Në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Inovacionit [AKSHI] është çelur një hapësirë e re për inovacionin, TECHSPACE, e cila do të jetë në shërbim të studentëve dhe nxënësve të teknologjisë digjitale, pjesë e Paktit për Universitetin. Kryeministri Edi Rama, sëbashku me ministrin e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, vizituan këto ambiente që do t’u japin mundësi të reja studentëve dhe nxënësve të shollave profesionale në fushën e edukimit teknologjik, falë krijimit edhe të një partneriteti të ri me universitetet.
Me dy prej tyre, Universitetin Politeknik dhe Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës, AKSHI nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi afatgjatë.
“Slogani i TECHSPACE është “Mëso, guxo, krijo”, sepse TECHSPACE do të jetë hapësira e edukimit teknologjik inovator dhe e shpirtit të sipërmarrjes,” u shpreh drejtorja e AKSHI-t, Linda Karcanaj.
“Duam të krijojmë një mjedis si ky laborator, sepse kemi nevojë për gjak të ri, ide dhe mendime të reja. Marrëveshjet synojnë që t’u krijojnë studentëve mundësinë që të gjithë atë kreativitet që kanë ta shfrytëzojnë,” tha ndër të tjera ministri Shalsi.
Ndërsa për Kryeministrin Rama, ky moment shënon një urë të re bashkëpunimi mes qeverisë dhe vetë universiteteve, me synim që të rinjtë të aftësohen në praktikë duke qëndruar edhe pranë profesionistëve.
“Është një moment i rëndësishëm i sinergjisë që ne duam të krijojmë mes qeverisë dhe universiteteve, shkollave. Këtu, në këtë hapësirë, ne dëshirojnë që studentët dhe nxënësit e shkollave profesionale të lidhur me teknologjinë të kenë shtëpinë e tyre dhe krijohet një hapësirë ballafaqimi të ideve, sfidash të reja, konkurrence mes njëri-tjetrit. Ata që duan të bëjnë sukses nisen nga çfarë duan të bëjnë për të realizuar atë që iu duhet për të pasur. Vendet dhe organizatat nuk dallohen nga sa kanë, por nga sa dinë,” u shpreh Kryeministri Rama, ndërsa lajmëroi se 10 të rinjtë me projektet më të mira do të vizitojnë Silicon Valley.
Drejtuesi i kompanisë Vodafone, Achilleas Kanaris, i pranishëm në çeljen e TECHSPACE u shpreh se kjo kompani do të mbështesë inovacionin dhe projektet e të rinjve në Shqipëri, duke i ftuar ata të marrin pjesë në kompeticionin në nivel global ku çdo vit, Vodafone financon drejtpërdrejtë pesë projekte novacioni. “Do të bëj çdo përpjekje të mundshme për të nxitur idetë që ju do të prezantoni, në mënyrë që ne t’i financojmë drejtpërdrejtë dhe ato të materializohen këtu në Shqipëri,” u shpreh ai.