Tërmeti i 21 shtatorit që goditi vendin kishte pasoja rrënuese për shumë shtëpi në zonat e Tiranës dhe Durrësit. Në fshatin Arbanë, një nga shumë familjet e prekura nga tërmeti i shtatorit, sot hyn në shtëpinë e re të rindërtuar në një kohë rekord prej 2 muajsh.
Familja e Osmanit nga Kukësi, i cili është transferuar në Tiranë në vitet ’90-të, ishte një nga familjet që mbetën pa shtëpi pas lëkundjeve sizmike të shtatorit, kur ajo u shpall e pabanueshme. Sot, Kryeministri i shoqëruar nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i dorëzoi çelësat e shtëpisë së re kryefamiljarit, Zotit Osman, i cili e falënderoi kryeministrin për vëmendjen dhe mbështetjen gjatë kësaj periudhe të vështirë për të. “Osmani ka pasur shumë vështirësi, edhe kushtet ekonomike, edhe fëmijë me aftësi të kufizuar, kështu që kur bëjmë përzgjedhjen për shtëpitë, i kemi dhënë prioritet atyre që gjithë fshati ka dakordësuar që ka qenë më hallexhiu”, – u shpreh kreu i bashkisë së Tiranës.
Shtëpia e re me 3 dhoma është ndërtuar në bashkëpunim me Albanin, sipërmarrësi që mori përsipër ndërtimin e shtëpisë së Zotit Osman.
“Të keni me shëndet dhe gëzime shtëpinë. Duhet të bëhemi më të mirë, më pak sherr, më shumë punë. Ne vullnetin dhe energjinë e kemi kështu që do t’i bëjmë, vetëm pak durim duhet”, – nënvizoi Kryeministri Rama.
Njësoj si kjo familje janë edhe shumë të tjera, të cilat kanë hyrë në shtëpitë e reja pas tërmetit të shtatorit.