Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në çeljen e Panairit të Punës 2016:

Ky panair, i cili ka një histori të shkurtër, sepse është çelur vetëm 2 vjet më parë, është një tregues shumë domethënës i disa të vërtetave të thjeshta që lidhen me punën, me raportin mes publikut dhe punës. Padyshim, edhe me përpjekjen e vazhdueshme të qeverisë sonë për të krijuar një urë solide ndërveprimi mes biznesit dhe punëkërkuesve.

Panairi është një hapësirë informacioni e jashtëzakonshme, për të kuptuar se çfarë po ndodh sot në tregun e punës dhe po ashtu, për të parë nga afër se miti që sot ka punë vetëm për ata që pranojnë të paguhen shumë pak është absolutisht i ngritur mbi një të pavërtetë shumë të madhe. Faktikisht, në këtë panair ka nga të gjitha llojet e ofertave.

Panairi i vitit të kaluar realizoi, vetëm gjatë ditëve të funksionimit të tij këtu në këtë mjedis, ndërmjetësime mes sipërmarrjes dhe punëkërkuesve në një numër mbresëlënës që rezultoi të jepte 800 punësime të menjëhershme. Ndërkohë që, disa qindra punësime të tjera u realizuan në ditët menjëherë pas panairit.

Këtë vit panairi ka risinë e një bashkëpunimi mes Ministrisë së Mirëqenies dhe Bashkisë së Tiranës dhe ka nja dyfishim të numrit të sipërmarrjeve të pranishme. Nga 70 sipërmarrje që ishin të pranishme vitin e kaluar, sot, në këtë hapësirë janë të pranishme 130 sipërmarrje; Sipërmarrje të suksesshme, sipërmarrje që janë në zgjerim të vazhdueshëm dhe që vijojnë të kërkojnë njerëz të kualifikuar dhe të kenë problem mungesën e njerëzve të kualifikuar që janë të gatshëm për të marrë një punë.

Në këtë panair marrin pjesë të gjithë aktorët, nga biznesi te qeveria dhe një numër institucionesh publike të arsimit dhe formimit profesional, si dhe nga bota universitare.

Këtu në këtë hapësirë janë në dispozicion të punëkërkuesve, 8 mijë vende pune. 130 sipërmarrje, të mbledhura këtu të gjitha sëbashku, ofrojnë 8 mijë vende pune, që nga sektori i telekomunikacioneve dhe shërbimeve, tek industria përpunuese, sektori i ndërtimit, sektori bankar, sektori i sigurimeve dhe sektori i industrisë ushqimore. Kjo është një provë shumë kokëfortë e faktit se Shqipëria ka punë, por kërkohen punonjës të kualifikuar dhe se përtej nevojës për punonjës të kualifikuar qëndron nevoja për të vazhduar të përpiqemi të gjithë sëbashku, që të thyejmë barrierën e madhe psikologjike të shumë njerëzve në nevojë për punë, që të vetmen rrugë për t’u punësuar shikojnë rrugën e punësimit në sektorin shtetëror.

Ne kemi shumëfishuar fondet për nxitjen e punësimit. Këtë vit kemi objektivin që të shtatëfishojmë numrin e të punësuarve nga programet specifike të punësimit, – numër që tre vite më parë ishte disa qindra persona, faktikisht, më pak njerëz sesa ata që shteti paguante për gjithë sistemin e punësimit – dhe të shkojmë këtë vit në 6500 persona, vetëm nga programet e nxitjes së punësimit. Pa llogaritur ndërmjetësimet që zyrat e punës janë të gatshme të bëjnë në të gjithë territorin e Shqipërisë për 31 mijë vende pune.

31 mijë vende pune që janë të hapura dhe që presin të mbushen me punonjës të të gjitha kategorive, nga kategoria më e ulët deri te kategoria më e lartë, nga punonjësit në sektorin e manifakturës deri tek punonjësit me diploma dhe kualifikime të larta pasuniversitare.

Ajo që është për të ardhur keq dhe që përbën një problem shumë të madh, të trashëguar, është se 55% e punëkërkuesve të regjistruar janë pa profesion dhe janë vetëm me arsim 9-vjeçar. Ndërkohë që 40% e ofertave nga sipërmarrja janë për teknikë të mesëm dhe specialistë të lartë. Ndërsa 35% të tjera janë për zanatçinj. Pra, si mundet të akomodojmë kërkesën për punë të 55% të punëkërkuesve, që shkojnë në zyrat e punës dhe deklarojnë se nuk kanë asnjë profesion dhe kanë vetëm shkollë 9-vjeçare?!

Nga ana tjetër, sigurisht që zyrat e punës nuk janë vendi i duhur për të bërë ndërmjetësime të kësaj natyre. Ashtu sikundër është e qartë që për gjithë këtë fashë punëkërkuesish nuk mbetet asnjë iluzion, përveç punëve më të thjeshta dhe punëve, të cilat faktikisht i përkasin vetëm kantiereve të ndërtimit. Por është e qartë që edhe për këta njerëz duhet të ketë shpresë. Prandaj ne besojmë shumë që kthesa që kemi filluar të marrim, duke hapur korsinë e arsimit profesional, është zgjedhja e duhur politike dhe zgjidhja e duhur në afatmesëm dhe padyshim, në afatgjatë. Për këtë arsye, përveç shkollave profesionale që do të vazhdojmë t’i mbështesim shumë fort dhe t’i shtojmë në territorin e Shqipërisë, do të investojmë seriozisht në trajnimet deri në 6 muaj, me synimin që profesioni, zanati apo ajo çka duhet për të përballuar një nevojë për pune, të mësohen në vendin e punës.

 

Jam shumë mirënjohës për bashkëpunimin që kemi gjetur te sipërmarrja, jam shumë mirënjohës për mbështetjen e posaçme që kemi gjetur tek Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, veçanërisht tek “Business Albania”, që kanë qenë bashkudhëtarë të këtij procesi transformues në raportin e qeverisë me tregun e punës dhe politikash të reja për punësimin, qysh nga dita e parë.

Ajo që unë dua të nënvizoj edhe njëherë është e vërteta e thjeshtë se në të gjithë vitet që pararendën ardhjen tonë në qeveri është sponsorizuar dembelizmi masiv, është incentivuar dembelizmi masiv dhe se mungesa e një strukture dhe infrastrukture politikash dhe mësimi profesional ka sjellë një rënie katastrofike të cilësisë së krahut të punës dhe një shkëputje shumë të madhe mes kërkesës dhe ofertës, mes asaj çka biznesi ka nevojë dhe asaj çka tregu i punëkërkuesve ofron. Nëse këtu kemi kompani, të cilat kanë bërë një rrugë të jashtëzakonshme në zhvillim progresiv, po të llogarisim se nga e kanë nisur, është e qartë që na duhen shumë më tepër punëkërkues të kualifikuar. Kjo është një sfidë e madhe që sigurisht do të kërkojë durim, do të kërkojë angazhim të madh, por edhe kohë.

E vërteta e thjeshtë është se në këtë hapësirë, për tre ditë janë në dispozicion 8000 vende të reja pune. Kush do punë të vijë dhe të tentojë të gjejë punën përmes aplikimeve, intervistave dhe ndërmjetësimeve, po ashtu të garantuara nga Shërbimi Kombëtar i Punës, që është këtu i pranishëm dhe që lehtëson komunikimin mes biznesit dhe punëkërkuesve.

***

Në Tiranë u çel sot Panairi i Punës 2016, një bashkëorganizim i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bashkisë së Tiranës me Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë dhe Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë. 8 mijë vende pune ofrohen nga 130 sipërmarrje, thuajse dyfishi i numrit të bizneseve që morën pjesë në panairin e vitit të shkuar.

Me një përvojë të re, vetëm në vitin e tretë të tij, panairi është kthyer një hapësirë të vlefshme informacioni për tregun e punës, duke tërhequr një numër në rritje të punëdhënësve dhe punëkërkuesve. Edhe panairi i këtij, nënvizuan drejtues të shoqatave të biznesit, tregon se mundësitë reale për punësim ekzistojnë, por kërkesa e kompanive është për punonjës të kualifikuar, ndaj ata apeluan rininë të orientohen drejt profesioneve.

Në zyrat e punësimit në vend janë në dispozicion 31 mijë vende pune të ofruara nga partneriteti mes zyrave të punës, punëdhënësve dhe punëkërkuesve. Ky partneritet ka rritur ndërveprimin mes biznesit dhe punëkërkuesve dhe zyrat e reja të punës janë kthyer në pikën e parë të kontaktit si për punëdhënësin dhe për punëkërkuesin. Kjo e bën këtë partneritet një mekanizëm funksional, që duhet konsoliduar.

Në panair janë të pranishme edhe institucione të formimit profesional publik, që e shfrytëzojnë këtë hapësirë për të promovuar rëndësinë e kualifikimit profesional në tregun e punës.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.