Kryeministri Edi Rama u nderua sot, me Medaljen presidenciale të Pavarësisë nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Medalja iu dorëzua Kryeministrit Rama në një ceremoni të veçantë Prishtinë nga Presidenti Thaçi, në prag të kremtimit të 10-vjetorit të Pavarësisë, për “kontributin e dhënë për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës”.
“Sot pata nderin dhe kënaqësinë, me autoritetin tim kushtetues dhe ligjor të ndaj Medaljen Presidenciale me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë për Kryeministrin e Shqipërisë, për kontributin e tij në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke çmuar dhe respektuar shumë angazhimet e konsolidueshme në proceset më të vështira që ka kaluar vendi. Zëri i Edit ka qenë i fuqishëm në mbështetje të lirisë së Kosovës, në mbështetje të shtetndërtimit, konsolidimit dhe të integrimit sa më të shpejtë të Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Europian,” u shpreh ndër të tjera Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Mirënjohës për këtë vlerësim të lartë, Kryeministri Rama u shpreh se “është një nga momentet më emocionuese dhe një nder i jashtëzakonshëm. Dua t’ju shpreh të gjithë mirënjohjen time, juve personalisht dhe dua të falënderoj Kosovën për këtë emocion kaq të paharrueshëm!”
Kryeministri Rama gjithashtu përgëzoi Kosovën për finalizimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, duke e konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm drejt integrimit të mëtejshëm europian të Kosovës. “Zoti President, unë dua t’ju përgëzoj për atë që ju bëtë, së bashku me Presidentin e Malit të Zi, si një hap i vendosur drejt finalizimit të një procesi që, uroj dhe shpresoj do të mbyllet në këtë moment historik të përvjetorit të 10-të të Pavarësisë, për t’i hapur rrugën përfundimisht Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, që si të gjithë të tjerët të lëvizin lirisht, por jo vetëm për këtë, por edhe për të dëshmuar seriozitet dhe përkushtim nga shteti i Kosovës në arenën ndërkombëtare, si një shtet që di të bëjë marrëveshje dhe di të respektojë marrëveshje,” deklaroi Kryeministri Rama.