ta vazhdojnë punën. Për këtë kanë afat deri në 31 dhjetor, por sigurisht që, së bashku me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, do t’i thërrasim dhe do ua tregojmë një për një, rast për rast se ku i kanë problemet me ligjin dhe ku i kanë shkelur në kallo shoqërisë.
Nëse janë të gatshëm që të rekuperojnë, ne nuk kemi asnjë arsye t’u bëhemi pengesë. Kush nuk është i gatshëm, jo vetëm do humbasë atë biznes, por do shkojë përpara ligjit, nuk ka asnjë rrugë tjetër.
Shumë faleminderit të gjithëve!