Shqipëria është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për turistët britanikë, falë plazheve të saj mahnitëse, historisë së pasur dhe çmimeve të përballueshme, shkruan gazeta britanike The Sun.
Katrina Turrill në një artikull të botuar në të përditshmen britanike, si pjesë e nismës “Best Of Beaches”, vendasit i kanë rrëfyer se Shqipëria ofron atraksione unike dhe plazhe të paprekura, të cilat vendasit i konsiderojnë si “xhevahire të fshehura”. Midis tyre veçohen Gjipeja, Qeparo, Borshi dhe Livadhi, si destinacione për një eksperiencë të qetë larg turmave turistike. Po ashtu, Ksamilin e përshkruajnë si një “plazh tropikal në Evropë”, por rekomandohet të vizitohet jashtë sezonit të pikut.
Përveç plazheve, Shqipëria ofron edhe atraksione natyrore mahnitëse, si Ujëvara e Grunasit në Theth, Shpella e Haxhi Aliut në Karaburun dhe Syri i Kaltër, të cilin ekspertët sugjerojnë ta vizitoni herët në mëngjes për të shmangur turmat. Për adhuruesit e aventurës, përmenden aktivitete si parashutizmi në Llogara dhe rafting në lumin Vjosa.
Nga ana tjetër, destinacione si Berati, Gjirokastra dhe Butrinti janë të pasura me histori dhe trashëgimi kulturore, ndërsa qyteti i Durrësit dhe Parku i Madh i Tiranës janë ideale për familjet me fëmijë.
Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë turistë të huaj dhe pritet të bëhet një nga destinacionet më të kërkuara në Evropë në vitet e ardhshme.
https://www.thesun.co.uk/travel/29291311/albania-locals-tips-restaurants-hotels-attractions-beaches/