Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme në Kuvend:
Besoj që ky është një moment nga më të rëndësishmit e këtij viti për shumicën tonë qeverisëse, sepse sot, Parlamenti është i thirrur të votojë rishikimin e buxhetit, që pas pesë vitesh vinte me ulje në këtë periudhë të vitit, sot vjen me rritje. Janë si fillim 32 milionë dollarë, 3.2 miliardë lekë që janë as më shumë e as më pak, por përtej objektivit ambicioz të vendosur së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar, që qysh këtë vit na krijojnë mundësinë të financojmë uljen e defiçitit dhe të borxhit publik, edhe pse objektivi, i vendosur bashkarisht me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ishte që ulja e defiçitit dhe borxhit të fillonte vitin e ardhshëm.
Sigurisht që, ky është vetëm fillimi i përpjekjes sistematike që do të bëjmë në vitet në vijim, për të ulur defiçitin dhe borxhin, por është një fillim shumë domethënës, sepse vjen si rezultat i kapërcimit të kufirit të parashikimit që, e përsëris, ishte në vetvete, mjaft ambicioz.
Nga ana tjetër është 4.3 miliardë ose 43 milionë dollarë, që falë këtij rishikimi me rritje vendoset në dispozicion të gjithë pjesës më të dobët të shoqërisë, të personave me aftësi të kufizuar, të paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, të gjithë invalidëve, të cilëve falë këtij rishikimi, shteti sot, përmes “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, iu kthen përfundimisht borxhet e akumuluara në vite. Pra, ato borxhe që u bënë litar në fytin e më të dobtëve dhe që tërhoqën zvarrë për vite të tëra, invalidët, paraplegjikët, tetraplegjikët, të gjithë personave me aftësi të kufizuara, sepse qeveria e mëparshme i devijonte paratë që u takonin atyre, për të financuar daullet e propagandës, sot shlyhen përfundimisht. Vendosemi në pozicionin fillestar të vështrimit nga e ardhmja, pa pasur në kurriz edhe borxhet e akumuluara për shtresat në nevojë, duke i dhënë fund atij që ishte bërë sistem padrejtësie sociale, pikërisht përmes zinxhirit të këtyre borxheve.
Së treti, janë 15.2 miliardë lekë ose 152 milionë dollarë që shkojnë drejtpërdrejtë për investime, për investime kryesisht të mbetura rrugëve, për të vazhduar mbushjen e gjithë atyre gropave, nga Valbona lart deri poshtë në Kardhiq, që u krijuan nga politika e shiritave elektoralë dhe e çeljes së investimeve pa pasur para në xhep, duke ia faturuar borxhin kompanive dhe duke bërë që, nga njëra anë, rrugët të mbeten rrugëve, nga ana tjetër, kompanitë të mbeten rrugëve dhe i gjithë sistemi ynë financiar të hyjë në një rrëmujë të pashoqe, në raportet mes qeverisë dhe të tretëve.
Dhe, praktikisht, dhe kjo vlen për të gjithë ata që me të drejtë janë të paduruar dhe kur shikojnë që ne çelim kantiere në qytete të ndryshme, menjëherë kërkojnë që kjo të ndodhë dhe në qytetin e tyre. Që sot, me votën e këtij Kuvendi fillon financimi dhe shkon në përfundim rruga turistike e Valbonës, e mbetur rrugëve atje; Rruga Kukës-Krumë-Has, e mbetur edhe ajo rrugëve atje; Rruga Lushnje-Berat, që është një aks strategjik për zhvillimin e një zone të tërë bujqësore dhe turistike, e mbetur rrugëve edhe ajo dhe që së bashku me investimin që ne po bëjmë në Berat, në qytet, të cilit përsëri i shtohet një volum tjetër, në Lushnje, në qytet dhe në rrugën hyrëse të Lushnjes, krijon një situatë tërësisht të re për të nxitur flukset turistike drejt Beratit dhe për të lehtësuar flukset e transportit të të gjithë produkteve bujqësore, ku përfshihet edhe unaza bujqësore e gjithë zonës së Divjakës. Po ashtu vazhdojmë me rrugën e famshme Plepa-Rrogozhinë, që edhe ajo ka mbetur rrugëve. Me rrugën Korçë-Ersekë dhe me radhë. As më shumë e as më pak, po 51 projekte, të cilat hyjnë në fazën e tyre përfundimtare, ndërkohë që 100 projekte të tjera, në gjithë Shqipërinë, të pashpresa, të lëna rrugëve, të çelura si kantiere vetëm për televizor, marrin një financim të ri, për t’u shtyrë më tutje, sigurisht, pa mundur që të përfundojnë brenda këtij viti.
Kjo për infrastrukturën rrugore.
Por nuk mbaron këtu, ajo që sjell ky akt normativ dhe ky rishikim i buxhetit, sepse vazhdojmë me infrastrukturën shëndetësore, e cila është një infrastrukturë në pikë të hallit dhe ku pas shumë vitesh investohet shumë seriozisht, për të pasur një shërbim më të denjë të urgjencës. Praktikisht, nga njëra anë, për helikopterin e ndihmës së shpejtë. E pamë vetë gjatë periudhës turistike, sesa shumë u ndje mungesa e kësaj ndihme të shpejtë, pa pasur nevojë të presim, kuptohet, as aksidente spektakolare dhe as katastrofa natyrore, që të kujtohemi për nevojën e këtij mjeti. Por edhe për rreth 20 autoambulanca të tjera, që praktikisht do të shërbejnë për ta shtrirë rrjetin e urgjencës përtej zonave të qendrës së Tiranës apo disa të qendrave të tjera. Ashtu sikundër, edhe dy pajisjet e domosdoshme të dializës, njëra për zonën veriore, tjera për zonën më poshtë, të munguara, ashtu siç ka qenë deri tani e munguar edhe rruga e përfundimit të rikonstruksionit të Sanatoriumit.
Vazhdojmë me infrastrukturën arsimore, që është mirë ta kujtojmë, kur ne u zotuam për futjen e tabletave dixhitale dhe zëvendësimin e librave me tabletat dixhitale, shumëkush na përqeshi, të tjerë na shikonin sikur flisnim një gjuhë të pakuptueshme, por, praktikisht, ne sot votojmë financimin e parë të rëndësishëm, për të kaluar nga librat tek tabletat dixhitale. Ajo çka është më e rëndësishmja, për të kaluar nga një sistem pabarazie, për shkak se shumë familje i kemi parë edhe në çeljen e vitit shkollor përmes kronikave të televizioneve, e kanë të pamundur të financojnë qoftë edhe librat, sidomos në zonat e largëta, për fëmijët, tek një sistem barazie të plotë, ku çdo fëmijë, brenda harkut të këtij mandati do të ketë në dispozicion tabletën dixhitale dhe mësimi përmes tabletës dixhitale do të mundësojë që standardet e gjithë informacionit të marrë të jenë të njëjta nga qendra e Tiranës deri në periferinë më të largët të vendit. Nëse për vendet e zhvilluara, teknologjia e re ka avantazhe që njihen, për vendin tonë teknologjia e re ka këtë avantazh të madh dhe të pazëvendësueshëm, që i jep fund një pabarazie të vazhdueshme, kronike, të krijuar nga pamundësia e shumë familjeve të varfra për të blerë librat dhe nga ana tjetër i jep fund, edhe retorikave dhe demagogjive të viteve të tëra, ku çdo parti përpiqet të tërheqë votat, duke thënë se do t’ua japim të gjithëve librat falas, gjë që është praktikisht e pamundur.
Nga ana tjetër ne jemi në një marrëveshje me Google për të marrë falas platformën mbi të cilën do të ngrihet gjithë sistemi ynë i teknologjisë së re, në radhë të parë për shkollat. Ndërkohë që, është me shumë rëndësi të theksohet dhe fakti që futja e tabletave dixhitale nuk nënkupton thjesht dhe vetëm mësimin për nxënësit, por nënkupton edhe ndërveprimin e shkollës me prindërit, sepse përtej tabletës të çdo nxënësi, teknologjia e re do të na japë mundësi të instalojmë regjistrin elektronik online në çdo shkollë dhe kështu prindërit do të njihen në kohë reale me rezultatin e fëmijës apo me mungesën ose me prezencën e fëmijës në orët e mësimit, sikundër edhe në gjithë pjesën e informimit që shkolla, sikurse jemi zotuar, do të bëjë për çdo familje në mënyrë të përmuajshme, gjë që sot jemi duke e ndërtuar në rrugën tradicionale me postë.
Tjetër prurje e këtij Akti Normativ është ajo që vjen për infrastrukturën e rendit. Infrastruktura e rendit, njësoj si infrastruktura shëndetësore apo infrastruktura rrugore, nga pikëpamja e mjeteve policore është në një derexhe, siç nuk ka qenë ndonjëherë. Ashtu e kemi trashëguar dhe këtë nuk e themi ne, por e thotë raporti i bërë publik, me të cilin edhe ju jeni njohur vetëm pak muaj më parë, nga ekspertiza ndërkombëtare e angazhuar për të identifikuar problemet dhe nevojat e infrastrukturës së rendit. Sigurisht që, fondi që hyn në dispozicion të ministrisë së Brendshme për infrastrukturën e mjeteve policore nuk zgjidh të gjitha problemet, por pa asnjë dyshim jep një përmirësim të ndjeshëm sidomos në disa aspekte ku mungesa është alarmante.
Ka shumë vite që Shqipëria nuk e ka ripërtërirë atë që quhet ortofoto apo fotografimin dixhital të territorit, duke bërë tërësisht të vështirë qoftë kontrollin në përgjithësi të territorit, qoftë procesin e legalizimeve, qoftë procesin e administrimit të pronave dhe kështu me radhë. Duke e bërë të pamundur praktikisht njehsimin brenda një sistemi të vetëm të të gjitha pjesëve të sistemit dixhital, që kanë filluar të ndërtohen në vite në institucionet e ndryshme, pak si ato ndërtimet pa plan, dhe me financimin që Akti Normativ i bën realizimit të ortofotos mbi territorin e Shqipërisë brenda këtij viti, na jepet mundësia që të kemi në dorë një instrument të jashtëzakonshëm për gjithë unifikimin e informacionit gjeohapësinor të Republikës së Shqipërisë dhe për futjen në sistemin dixhital të të gjithë të dhënave, që nga nëntoka, deri tek çfarë ka mbi tokë, duke pasur një instrument jashtëzakonisht efikas në kontrollin e përditshëm të territorit, por edhe në gjithë procesin e administrimit të pronës publike apo private.
Nga ana tjetër, Akti Normativ na jep mundësinë që të bëjmë dy hapa të rëndësishëm në funksion të promovimit të mëtejshëm të mirëqenies të komuniteteve fetare dhe në funksion të mbështetjes që qeveria ka detyrimin t’i japë qoftë komunitetit mysliman për ndërtimin më në fund të Xhamisë së re, qoftë komunitetit bektashi për të përmbyllur punimet për Teqenë e Madhe të Kryegjyshatës. Të dyja këto akte me shumë rëndësi na japin edhe mundësinë që nga njëra anë komunitetit bektashi t’i krijojmë kushtet që më në fund pas kaq shumë vitesh përpjekje për ta ndërtuar me kontributet e veta Teqenë e Madhe, të mund ta ketë atë në një kohë të afërt dhe ta shfrytëzojë atë, ndërsa komunitetit mysliman i japim mundësinë të ndërtojë Xhaminë e re pa qenë i detyruar t’i nënshtrohet një plani monstruoz për ta pasur xhaminë si zgjatim të një pallati, apo një supermarkate të madhe mu në mes të Tiranës. Nga ana tjetër për të dëmtuar kësisoj jo vetëm ritualet e kultit, por edhe gjithë atë zonë që është mu këtu, ngjitur me parlamentin. Kështu që siç u zotuam do të kemi një xhami pa pallat dhe jo një pallat me xhami. Ky është ndryshimi që sjell edhe vendosja në dispozicion të fondeve për shpronësimin për interes publik, ndërkohë që pa asnjë më të voglin dyshim kjo do të japë mundësinë edhe për të filluar më në fund punën për xhaminë e re.
Po ashtu, është me fort rëndësi t’ju thuhet falë këtij akti normativ edhe të gjithë atyre që thonë se legalizimet nuk janë falas, se praktikisht nëse procesi i legalizimeve do të ishte jo falas, ne do të na duhej që as më shumë e as më pak, por 1 miliard lekë të reja ose 10 milionë dollarë, t’i kishim marrë nga procesi i legalizimit dhe t’i vinim në dispozicion të kompensimit të pronarëve. Por në fakt, ne nuk e bëmë këtë. Nëse nuk do të ishim sot në kushtet e kalimit të këtij Akti Normativ, dhe me gjithë ecurinë pozitive në të ardhurat qoftë nga doganat dhe tatimet qoftë nga lufta që i është bërë informalitetit ne s’do kishim mundësi të vinim në dispozicion 1 miliard, t’i zëvendësonim këto një miliard që përndryshe do i kishim marrë nga njerëzit që legalizohen, nga kontributi i buxheti, dhe praktikisht çfarë ka ndodhur këtë vit; Këtë vit ka ndodhur që nëse partia e madhe e pronave bashkë me partinë e vogël të pronarëve që ishin në koalicion për 8 vite, në viti 2009 që është viti i tyre elektoral dhe si zakonisht kur vinte ora e fushatës kujtoheshin për pronarët dhe për të burgosurit politikë kanë vënë në dispozicion 1,25 miliardë lekë, pra 12.5 milionë dollar, sipas oreksit të Ministrit të Financave, ose të Qeverisë. Kjo ka sjellë që për herë të parë në historinë e Qeverisë të mos ketë preferenca politike dhe të mos ketë korrupsion, qoftë në kthimin mbrapsht të parave të borxheve për kompanitë, qoftë në rimbursimin e TVSH-së, që më në fund është një problem i zgjidhur për kompanitë dhe që është jashtë sistemit të korrupsionit.
Jo me më pak rëndësi është shuma e parave që vëmë në dispozicion për fondin e gjelbërimit urban. Nëse jemi zotuar se në 4 vitet e ardhshme do të mbjellim më shumë se në 20 vitet e marra së bashku, ju siguroj se mjafton bilanci i paraparë për vitin e parë, për të qënë plotësisht të bindur që kështu do të ndodhë. Praktikisht, do të fillojmë me përmasën e gjelbër jo vetëm për të vazhduar të mbështesim rritjen e përmasës së gjelbër në zonat e banuara, por edhe për të filluar të krijojmë përmasën e gjelbër në rrugët kombëtare, të cilat janë tërësisht të zhveshura, sikur të ishim një vend i Afrikës së Veriut dhe jo sikur jemi një vend mesdhetar.
E fundit dhe është shumë e rëndësishme të thuhet që rezultat i një reforme që ne e bëmë dhe që do ta thellojmë më tutje është se duke e marrë përsipër të heqim nga qafa e tregtarëve të vegjël dhe ata të mesëm dy palë tatimorë, tatimorët e Qeverisë dhe tatimorët e Bashkisë edhe duke vendosur që i vetmi institucion tatimor për bizneset të jetë institucioni i Tatimeve të Republikës, kemi arritur një shumë të konsiderueshme shtesë nga të ardhurat vendore që do t’a rivëmë në dispozicion të pushtetit vendor.
Pra, kemi, praktikisht atakuar dy probleme të mëdha; Njëri problemi i madh i stresit, i presioneve dhe korrupsionit në nivelin e marrëdhënieve mes biznesit e tatimorëve në nivelin vendor nuk eksizon më, sepse tatimorët në nivelin vendor nuk bëjnë më mbledhje të ardhurash dhe problemi tjetër, i mbledhjes së më shumë të ardhurave që, duke i marrë institucioni qendror siç e kanë shumë vende që janë shumë më të decentralizuara në respekt të decentralizimit, na jep ne si Qeveri që plotësisht në respekt të decentralizimit të kemi më shumë para për t’i kthyer pushtetit vendor. Asgjë nga ato para që janë marrë plus nga pushteti vendor nuk do të shkojnë në një xhep tjetër, por do t’i kthehen përsëri pushtetit vendor.
Sigurisht, të gjitha këto janë arsye për të qenë optimist për vazhdimin e punës, por nuk janë arsye për të thënë se puna jonë është kryer. Përkundrazi, ky është vetëm fillimi i një pune që na tregon se sa më shumë reforma të bëjmë dhe sa më thellë të shkojmë me reformat, aq më shumë përfitimi do të jetë i drejtpërdrejtë për qytetarët, për komunitetet, për qeverisjen vendore dhe sigurisht, edhe për rritjen e cilësisë së shërbimeve.
S’ka asnjë pikë dyshimi që periudha e reformave është vetëm në fillimet e veta dhe se ky Akt Normativ që ne votojmë sot, na jep mundësi që thjesht dhe vetëm të marrim frutin e parë e që pa as më të voglin dyshim një frut tërësisht i pamjaftueshëm për të thënë se kemi bërë ndonjë gjë të madhe, në rast nuk duam të krahasohemi me ata që ikën, por të krahasohemi me çfarë jemi zotuar dhe me çfarë Shqipërie duam të kemi në fund të këtij mandati. Jam i bindur që produkti i këtij Akti Normativ do të ndihet drejtpërdrejt nga komunitetet nga kompanitë, do të ndjehet drejtpërdrejt nga sistemi financiar dhe, pa as më të voglin dyshim, do të ndjehet drejtpërdrejt në të ardhurat e shtetit.
Me falënderimin për të gjithë kontributet e derikëtushme edhe të Komisioneve Parlamentare dhe me falënderimin paraprak edhe të votës për këtë Akt Normativ, unë ju siguroj që mbështetur mbi këtë gur të parë themeli që kemi vendosur gjatë këtij viti edhe buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë mëse i mjaftueshëm për t’i thelluar reformat dhe për të ardhur, si sot një vit, këtu, në Parlament me një rishikim me rritje të buxhetit. Sikundër do të jetë një buxhet që do të na japë mundësinë të shohim më thelë dhe me shumë më tepër qëndrueshmëri edhe në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimeve, që mbetet pika jonë e dobët.