Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e projektit të Teatrit të ri Kombëtar:

Mirëmbrëma të gjithëve!

Faleminderit që jeni të pranishëm në këtë moment, që vlerësoj se është i rëndësishëm për të çelur siparin e një përpjekje, besoj finale, që t’i japim Shqipërisë, këtu në zemër të kryeqytetit, Teatrin e ri dhe të shumëpritur Kombëtar.

Historia dihet. Nëse do të kthehesha për ta ritreguar, mbase do të merrja shumë kohë. Edhe pozicioni im dihet. Është shume i vjetër e nuk ka ndryshuar për asnjë moment. Madje sot mund të shpreh të gjithë keqardhjen time, që për fat të keq u desh kaq shumë kohë të bëhej ajo që duhej bërë shumë kohë më parë, në të vetmen mënyrë se si ky vend, me mundësitë e veta mund ta bëjë përmes partneritetit me sipërmarrjen private.

Unë i kam ndjekur debatet, por me thënë të drejtën, pa ndonjë vëmendje të veçantë, sepse është i njëjti debat që përsëritet, vetëm se gjithmonë e më shumë mungojnë protagonistët e fillimit të debatit, pasi jeta bën të vetën dhe ndahen nga jeta e shfaqen të tjerë, që në ndryshim nga ata të parët nuk kanë as reputacionin dhe as hijen e tyre në historinë e Teatrit, por kërkojnë çuditërisht, të qëndrojnë në hijen e godinës së vjetër të Teatrit, e cila do shembet.

Do shembet, sepse është jashtë çdo lloj standardi për t’u konsideruar një teatër komune, jo më Teatri Kombëtar i një vendi.

Në katër vitet e mandatit të parë, ne nuk e patëm dot mundësinë që t’i japim rrugë këtij projekti për një sërë arsyesh dhe në fund të fundit, sepse nuk u poqën kushtet që janë pjekur sot, ku është krijuar mundësia që mes sipërmarrjes, qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës të punohet në sinergji, për t’i dhënë këtij vendi Teatrin e shumë merituar Kombëtar. Por edhe shpenzuam brenda mundësive, për të përmirësuar kushtet ekzistuese të godinës së Teatrit, e cila pati disa ndërhyrje për të krijuar disa mundësi minimale, një sistem minimal sigurie dhe një sistem ngrohjeje, gjëra që sigurisht ishin si ato medikamentet që mbajnë në jetë një të sëmurë në koma.

Nga ana tjetër filluam ndërtimin e qendrës së re multifunksionale, me dy skena teatri, me 450 dhe 180 vende, që janë për hir të së vërtetës, shëmbëlltyra të një ambicieje të vërtetë dhe besoj do të mishërojnë standarde optimale, bashkëkohore, për të gjithë ata që duan të bëjnë teatër e jo të luftojnë për godinën e teatrit.

Natyrisht që Turbina nuk është zëvendësuesja e përhershme e Teatrit Kombëtar, por është një alternativë, e cila do të shërbejë për Teatrin Kombëtar për periudhën kur teatri do të ndërtohet. Por do të jetë aty edhe pasi teatri të ndërtohet, sepse shpresojmë që në vitet në vijim do të kemi shumë më tepër shfaqje teatrale sesa teatër për godinën.

Jemi duke riparë legjislacionin, gjë që edhe kjo krijoi në një moment një debat absurd, pasi është një domosdoshmëri për të adresuar problemin e financimit të projekteve dhe veprimtarive artistike kulturore nga ana e institucioneve, qofshin ato qendrore, qofshin ato vendore, jo me sistemin e vjetër të parashikimeve të ligjit të Prokurimit Publik, i cili praktikisht ka qenë një pengesë shumë e madhe, ka imponuar një financim të ngurtë dhe ka kufizuar ndërveprimin mes institucionit qendror të Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve apo forcave të tjera në terren.

Pa dashur të hyj në të gjithë detajet, por ajo çka ne duam të bëjmë dhe do të arrijmë, besoj me këtë ligj, është që ministria, qeveria, të mos jenë përgjegjëse për suksesin, apo për vlerësimin e suksesit. Përgjegjësinë për suksesin e kanë artistët, vlerësimin e suksesit e bën publiku. Ministria, qeveria duhet thjesht dhe vetëm të krijojnë burimet, ku kush është më i zoti të marrë atë që i takon e pastaj të shkojë tek publiku për të marrë vlerësimin që meriton. Ky është thelbi.

Duke ardhur tek Teatri i ri, projektin e të cilit, unë jam realisht shumë i nderuar të them që do ta prezantojë një nga arkitektët, sot më në zë në skenën e arkitekturës bashkëkohore, i cili nuk është për herë të parë, këtu në Tiranë. Është shfaqur njëherë kur ka qenë më i panjohur, sot është rikthyer jo sepse ka nevojë për punë, por sepse ka një lidhje, siç mund ta tregojë ai vetë, pikërisht me këtë përpjekje të madhe që ka nisur prej kohësh e po vazhdon, për ta transformuar Tiranën në një metropol europian.

Çka mund të them unë, është shumë e thjeshtë edhe në gjuhën e shifrave. Nga njëra anë, ne kemi bërë për teatrin, aq sa kemi pasur mundësi, por kemi bërë shumë më tepër seç është bërë në të gjitha vitet e shkuara, të mbledhura sëbashku. E mjafton t’ju them që po të shikoni statistikat e Teatrit Kombëtar, në vitin 2013 janë të regjistruar 9.441 spektatorë. Në vitin 2017, 48.895 spektatorë. Natyrisht, kjo është merita e administrimit, kjo është merita e regjisorëve, kjo është merita e aktorëve, nuk është merita e qeverisë, por qeveria, Ministria e Kulturës ka pasur aftësinë të shikojë në drejtimin e duhur dhe të stimulojë burimet e duhura të energjisë.

Fondet janë rritur 20%. Nuk mjafton. Duhet më shumë, patjetër. Por rritja e shfaqjeve me 200% dhe rritja e spektatorëve me mbi 400% janë një tregues inkurajues që për ne vlen jo si statistikë, por vlen si arsye që të investohemi për këtë Teatër të ri Kombëtar, ku nga 3000 metra katrorë rrënoja që sot keni në dispozicion, do të keni 9000 metra katrorë në dispozicion nesër, pra, 3-fishin; ku nga një sallë e vetme sot, do keni 4 salla nesër; ku nga hapësira të papërshkrueshme, sepse janë realisht poshtëruese për artistët, janë poshtëruese për dinjitetin e çdokujt që mund t’i thotë vetes artist, do ketë një shumëfishim të hapësirës për artistët dhe për të gjitha shërbimet në funksion të shfaqjeve; ku salla kryesore, nga 480 vende që ka sot, do ketë 620 poltrona; ku krijohet dhe një sallë e re, e hapur, mbi Teatër, me mbi 100 vende dhe ku ka dhe dy salla të reja të tipit black box, me nga 100 vende secila.

Pra, jemi në kushtet, kur kemi jo thjesht një Teatër të ri, por kemi një Teatër që do të jetë 3-fishi i këtij që është sot dhe që do të ketë një sistem të tërë infrastrukture përreth hapësirave ku zhvillohen shfaqjet, që sot nuk ekziston. Padyshim do të ketë edhe hapësirën e yjeve, yjeve të shuar dhe yjeve të pashuar të historisë së Teatrit Kombëtar. Kështu që, kush ka kaluar në atë histori dhe ka lënë gjurmën e pashlyeshme të yllit të vet, por nuk jeton më, do të jetojë aty si shëmbëlltyrë në hapësirën e përgatitur enkas. Ashtu sikundër, kush sot del e bën protesta që të mos prishet godina do duhet të mendojë se si të lërë yllin e vet aty, se godinës nuk ka absolutisht çfarë i bën më. Godina do shembet dhe mbi gërmadhat e së shkuarës do ngrihet Teatri i ri Kombëtar.

Me shumë pak fjalë dua të them si do zhvillohet procedura. Teatri është pjesë e një propozimi për një Partneritet Publik Privat. Shteti, shoqëria, qyteti, Shqipëria do të përfitojnë ndërtimin e Teatrit, me një buxhet që ky shtet nuk do ta bënte dot bashkë as për 15 vjet për t’ia dedikuar Teatrit. Mos harroni, po bëjmë rindërtimin e plotë të Teatrit të Operës dhe Baletit, që ishte katandisur në një zgafellë pisllëku dhe na është dashur që ta shtrijnë financimin në 3 vite dhe është shumë herë më pak, sesa financimi që do bëhet drejtpërdrejtë nga sipërmarrësi privat për Teatrin Kombëtar, që do t’i jepet në dorëzim si pronë publike shtetit shqiptar. Natyrisht sipërmarrësi, kompania nuk do vijë të bëjë Teatrin, edhe të shkojë në falimentim. Në pjesën tjetër do bëjë zhvillimet e veta, që do jenë pjesë integrale e zhvillimit të qendrës së re të kryeqytetit, për të cilën do flasë vetë arkitekti.

Nuk është një Teatër me kullë, por nuk do ishte asnjë mëkat dhe po të ishte nën kullë. Teatrot e broadway-t janë të gjithë nën kulla, por, kur shkojnë njerëzit në teatër, nuk shohin kullën, shohin teatër. Megjithatë, kjo është temë tjetër dhe është një debat që ju mund ta vazhdoni me njëri-tjetrin. Unë besoj që është shumë e qartë se këtu nuk është historia se çfarë ka sipër, apo çfarë ka anash, pavarësisht se sipër do ketë një tjetër hapësirë teatrale në qiell të hapur dhe pavarësisht se anash do ketë hapësirat e veta për artistët, spektatorët, qytetarët, kalimtarët e kështu me radhë. Pas shqyrtimit të propozimit nga pikëpamja formale, ne do të hartojmë projektligjin dhe ky projekt do bëhet me ligj të veçantë nga Parlamenti i Shqipërisë.

Ky ishte prezantimi im i përgjithshëm. Kemi qenë në shekullin e kaluar, kur e kemi hapur debatin me Violeta Manushin. Unë nuk kam hyrë më në serinë e 26-të të dinastisë së aktorëve që ruajnë godinën, por thashë, ishte vendi për t’i vënë pikë këtij muhabeti, duke ftuar arkitektin Bjarke Ingels që të bëjë pjesën tjetër të këtij prezantimi, që është edhe pjesa, padyshim, më e këndshme dhe më e rëndësishme e këtij momenti që na ka mbledhur sot, këtu, të gjithëve, për të ndërtuar Teatrin e ri Kombëtar.

Faleminderit!

* * *

Duke falënderuar përzemërsisht arkitektin për prezantimin, dua të them se me këtë prezantim mbyllet mbledhja e 20 viteve dhe fillon puna për të bërë Teatrin e ri Kombëtar, një Teatër që, siç e patë dhe siç për mua është shumë e lehtë të parafytyrohet, duke u kthyer në realitet, do jetë padiskutim një nga teatrot më të bukur bashkëkohorë, të ndërtuar rishtas, të Europës.

Patjetër që ne do të avancojmë me vullnetin që ky Teatër të ndërtohet brenda 3 viteve të ardhshme dhe i gjithë projekti do fillojë nga Teatri. Teatri do jetë faza e parë dhe prioritare e projektit. Garancia e ndërtimit të tij brenda 3 viteve do jetë pjesë e procesit që ne kemi tani detyrë të ndërmarrim, përmes një procedure që do finalizohet me ligjin e Kuvendit të Shqipërisë për një investim kaq të madh për kulturën, por një investim kaq të madh edhe për Tiranën, sepse ndërkohë, studio do të zhvillojë dhe pjesën tjetër. Unë jam i bindur që kur i gjithë blloku zhvillimor do jetë i plotë, do të jetë një tjetër vlerë e madhe e shtuar nga të gjitha pikëpamjet për kryeqytetin.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.